13.5 C
Tirana
E dielë, 15 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Ese: (2) Mendime logjike dhe filozofike: Në kërkim të zgjedhjes së nyjeve...

Ese: (2) Mendime logjike dhe filozofike: Në kërkim të zgjedhjes së nyjeve historike

0
Safet Sadiku

“Ideja dhe domosdoshmëria në kërkim të zgjidhjes së nyjeve historike për perspektiva të reja të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik“. Një shtet që deklaron sigurinë si prioritet, por mban institucione të politizuara, të ndara dhe të paqëndrueshme, bie në kundërthënie logjike. Mospërputhja midis ligjeve dhe zbatimit të tyre, midis diskursit dhe praktikës, minon legjitimitetin racional të shtetit.

Nga Safet SADIKU

Mendimi logjik dhe filozofik kërkon lidhje shkak–pasojë, jo justifikime emocionale. Në rastin e vërshimeve, logjika politike do të kërkonte pyetje të qarta: pse ndodhin vazhdimisht, pse mungojnë digat funksionale, pse urbanizimi lejohet pa kritere mjedisore? Kur këto pyetje nuk shtrohen, filozofia përjashtohet nga qeverisja. Shoqëritë që nuk mendojnë filozofikisht për rreziqet natyrore, përfundojnë duke i mitizuar fatkeqësitë si fat, dhe jo si rezultat i vendimeve njerëzore.

Historia e shqiptarëve në Gadishullin Ilirik është një hapësirë e ngarkuar me nyje historike të pazgjidhura, me tensione midis kujtesës dhe harresës, midis identitetit dhe mbijetesës, midis idesë dhe domosdoshmërisë historike. Këto nyje nuk janë thjesht fakte të së kaluarës, por struktura aktive që ndikojnë të tashmen dhe kushtëzojnë të ardhmen. Në këtë kuptim, reflektimi filozofik mbi to nuk është luks intelektual, por një nevojë ekzistenciale dhe politike. Ideja, në kuptimin filozofik, përfaqëson vizionin, projektin dhe horizontin e kuptimit që një shoqëri ndërton për veten. Ndërsa, domosdoshmëria është presioni i rrethanave historike, gjeopolitike dhe shoqërore që e detyron edhe sot këtë shoqëri, që të veprojë për interesin e vet. Historia shqiptare shpesh është zhvilluar nën peshën e domosdoshmërisë, pa luksin e një ideje të qartë dhe të përbashkët. Kjo ka prodhuar mbijetesë, por jo gjithmonë zhvillim dhe rezistencë. Ka munguar në projektim të së ardhmes së saj. Nyjet historike të shqiptarëve, copëtimi territorial, vonesat shtetformuese, përçarjet e brendshme, instrumentalizimi nga fuqitë e jashtme nuk janë thjesht pasoja të fatit, por janë edhe mungesë e një vetëdijeje filozofike mbi kohën dhe rolin historik.

Pa një ide unifikuese, domosdoshmëria është përjetuar si fatkeqësi, jo si mundësi krijuese. Në këtë pikë, filozofia bëhet mjet çlirimi. Ajo parimisht e kthen domosdoshmërinë në vetëdije dhe idenë në veprim. Në Gadishullin Ilirik, shqiptarët janë një subjekt historik i vazhdueshëm, por gjer më tani, shpesh i mohuar ose i nëpërkëmbur. Kjo gjendje ka prodhuar një krizë të identitetit që luhatet mes mitizimit të së kaluarës dhe pasigurisë ndaj së ardhmes. Filozofia kërkon një raport kritik me historinë, dhe jo vetëm ta adhurojë atë, por ta kuptojë dhe jo ta mohojë, por ta tejkalojë çdo vështirësi. Vetëm përmes këtij raporti mund të zgjidhen nyjet historike që vazhdojnë të rikthehen në forma të reja të veprimit për një zhvillim të qartë.

Perspektivat e reja për shqiptarët nuk mund të ndërtohen mbi nostalgji apo viktimizim të përhershëm. Ato kërkojnë një ide të re politike dhe kulturore, të materializuar që e sheh shqiptarin jo si objekt të historisë, por si subjekt të saj. Kjo ide duhet të bazohet në racionalitet, dialog, integrim të brendshëm dhe vetëdije qytetare, duke e vendosur identitetin shqiptar në marrëdhënie krijuese me Evropën dhe botën, pa humbur autenticitetin e vet. Domosdoshmëria historike e kohës sonë është tejkalimi i domosdoshëm mendor dhe institucional. Nëse dikur mbijetesa fizike ishte prioritet, sot domosdoshmëria është mbijetesa kulturore dhe morale në një botë globale. Kjo kërkon zgjidhje që nuk janë vetëm politike, por edhe filozofike, janë një etikë e përgjegjësisë, një kulturë e mendimit kritik dhe një vizion afatgjatë.

Në thelb, ideja dhe domosdoshmëria nuk qëndrojnë përballë njëra-tjetrës si kundërshtare, por lëvizin si dy pole të së njëjtës rrymë historike. Kur ideja mungon, domosdoshmëria zbret mbi shoqërinë si fat i verbër, duke u shndërruar pothuajse në tragjedi. Ajo shtyn përpara pa drejtim, pa kuptim, pa shpresë. Por kur ideja është e qartë, e menduar dhe e përvetësuar, domosdoshmëria merr frymë tjetër… Ajo bëhet forcë krijuese, motor i zhvillimit dhe urë drejt së ardhmes. Zgjidhja e nyjeve historike të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik nuk lind nga harresa e së kaluarës, as nga mohimi i saj, por nga një vetëdije filozofike që e lexon historinë jo si barrë, por si mundësi transformimi, dhe që e pranon të ardhmen jo si premtim abstrakt, por si përgjegjësi kolektive.

Vetëm aty ku kujtesa shndërrohet në mendim dhe mendimi në veprim, historia pushon së qeni plagë dhe bëhet mësim. Në këtë dritë, administratat shtetërore që shpërfillin procedurat, që anashkalojnë ekspertizën shkencore dhe që hezitojnë të investojnë në teknologjinë digjitale, zbulojnë jo vetëm varfëri institucionale, por edhe një shkëputje të thellë nga koha në të cilën jetojnë. Ato mbeten peng i së tashmes, si të paafta për ta konceptuar të ardhmen, duke e lënë domosdoshmërinë të rrjedhë sërish pa ide dhe duke lejuar historinë të përsëritet.

Kur administratat shtetërore i injorojnë procedurat dhe ekspertizat shkencore, dëshmojnë paaftësi për të investuar në teknologji të fundit shkencore. Administrata shtetërore përfaqëson mekanizmin racional të shtetit, pra aty ku ligji, procedura dhe dija shkencore duhet të shndërrohen në veprim të qëndrueshëm dhe efikas. Kur ky mekanizëm funksionon jashtë parimeve të racionalitetit institucional, ai humbet karakterin e tij modern dhe shndërrohet në një strukturë formale pa përmbajtje. Injorimi i procedurave dhe i ekspertizës shkencore nuk është thjesht një gabim teknik, por është shenjë e një krize filozofike të shtetit ndaj dijes dhe së ardhmes. Procedura nuk është burokraci e zbrazët, por mishërim i arsyes praktike. Ajo ekziston për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe vazhdimësi institucionale. Kur administratat e anashkalojnë atë, vendimmarrja reduktohet në arbitraritet dhe interes afatshkurtër. Në këtë klimë, ekspertiza shkencore shihet si pengesë, jo si udhërrëfyes, sepse ajo kërkon argument, analizë dhe përgjegjësi. Pra, elemente që bien ndesh me logjikën klienteliste dhe improvizuese.

Pikërisht në këtë pikë shfaqet paaftësia për të investuar seriozisht në teknologji digjitale. Digjitalizimi nuk është thjesht vetëm pajisje teknike apo „softuer…“ Ai është produkt i një kulture institucionale që respekton dijen, standardin dhe planifikimin afatgjatë. Pa ekspertë, pa studime fizibiliteti dhe pa procedura të qarta, teknologjia shndërrohet në fasadë moderne që fsheh prapambetjen strukturore. Investimet digjitale bëhen simbolike, të ndara dhe të paqëndrueshme. Në kontekstin shqiptar dhe më gjerë në Gadishullin Ilirik, kjo situatë reflekton një problem më të thellë. Pra, mungesën e një vizioni filozofik mbi shtetin si organizëm inteligjent. Administratat që nuk besojnë në shkencë dhe procedurë nuk mund të prodhojnë inovacion, sepse çdo ide shkecore kërkon disiplinë mendore, jo vetëm vullnet politik.

Teknologjia digjitale, në këtë kuptim, ekspozon zbrazëtinë institucionale, dhe ajo nxjerr në pah dallimin midis modernizimit të vërtetë dhe imitimit sipërfaqësor të tij. Pasojat e kësaj paaftësie janë të shumëfishta dhe me humbje të besimit qytetar, me rritje të korrupsionit, izolim i heshtur nga zhvillimet evropiane dhe globale, si dhe thellim i pabarazive shoqërore. Kur administrata nuk është në gjendje të përdorë teknologjinë si mjet shërbimi publik, ajo e humb funksionin e saj emancipues dhe kthehet në barrë për shoqërinë. Në përfundim, injorimi i procedurave dhe ekspertizës shkencore nuk është vetëm dështim administrativ, por dështim filozofik i shtetit për ta kuptuar veten në epokën digjitale. Investimi në teknologji kërkon më parë investim në mendim racional, etikë institucionale dhe respekt për dijen. Vetëm atëherë administrata shtetërore mund të kalojë nga mbijetesa burokratike në zhvillim të qëndrueshëm dhe të hapë rrugë për perspektiva të reja shoqërore dhe historike.

1) Historia e injoruar: Duke u nisur nga kjo bazë, “Nyjet Historike” shfaqen herë-herë si metafora më e goditur e fatit politik shqiptar. Ato nuk janë thjesht vetëm pengesa, por edhe lidhje të shtrënguara midis së shkuarës së pazgjidhur dhe së tashmes së paqartë. Historia shqiptare nuk ka ecur si vijë e drejtë, por si një fije e dredhur ku çdo nyje është formuar nga ndërprerje të dhunshme, kompromise të imponuara dhe mungesë kohe për reflektim. Çdo nyje është një moment ku politika ka reaguar për të mbijetuar, por jo për të ndërtuar. Në realitetin aktual politik të republikave shqiptare në Gadishullin Ilirik, këto nyje janë ende të prekshme. Ato shfaqen ende të ndara, sa i përket vizionit kombëtar. E kanë të theksuar mungesën e koordinimit institucional, në tensionin e përhershëm midis sovranitetit formal dhe varësisë reale.

Politika shqiptare shpesh sillet si duar që tërheqin fort fijet e historisë, por pa durimin për t’i zgjidhur nyjet e saj. Përkundrazi, ato shpesh i shtrëngojnë edhe më shumë, duke i kthyer plagët historike në instrumente legjitimimi të pushtetit. Tradicionalisht, mund të thuhet se politika shqiptare ecën mbi një terren ku e shkuara nuk është varrosur, por as e kuptuar. Ajo që quhet: “trashëgimi historike” dhe shpesh përdoret si alibi për dështimin aktual. Kështu, nyjet historike nuk trajtohen si probleme që kërkojnë mendim të thellë dhe guxim moral, por si simbole emocionale për mobilizim të shpejtë. Kjo është arsyeja pse politika mbetet ciklike pasi fytyrat ndryshojnë, por nyjet mbeten po aty, të patrajtuara.

Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe hapësirat e tjera shqiptare, politika ngjan me një endëse të lodhur që vazhdon të shtojë fije mbi një pëlhurë tashmë të ngatërruar. Në mungesë të filozofisë së mendimit të vetëdijshëm politik, shteti sillet si administrues i krizës, jo si arkitekt i së ardhmes. Reformat shpallen, por nuk rrënjëzohen dhe vizionet artikulohen, por nuk institucionalizohen. Kjo tregon se nyja kryesore nuk është vetëm historike, por edhe mendore, sepse ende është e pranishme paaftësia për të kaluar nga politika e momentit në politikën e kohës së gjatë, dhe të planifikuar.

Në këtë kontekst, mendimi i vetëdijshëm politik do të ishte akti i prerjes ose zgjidhjes së nyjeve, jo me shpatë ideologjike, por me durimin e arsyes. Ai kërkon një elitë që e kupton se historia nuk është një skenë për heroizma të rreme, por një proces që kërkon përgjegjësi të vazhdueshme. Vetëm atëherë politika mund të dalë nga roli i menaxherit të frikës dhe të shndërrohet në ndërtuese të besimit. Tradicionalisht, nyjet historike shqiptare janë si nyje në një pemë të vjetër, që nuk e rrëzojnë pemën, por e deformojnë rritjen e saj. Filozofia e mendimit të vetëdijshëm politik është akti i krasitjes së mençur, jo për të mohuar të shkuarën, por për t’i dhënë formë një rritjeje më të shëndetshme. Pa këtë ndërhyrje reflektuese, politika mbetet rob i hijes së vet, ndërsa shoqëria ecën përpara me një barrë që nuk e ka zgjedhur, por që vazhdon ta mbajë. Në realitetin tonë, zgjidhja e nyjeve historike nuk është akt i një mandati apo i një lideri të vetëm. Ajo është proces kulturor dhe filozofik, ku politika mëson të heshtë për të menduar, të ngadalësojë për të parë dhe të heqë dorë nga instinkti i pushtetit për hir të përgjegjësisë historike. Vetëm atëherë, hapësira shqiptare mund të dalë nga cikli i improvizimit dhe të hyjë në kohën e ndërtimit të vetëdijshëm të historisë së saj.

2) Diplomacia shqiptare: Tani jemi duke e parë çështjen nga këndvështrimi i diplomacisë shqiptare, ku faktografia e “Nyjeve Historike” merr një dimension edhe më kompleks, sepse diplomacia është ajo hapësirë ku historia, pushteti dhe gjuha përplasen në heshtje. Në rastin shqiptar, nyjet historike nuk janë vetëm trashëgimi e konflikteve të hapura, por edhe rezultat i heshtjeve të gjata diplomatike, i kompromisave të paartikuluara dhe i mungesës së një besueshmërie të qëndrueshme ndërkombëtare. Diplomacia shqiptare ka lindur në kushte mbijetese. Që në fillesat e saj, ajo nuk ka pasur luksin e projektimit afatgjatë, por është detyruar të veprojë nën presionin e rrethanave, shpesh duke negociuar ekzistencën dhe jo interesin strategjik. Kjo ka krijuar një diplomaci reaktive, e cila ka ditur të shmangë rreziqe të menjëhershme, por jo gjithmonë të zgjidhë nyjet strukturore të marrëdhënieve rajonale dhe ndërkombëtare. Kështu, nyjet historike janë bartur nga një epokë në tjetrën, duke u shndërruar në “çështje të ngrira” që rikthehen sa herë ndryshon balanca e forcave.

Në realitetin aktual politik të republikave shqiptare në Gadishullin Ilirik, diplomacia shpesh sillet si përkthyese e politikës së brendshme, dhe jo si arkitekte e interesit kombëtar. Në vend që të ndërtojë një gjuhë të përbashkët shqiptare në arenën ndërkombëtare, ajo shpërndahet sipas cikleve elektorale, interesave të ngushta partiake dhe presioneve të jashtme. Kjo sjellje, ende nuk e forcon lidhjen e nyjeve në nivelin e duhur, ndonëse fijet janë shqiptare, por duart që i lidhin veprojnë të ndara. Parimisht, diplomacia shqiptare ngjan me një lundrim në ujëra të cekëta historike, ku çdo manovër e gabuar mund të nxjerrë në sipërfaqe plagë të vjetra. Në vend që historia të shërbejë si hartë orientimi, ajo shpesh shndërrohet në barrë emocionale që e ngurtëson diskursin diplomatik. Kjo shihet në mënyrën se si temat e sovranitetit, të kufijve, të identitetit dhe të minoriteteve trajtohen më shumë si tabu sesa si çështje që kërkojnë artikulim të qartë dhe vizion të qëndrueshëm.

Nyjet historike në diplomaci nuk zgjidhen vetëm me retorikë patriotike, por edhe me durim strategjik. Diplomacia e mendimit të vetëdijshëm kërkon aftësinë për të dalluar midis asaj që është e panegociueshme dhe asaj që mund të riformulohet në kohë. Në këtë kuptim, mungesa e një shkolle të mirëfilltë diplomatike shqiptare, të mbështetur në filozofi politike dhe histori kritike, e ka lënë diplomacinë të varur nga individët dhe jo nga institucionet. Kjo e bën çdo ndryshim pushteti një rishtrëngim të nyjeve ekzistuese, në vend të një procesi zgjidhjeje. Në epokën e globalizimit dhe të diplomacisë shumëpalëshe, nyjet historike shqiptare nuk janë më vetëm çështje rajonale, por ato lexohen dhe interpretohen nga aktorë globalë. Çdo paqartësi, çdo mungesë e paqartësisë strategjike, kthehet në hapësirë për ndërhyrje të interesave të tjera.

Diplomacia, në këtë rast, ose bëhet zë i vetëdijshëm i historisë, ose mbetet jehonë e saj e deformuar. Strategjikisht, diplomacia shqiptare është si një dorë që mban një fill të vjetër historik në një tryezë shumëpalëshe. Nëse ajo dorë dridhet, nyja shtrëngohet, dhe nëse vepron me qetësi dhe dije, nyja fillon të zhbëhet. Filozofia e mendimit të vetëdijshëm diplomatik është pikërisht kjo qetësi e arsyetuar: aftësia për të folur pak, por me peshë, për të kujtuar historinë pa u robëruar prej saj, dhe për të projektuar të ardhmen pa mohuar të shkuarën. Në vazhdimësi, zgjidhja e nyjeve historike nga këndvështrimi i diplomacisë shqiptare nuk është akt spektakolar, por proces i gjatë institucional dhe etik. Ajo kërkon diplomaci që nuk reagon vetëm ndaj krizave, por që ndërton pozicione, që shtetin nuk e sheh si objekt negociate, por si subjekt të barabartë në rendin ndërkombëtar. Vetëm në këtë mënyrë, diplomacia shqiptare mund të kalojë nga menaxhimi i nyjeve historike në zgjidhjen e tyre të vetëdijshme dhe të qëndrueshme.

3) Fqinjët vetëm na sulmojnë: Duke i parë pasojat e “Nyjeve Historike” nga këndvështrimi i sulmeve të fqinjëve në arenën ndërkombëtare, bëhet e qartë se këto nyje nuk janë vetëm çështje të brendshme shqiptare, por pika të dobësisë që aktorët e tjerë i kanë lexuar, shfrytëzuar dhe ricikluar me kujdes strategjik. Historia shqiptare ka qenë shpesh objekt interpretimi nga jashtë, sepse nga brenda ka munguar një logjikë mbrojtëse e unifikuar dhe e qëndrueshme që ta mbrojë atë në gjuhën e diplomacisë globale. Sulmet në arenën ndërkombëtare nuk marrin gjithmonë formën e agresionit të hapur. Ato shfaqen si diskurs, si raport, si rezolutë, si relativizim historik ose si heshtje e organizuar. Fqinjët kanë ditur ta kthejnë copëtimin territorial dhe vonesat shtetformuese shqiptare në argument politik, duke i paraqitur shqiptarët herë si faktor destabilizues, herë si subjekt të papjekur shtetëror. Këto sulme janë të mundshme pikërisht sepse nyjet historike nuk janë zgjidhur, por janë lënë pezull, duke u kthyer në hapësira interpretimi për të tjerët.

Në këtë kuptim, domosdoshmëria historike për veprim shpesh i ka detyruar shqiptarët të reagojnë, jo të parashikojnë. Diplomacia dhe politika e jashtme janë vendosur në pozicion mbrojtës, duke u përpjekur të korrigjojnë strategjitë e ndërtuara nga të tjerët, në vend që të imponojnë projektet e tyre. Kjo ka prodhuar mbijetesë ndërkombëtare, por jo gjithmonë afirmim strategjik. Nyjet historike, të pazgjidhura në kohë, janë shndërruar në dosje të hapura që fqinjët i aktivizojnë sipas interesit të momentit. Historikisht, arena ndërkombëtare për shqiptarët ngjan me një gjykatë ku aktakuza shkruhet shpesh nga të tjerët, ndërsa mbrojtja improvizohet. Historia, e paartikuluar në mënyrë filozofike dhe politike, kthehet në material të manipulueshëm. Kështu, sulmet nuk janë vetëm kundër territoreve apo interesave konkrete, por kundër vetë legjitimitetit historik të subjektit shqiptar. Kjo prodhon një gjendje të përhershme të pasigurisë së identitetit, ku shqiptarët ndihen të detyruar të justifikojnë ekzistencën e tyre politike.

Fqinjët kanë kuptuar se nyjet historike shqiptare funksionojnë si pika presioni, sidomos përçarjet e brendshme, mungesa e koordinimit ndërshqiptar dhe papërgjegjësia e vendimit institucional, të cilat e bëjnë zërin shqiptar të shumëfishtë të shpërndarë dhe, rrjedhimisht, të dobët. Në arenën ndërkombëtare, kjo shumësi zërash nuk lexohet si pluralizëm, por si mungesë pozicioni. Kështu, domosdoshmëria për reagim shndërrohet në një cikël të pafund mbrojtjeje, ku energjia harxhohet për të mos humbur, jo për të fituar. Në këtë pikë, filozofia e mendimit të vetëdijshëm politik dhe historik bëhet armë paqësore, por vendimtare. Ajo e kthen domosdoshmërinë në vetëdije strategjike dhe reagimin në veprim të menduar. Vetëm përmes një raporti kritik me historinë, shqiptarët mund ta çlirojnë veten nga roli i objektit të diskurseve të huaja dhe të shndërrohen në subjekt që prodhon kuptim.

Filozofia nuk mohon plagët, por i nxjerr nga zona emocionale dhe i vendos në fushën e arsyes dhe të së drejtës ndërkombëtare. Por, sulmet e fqinjëve janë si tërheqje të vazhdueshme të fijes historike shqiptare nga skaje të ndryshme. Nëse subjekti shqiptar nuk e mban qendrën e vet, nyja shtrëngohet dhe forma deformohet. Ideja unifikuese politike dhe kulturore është ajo qendër e gravitacionit që e mban historinë në ekuilibër. Pa të, çdo presion i jashtëm prodhon krizë të brendshme. Ndonëse, në pasojat e nyjeve historike në arenën ndërkombëtare nuk mund të neutralizohen me retorikë viktimologjike apo me patriotizëm deklarativ. Ato kërkojnë një strategji të vetëdijshme që e sheh identitetin shqiptar si projekt aktiv dhe jo si trashëgimi të ngrirë. Domosdoshmëria e kohës sonë është kalimi nga mbrojtja e ekzistencës drejt afirmimit të saj etik, politik dhe kulturor. Vetëm kështu, sulmet e fqinjëve humbasin fuqinë e tyre, sepse përballen me një subjekt historik që nuk reagon nga frika, por vepron nga vetëdija.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.