Fotografia më e hershme e njohur e Hasan Kalešit kur po i vijonte mësimet tek Medreseja e Madhe “Kral Aleksandar” në Shkup
Nga Col Mehmeti, 17 dhjetor 2023
Midis simpoziumesh, përvjetorësh e përkujtimesh të shpeshta, Kalešit po i naltohet një përmendore miti si studiues i anatemuar. Sidoqoftë, shënimet e mëposhtme janë përpjekje modeste, për rindërtim të profilit të tij dhe ravave të tij jetësore nga një bashkëpunëtor i UDB-së, plagjiarizimet jo të pakta në vitet ‘50, e deri te hakërrimet e tij ndaj kolegëve në Prishtinë e Tiranë. Bota shqiptare e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore ishte cak i lehtë për fushatat e tij defamatore, por i tillë ai nuk para shfaqej në Beograd, atje ku gjatë gjithë jetës rravgoi për të qenë pjesë e elitizmit jugosllav.
Në qershor të njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtës, diçka sikur e kishte konsumuar nga brenda. Sado që me moshë ishte vetëm 54 vjeç, nga dukja ai më tepër i ngjante dikujt që e ka shkelur pragun e pleqërisë. I quajtur si një nga përfaqësuesit më të spikatur të orientalistikës jugosllave, Hasan Kaleši, ashtu siç shfaqet i leqendisur e nevrik në një nga fotografitë e fundit të tij në Beograd, sot po rikthehet për arsye që jo gjithmonë janë të qarta. Me prurje të pakta e prani gati inekzistente jashtë Kosovës, albanologjia e sotpërsotshme është e nivelit të një shtëpie botuese që riboton libra të pesëdhjetëvjetëshit të kaluar ose që shkruan nekrologë. Ky edhe mund të jetë psehu që Kaleši begeniset e ribotohet vazhdimisht, madje kjo përjetohet si kushediçfarë e mbërrime e albanologjisë.
Sadoqë rëndësia e trashëgimisë shkollareske të Kalešit për shqiptarët nuk barabitet me atë që e ka pasur Aleksandar Stojanovski e Metodija Sokoloski për Maqedoninë, apo Hazim Šabanović, Fehim Bajraktarević e Adem Handžić për Bosnjën, ai tashmë i përgjigjet një nevoje kolektive për validim. Midis simpoziumesh, përvjetorësh e përkujtimesh të shpeshta, Kalešit po i naltohet një përmendore miti si studiues i anatemuar. Sidoqoftë, shënimet e mëposhtme janë përpjekje modeste për rindërtim të profilit të tij dhe ravave të tij jetësore nga një bashkëpunëtor i UDB-së, plagjiarizimet jo të pakta në vitet ‘50 e deri te hakërrimet e tij ndaj kolegëve në Prishtinë e Tiranë.
Bota shqiptare e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore ishte cak i lehtë për fushatat e tij defamatore, por i tillë ai nuk para shfaqej në Beograd, atje ku gjatë gjithë jetës rravgoi për të qenë pjesë e elitizmit jugosllav. Këto lojalitete të ndara dolën në lojë tragjikisht kur mbi arkivolin e tij plasën mosmarrëveshje nëse duhej të varrosej në Kërçovë, Prishtinë apo në Beograd. Nga kjo anëpamje, përpjekja e neokaleshianëve në Kosovë e Maqedoni seç ka diçka groteske. Ata e mbajnë të fshehur nën rrogoz Kalešin që u lidh ndjenjërisht me Beogradin, krijoi familje atje, duke e lënë vetëm një tjetër Kaleš që duan ta besojnë se punoi e veproi për shqiptarizmen.
Fotografi nga vjeti 1943 që paraqet Hasan Kalešin (në mes) kur punonte si nënsekretar në Gjykatën e Kërçovës
Kulturë epitetdhënëse
Nga viti 2012 e deri më sot, Hasan Kaleši është luanizuar si model studiuesi e intelektuali kryesisht nga tarafet islamiste në Fakultetin Filologjik, Institutin Albanologjik dhe pjesërisht edhe në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Me disa simpoziume e përkujtime të mbajtura më 2016 dhe 2022, si në nekromancitë mesjetare me magjistrica, Hasan Kaleši i rizbuluar është botuar e ribotuar në formë festschrift-ash e përmbledhjesh. Si vazhdimësi e vëllimit të parë të botuar më 1996 në Kërçovë, e kështuquajtura Shoqatë e Orientalistëve vitin e kaluar në 100-vjetorin e lindjes së studiuesit jetëndërruar e nxori në dritë dhjetëvëllimshin “Hasan Kaleshi – Vepra”.
Në parathënien e shkruar për vëllimin e parë, studiuesi Feti Mehdiu në emër të redaksisë vlerësoi se ky botim është “për të kryer një obligim moral ndaj profesorit Kaleshi, në njërën anë, dhe në anën tjetër t’i bëjnë një shërbim gjeneratave që vijnë”. Me fare pak ndryshime, nekromancia botimore u vazhdua edhe me përmbledhjen e re “Studime Filologjike dhe Historiografike” si botim i sivjetmë i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Në parathënien që hap siparin e kësaj përmbledhje, Qemal Murati shkruan se ky botim “ka bërë një akt nderimi dhe shpagimi të borxhit ndaj këtij personaliteti e dijetari krejt të veçantë, vepra e të cilit për historiografinë shqiptare, siç do të thoshim me një shprehje të Viktor Hygoit, është ‘Abetarja e së vërtetës’”.
“Debutimi” i Kalešit me 2015 nëpërmjet botimit në shqip të njërit prej artikujve më kundërthënës të tij,[1] ku skicohej ideja problematike se Perandoria Osmane ishte deux ex machina për mbijetesën etnike shqiptare në mesjetë, shërbeu si njëfarë letre lakmuesi midis polemikave e komenteve të shumta — pjesa më e madhe kundërshtuese.[2]
Duke anashkaluar krejt argumentet e ofruara kundër një ideje të tillë, Hasan Kaleši që nga ajo kohë ka njohur promocione të njëpasnjëshme në mediat virtuale dhe ato sociale. Në zemër të rikthimit të tij është pandehma sikur ai është “anatemuar”, shpërfillur e kaluar në heshtje. Kësodore, me Kalešin e rikthyer, pas heqjes së anatemës që demek ia paskan bërë mohësit, shumë nga pohimet e tij themelisht të paqëndrueshme morën të drejtën e shtetësisë dhe licencën për t’u bërë pikënisje e rishkrimit të historisë përkundrejt periudhës së pushtimit osman. Ndonëqë në të gjallë, Kaleši gëzoi si pak studiues të sërës së vet favoret e shtetit jugosllav, apologjizmat pa mbulesë që i bëhen nga studiues e publicistë nuk e zënë në gojë një anëpamje të tillë.
Një kërkim rastësor i inflacionit shkrimor që është bërë përgjatë këtyre viteve për Kalešin vë në dukje vetëm prirjen epitetdhënëse dhe ngazëllimin personal që shitet si vlerësim objektiv. Fjala vjen, për Feti Mehdiun, ai “ishte intelektual i rrallë shqiptar, n’mos edhe i vetmi – jashtë Shqipërisë politike – i cili diti dhe pati guximin…”[3]; për Muhamed Mufakun, ai ishte “figurë e njohur në qarqet shkencore prej Parisit deri në Hamburg, e prej Stambollit deri në Kajro”[4]; për biografin e tij Riza Sadiku, ai ishte “përkrahës dhe simpatizant i ideve të platformës të çlirimit dhe bashkimit kombëtar”[5]; për Nuridin Ahmetin, ai bën pjesë në “plejadën e shquar të shkencëtarëve të mirënjohur të botës shqiptare”[6]; për Shkëlzen Gashin “shqiptarët nuk kanë pasur dhe me gjasë vështirë se do ta kenë ndonjëherë një historian të kalibrit të Hasan Kaleshit”[7], etj.
Faksimil i dokumentit të Ministrisë së Drejtësisë që i akordonte Kalešit pushim njëmujor
Kaleši, një prodhim i orientalizmit jugosllav
Fill mbas Luftës së Dytë Botërore studimet orientale në Jugosllavi u hovizuan sebet prioritarizimit nga ana e shtetit jugosllav dhe ekzigjencave të tij kundrejt botës islamike. Përkundrejt këtij sfondi ku strategjia gjeopolitike luante me të ashtuquajturën Lëvizje e të Painkuadruarve, kjo disiplinë krijoi profilin e saj fillimisht në Beograd e, tevona, në Sarajevë. Në orientalistikën sekulare jugosllave, ashtu sikundër kishte ndodhur edhe me barasvlerën e saj sovjetike, ai pak literat që kishte një prapavijë arsimore në medresetë e asohershme përbente bërthoklën e instituteve që do t’i shkencorizonin studimet në këtë lëmë: i pari ishte Departamenti i Studimeve Orientale në Beograd (1926), Instituti Oriental në Sarajevë (1950) si dhe, po aty, Fakulteti i Studimeve Islame (1977). Shprehja më domethënëse e kësaj përkrahjeje nga ana e shtetit është fakti se në mesin e viteve ‘80, në këto dy të fundit ishin të angazhuar 16 profesorë e kërkues universitarë, përderisa ekzistonin tri medrese në Sarajevë si dhe një tjetër në Shkup.[8]
Kur është fjala për prurjet akademike, me gjithë kërkesat politike nga lart, pjesa më e madhe e qendrave të tilla kërkimore më tepër ishin të qendërzuara te “Orienti i brendshëm”, e jo pak të ndikuara edhe nga sentimentet kombëtare.[9] Prerje e këtij mjedisi shumëqendërsh në ish-Jugosllavi ishte edhe studiuesi kundërthënës nga Kërçova, Hasan Kaleši (1922-1976). Jo rastësisht orientalisti nga Beogradi, Alexandre Popović vdekjen e tij e kishte vlerësuar si “zi për orientalizmin jugosllav”.[10] Me po këtë ndjesi humbje e ulje flamuri në gjysmështizë edhe Ahmed Aličić e quante humbjen e Kalešit si “shkatërruese për shkencën jugosllave, veçmas orientalizmin”. [11]
Hasan Kaleši i skicuar biografikisht
Jetëshkrimi standard për Hasan Kalešin në më të shumtën e rasteve nuk del përtej caqeve të asaj që është skicuar në të parin libër monografik të botuar nga bashkëvendësi i tij kërçovar, Riza Sadiku.[12] I lindur më 7 mars 1922 në fshatin Serbicë të Kërçovës, Hasan Kaleši ishte njëri nga nëntë fëmijët e Ahmedit dhe Hajries. Në të vërtetë, prejardhja e tejlargët e kësaj familje binte nga Mati, e që pastaj zuri vend në katundin malor të Prapadishtit. Mësimet e para i mori prej të atit që shërbente asokohe si hoxhë vendi, duke përvetësuar kësisoj edhe do njohuri rudimentare nga arabishtja. Shkollimin fillor e kreu në vendlindjen e tij, kurse gjashtë klasë do t’i vijonte tek Medreseja e Madhe “Kral Aleksandar” në Shkup.
Më tej, dy vjet të tjera të shkollimit të mesëm do t’i bënte në Liceun “Sami Frashëri” në Prishtinë, në kohën kur një pjesë e madhe e Kosovës veçse kishte hyrë nën juridiksionin e Mbretnisë Shqiptare. Njohuritë e tij nga italishtja duhet t’i kenë hyrë në punë kur ai u angazhua si përkthyes në administratën shqiptare të nënpërfekturës së Kërçovës. Disa vjet më vonë, Kaleši u bë pjesë e aradhave partizane, madje deri në gusht të 1946-s. Nga ata pak të rinj shqiptarë që patën mundësi shkollimi të lartë, më 1946 ai u regjistrua në Degën e Orientalistikës si dhe në atë të Romanistikës në Fakultetin Filozofik në Beograd. Diplomoi pesë vjet më vonë në Orientalistikë, teksa në të njëjtën kohë punoi si përkthyes e lektor në seksionin shqip të Radio Beogradit. Më 1955, si 33-vjeçar u angazhua asistent në katedrën e Filologjisë Orientale në Beograd. Pesë vjet më vonë, Kaleši mbrojti disertacionin e tij doktoral “Dokumentet më të vjetra të vakëfeve në gjuhën arabe në Maqedoni” (Najstariji vakufski dokumenti iz Makedonije na arapskom jeziku). Ambicia e tij për t’u bërë pjesë e rregullt e kuadrit të katedrës së Orientalistikës u shua përfundimisht më 1965.
Me lidhjet e nduarnduarta që kishte krijuar në rrethe politike e universitare, Kaleši gëzoi besimin e plotë sa të shërbente si përkthyes zyrtar në takimet e Titos me Naserin dhe delegacione të tjera arabe në Dedinje. Si emër që po imponohej gjithnjë e më fort, ai u bë përfitues i një burse shtetërore gjermane nëpërmjet Shoqatës së Studimeve Uralo-Altaike për të studiuar turkologjinë në Universitetin e Hamburgut. Pas qëndrimeve të përkohshme në Gjermani e Egjipt, falë një referati të shkruar nga profesorët Mehmed Begoviq, Mark Krasniqi dhe Idriz Ajeti, Kaleši në shtator të vitit 1967 zgjidhet bashkëpunëtor i lartë shkencor pranë Institutit Albanologjik në Prishtinë. Tre vjet më vonë, falë referatit të shkruar nga profesorët Hazim Shabanoviq, Metodija Sokoloski dhe Avdo Sućeska, ai bëhet profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, me ç’rast ligjëroi në Departamentin e Historisë. Pena e Kalešit spikat me një duzinë shkrimesh te revistat e gazetat e asokohshme shqipe si “Jeta e Re”, “Përparimi” e “Flaka e Vllaznimit”; më vonë në vitet ‘60 e ‘70 ai u bë kontributdhënës i shpeshtë me prurje studimore nëpër revistat shkencore që botoheshin në Kosovë si “Gjurmime Albanologjike”, “Studime Historike dhe Filologjike”, “Vjetari”. Me emrin e tij njashtu spikasin plot artikuj në revista jugosllave si “Jugoslovenski istorijski časopis” e “Balcanica” (Beograd) e “Prilozi za orijentalnu filologiju” (Sarajevë).
Fotografi e vjetit 1942 nga Liceu “Sami Frashëri” në Prishtinë. I pari është arsimtari dhe atleti shkodran, Feti Dizdari, kurse në të majtë të tij (në këmbë) është Hasan Kaleshi bashkë me ekipin volejbollistik të shkollës
Përveçse pjesëmarrës ndër konferenca e simpoziume orientalistësh në Evropë, Turqi e vendet arabe, Kaleši u shqua me kontribute të farëfarshme që çiknin kryesisht aspekte historike e filologjike nga periudha osmane, autor zërash enciklopedikë kryesisht për shqiptarët si dhe ligjërues në universitete në rajon. Me shëndetin që e kishte marrë tatëpjetën prej vitesh, Kaleši vdiq papritur më 19 korrik 1976 prej një sulmi në zemër teksa po hynte në ndërtesën e Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve të Kosovës. Në ditët në vazhdim plas një mosmarrëveshje se ku do të varrosej ai, por pas ngulmimit të familjes së tij (bashkëshortes serbe dhe dy djemve, Damirit dhe Erollit), varrezat në Beograd u caktuan si vendprehje për trupin e tij.
Përkthyes italishte, nënsekretar Gjykate dhe gjimnazist
Në thuajse secilin jetëshkrim në gjuhën shqipe kalohen nxitimthi ato pak vjet shërbimi që i pati në administratën e nënprefekturës shqiptare të Kërçovës. Kjo “njollë” biografike që shumë ofiqarëve shqiptarë u kushtoi me vrasje, burgosje e diskriminim, Kalešin nuk e pengoi asfare që mbas 1945-s të përbirohej e të ngjitej lart e më lart në shkallaren sociale jugosllave. Ky episod, pra shërbimi në administratën shqiptare, i përmendet atij në një mënyrë të vagullt në të parën skicë biografike të tij të botuar disa vjet mbas vdekjes së tij. Në këtë tekst të shkurtër vetëm sa zihet në gojë rrethana që, mbas mbarimit të Gjimnazit, ai u bë punonjës bashkiak në Kërçovë, por pa u përsaktësuar detyra e tij.[13] Por nga një shfletim i dokumenteve të shtetit shqiptar, mësohet se Kaleši kësokohe paska ushtruar detyrën e nënsekretarit gjyqësor pranë Gjykatës Paqtuese në Kërçovë.
Me sa duket në vitin e fundit në Liceun “Sami Frashëri”, në Prishtinë, djaloshi 22-vjeçar kishte bërë një kërkesë që të lirohej nga detyra për shkak të dhënies së provimeve. Nëpërmjet një shkrese që mban datën 3 shkurt 1944, duke iu përgjigjur gjimnazistit kërçovar, Ministria e Drejtësisë në Tiranë i përcillte udhëzime konkrete Prokurorisë së Shtetit në Prishtinë. “T’i bahet e dijtur Z. Hasan Kaleshi, Nën-sekretar gjyqësuer me shërbim pranë Gjykatës Paqtuëse të Kërçovës, si në gjegje të telegramit q’i ka drejtue direkt kësaj Ministrije, se për arësyena të dhanëjes së provimeve pranë Liceut t’atyshëm, i akordohet një muaj leje qe përdorimi i së cilës fillon nga data e largimit të tij prej Kërçove”, thuhet në këtë shkresë të nënshkruar nga ministri Rrok Kolaj.
Disa ditë më vonë, edhe zëvendësprokurori i Shtetit në Prishtinë, Nexhat Bejtullahu, duke e përcjellë tej vendimin ministror, i drejtonte një shkresë Drejtorisë së Shkollës Normale që të riut kërçovar i miratohej pushimi prej një muaji. “T’i njoftohet Z. Hasan Kaleshit Nën-sekretar gjyqsuer me shërbim pranë Gjykates Paqtuëse të Kërçovës e tash pranë asaj Normale se, në gjegje të telegramit që i ka drejtue direkt Ministris së Drejtësis dhe për arësyena të dhanjes së provimeve pranë asaj Normale, i akordohet nji muaj leje, që përdorimi i së cilës fillon nga data e largimit të tij prej Kërçove”, përfundon shkresa me numër protokollar 151 e Prokurorisë së Shtetit në Prishtinë.
Për aq sa shkojnë kërkimet e gjertanishme, dëshmitë e jetës së Kalešit si gjimnazist në Prishtinë janë fundemaje të varfra. Gjithçka është mbledhur përbëhet prej fotografish nga jeta shkollore e tij. Njëra prej tyre e vitit 1942 paraqet ekipin volejbollistik të Gjimnazit “Sami Frashëri” me atletin shkodran Feti Dizdari, asokohe arsimtar i edukimit fizik në Prishtinë, bashkë me Hasan Kalešin, Xheladin Softën, Fuad Grapcin, Ramadan Vraniqin, Hamit Thaçin dhe Nijazi Devën. Edhe një fotografi e datës 30 prill 1943 ka fiksuar Hasanin tok me Bardhyl Pogonin nga Tirana.
(Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë)
[1] Fjala është për studimin infamoz të Kalešit, “Das türkische Vordrngen auf dem Balkan und die Islamisierung. Faktoren für die Erhaltung der ethnischen und nationalen Existenc das albanischen Volks” në Georg Stadtmuller (eds.), Südosteuropa unter dem Halbmond: Untersuchungen über Geschichte und Kultur der Südosteuropäischen Völker Während der Türkenzeit. (Munich Trofenik, 1975), 125-38. Si kumtesë, ky studim ishte lexuar fillimisht në Kongresin e parë Ndërkombëtar të Turkologjisë në Stamboll (tetor 1973). Me përkthim nga Abdulla Rexhepi është botuar edhe në tre numra të “Kohës Ditore”, Shtojca për Kulturë, (11, 18 dhe 25 korrik 2015), f. 22
[2] Ideja e Kalešit se depërtimi osman duhej parë përtej imazhit tradicionalist ishte komentuar qysh në vitet ‘70. Në një nekrolog të botuar pak pas vdekjes, albanologu gjerman Peter Bartl vlerësonte se ”teza e Kaleshit ishte qëllimisht e ekzagjeruar, ngase qëllimi i tij i deklaruar ishte të ngjallte polemika e të sfidonte opinionin…” (shih Peter Bartl, “Hasan Kaleshi (1922-1976)”, në Südost Forschungen, (München Vol. 35, 1976), ff. 252-253. Jo më tepër se në një koment të shkurtër fusnote, hipoteza e Kalešit ishte komentuar në mënyrë shpërmiratuese nga Oliver Jens Schmitt, sipas të cilit ideja e studiuesit në fjalë ishte nisje prej antroponimisë për të dalë te etniciteti. “Një argumentim që në dijen e hulumtimit të emrave është shumë problematik, por sidomos teza të tilla nisen nga një përfytyrim esencialist për identitetet etnonacionale, të cilat shihen si të qëndrueshme në vështrim diakronik” (Oliver Schmitt, Skënderbeu, (Fjala, 2014; përk. Adrian Klosi), f. 453. Një kritikë më e zgjeruar është botuar edhe nga autori i këtyre rreshtave, C. Mehmeti, “Identiteti shqiptar në mesjetë”, “Koha Ditore”, Shtojca për Kulturë (8 gusht, 2015), ff. 26-27. Njashtu me rastin e një interviste, albanologu hungarez Krisztián Csaplár-Degovics e kishte vlerësuar si jobindëse teorinë e Kalešit teksa kishte folur mbi përpjekjet për rishikimin e historisë dhe prirjet për t’i dhënë Perandorisë Osmane një imazh opulent (shih pjesën e dytë të intervistës së Krisztián Csaplár-Degovics me C. Mehmetin, “Ndikimi turk deri te falsifikimi i historisë”, “Koha Ditore”, Shtojca për Kulturë (28 dhjetor, 2019), f. 22.
[3] Shih Hasan Kaleshi: “Vepra 2”, përgatiti Feti Mehdiu, (Dija, 2022), f. 11.
[4] Muhamed Mufaku, “Kontributi i Hasan Kaleshit në themelimin e Institutit Albanologjik”, “Koha Ditore”, Shtojca për Kulturë, (6 shkurt, 2022) f. 11
[5] Riza Sadiku, “Prof. Dr. Hasan Kaleshi, personalitet me famë botërore”, 10 korrik 2016, në https://gazetadielli.com/prof-dr-hasan-kaleshipersonalitet-me-fame-boterore/ (Qasur për herë të fundit me 9 dhjetor 2023).
[6] Nuridin Ahmeti, “Hasan Kaleshi dhe historiografia shqiptare’, 13 shtator 2021, në https://orientalizmi.wordpress.com/2021/09/13/hasan-kaleshi-dhe-historiografia-shqiptare/ (Qasur për herë të fundit më 9 dhjetor 2023).
[7] Shkëlzen Gashi, “Pse anatemohet historiani i jashtëzakontë Hasan Kaleshi”, 17 maj 2022, në https://sbunker.net/teh/91382/pse-anatemohet-historiani-i-jashtezakonte-hasan-kaleshi/ (Qasur për herë të fundit më 9 dhjetor 2023).
[8] Vjekoslav Perica, Balkan Idols: Religion and Nationalism in Yugoslav States, (United Kingdom: Oxford University Press), 2002, f. 12.
[9] Një histori të thuktë e ecejakeve të orientalogjisë jugosllave ofron Armina Omerika, “Competing National Orientalisms: The cases of Belgrade and Sarajevo”, në Artemy M. Kalinovsky dhe Martin Kemper (eds.), “Reassessing Orientalism: Interlocking Orientologies during the Cold War” (London: Routledge, 2015), ff. 170-210.
[10] Alexandre Popović, Hasan Kaleši (1922-1976), Turcica 9, 1978, f. 7: “L’orientalisme yougoslave est en deuil. Il vient de perdre un de sesmeilleurs représentants qui nous a quittés brusquement, terrassé parune crise cardiaque à l’âgecinquante-cing ans. Vu d’ici, la nouvelleparaît irréelle et inacceptable, tellement l’homme avait l’apparencede ceux qui étaient faits pour durer…”.
[11] Ahmed S. Aličić, “Hasan Kaleši: (1922-1976)”, Balcanica, 7, Beograd, 1976, 452-453.
[12] Riza Sadiku, “Hasan Kaleshi: Jeta dhe vepra”, (Prishtinë: Grafoprint, 1996), ff. 13-22. Profile të tjera më të shkurtra për Kalešin janë ato te Robert Elsie, “Historical Dictionary of Kosova”, (United Kingdom: Scarecrow Press, 2004), f. 90; “Fjalor enciklopedik shqiptar”: H-M, (Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2008), f. 1095; si dhe te “Fjalori Enciklopedik” i Kosovës II: L-ZH (Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, 2018), f. 727.
[13] Jugoslovenski istorijski časopis, 1979, f. 224: “Po završetku gimnazije zaposlio se kao službenik opštine u Kičevu”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Shkrim mjaft interesant për jetën e kët pseudointelektuali pro serb. Ka disa historian nga Maqedonia që e referojnë tezat e keti shpiuni si referenca shkencore.
Ka disa historian nga Maqedonia që e referojnë tezat e keti shpiuni si referenca shkencore
që rreshtohen më historianet serb.