HAVZI NELA – ENI TË VAJTOJMË SHQIPËRINË

1
235
Havzi Nela

HAVZI NELA – ENI TË VAJTOJMË SHQIPËRINË

Eni ju o motra, eni ju o gra
Eni ju o vasha, që dini me qa
Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za
Eni t’marrim vajin, sot hije na ka.
Eni gjithë s’bashku, le ta shpallim zinë
Me gjamë e me kuje ta vajtojmë Shqipninë.
Le ta qajmë me lot, ta qajmë pa pushu
Me afshin e zemrës, të rrëzojmë gur e dru.
Le ta qajmë këtë nanë, le ta qajmë këtë bijë
Le ta qajmë kët nuse pa foshnje në gji
Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota
Le t’ia zbulojmë shtatin, ta shohë e gjithë bota.
Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera
Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera
Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë.
Banditët e vendit e kan vu nën kambë
E mposhten, e shtruen, me hekur e zjarr
Neronët e kohës ia banë jetën varr.
E veshën me gjemba, me tela e ferra
E kyçën nga brenda, s’e lanë as te dera
N’derë, as ne dritare, s’e lanë me pa fare
Ia kanë qepë sytë, për faqe t’zezë e marre.
Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë
Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë
E thithën shushunjëzat, i ligu mizori
E thanë, e çnderuan, epshori e hori.
A e dini shqiptarë, ç’ngreminë kemi rà
Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytem vlla me vlla.
Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e t’pabesë
Me thasë e intriga, shamata rri ndezë.
O Zot, ç’ka po heqim, çfarë na shohin sytë
S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhen dritë
S’na tremb burgu, plumbi e as litari
Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
Ngrehuni shqiptarë sot të gjithë në kambë.
Nuk rrohet me zor, nuk lihet kjo nanë
A lulëzon dheu pa diell e pa hanë?
Jo jo, nuk durohen sarhoshët e marrë
Banditët e vendit t’i shporrim sa ma parë!
Seline e përgjakun, ta bajmë rrafsh me tokë
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë!
A jeton shqiponja e shëmbun përtokë
Thye krahë e pendë, lidhun kamb’e kokë?
A jeton kjo zonjë në llum e batak
Në lëngim e vaj, e mbytun në gjak?
Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jeni sot të denje të quhemi shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz
Në det plot stuhi me dallgë me u përplasë?
Shihni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë me ç’gjuhë mirren vesh.
Kanë shpallur miqësinë, vini vesh ksaj fjale
Kapen dore per dore, e po hyjnë n’një valle.
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplote që i shëron plag’t e vjetra.

KUKËS, 1977

Dërgoi për publikim, Arif Ejupi, gazetar

1 KOMENT

  1. Një vjershë e fuqishme për kohenë e tanishme për mua tani, por si do ta kisha vlersuar në vitin 1977 kur kisha tjera iluzione. Respoekti për herojn e vargjeve të një poezie të pavdekshme te asaj dhe kesaj kohe.
    Falimindëri Arif Ejupi dhe redaksi se e kni botu kët poezi tani te Havzi Neles.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.