Një murale në Tehran të martën. Arash Khamooshi për The New York Times
Bota, 2 Shkurt 2026
Nga Katrin Bennhold – The New York Times
– Përktheu Arben Çokaj
Mirëmëngjes, botë! Një grumbullim i madh ushtarak amerikan në ujërat bregdetare. Kërcënime të përsëritura për veprime ushtarake nga Shtëpia e Bardhë. Njerëz brenda vendit shpresojnë që Presidenti Trump do të largojë një diktator.
Ju duket e njohur?
Tingëllima e shpatës së Trump ndaj Iranit të kujton javët para sulmit të paturp, që rrëzoi Presidentin Nicolás Maduro të Venezuelës muajin e kaluar. Por Irani nuk është Venezuela. Sot shkruaj përse rrëzimi i udhëheqjes iraniane do të ishte shumë më i vështirë sesa rrëzimi i presidentit të Venezuelës – dhe si mund të destabilizonte të gjithë Lindjen e Mesme.
Nëse i besoni fjalës së Presidentit Trump, ora po ecën për veprime ushtarake kundër Iranit.
Trump u ka dhënë në mënyrë efektive autoriteteve iraniane një ultimatum. Ai ka kërkuar që Irani të përfundojë programin e tij bërthamor, të ndalojë prodhimin e raketave, që mund të arrijnë Izraelin dhe të ndërpresë çdo mbështetje për përfaqësuesit e armatosur në rajon – në thelb të heqë dorë nga të gjitha ndikimet e tij. Është një shans i vogël.
Dhe javën e kaluar, ai detajoi se çfarë do të ndodhte, nëse Irani nuk do të vepronte në përputhje me kërkesën. “Një Armatë e madhe po shkon drejt Iranit“, shkroi Trump në Truth Social. “Ashtu si me Venezuelën, ajo është e gatshme, vullnetplotë dhe e aftë të përmbushë me shpejtësi misionin e saj, me shpejtësi dhe dhunë, nëse është e nevojshme.”

Trump po bën në mënyrë aktive një krahasim me Venezuelën. Shtetet e Bashkuara grumbulluan forca pranë bregdetit të Venezuelës si pjesë e një fushate presioni kundër udhëheqësit të vendit. Kur Maduro refuzoi, SHBA-të e sulmuan dhe e kapën atë në një sulm të guximshëm gjatë natës.
Por, siç raportojnë kolegët e mi, aftësia e Iranit për të goditur qytetet izraelite dhe për të destabilizuar Lindjen e Mesme në përgjithësi e bën atë një kundërshtar shumë më të rrezikshëm sesa Venezuela. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht gjithë mburrjes së tij, Trump dhe ndihmësit e tij kryesorë po peshojnë ende nëse duhet t’i përmbushin kërcënimet për veprime ushtarake.
“Presidenti po përdor Venezuelën për të provuar të frikësojë iranianët, por pa një objektiv të qartë“, më tha kolegu im David Sanger në Uashington. “Libri i strategjisë është i njohur. Por objektivi është shumë, shumë i ndryshëm.”
(Shikoni Davidin teksa shpjegon në videon më sipër pse Trump po e sulmon Iranin tani.)
Kërcënimi për luftë të përgjithshme
Analogjia me Venezuelën është joshëse.
Irani, ashtu si Venezuela, drejtohet nga një qeveri autoritare brutale dhe është gjymtuar nga vite të tëra sanksionesh. Ai e përcakton veten në kundërshtim me Shtetet e Bashkuara, duke u mbështetur te rivalët amerikanë si Kina dhe Rusia për të anashkaluar kufizimet tregtare.
Dhe është i dobët brenda vendit, siç zbuluan protestat masive në janar. Dhjetëra iranianë i kanë thënë koleges sime Erika Solomon, shefes së zyrës sonë për Iranin, se shpresojnë që Trump do ta mbajë premtimin e tij për të dërguar ndihmë dhe për të larguar udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Donald J. Trump postoi në Truth Social
Një Armatë masive po shkon drejt Iranit. Po lëviz shpejt, me fuqi, entuziazëm dhe qëllim të madh. Është një flotë më e madhe, e kryesuar nga Aeroplanmbajtësja e madhe Abraham Lincoln, sesa ajo e dërguar në Venezuelë. Ashtu si me Venezuelën, ajo është e gatshme, vullnetplotë dhe e aftë të përmbushë me shpejtësi misionin e saj, me shpejtësi dhe dhunë, nëse është e nevojshme. Shpresojmë që Irani të “Ulet në Tavolinë” shpejt dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – JO ARMË BËRTHAMORE – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, është vërtet thelbësore! Siç i thashë Iranit një herë më parë, BËJE NJË MARRËVESHJE! Ata nuk e bënë, dhe pati “Operacionin Çekani i Mesnatës”, një shkatërrim të madh për Iranin. Sulmi tjetër do të jetë shumë më i keq! Mos e bëni që kjo të ndodhë përsëri. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!
Presidenti DONALD J. TRUMP
28 janar 2026
Por Irani ka shumë kapacitet për të shkaktuar dëme në mënyra që Venezuela nuk i shkakton.
Teherani duket i dobët ushtarakisht për momentin. Regjimi i Asadit në Siri ka rënë. Aleatë të tjerë rajonalë, si Hamasi dhe Hezbollahu, janë shkatërruar plotësisht. Dhe bombardimet nga Izraeli dhe SHBA-të qershorin e kaluar dëmtuan linjat e prodhimit të raketave balistike të Iranit dhe varrosën pjesën më të madhe të rezervave të tij bërthamore.
Por Erika më tha se kjo dobësi është pjesë e arsyes pse udhëheqja iraniane është kaq e vendosur të kundërsulmojë. Mund ta lexoni analizën e saj këtu.
“Këtë herë bëhet fjalë për mbijetesë”, më tha Erika. “Ata kanë sinjalizuar se nëse SHBA-të i godasin, do të bëjnë çmos që kjo të shndërrohet në një luftë të përgjithshme në rajon.”
Një mural i madh mbi një rrethrrotullim përshkruan rreshta arkivolesh të mbështjella me flamuj izraelitë dhe amerikanë poshtë një mesazhi në anglisht dhe hebraisht. Në anglisht shkruan: “Kini kujdes ushtarët tuaj!”
Izraeli në gatishmëri të lartë
Milicitë shiite në Irak që Irani i ka mbështetur prej kohësh janë zotuar të vijnë në ndihmë të Iranit. Këto “forca martirësh” betohen të luftojnë deri në vdekje dhe mund të nxisin përleshje me forcat amerikane në Irak, që do ta destabilizonin ndjeshëm vendin, tha Erika.
Houthit në Jemen gjithashtu mund t’i bashkohen përleshjes. Në të kaluarën, ata kanë synuar anijet amerikane në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë e rëndësishme transporti për tregtinë botërore.
Por kërcënimi më i menjëhershëm vjen nga raketat balistike me rreze të gjatë veprimi të Iranit. Ato mund të mbulojnë një distancë prej 2,000 kilometrash, duke ekspozuar të gjithë Lindjen e Mesme. Dhe Irani ka paralajmëruar se, nëse sulmohen, do të godasë Izraelin dhe trupat amerikane në rajon.
Unë fola me kolegun tim Ronen Bergman në Tel Aviv. Ai më tha se qershorin e kaluar, vetëm disa raketa iraniane kaluan sistemin e mbrojtjes ajrore të Izraelit.
Por pas dy vitesh lufte, Izraeli ka pak raketa interceptuese – raketat që hidhen në atmosferë për të rrëzuar raketat hyrëse. Dhe këtë herë, agjencitë e inteligjencës izraelite i thanë Ronen, një kundërsulm iranian mund të përqendrohet në qytete të mëdha në Izrael.
“Po flasim për 500, 700, 900 kilogramë eksplozivë,” tha Ronen. “Ato mund të shkatërrojnë një rrugë të tërë.”
Pa objektiv të qartë
E gjithë kjo krijon një llogaritje të ndërlikuar për Trump dhe ngre një pyetje më të madhe: Çfarë shpreson të arrijë ai?
“Cili është objektivi ynë politik dhe operacional këtu?” pyeti kolegu im David. “A është një ndryshim në lidership? A po sigurohet që aftësia raketore të mos arrijë Izraelin? A po përfundon punën me programin bërthamor? Veprimi ushtarak mund të mos ndihmojë me disa prej tyre. Kur i bën presion administratës, merr një breshëri përgjigjesh, por asnjë përparësi.”
Gjatë protestave në Iran muajin e kaluar, Trump dukej se premtonte se do të rrëzonte qeverinë. Tani që demonstratat janë shtypur, fokusi i presidentit është përsëri në programin bërthamor të Iranit (atë që ai pretendoi se e kishte zhdukur në qershor).
Trump po përdor kërcënimin e sulmeve për të nxitur një marrëveshje të re. Zyrtarët amerikanë i thanë Davidit se ishin skeptikë se Teherani do të pranonte kushtet e Trump.
Por ata gjithashtu e dinë se çdo operacion kundër Iranit do të ishte shumë më i vështirë sesa ajo që bënë SHBA-të në Venezuelë. Sekretari i Shtetit Marco Rubio i tha Senatit të mërkurën se ai imagjinonte se do të ishte “shumë më komplekse” të shpërbëhej qeveria autoritare e Iranit, e udhëhequr nga një figurë fetare me ndikim të gjerë rajonal.
Kolegët e mi thonë se nuk presin sulme të afërta ndërsa Trump peshon opsionet e tij. Por nëse kemi mësuar një gjë rreth presidentit të SHBA-së, është se ai i do surprizat.
E fundit: Një shpërthim vdekjeprurës që tronditi një pallat apartamentesh në Iranin jugor dhe që zyrtarët thanë se ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga një rrjedhje gazi, përhapi panik në një vend të shqetësuar për një sulm të mundshëm nga jashtë.











