Ese (6)
Kur ligji bëhet hallkë lidhëse
„Morali pa politikë është i pafuqishëm, ndërsa politika pa moral është e verbër”
Nga Safet SADIKU
Sipas logjikës në rastin e politikës sonë se: “Morali pa politikë është i pafuqishëm, ndërsa politika pa moral është e verbër, sidomos kur kërkohet që funksionimi shtetëror të ketë pjekuri të pavërbuar për respektimin e ligjit në të gjitha rrethanat, edhe atëherë kur je i pari i shtetit.“ Kjo çështje pa dyshim mund të përkufizohet si parimi themelor që e lidh etikën me funksionimin e shtetit, duke nënkuptuar se morali, i vetëm, pra pa kapacitetin institucional të politikës për ta shndërruar në veprim dhe në rend shoqëror, mbetet aspiratë e papërmbushur, ndërsa politika, kur shkëputet nga morali dhe udhëhiqet vetëm nga interesat e pushtetit, e humb orientimin e saj njerëzor dhe shndërrohet në mekanizëm arbitrariteti, dhe pikërisht këtu, roli i ligjit bëhet hallka lidhëse, sepse ligji përfaqëson përkthimin e parimeve morale në norma të detyrueshme, universale dhe të barabarta për të gjithë, duke e shndërruar moralin në praktikë dhe duke e detyruar politikën të lëvizë brenda kufijve të përgjegjësisë, transparencës dhe të drejtës.
Në këtë mënyrë kërkohet që shteti të mos bazohet në vullnetin e individëve të fuqishëm, por në rregulla që garantojnë lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve. Kështu, morali i jep politikës drejtim, politika i jep moralit forcë vepruese, ndërsa ligji i mban të dyja në ekuilibër duke e bërë rendin shoqëror jo vetëm të dëshirueshëm, por të zbatueshëm dhe të mbrojtur institucionalisht.
1) Marrëdhënia mes moralit dhe ligjit në politikën shqiptare: Në shumë zona shqiptare, shpesh ndodh që ligji ekziston, por nuk zbatohet; morali predikohet, por nuk ndiqet. Kjo krijon një boshllëk të rrezikshëm, në të cilin politika nuk mbështetet as në një themel moral dhe as në kufizime të forta ligjore. Pasojat janë të dukshme: nepotizëm në punësime komunale, keqmenaxhim i buxheteve, projekte të braktisura, vendimmarrje të mbyllur dhe një ndjenjë e përgjithshme e mungesës së drejtësisë. Por kjo eksperiencë gjatë komunikimit na ka sjellur edhe shembuj pozitivë: komuna që kanë arritur të rrisin besimin e qytetarëve përmes politikave të drejta sociale. Sot që flasim ka kryetarë komunash që kanë refuzuar praktikat klienteliste, dhe kanë treguar iniciativa për transparencë të plotë të financave publike. Në këto raste, morali bëhet udhërrëfyes, ndërsa ligji është padyshim garant i qëndrueshmërisë së këtyre vlerave.
Kështu për logjikën e fortë institucionale të funksionimit të shtetit në mënyrë të paverbuar shpesh në letrat tona kemi sjellur edhe medime nga studimet e diplomatit gjerman z. Rudolf Hans, i cili gjatë gjithë komunikimit tonë përvojat e tij i thotë qartë dhe pa anim politik, pasi nuk ka frikë nga askush se e sanksionon nga puna apo se dikush nga politika gjermane mund t’i hakmirret për njëren apo tjetrën arsye. Prandaj, qëndrimi i diplomatit gjerman nuk ishte thjesht një paralajmërim por ishte një pasqyrë e kthjellët e realitetit që s’duam ta pranojmë. Ai foli me ton të qetë, por me fjalë që kishin peshë guri. Mbështetja ndërkombëtare dhe solidariteti nuk mund të jenë përjetësisht një mburojë për një klasë politike që s’e ka mësuar ende artin e pavarësisë.
Sepse një shtet që pret gjithmonë ndihmën e të tjerëve, ngjan me dikë që dashurohet në takimin e parë, i verbuar nga ndjenja, i mahnitur nga vëmendja, por pa kuptuar ende se çdo përqafim ka një kosto, dhe çdo premtim mbart një kusht të padukshëm. Në fillim, gjithçka duket e bukur, sepse fjala “partneritet” tingëllon si “dashuri”, „marrëveshjet“ si „premtime“, „ndihma“ si „kujdes“. Por me kalimin e kohës, pasioni shuhet, dhe mbetet ftohtësia e kontratave, llogaritë e interesave, shikimet e ngrira që nuk kanë më dritën e fillimit. Kështu, mbështetja e huaj që dikur dukej si shpëtim, shndërrohet në pasqyrë ku ne shohim varësinë tonë të përhershme si një dashuri që s’u bë kurrë e ndërsjellë.
Diplomati gjerman e tha me elegancë, por nën fjalët e tij fshihej një e vërtetë e ashpër, se askush nuk dashuron një shtet që s’e respekton vetveten. Solidariteti ndërkombëtar nuk është për t’u përdorur si strehë për paaftësinë, as si justifikim për kompromiset që shiten si fitore. Ai ekziston për ta ngritur dinjitetin e atyre që dinë ta mbajnë drejt shtetin e tyre, jo për ta bërë më të rehatshme përkuljen e tyre para të tjerëve. Dhe ndoshta, në fund, kjo është ajo që na mungon më shumë: „pjekuria për të dashuruar pa u verbuar“, dhe „për të bashkëpunuar pa u dorëzuar“, dhe gjithashtu „për të ndërtuar marrëdhënie që lindin nga respekti“, dhe jo „nga varësia“. Kjo po ndodh sepse një komb, që çdo mëngjes pret miratimin e të tjerëve për të ekzistuar, nuk është më partner në tryezë, por është „figurë e dashuruar në takimin e parë“, që ende s’e di se sa shpejt do të mbetet vetëm dhe i vetmuar në fund të mbrëmjes…
Diplomatët flisnin me gjuhën e protokolleve, por sytë e tyre ishin diku tjetër, në shifrat, në interesat, në raportet që do të shpërndaheshin më pas. Dhe aty, në mes të atij rituali të përmbajtur, mund të dalloje heshtjen që lidhej mes tyre si një fije e padukshme. Askush nuk kishte guximin të thoshte të vërtetën, se mbështetja nuk është dashuri, as ndihma nuk është miqësi, dhe se askush nuk shpëton një shtet që nuk e shpëton veten. Në qoshe, flamujt rrinin drejt, të ngrirë, sikur edhe ata të ndienin turpin e fjalëve që po thuheshin në emër të tyre. Dhe aty, mes zhurmës së lehtë të përkthimeve simultane, fjala “bashkëpunim” tingëllonte si një premtim i konsumuar.
Të gjithë buzëqeshnin me kujdesin e atyre që fshehin një sekret të përbashkët, që kjo nuk është dashuri e parë, as dashuri fare. Është një marrëdhënie e lodhur, e mbajtur gjallë nga frika për t’u ndarë. Si dy të dashuruar në takimin e parë që e dinë, pa e thënë, se nuk do të ketë takim të dytë. Në fund të takimit, dritat u fikën ngadalë. Dosjet u mbyllën, duart u shtrënguan sërish, të lagura, të ftohta, të kujdesshme. Dhe jashtë, dritat e mbrëmjes pasqyroheshin në xhamat e ndërtesës si sytë e një qyteti që shikon, por nuk beson më. Sepse diplomacia, ashtu si dashuria e parë, mund të jetë e bukur në fillim, por nëse mungon sinqeriteti, ajo nuk lind më kurrë. Vetëm mbetet në kujtesë, si një histori e përsëritur, që askush s’e di më nëse ishte ndjenjë, apo marrëveshje.
Rudolf Hans kur flet për një prej momenteve më vendimtare të historisë së Gjermanisë dhe bashkimit të saj të vitit 1990, ai nuk harron asnjëherë të rithekson se vendimi i tillë historik nuk ishte vetëm një akt politik, por një udhëtim moral i një kombi që guxoi të përballej me vetveten. Ai përmend se, pa spastrim të thellë institucional dhe moral, pa një ndarje të prerë me aparatin e vjetër të dhunës, Gjermania nuk do të kishte arritur kurrë të ndërtonte themelet e një demokracie të qëndrueshme. Dhe në këtë rrugë nuk pati vend për mëshirë, sepse mëshira ndaj padrejtësisë është shkelje ndaj drejtësisë. Por, kur ai flet për këtë përvojë, në heshtjen që ndjek fjalët e tij, një mendim i hidhur lind vetvetiu te ne, fatkeqësisht, kjo fazë e pastrimit nuk ndodhi. Nuk ndodh as sot.
Në vendbanimet shqiptare që dikur u rrahën, u përgjakën e u ndëshkuan nga regjimi serb, ende ecin lirshëm ata që i shërbyen atij. Ata që dikur spiunonin fqinjët e tyre për një racion më shumë, sot shfaqen nëpër zyra publike me kollare të reja. Ata që dikur heshtnin për krimin, sot flasin për “bashkëjetesë” me ton moralistësh. Në dokumente quhen “ish-bashkëpunëtorë”, por në realitet janë pasardhësit e një fryme që mjerisht s’u shua kurrë.
2) Konkluzioni është fare i qartë. Shprehja filozofike na mëson se politika nuk mund të mbështetet vetëm në moral, sepse morali është i brishtë dhe subjektiv. Filozofi i madh gjerman Immanuel Kant paralajmëronte se “morali pa politikë është i pafuqishëm, ndërsa politika pa moral është e verbër”, duke nënvizuar se vlerat janë orientimi i brendshëm që politika nuk duhet ta humbë.
Por njëkohësisht, politika nuk mbështetet as vetëm në ligj, sepse ligji pa moral mund të kthehet në instrument teknik të pushtetit, ashtu siç e kujton juristi amerikan Oliver Wendell Holmes, i cili shprehej se “Ligji nuk është logjika, ai është përvoja”, pra reflektim i vlerave të një shoqërie, dhe jo vetëm i tekstit juridik. Politika, ka nevojë për të dyja: morali i jep shpirt, ligji i jep kornizë. Morali i jep drejtim, ligji i jep kufi. Morali i jep kuptim, ligji i jep qëndrueshmëri. Dhe pikërisht kjo simbiozë është themeli i demokracive të suksesshme. Shembulli amerikan e ilustron qartë këtë argumentim: në fillimet e SHBA-ve, sundimi i ligjit ishte i brishtë.
Dhe institucionet sapo kishin marrë formë, dhe shpesh vendimmarrja politike ishte e sunduar nga interesa të ngushta rajonale. Dihet shumë mirë se Oliver Wendell Holmes, si një nga figurat më të rëndësishme të mendimit juridik modern, kontribuoi fuqishëm në zhvillimin e teorisë së së drejtës përmes ideve të tij të guximshme dhe thellësisht transformuese, duke e zhvendosur ligjin nga korniza dogmatike drejt një pragmatizmi demokratik që e sheh të drejtën si realitet të gjallë shoqëror.
Ai theksonte se ligji nuk është thjesht tekst abstrakt i shkëputur nga jeta, por një sistem që duhet kuptuar në funksion të praktikave, nevojave dhe zhvillimeve konkrete të shoqërisë, ndaj dhe argumentonte se “jeta e ligjit nuk ka qenë logjika, por përvoja”, formulim me të cilin nënvizonte se e drejta evoluon jo nga parimet e ngurtësuara, por nga përvoja historike e njerëzve. Po ashtu, përmes mbrojtjes së standardeve të larta të lirisë së shprehjes dhe vendosjes së themeleve konceptuale të jurisprudencës moderne amerikane, Holmes u bë zëri që afirmoi idenë se demokracia nuk mund të qëndrojë pa hapësirën e lirë të mendimit, duke i dhënë ligjit një dimension të ri, ku interpretimi juridik mbështetet jo në dogmë, por në arsyetim praktik, në realitetin e jetuar dhe në lirinë e qytetarëve si themel i rendit demokratik.
Por, siç shkruan Alexis de Tocqueville në veprën e tij klasike Demokracia në Amerikë, “forca e demokracisë amerikane qëndron në ndërthurjen e virtutit qytetar me institucionet e qëndrueshme.” Pra, moraliteti i qytetarëve dhe rregullsia institucionale u rritën së bashku. Mbase për këtë logjikë shqiptarët kudo në institucionet e tyre kanë më së shumti nevojë. Edhe demokracitë europiane kanë kaluar nëpër të njëjtin udhëtim që sot po e përjetojnë shqiptarët. Gjermania e gjysmës së dytë të shekullit XX, pas rrënimit moral dhe institucional të luftës, ndërtoi një demokraci moderne pikërisht duke bashkuar etikën politike me fuqinë e ligjit. Filozofi Jürgen Habermas, që ndikoi fuqishëm në këtë proces, theksonte se “ligji demokratik është moralitet i institucionalizuar”, duke nënkuptuar se vlerat e shoqërisë marrin formë vetëm kur shndërrohen në norma të zbatuara nga të gjithë.
Gjermania bëri një spastrim për të rigjetur shpirtin e saj. Ne, përkundrazi, e kemi fshehur plagën nën qilim, e kemi lyer me bojë patriotike, dhe sot jetojmë me aromën e mykut të saj moral. Në Gjermani, drejtësia nisi me përjashtim. Ata që kishin ndihmuar sistemin represiv u larguan, që vendi të merrte frymë. Te ne, shumë prej tyre morën frymë sërish, këtë herë si zyrtarë, si këshilltarë, si “të moderuar”. Ata ndërruan uniformat, por jo bindjet, ndërruan fjalorin, por jo besnikërinë ndaj heshtjes. Dhe për sa kohë që në vendbanimet tona vazhdojnë të dëgjohen zërat e atyre që dikur ishin vegla të pushtuesit, çdo fjalë për “shtet të drejtë” është si një himn i kënduar me zë të dridhur, pa fuqi, pa dritë dhe pa shpresë. Kjo është ajo që na ndan sot nga Gjermania. Ata e pastruan ndërgjegjen për ta ndërtuar të ardhmen, ne e mbuluam ndërgjegjen për ta ruajtur rehatinë e djeshme.
Dhe derisa të kemi guximin të shikojmë në sy ata që e përdhosën kombin tonë, jo për hakmarrje, por për drejtësi, ne do të mbetemi në këtë gjendje të pezullt, ku dështimi shitet si kompromis, dhe harresa si paqe. Sepse ndonjëherë, më e vështirë se të fitohet liria, është ta mbash të pastër kujtesën e saj. Një nga studentët, i prekur nga krahasimi i Rudolf Hansit dhe reflektimi mbi mungesën e pastrimit moral, vendos të udhëtojë drejt një fshati në veri, në qytetin e minierës së arit, një vend që dikur kishte qenë nën hijen e pushtetit serb, para syve tanë. Në këtë pjesë, le t’i japim frymë rrëfimit përmes simbolikës së kujtesës, heshtjes që flet më shumë se njerëzit, dhe pranisë së padukshme të fajit që nuk është shlyer. Atë fundjavë, një nga studentët, i cili quhej Arian, është ai nga të rrallët, që gjithmonë fliste më pak, por dëgjonte më thellë. Ai u nis herët në mëngjes drejt një fshati të vogël, aty ku dikur kufiri nuk ishte vetëm vijë gjeografike, por frikë e përditshme.
Rruga dredhonte mes kodrave, dhe ajri i ftohtë kishte atë erë dimri që të kujton se gjithçka e pathënë, sado vite të kalojnë, nuk shuhet kurrë, vetëm mbetet e varrosur përkohësisht nën borë. Në hyrje të fshatit, një shtëpi e vjetër me mure guri e priste si një kujtim që s’e kishte kërkuar. Aty jetonte një burrë i moshuar, ish-bashkëpunëtor i regjimit serb, dikur i njohur si “njeriu që dinte gjithçka për të tjerët”. Sot, një plak i heshtur që pinte kafen në oborr, nën një pemë të tharë. Arianin e përshëndeti me një lloj ngrohtësie të ngatërruar me frikë.
“E di pse ke ardhur,” i tha plaku, duke parë në horizont, jo në sytë e tij. “Të gjithë kthehen herët a vonë, për të pyetur”, por “Jo për t’u pyetur,” tha Ariani. “Po për të kuptuar.” Heshtja që ra më pas ishte më e rëndë se çdo fjalë. Nga larg dëgjoheshin zërat e fëmijëve që luanin, të paditur për historinë që flinte nën dheun ku vraponin. Dhe plaku foli sërish, me zë që dridhej. “Kur ra regjimi, të gjithë u fshehën pas justifikimeve. Thoshin se kishin vepruar nga frika, se s’kishin zgjedhje. Por frika, djalo, nuk e shlyen fajin.
Ajo vetëm e vonon drejtësinë.”Ariani nuk foli. Në mendje i erdhën fjalët e diplomatëve gjermanë për spastrimin moral, dhe e kuptoi se këtu, në këtë fshat të vogël, nuk kishte pasur kurrë as spastrim, as drejtësi. Kishte pasur vetëm harresë, një harresë që kishte mësuar të vishej me normalitet. Kur u ngrit për t’u larguar, pa në dritaren e shtëpisë një pasqyrë të vogël të thyer, ku dielli pasdite rrezatonte si një dritë që përpiqej të hynte, por pengohej nga plasaritjet. Dhe mendoi se ndoshta e gjithë historia e vendit të tij ishte si ajo pasqyrë, që nuk thyhej plotësisht, por as nuk tregonte më qartë fytyrën e vet. Në kthim, rruga i dukej më e gjatë, më e heshtur.
Në radio, dikush fliste për integrime, për bashkëpunime, për marrëveshje të reja. Fjalë që tingëllonin si rit i lodhur i një kënge që askush s’e ndien më. Dhe Ariani e kuptoi se ajo që mungonte nuk ishte as njohja ndërkombëtare, as ndihma e jashtme, por një moment i vërtetë përballjeje, një “bashkim shpirtëror”, ashtu siç e kishte quajtur Rudolf Hans. Sepse derisa faji të njihet me emër dhe fytyrë, drejtësia do të mbetet vetëm një ide e bukur e pazbatuar. Dhe shteti një shtëpi me dritare të pastra, por me themele të ndërtuara mbi heshtje.
Ndërkohë, në realitetin e Kosovës, një vend që përkundër faktit se ka shpallur pavarësinë, ka miratuar një kushtetutë dhe ka ngritur institucione, vazhdon të mbetet i ngecur në një fazë tranzicioni të paqartë dhe të dhimbshme, duke mos ndërmarrë kurrë një spastrim të thellë të strukturave politike, ekonomike dhe gjyqësore të trashëguara nga periudha e kontrollit serb, ku aktorë të fuqishëm që kanë lidhje me shërbimet dhe interesat e Beogradit vazhdojnë të mbajnë pozicione kyçe në skenën publike dhe politike, duke u shndërruar në një rrezik të heshtur dhe të brendshëm për shtetin e ri, të cilët zoti Hans i quan me një metaforë të goditur dhe tronditëse “trushpërlarët e trashëguar”, figura që jetojnë mes shqiptarëve dhe flasin gjuhën e tyre, por në veprim dhe frymë janë instrumente të interesave të huaja që pengojnë zhvillimin dhe pavarësinë e vërtetë të Kosovës.
a) Kjo metaforë e “trushpërlarjes” që zoti Hans përdor, nuk është vetëm një figurë stilistike apo një imazh letrar, por përfaqëson një diagnozë të thellë politike dhe shoqërore, që përshkruan një formë të sofistikuar dhe moderne të kontrollit kolonial, ku këta individë, si viktima të një sistemi të edukuar dhe formuar nën aparatin jugosllav dhe më pas ricikluar në politikë, media dhe institucione, arrijnë të maskohen si patriotë dhe përfaqësues të interesave kombëtare, ndërkohë që në praktikë veprojnë si ndërmjetës të Beogradit, duke penguar drejtësinë, bllokuar investimet dhe duke minuar besimin e qytetarëve në shtetin e tyre…
Në këtë kuadër, dështimi me vetëdije dhe me forcë, se bizneset e dyshimta të lidhura me interesat e okupatorëve janë të përfshira jo vetëm në klasën politike, por edhe në sistemin e drejtësisë, duke bërë që Kosova të mbetet ende një shtet juridikisht i çalë dhe diplomatikisht i papërfaqësuar.
b) Në këtë kontekst, zoti Hans nuk kërkon hakmarrje apo ndëshkime arbitrare, por një pastrim të thellë dhe një ndërgjegjësim moral të shtetit dhe shoqërisë, një proces i ngjashëm me atë që Gjermania ndërmori pas bashkimit të saj, i cili përfshiu përjashtimin e të komprometuarve, gjykimin e bashkëpunëtorëve të regjimit të vjetër dhe edukimin e brezit të ri, duke paralajmëruar se pa këtë proces të domosdoshëm dhe të dhimbshëm, pavarësia e Kosovës do të mbetet vetëm një formulë juridike boshe, e zbrazët nga përmbajtja sovrane që duhet të përfaqësojë në realitet jetën e qytetarëve të saj.
c) Në parim, dështimi nuk është vetëm një emërtim për një epokë të rëndë politike, por një simbol i një shoqërie që ka dështuar të pastrohet nga mbetjet e së kaluarës dhe që po vazhdon të mbahet peng nga trushpërlarët e padukshëm, të infiltruar dhe të mirëpritur si “tanët”, të cilët në fakt punojnë për interesa të huaja dhe pengojnë ndërtimin e një shteti të pavarur dhe të fortë. Kështu përderisa këta aktorë do të qëndrojnë në institucionet kryesore, diplomacia e Kosovës do të heshtë dhe kjo heshtje do të bëhet dëshmi e një mashtrimi të thellë, që vetëm historia dhe metodat e reja shkencore do ta gjykojnë dhe do ta zbulojnë plotësisht një ditë.
Për këtë qëllim filozofia politike, në thelbin e saj, kërkon të gjejë baraspeshën mes idealizmit moral dhe praktikës së pushtetit. Shprehja “Nëse morali është themeli i politikës, atëherë ligji është kufiri i saj i domosdoshëm” na vendos përballë një dileme të vjetër: a mund të ndërtohet politika mbi vlera, dhe a mund të funksionojë ajo pa kufij të qartë juridikë? Kjo formulë filozofike ngjan si një urë mes dy botëve; botës së idealeve dhe botës së realiteteve, dhe më pas bëhet veçanërisht aktuale në kontekstin e vendeve të banuara nga shqiptarë, ku shpesh herë morali dhe ligji përplasen, ndërthuren ose njëra anë fatkeqësisht ende mungon.
Po ku qëndrojmë ne si shoqëri në mes këtyre faktorëve të përmendur? Në realitetin shqiptar, me të gjitha sfidat, mangësitë dhe përpjekjet e tij, kjo thënie merr një peshë të veçantë, kur ajo bëhet thirrje për një politikë që të fillojë me parime dhe të përfundojë e pjekur në institucione të forta. Shqipëria, Kosova dhe komunitetet shqiptare në rajon janë në një fazë ku morali shpesh përdoret si diskurs, por nuk gjen gjithmonë shprehje në sjellje politike dhe po ashtu, ligji ekziston, por nuk shndërrohet gjithmonë në kufi të vërtetë të pushtetit. Megjithatë, përvoja e demokracive të zhvilluara na tregon se kjo është një fazë e natyrshme e ndërtimit demokratik.
Vetëm aty ku morali i politikës përforcohet nga ligji, dhe ku institucionet marrin peshën e duhur të zbatimit, politika mund të shërbejë vërtet për të mirën e qytetarëve dhe jo për interesat momentale të individëve apo grupeve të caktuara. Transformimi demokratik në këtë proces zakonisht nuk është i menjëhershëm. Por, ai kërkon kohë, përpjekje dhe, mbi të gjitha, harmonizimin e moralit me ligjin, ashtu siç e dëshmojnë demokracitë më të forta të botës.
Sqarim:
1) Oliver Wendell Holmes Jr. (1841–1935). Holmes ishte një jurist dhe filozof i së drejtës, i cili shërbeu si Gjykatës i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuarapër më shumë se 30 vjet. Ai njihet si një nga themeluesit e qasjes moderne ndaj interpretimit të ligjit dhe është cilësuar shpesh si “gjykatësi më i madh amerikan”.
2) Jürgen Habermas (1929–): Habermas është filozof dhe sociolog gjerman, një nga mendimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë në teorinë politike dhe sociale.












E lexova!
Nje shkrim i shkëlqyeshëm, te cilin duhet ta lexojë çdo politikan, analist e gazetar. Ende ka të tillë me logjikën e robit dhe nuk e kane guximin per ta marre vendimin e duhur kur eshte ne pyetje shteti e vendi!