Jo “Pika” por “Pyka”!

0
Arrestimi i policëve

Shkruan: Florim Zeqa, 17.03.2022

Nuk e besoj se mund të ketë njeri në Kosovë, që nuk i gëzohet luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, arrestimet e fundit të zyrtarëve policorë janë aq sipërfaqësore dhe të nivelit të ulët, saqë nuk ia vlen të mburret qeveria për suksesin e arritur në atë drejtim!

Arrestimi për 2.5 euro ryshfet, anomali e llojit të vet

Të arrestohet një zyrtar shtetëror për 2.5 euro (dy euro e gjysmë) të supozuara si “marrje ryshfeti”, qoftë ai punëtorë i administratës, polic apo doganier, përveqse qesharake është edhe paradoksale në shtetin e varfër të politikanëve të pasurur.

Aksioni i koduar me emrin “Pika”, me 50 zyrtarë shtetëror të arrestuar, nga të cilët 48 pjestarë të Policisë së Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës, pa asnjë arrestim të nivelit të lartë është shqetësim për të ardhmen e shtetit tonë!

Të gjithë lexuesit e këtyre rreshtave do të pajtohen me mendimin tim, se niveli alarmant i korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendin tonë burimin nuk e ka në pikat kufitare, por në institucionet më të larta të shtetit dhe në selitë e partive politike, aty ku të fortët e politikës i bëjnë planet dhe i ndajnë sferat e interesit nëpër zona dhe territore të caktuara në Kosovë!

Për hirë të paanësisë partiake, kësaj radhe nuk do të ndalem në emra të përveqëm të subjekteve politike apo liderëve partiak, se cila parti apo cili politikan është treguar më i shkathtë sesa tjetri në zhvatjen e pasurive shoqërore dhe shtetërore, pasi janë prokurorët e shtetit ata të cilët duhet t’i trajtojnë me prioritet rastet korruptive nga lartë-poshtë, respektivisht nga hierarkia e lartë shtetërore, nëpër  të gjitha institucione veç e veç, ku lëndët e profilit të lartë gjithnjë mbetën nëpër sirtarët e pluhërosur të sistemit të drejtësisë!

Afera korruptive me dhënjen e tenderëve, subvencioneve dhe lojë me çmime ka pasur nëpër të gjitha qeveritë e pasluftës deri në këtë të fundit, ku dikush brenda natës bëhet milionerë, por, për habi asnjë prokuorë nuk e merrë guximin të merret me oligarkët politik dhe ekonomik të cilët përfitojnë në situata krizash ekonomike, politike dhe pandemike!

Arrestimi spektakularë i 48 policëve dhe dy doganierëve i ka qitë hije të zezë imazhit pozitiv të Policisë së Kosovës, e cila deri dje krahasohej ndër më profesionalet dhe më të pastrat në rajon dhe më gjerë!

Arsyeja pse arrestimet e zyrtarëve policorë nuk është dashtë të ndodhin në mënyrë spektakulare dhe në të njëjtën ditë dhe orë, është fakti se akuzat për veprat e dyshuara ndaj tyre nuk kanë të bëjnë më krim të organizuar dhe as korrupsion të orkestruar!

Janë politikanët e profilit të lartë apo “peshqit e mëdhenj”, ata të cilët duhet të arrestohen dhe t’iu konfiskohet pasuria e paligjshme, e jo një zyrtarë policorë që dyshohet se e paska pirë një kafe në mënyrë të “paligjshme”!

Po e përserisë, paligjshmëritë më të mëdha kanë ndodhur dhe ndodhin në presidencë, qeveri dhe parlament e jo në një pikë doganore e cila është e vëzhguar nga të gjitha anët me kamerat e sigurisë!

Jo aksioni “Pika”, por “pyka” e politikës është ajo që e ndanë të mirën nga e keqja. Sikurse drita që e zhdukë errësirën, sikurse pastërtia që e eleminon ndytësirën, edhe drejtësia duhet ta mundë padrejtësinë aty ku mjegulla është më e dendur në institucionet e larta shtetërore, kur kafetë nuk llogariten pas drekave dhe darkave të shtrenjta nëpër restorantet luksoze!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.