Besnik Fishta
Filatelia, ndonëse shpesh trajtohet si një veprimtari koleksionuese, përbën një burim të rëndësishëm për studimin e historisë politike, veçanërisht në kontekste pushtimi, sundimi dhe asimilimi kombëtar e kulturor. Pullat postare dhe zarfat e ditës së parë të emetimit (FDC), të krijuara formalisht për komunikim postar ose për përdorim koleksionist, në rrethana të caktuara shndërrohen në mjete të bartjes së ideve politike, nacionaliste dhe racore. Në rastin e Kosovës, filatelia serbe dhe jugosllave ofron shembuj domethënës të përdorimit të simboleve postare për legjitimimin e pushtimit dhe për përhapjen e ideologjisë serbomadhe.
Ky shkrim analizon tre objekte filatelike të vendosura në vijë kronologjike, me synimin për të kuptuar mënyrën se si filatelia është përdorur për të ndërtuar, forcuar dhe radikalizuar pamjen politike serbe mbi Kosovën.
Fig.1 (1939)
Zarfi perkujtimor dhe njeheresh i qarkulluar i vitit 1939 ne fig.1, i lëshuar me rastin e 550-vjetorit të Betejës së Kosovës, i përket fazës kulmore të filatelisë së Mbretërisë së Jugosllavisë. Përvjetori lidhet me Vidovdanin, një datë e shume vlersuar historike dhe fetare në kulturën politike serbe, ku beteja e vitit 1389 interpretohet jo si humbje ushtarake. Beteja e humbur kundër Perandorisë Osmane, e zhvilluar nga një koalicion ballkanik, përbën një rast pothuajse unik ne bote, ku humbja ushtarake është mitizuar dhe shndërruar në vlerë morale dhe shpirtërore, e kultivuar për shekuj në diskursin shtetëror serb. Historikisht, rikthimi te ky mit në prag të Luftës së Dytë Botërore synonte krijimin e një ndjenje vazhdimësie dhe stabiliteti simbolik në një Evropë të thellësisht të trazuar.
Historia mesjetare u përdor për të justifikuar pushtimin dhe kontrollin shtetëror mbi Kosovën, duke e paraqitur atë si hapësirë “historikisht serbe”. Politikisht imazhi ne fig.1 është produkt i ideologjisë shtetërore të kohës, e cila kërkonte të konsolidonte unitetin e brendshëm përmes një historie të vetme, të dominuar nga elementi serb. Titulli “Kosovska proslava”, përdorimi ekskluziv i gjuhës cirilike dhe ikonografia heroike përjashtojnë çdo prani tjetër historike dhe kulturore, duke e zhveshur Kosovën nga realiteti i saj shumetnik. Nga ana filatelike, objekti është një emetim zyrtar me funksion të plotë postar dhe koleksionues, por ngarkesa nacionaliste dhe raciste e shndërron atë në dokument politik, ne te cilen vulat përkujtimore, shenjat e regjistrimit dhe ikonografia fetare e kthejnë zarfin si mjet i shtypjes nacionaliste përmes simboleve historike.
Fig.2 (1989)
Zarfi i vitit 1989, i lëshuar me rastin e 600-vjetorit të së njëjtës betejë, shfaq një fazë të re dhe më agresive të përdorimit politik të filatelisë. Ndryshe nga viti 1939, ky përvjetor përkon me shpërbërjen e Jugosllavisë socialiste, rritjen e nacionalizmit serbomadh dhe krizën e thellë politike në Kosovë. Historikisht, beteja e Kosovës riaktivizohet jo më si kujtesë e largët, por si mit mobilizues, i lidhur drejtpërdrejt me ngjarjet e Gazimestanit dhe me politikat shtypëse ndaj shqiptarëve të Kosovës, ne te cilen e kaluara përdoret për të justifikuar veprime konkrete pushtuese në të tashmen. Politikisht fig.2 përfaqëson një shkallëzim të instrumentalizimit të histories, ne te cilen miti shërben për të forcuar pushtimin, për të nxitur ndjenja nacionaliste dhe për të legjitimuar një rend përjashtues, të mbështetur në racizëm dhe dominim etnik.
Ikonografia e betejës, gjuha cirilike dhe përzgjedhja e Prizrenit si vend simbolik për vulën postare krijojnë hapësirë ku realiteti historik dhe shumetnik i Kosovës fshihet qëllimisht. Nga këndvështrimi filatelik, fig.2 është një zarf përkujtimor zyrtar (FDC), i pajisur me pullë prej 500 dinarësh, vulë speciale dhe ilustrime të monumenteve fetare, megjithatë, funksioni i tij kryesor nuk është qarkullimi postar, por shërbimi i drejtpërdrejtë i propagandës politike dhe i një interpretimi të shtrembëruar të historisë.Krahasimi me fig.1 tregon një vijimësi ideologjike të qartë, në vitin 1939 miti shërben për konsolidim identitar te rreme, ndërsa në vitin 1989 ai shndërrohet në instrument mobilizimi dhe përgatitjeje për konflikt.
Fig.3
Fig.3 paraqet një variant me mbishtypje të pullës së vitit 1989, mbi të cilën është shtuar shprehja “Kosova është Serbi” dhe është ndryshuar vlera nominale nga 500 dinarë në 15,00. Ky objekt nuk është më produkt i drejtpërdrejtë i postës shtetërore, por rezultat i ndërhyrjeve private ose politike jashtë institucioneve zyrtare. Nga ana filatelike, fig.3 nuk ka status postar,sepse nuk ekziston dokumentacion zyrtar per kete mbishtypjeje. Për rrjedhojë, ai klasifikohet si variant jozyrtar, pa vlefshmëri postare, por me interes të lartë studimor, per te arritur ne perfundimin, qe pikërisht kjo mungesë zyrtarizimi tregon se filatelia mbetet e ekspozuar ndaj manipulimit ideologjik edhe pas daljes nga kontrolli shtetëror. Historikisht, ndryshimi i vlerës lidhet me hiperinflacionin ekstrem të Jugosllavisë në vitet 1990–1994, duke e kthyer pullën në dëshmi të kolapsit ekonomik dhe institucional të shtetit serb. Politikisht, slogani i drejtpërdrejtë “Kosova është Serbi” përfaqëson një radikalizim të plotë të diskursit nacionalist serb.
Ndryshe nga fig.1 dhe fig.2, ku pretendimi territorial maskohet përmes mitit historik dhe simbolikës fetare, këtu ai shfaqet hapur, si pohim përjashtues dhe racist. Ky kalim dëshmon se nacionalizmi serbomadh, në kushte krize politike dhe shoqërore, braktis gjuhën e tërthortë simbolike dhe kalon në deklarata të drejtpërdrejta, të zhveshura nga çdo përpjekje për legjitimim diplomatik. Analiza e fig.1, fig.2 dhe fig.3 tregon se filatelia nuk është një fushë neutrale, por një hapësirë ku historia, politika dhe pushteti ndërthuren. Nga përkujtimi ceremonial i vitit 1939, te mobilizimi nacionalist i vitit 1989 dhe deri te ndërhyrjet propagandistike te nacionalizmit ekstrem të viteve ’90, këto objekte filatelike, dëshmojnë vijimësinë e një ideologjie pushtuese dhe asimiluese ndaj Kosovës. Në këtë kuptim si dokumente te prekshme te nacionalizmit dhe racizmit serbomadh dhe politikave te tij per dominim kulturor i lejon studiuesit të zbërthejnë dhe të denoncojnë mekanizmat simbolikë të pushtimit dhe përjashtimit.










