Ese: (10) Nga romani në dorëshkrim: „Diplomaci e shterrur“

0
Safet Sadiku

Ngritja e patriotizmit të rrem është një flakë që djeg shtëpinë nga brenda!

Në një vend ku institucionet janë ndërtuar mbi gjakun dhe sakrificën e mijëra qytetarëve, pamundësia për të konstituar Kuvendin nuk është më thjesht krizë teknike apo moment i zakonshëm politik. Kjo situatë është tregues i një boshllëku moral, ku fjalët për atdheun janë bërë të mëdha, por veprat kanë mbetur të vogla.

Nga Safet Sadiku

I.

Në një moment kyç të mësimit, profesori i drejtohet klasës me një pyetje provokuese dhe domethënëse, duke nxitur reflektim të thellë… Profesori: “Më thoni, çfarë është për ju patriotizmi i vërtetë? Dhe si mund ta dallojmë atë nga patriotizmi i rremë? A mjafton të flasësh me zjarr për atdheun, apo duhet të bësh diçka më shumë?”.

Studenti i heshtur: “Patriotizmi nuk është brohoritje. Nuk është flamur në dorë vetëm për festë. Është sakrificë, është gatishmëri, është punë e ndershme çdo ditë. Patriotizëm është të mos e vjedhësh vendin tënd, të mos e turpërosh, as kur je vetëm.” Ka një dallim të hollë, në mes dashurisë së vërtetë për atdheun dhe shfaqjes së zhurmshme të patriotizmit të rrem. Patriotizmi i vërtetë lind nga përkushtimi, nga sakrifica e heshtur, nga ndjenja që nuk kërkon shpërblim e as duartrokitje. Ai është si rrënja e thellë e një peme, nuk shihet, por mban të fortë trungun dhe degët. Ndërsa patriotizmi i rrem është si një kurorë artificiale mbi kokë: duket e ndritshme, por nuk ka aromë jete.

Ky patriotizëm i rrem ngrihet mbi fjalë të mëdha, por me zemër të zbrazët; mbi flamuj të valëvitur për kamera, jo për betim; mbi betime të larta që shuhen sapo fiket drita e skenës. Ai e përdor atdheun si një dekor, si një mjet për lavdi personale, e jo si një amanet për ta mbrojtur. Dhe pikërisht këtu fshihet rreziku: kur atdheu bëhet një mjet për të ushqyer egon, ai humb kuptimin e shenjtë të fjalës “ne” dhe kthehet në një “unë” të madh e të pangopur. Historia njeh shumë raste kur patriotizmi i rrem ka çuar në ndarje, në keqpërdorim të ndjenjave të popullit, madje edhe në humbjen e vetë lirisë së fituar. Ky lloj patriotizmi nuk është mburojë kundër armikut, por një plagë që rritet brenda trupit të kombit.

Prandaj, përpara se të duartrokasim britmat dhe parullat, duhet të shohim thellë: a është kjo thirrje për atdhe si një urdhër i zemrës apo një tingull bosh i interesit? Patriotizmi i vërtetë është i qetë, por i pathyeshëm; i rremi është i zhurmshëm, por i brishtë. Dhe nëse lejojmë që ky i fundit të ngrihet mbi shpinën e popullit, do të jemi vetë ne ata që do ta ndjejmë rrëzimin e tij të pashmangshëm.

Kur patriotizmi i rrem flet me zë të huaj, faktorët e pranishëm lëshojnë porosi! Në shpatet e një mali të heshtur, një gur i lashtë foli: “Unë kam parë breza që kanë ndërtuar kala dhe breza që i kanë shitur gurët e tyre për një grusht argjendi. Patriotizmi i vërtetë është si unë edhe të tjerët, që i durojnë stuhitë, nuk i lëkunden themelet. Por kur njeriu ngre flamurin vetëm për sy të botës, ai është si rëra: zbukuron për pak, pastaj shpërndahet nga era. Kujdes nga ata që flasin për gurin e kombit, por e mbajnë në xhep si gur tregu.“

Më poshtë, një kafshim diplomatik buzëqeshte fshehurazi: “Unë e di si t’i jap fjalët e buta që fshehin dhëmbët e mprehtë. Patriotizmi i rrem është miku im më i mirë: ai u tregon popujve një fytyrë të ndritur, ndërsa pas perdeve shesim pjesë të vetë tokës për marrëveshje të heshtura. Kush bie pre e fjalës së ëmbël dhe harron të shohë duart, e ka humbur betejën pa e nisur.“ Dhe nga larg, edhe „era“ u përfshi në bisedë: “Unë jam dëshmitare e të gjithëve. I kam bartur flamujt e vërtetë në ditët e luftës, kur gjaku ende nuk ishte tharë në plisa, por edhe flamujt e rremë në ditët e festave të zbrazëta.

Patriotizmi i rrem më thërret për ta ngritur lart flamurin vetëm për ta bërë të duket i madh, por nuk ka rrënjë që ta mbajnë. Ai bie me mua, njësoj si një gjethe e tharë.“ Dhe në fund foli uji i lumit, duke rrjedhur qetë: “Unë kam parë kufij që ndryshojnë dhe ura që ngrihen e shemben. Patriotizmi i rrem është si një valë e madhe që duket e fuqishme, por shpejt humbet në rrjedhë. Patriotizmi i vërtetë është si unë kur ushqej tokën në heshtje, pa bujë, pa premtime të zbrazëta.

Studenti karagjoz: “Patriotizëm?! Po unë e dua vendin tim çdo 28 Nëntor e çdo ndeshje të kombëtares! E vesh flamurin si pelerinë dhe bërtas më shumë se kushdo! Pastaj, të nesërmen… e harroj. Apo nuk quhet patriotizëm kjo?!” Kush e do vërtet atdheun, e mbron si burimin e ujit, me shumë kujdes, jo me britma.“ Dhe kështu, guri, kafshimi diplomatik, era dhe uji i lumit u pajtuan në një gjë: kur patriotizmi i rrem ngrihet si një stuhi e shpejtë, ai mund të rrënojë themelet, të shesë tokën, të shpërndajë flamurin dhe të turbullojë lumin. Por patriotizmi i vërtetë është ai që nuk kërkon lavdi të menjëhershme dhe është i vetmi që i mbijeton kohërave…

Biseda e natës për patriotizmin e rrem: Në mbrëmjen e thellë kur hëna varej si një monedhë argjendi mbi kodrat e qeta, në shpatet e një mali që kishte parë shekuj lufte e paqe, një gur i lashtë nisi të flasë me zërin e tij të rëndë e të thellë, duke thyer heshtjen që shtrihej mbi tokë: “Kam qëndruar këtu për aq gjatë sa numërimi i viteve më është bërë i huaj; kam parë duar që më kanë vendosur mbi kulla për të ruajtur lirinë dhe kam parë të tjera që më kanë shkëputur nga vendi im për t’u bërë çmim tregu në duar të pangopura; e di mirë se dashuria e vërtetë për atdheun nuk matet me fjalë të zhurmshme dhe as me flamuj të ngulur për sy të botës, por me sakrifica të heshtura që nuk kërkojnë mirënjohje, sepse kur krenaria bëhet teatër, gurët e themeleve nisin të lëkunden dhe fortesa bie nga brenda.“

Pranë tij, i padukshëm në errësirën e natës, një kafshim diplomatik u afrua si një hije e butë që fsheh në bark dhëmbët e mprehtë, dhe me një buzëqeshje të hollë, tha: “Unë jam mjeshtër i fjalëve që shkëlqejnë nga jashtë dhe helmojnë nga brenda; kam parë se si patriotizmi i rrem më shërben më mirë se çdo armik i hapur, sepse mbështjell popullin me pëlhurë krenarie të shtirur, ndërkohë që nën tryezë negociohet e shiten gjymtyrët e kombit; dhe kush nuk arrin të shohë përtej fjalëve të mia të ëmbla, kur të zgjohet një ditë e kupton se flamuri që valëvitej me aq krenari, nuk ka më tokë ku të qëndrojë.“

Nga thellësia e një gryke të largët, era u përfshi në bisedë me frymën e saj të gjatë që bartte aroma barishtesh e kujtime betejash: “Unë kam bartur flamuj të njomur me gjak të pastër dhe kam tundur copa pëlhure që s’kishin tjetër vlerë veç zbukurimit të një feste të kotë; patriotizmi i rrem më thërret të bëj bujë, të ngre lart shenjën e kombit për t’u parë nga të gjithë, por ai nuk ka rrënjë të ngulura në tokë, dhe as dashuri që të mund të mbajë peshën e stuhive; unë, që di të rrëzoj lisat e mëdhenj e të përkëdhel lulet e brishta, nuk kam mëshirë për atë që ngrihet mbi zbrazëti.“

Në brigjet e poshtme, duke rrjedhur ngadalë si për të mos e shqetësuar natën, uji i lumit foli me zë të butë, por të qartë: “Unë kam parë kufij të shënuar e të zhdukur, kam parë urat që bashkojnë brigjet dhe kam parë ato që rrëzohen nga pesha e mosbesimit; patriotizmi i rrem është si një dallgë e furishme që ngre shkumë të bardhë në sipërfaqe, por që humbet forcën sapo godet brigjet, ndërsa patriotizmi i vërtetë është si rrjedha ime e përhershme është edhe e durueshme, e qetë dhe e palodhur, që ushqen tokën në heshtje dhe nuk kërkon duartrokitje për gjallërinë që sjell.“

Studentja e parë: “Për mua, patriotizmi i vërtetë është kur punon për ta përmirësuar vendin tënd, edhe kur askush s’të sheh. Kur ndihmon dikë, kur ruan mjedisin, kur nuk gënjen për përfitim personal. Ai që e përdor atdheun për lavdi personale, ai është patriot i rremë.” Atëherë, nga hija e një shelgu të vjetër, u dëgjua një këngë e ngjirur dhe e gjatë… E ajo ishte kukuvajka, që kishte dëgjuar gjithë bisedën dhe vendosi të japë gjykimin e saj: “Unë jam zëri i natës dhe shenja e hershme e rrezikut, por njerëzit më dëgjojnë vetëm kur është vonë; patriotizmi i rrem është si një dritë që verbon syrin, por nuk ndriçon rrugën, duke bërë që ata që e ndjekin të bien në humnerë.

Unë u këndoj atyre që nuk shohin, u them se krenaria e rreme është më e rrezikshme se frika, sepse e çon njeriun drejt humbjes duke e bërë të besojë se po fiton; por kush nuk dëgjon thirrjen time në orët e para të errësirës, zgjohet vetëm kur agimi sjell me vete humbjen.“ Dhe kështu, nën qiellin e qetë të natës, guri, kafshimi diplomatik, era, uji i lumit dhe kukuvajka ranë në një pajtim të heshtur: se patriotizmi i rrem është një sëmundje e ëmbël në fillim, por e hidhur në fund, dhe se vetëm dashuria e vërtetë për atdheun, ajo që vepron në heshtje dhe mban gjallë themelet, mund të përballojë kohët dhe stuhitë pa u thyer.

II.

Kuvendi nuk u konstitua dot, për të disatën herë! (Tani flasin edhe Kukuvajka, Guri, Lumi i Gjatë, Era, Loza e Kungullit, por deputetët jo!). Seanca e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e Kryetarit të tij dështoi, duke e kthyer një proces demokratik në një skenë të zymtë bllokimesh, pazare politike dhe varësie të turpshme nga faktorët e jashtëm. Në vend që të shërbente si pasqyrë e vullnetit dhe ndërgjegjes politike të përfaqësuesve të popullit, ky proces u bë një provë e qartë e krizës së thellë institucionale dhe mungesës së pjekurisë politike. Çfarë doli në pah më fort se kurrë ishte mungesa e pavarësisë së deputetëve për të votuar sipas ndërgjegjes së tyre.

Votat vazhdojnë të komandohen nga kryetarët e partive dhe interesat e ngushta grupore, ndërkohë që qytetarët që i kanë zgjedhur mbesin pa përfaqësim real. Figura e politikanit shqiptar në Kosovë është dëshmuar gjithnjë e më shumë si një kukull pa bosht, e paaftë të përfaqësojë vullnetin popullor. Kjo varësi e verbër ndaj liderëve partiakë, shpesh të lidhur me interesa të errëta ekonomike apo rrjete klienteliste pushteti, nuk është më thjesht papjekuri politike. Është keq-qeverisje, është poshtërim i përfaqësimit, dhe në thelb, është një formë e pushtimit të brendshëm. Deputetët nuk flasin, nuk vendosin, nuk guxojnë.

Ndërkohë, KUKUVAJKA, GURI, LUMI I GJATË, ERA dhe LOZA E KUNGULLIT mund të thërrasin me ulurim më lirshëm se ata, deputetët, sepse nuk kanë frikë nga partia. Në fund, presioni ndërkombëtar ishte gjithnjë aty, në pritje, si tutor i heshtur i politikës që po zhvillohet te ne, si një realitet i dhimbshëm që vetëm sa e thellon varësinë dhe e ul më tej legjitimitetin e institucioneve. Kosova ka humbur jo vetëm reputacionin ndërkombëtar, por edhe respektin për veten. Kjo gjendje e stërzgjatur nuk është më thjesht dështim i politikanëve. Është dështim i shoqërisë që i duron ata.

Qytetarët që votojnë të njëjtët emra, të njëjtat fytyra, pa kërkuar përgjegjësi, janë pjesë e këtij rrethi vicioz që mban peng shtetin. Është koha që vota të mos jetë më emocionale, tribaliste, apo partiake, por një akt i ndërgjegjshëm ndaj shtetit, ndaj sakrificës dhe ndaj brezave që vijnë. Nëse shkohet në zgjedhje të reja, ndoshta për herë të parë, një bojkot i organizuar dhe i arsyetuar nga qytetarët mund të jetë mesazhi më i fuqishëm ndaj klasës politike… Kosova nuk është pronë private, as skenë pazari për grupe interesi, por Republikë e qytetarëve të saj. Në këtë kuadër as liderët e partive nuk do të mund të jenë pronarë të Republikës së Kosovës!

Heshtja e turpshme e deputetëve dhe zëri i Gurit! Në një vend ku institucionet janë ndërtuar mbi gjakun dhe sakrificën e mijëra qytetarëve, pamundësia për të konstituar Kuvendin nuk është më thjesht krizë teknike apo moment i zakonshëm politik. Ajo që po ndodh në Kosovë është simptomë e thellë e një kalbëzimi institucional, ku të zgjedhurit e popullit nuk flasin dot si përfaqësues, por vetëm si zëdhënës të liderëve të tyre politikë. Seanca e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi, njësoj si disa të mëparshmet. Dhe bashkë me të, dështoi edhe shpresa se ky vend mund të ecë përpara me një klasë politike që mban mbi supe përgjegjësinë që i është besuar.

Në vend të një momenti solemn, demokratik dhe përfaqësues, Kosova përjetoi një tjetër akt të teatrit të shëmtuar politik, ku pazaret, sabotimi dhe servilizmi ndaj udhëheqësve partiakë zunë vendin e dialogut dhe përgjegjësisë publike. Sot, edhe kukuvajka, lumi i gjatë, era dhe loza e kungullit kanë më shumë të drejtë të flasin se deputeti i ndënjëres parti që sabotuan… Sepse këta të fundit nuk flasin më me zërin e ndërgjegjes, por me fjalët që u diktohen. Ata nuk përfaqësojnë më qytetarin, por liderin. Ata nuk votojnë sipas bindjes, por sipas urdhrit. Kjo është fundosje morale, për të cilën nuk mund të fajësohen vetëm liderët partiakë. Edhe vetë deputetët kanë zgjedhur të jenë pjesë e këtij zinxhiri nënshtrimi dhe mosveprimi.

Është e qartë se mungesa e pavarësisë politike nuk është më çështje procedure, por çështje sovraniteti të brendshëm. Në një shtet demokratik, Gjykata Kushtetuese ka një rol të pazëvendësueshëm: ajo është institucioni suprem që mbron rendin kushtetues, garanton ndarjen e pushteteve dhe parandalon abuzimin e kompetencave politike. Por në Kosovë, kjo figurë e pavarësisë dhe autoritetit juridik po zbehet çdo ditë e më shumë, duke lënë pas vetes pikëpyetje serioze mbi legjitimitetin dhe funksionin e saj real.
Kriza e moskonstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit është më shumë se një stagnim politik, është një vrazhdësi e thellë e kolapsit institucional. Në vend që të shërbejë si zgjidhje dhe orientim për kapërcimin e kësaj ngërçi, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur të heshtë, të shmangë përgjegjësinë ose, në rastin më të keq, të bëhet pjesë e një kalkulimi politik.

Gjykata që nuk gjykon: Kur një Kuvend i dalë nga vota e qytetarëve nuk mund të konstituohet për javë apo muaj me radhë, (edhe pse ata, deputetët provuan 56 herë) detyra minimale e Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë situatën në përputhje me Kushtetutën dhe të sigurojë rrjedhshmëri të jetës institucionale. Refuzimi për të ndërhyrë me vendim ose vonesat e qëllimshme në interpretim nuk mund të konsiderohen neutralitet juridik, por këto sjellje janë një akt i mosveprimit që e bën Gjykatën bashkëpërgjegjëse për zgjatjen e krizës. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një kontekst ku ligjërimi politik ka degraduar në bllokadë të qëllimshme, ku partitë politike nuk arrijnë as të respektojnë rregullat bazike të funksionimit institucional.

Në këto kushte, mungesa e një arbitri të qartë si Gjykata Kushtetuese vetëm sa thellon pasigurinë dhe krijon një precedent të rrezikshëm: se krizat mund të tolerohen pafundësisht, pa pasoja ligjore ose kushtetuese. Moskonstituimi i Kuvendit është një fenomen që rrënon vetë esencën e demokracisë parlamentare. Kuvendi është organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve, nëse ai mbetet jofunksional për shkak të interesave të ngushta politike, atëherë gjithë sistemi përfaqësues bie në krizë. Më e rëndë akoma është kur institucionet që duhet të garantojnë funksionimin e këtij sistemi, siç është Gjykata Kushtetuese, dështojnë ta mbrojnë atë. Në vend që të jetë tempulli i demokracisë, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një hapësirë të zbrazët, ku pushteti nuk buron më nga qytetari, por nga kalkulimet e prapaskenës dhe kompromiset e imponuara.

Ndërhyrja ndërkombëtare…? Në këtë zbrazëti institucionale, nuk është çudi që faktori ndërkombëtar të ndërhyjë gjithnjë e më shpesh për të zhbllokuar krizën. Ambasadorët dhe misionet diplomatike janë bërë pjesë e diskutimeve të brendshme, në një mënyrë që shkon përtej rolit të tyre tradicional si partnerë e mbështetës. Ajo që dikur quhej “ndihmë për zhvillim demokratik”, sot duket më shumë si “tutorim” ndaj një klase politike që ka humbur busullën e përgjegjësisë. Por as kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë. Nuk mund të ndërtohet shteti përmes ndërhyrjes së përhershme nga jashtë.

Rendi demokratik duhet të burojnë nga brenda, nga ligjshmëria, nga përgjegjësia institucionale dhe nga një gjyqësor që funksionon në mënyrë të pavarur dhe të drejtë.
Një përgjegjësi që nuk mund të anashkalohet: Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund të rrijë më në heshtje. Mosveprimi në momente kyçe nuk është neutraliteti, por është shpërfillje e rolit të saj kushtetues. Për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin demokratik dhe për të ruajtur legjitimitetin institucional, ajo duhet të vendosë qartë dhe pa ekuivoke, duke garantuar që askush, asnjë subjekt politik, nuk është mbi Kushtetutën. Nëse edhe ky institucion dështon, atëherë rrezikojmë të mos kemi më krizë politike, por krizë shtetësie.

Dhe interpretimi i fundit i kësaj gjykate, i afrohet mendimit për të konkluduar, se ajo po dështon. Por problemi nuk ndalet këtu. Kjo situatë tragjike është, në të vërtetë, një pasqyrë e asaj që toleron, ushqen dhe ripërsërit shoqëria vetë. Qytetarët që çdo katër vjet votojnë të njëjtët njerëz, pa reflektim dhe pa kërkesa reale për ndryshim, janë pjesë e problemit. Vota nuk është më një akt i lirë i mendjes së qytetarit, por shpesh një akt emocional, tribal apo klientelist. Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, gjë që është e mundur, atëherë qytetarët duhet të përballen me një pyetje të vështirë: A do të jenë sërish pjesë e farsës, apo do të reagojnë ndryshe?

Ndoshta për herë të parë në historinë e demokracisë së Kosovës, një bojkot i arsyetuar dhe i organizuar do të mund të shërbente si një mesazh i qartë: se populli nuk është i gatshëm të jetë më dekor për pazare dhe dështime. Në një shtet të shëndetshëm demokratik, një parlament që nuk arrin të konstituohet do të ishte alarm kombëtar. Në Kosovë, është bërë normë. Dhe kjo është më e rrezikshme se vetë kriza: normalizimi i absurdit. Në fund, duhet thënë qartë: Kosova nuk është as Serbi dhe as pronë private e liderëve partiakë. Është Republikë e qytetarëve, e barazisë, e drejtësisë dhe e përfaqësimit. Nëse kjo nuk funksionon, atëherë as flamuri, as historia, as kushtetuta nuk e kanë më kuptimin që duhet. Sepse pa përfaqësim real, pa zë të lirë dhe pa ndërgjegje kolektive, shteti është vetëm një maket bosh me emër republike. Të gjithë ekspertët e tjerët pothuaj se e ndajnë të njëjtin mendim.

Kukuvajka foli. E kishte parë më shumë errësirë sesa dritë. Thotë: “Kur shoh karrige të zbrazëta në Kuvend, unë nuk ulërij nga frika, por nga neveria. Sepse nuk ka krijesë më të rrezikshme sesa ai që ka zë, por zgjedh të heshtë për hir të partisë.”
Guri foli. E kishte ndier mbi vete hijet e betejave të vjetra dhe premtimet që kalben.

Thotë:
“Unë nuk lëviz, por as nuk mashtroj. Në këtë vend, ndërskamcat janë bërë më të rëndësishme se drejtësia. Hakmarrja është kthyer në strategji politike. Dhe kush s’e di për çfarë voton, nuk përfaqëson askënd, veç urdhrave që merr.”
Lumi i Gjatë foli. E kishte parë vendin të kalbet nga rrënjët. Thotë: “Unë nuk ndalem, por gjithmonë mbaj me vete gjithçka që derdhet nga lart: premtime të rreme, zhgënjime popullore, dhe ndonjë shpresë që mbetet pezull mbi urat që po shemben. Deputetët i kam parë të pinë ujë të huaj, jo të pastrojnë të tyren.”

Era foli. E kishte dëgjuar gjithçka që është thënë nën zë. Thotë: “Unë jam kudo, por më përjashtojnë nga sallat ku vendoset për jetën e të gjithëve. Hakmarrja i fshihet ligjit, ndërskamcat vijnë si urdhra ‘nga lart’. Kur veprat shkelin mbi fjalët, unë fryj për t’i shkulur, jo për t’i përkëdhelur.”

Loza e Kungullit foli. E kishte kuptuar se rritja e shpejtë nuk do të thotë pjekuri. Thotë: “Unë rritem në tokë, nuk kam luksin të fluturoj me fjalë boshe. E kur shoh se të paaftët shpërblehen, e të zotët pengohen, e kuptoj se këtu nuk kemi sistem, por kemi ndërskamca me kolltuk. Prandaj mbetem lozë, por jo i sheshtë në ndërgjegje.“ Deputeti s’foli. Sepse ishte në pushim. Ose në linjë me udhëzimet. Ose nuk ishte fare në sallë. Në fund, foli populli, por zëri i tij nuk u regjistrua.

Sepse kur flasin Kukuvajka, Guri, Lumi, Era dhe Loza, ato bëjnë më shumë sens sesa 120 zëra të zbrazët që bëjnë sikur përfaqësojnë.

III. Kur fjalët ndahen nga të gjitha veprat!
1) Ngërrqet: Fjalë për fjalë, “Ngërrq” do të thotë një situatë e ndërlikuar, bllokim ose pengesë në zhvillim. Kjo nënkupton pengesa të panevojshme, shpesh burokratike apo të qëllimshme që krijohen për të bllokuar dikë apo diçka. Në disa raste lidhet me mosmarrëveshje personale, konflikte të pashpjegueshme ose mungesë bashkëpunimi.

Në këtë shprehje, nënkuptohet se ngërrqet, pra konfliktet e kota dhe ndërlikimet pa shkak, nuk janë vlera që duhen kultivuar në kulturën shqiptare. Ngërrqet, hakmarrja dhe ndërskamcet në rrafshin politik shqiptar! Në diskursin publik shqiptar shpesh dëgjojmë deklarata të tipit: “Ngërrqet, hakmarrja dhe ndërskamcet që nuk bëjnë pjesë në kulturën shqiptare!” Ky është një pohim që aspiron drejt një shoqërie më të drejtë, më të civilizuar dhe më bashkëpunuese. Megjithatë, realiteti politik e hedh shpesh poshtë këtë ide të konfirmur nga faktet historike. Në praktikë, këto fenomene janë jo vetëm të pranishme, por edhe thellësisht të rrënjosura në jetën institucionale, partiake dhe shoqërore.

Rrethanat politike shqiptare, të dominuara prej dekadash nga polarizimi, mungesa e dialogut të sinqertë, rivaliteti i ashpër mes grupeve të interesit dhe një kulturë e dobët demokratike, kanë krijuar një terren të favorshëm ku ngërrqet burokratike, hakmarrjet politike dhe ndërskamcat mes individëve apo partive bëhen mjete të zakonshme për të ruajtur pushtetin ose për të penguar kundërshtarin. Kjo kontradiktë midis fjalës publike dhe praktikës politike ngre pyetje serioze mbi kuptimin e vërtetë të kulturës politike shqiptare: A është ajo ende në fazën e ndërtimit, apo e deformuar nga trashëgimia e autoritarizmit, tribalizmit dhe mungesës së meritokracisë?

Më këtë rast dëshiroj të shpjegoj shprehjet “Ngërrqet”, “Hakmarrja” dhe “Ndërskamcet” në një kontekst kulturor shqiptar, veçanërisht kur ato përdoren në fjali si: “Ngërrqet, hakmarrja dhe ndërskamcet, të cilat nuk bëjnë pjesë në kulturën shqiptare!”
Qëndrimi i Gurit: Unë jam Guri. Nuk flas shpesh. Nuk kam nevojë për mikrofon. Kam parë mbretëri që rrëzohen dhe gjak që shpërlahet. Kam parë pushtete që ndërrohen, por fytyrat që mbesin.

Ju thoni: “Ngërrqet, hakmarrja dhe ndërskamcat nuk janë pjesë e kulturës shqiptare.” Por unë i kam parë të nguliten në truallin e këtij vendi më thellë se rrënjët e një lisi. Hakmarrja nuk është vetëm gjak mbi bar, por është edhe heshtje, është edhe urdhër nga prapa perdeve, është edhe mosvotim në sallën e Kuvendit. Ndërskamcat nuk ndodhin vetëm në mal! Ato bëhen me rregullore, me vendime, me mungesë kuorumi. Unë jam i rëndë, i heshtur dhe i qëndrueshëm. Nuk kthehem sipas erës. Por as nuk gënjej. Prandaj, kur fjalët thonë se jemi të lirë, e veprat tregojnë pengmarrje politike, unë hesht rëndë, si një akuzë e palëvizshme.

Qëndrimi i Erës: Unë jam Era, që për çdo ditë kaloj male e fusha, pa pasaportë e pa parti. Kam dëgjuar fjalë që u thanë nga maja e tribunës, e i mora me vete. I përplasa në fytyrat e fshatarëve që nuk kanë as rrugë, as drita, as zë. Ju thoni: “Ndërskamcat nuk janë pjesë e kulturës sonë.” Por unë i kam ndjerë ato edhe në hapat e deputetëve që hyjnë në Kuvend, duke parë kë i përshëndesin dhe kë injorojnë. I kam dëgjuar në telefonatat e mbrëmjes, në marrëveshjet nën tavolinë, në bojkotet që nuk kanë as motiv as qëllim tjetër veç sabotimit. Kur fjalët flasin për demokraci, e veprat fshehin frikë nga liria e votës, unë shpërthej. Jo për t’i trembur, por për t’i zhveshur. Era nuk rri dot në sallat e mbyllura të marrëveshjeve politike. Ajo do ajër të pastër, si fjala e lirë që s’e lënë të fryjë.

Qëndrimi i Lozës së Kungullit: Unë jam Loza e Kungullit, dhe rritem në baltë, por nuk më vjen turp. E di se çfarë jam. Nuk shtirem. Nuk premtoj se do bëhem as dru, as lis, as pemë e rrallë. Por të paktën, rritem me të vërtetën time. Ju thoni: “Ngërrqet nuk janë pjesë e kulturës shqiptare.” Po kush i mbjell këto ngërrqe, nëse jo ata që thonë se duan ta shërbejnë popullin? E kush i ujit këta kunguj politikë, nëse jo qytetarët që çdo herë i votojnë për pamje, jo për përmbajtje? Kur fjalët shpallin ndryshim, e veprat ripërsërisin të njëjtin kalbëzim, unë ngatërrohem në këmbët e tyre, si kujtesë e asaj që rritet shpejt por nuk zgjat.

Sepse politika pa moral është si kungulli: fryhet shpejt, por kalbet lehtë. Këta nuk janë thjesht Guri, Era dhe Loza. Janë zëri i atyre që nuk kanë mikrofon, por që kuptojnë më shumë se ç’duket. Ata na kujtojnë se kur fjalët e bukura nuk shoqërohen me vepra të ndershme, fjala bëhet mall i lirë dhe politika një pazar banal. E nëse deputeti hesht nga frika, Gurit, Erës dhe Lozës s’u mbetet tjetër veç të flasin, jo si përfaqësues, por si kujdestarë të ndërgjegjes që ka humbur.

2) Dhe tani… Hakmarrja: Fjalë për fjalë nënkupton veprimi për të marrë “drejtësinë” në duart e veta për një padrejtësi të pësuar. Në aspektin kulturor “hakmarrja” ka qenë pjesë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe për fat të keq, për shumë kohë ishte e lidhur me gjakmarrjen, një praktikë e dhunshme që ka shkaktuar tragjedi familjare dhe sociale. Në këtë shprehje, shpesh thuhen fjalë të forta për të refuzuar idenë e hakmarrjes si pjesë e kulturës moderne shqiptare, duke theksuar nevojën për drejtësi ligjore, pajtim dhe qytetari. Thjesht është një distancim nga e kaluara e dhunshme. Ju thoni: “Hakmarrja nuk është pjesë e kulturës shqiptare.”

Por unë i kam parë burrat që thërrasin për pajtim në fshat, e pastaj votojnë për njerëz që hakmerren me vendime politike. Unë i kam parë drejtues të lartë që e mbajnë në mend çdo votë kundër dhe e kthejnë në heshtje, izolim ose ndëshkim. Nuk derdhet më gjak në rrugë, por derdhen karriera, ndalen mundësi, dhe digjen ura bashkëpunimi. Kur fjalët predikojnë pajtim, e veprat planifikojnë hakmarrje institucionale, unë qëndroj si një dëshmi e palëvizshme se drejtësia nuk ndërtohet mbi hak, por mbi falje dhe barazi.

Qëndrimi i Erës për Hakmarrjen. Unë jam Era, që kam fryrë mbi shtëpitë e pajtimit e mbi gjyqet e kanunit. Kam dëgjuar urdhra që thonin: “Mos e harro!” më shpesh sesa “Fale!”. Hakmarrja nuk ka më krisma, por ka bojkote, ka shantazhe, ka vendime që vijnë jo nga ligji, por nga inati. Ajo shfaqet në ndarjen e posteve, në ndalimin e promovimeve, në rrëzimin e njerëzve nga frika se mund të jenë më të mirë. Kjo është hakmarrja moderne, e veshur me kostum, por me shpirt të njëjtë. Kur fjalët flasin për drejtësi dhe qytetari, por veprat nxiten nga inati dhe mllefi, unë bëhem stuhi që i përmbys këto fasada. Sepse nuk ka paqe ku sundon hakmarrja, dhe nuk ka shtet ku ndëshkimi është personal.

Qëndrimi i Lozës së Kungullit për Hakmarrjen: Unë jam Loza e Kungullit, që nuk mbaj mend për kohë të gjatë, por rritem shpejt mbi truallin që ka ngrohtësi. Kur më vendosin mbi dhe të djegur nga urrejtja, thahem, si gjithçka që preket nga zemërimi. Dikur hakmarrja bëhej për nder. Sot bëhet për pushtet. Atëherë njerëzit luftonin për dinjitet, sot thjesht për ta parë tjetrin të dështojë. Dhe kur dikush thotë se hakmarrja nuk është shqiptare, unë dridhem… sepse e shoh se ajo rritet si unë: nëpër fjalë të buta, por me rrënjë të hidhura. Kur fjalët thonë drejtësi, e veprat bëjnë dëm, atëherë edhe një kungull e kupton: ky nuk është shtet, por një teatër ku lojtari i dobët hakmerret për të gjitha rolet që s’i mori dot.

Qëndrimi i Gurit për Hakmarrjen: Unë jam Guri, që gjithnjë kam qëndruar mbi varre e kam dëgjuar britma hakmarrjeje që kurrë nuk sollën drejtësi. Kam qenë dëshmitar kur gjaku kërkonte gjak, dhe askush nuk mbeti i pastër. Ju thoni: “Hakmarrja nuk është pjesë e kulturës shqiptare.” Por unë kam parë drejtues që flasin për pajtim, e pastaj ndëshkojnë në heshtje këdo që nuk u bindet. Nuk ka më gjak në rrugë, por ka hakmarrje me poste, me heshtje dhe me izolim. Dhe kjo, sado e sofistikuar, mbetet vetëm hakmarrje dhe jo drejtësi.

Qëndrimi i Erës për Hakmarrjen: Unë jam Era, dhe kam fryrë mbi shtëpitë e pajtimit e mbi gjyqet e kanunit. Kam dëgjuar urdhra që thonin: “Mos e harro!” më shpesh sesa kur thonin: “Fale!”.

Hakmarrja nuk ka më krisma, por ka bojkote, ka shantazhe, ka vendime që vijnë jo nga ligji, por nga inati. Ajo shfaqet në ndarjen e posteve, në ndalimin e promovimeve, në rrëzimin e njerëzve nga frika se mund të jenë më të mirë. Kjo është hakmarrja moderne, e veshur me kostum, por me shpirt të njëjtë. Kur fjalët flasin për drejtësi dhe qytetari, por veprat nxiten nga inati dhe mllefi. Por, unë bëhem stuhi që i përmbys këto fasada.

Sepse nuk ka paqe ku sundon hakmarrja, dhe nuk ka shtet ku ndëshkimi është personal.
Qëndrimi i Lozës së Kungullit për Hakmarrjen: Unë jam Loza e Kungullit. Nuk mbaj mend për shumë gjatë, por rritem shpejt mbi truallin që ka ngrohtësi. Kur më vendosin mbi dhe të djegur nga urrejtja, thahem, si gjithçka që preket nga zemërimi. Dikur hakmarrja bëhej për nder. Sot bëhet për pushtet. Atëherë njerëzit luftonin për dinjitet, sot thjesht për ta parë tjetrin të dështojë. Dhe kur dikush thotë se hakmarrja nuk është shqiptare, unë dridhem… sepse e shoh se ajo rritet si unë: nëpër fjalë të buta, por me rrënjë të hidhura. Kur fjalët thonë drejtësi, e veprat bëjnë dëm, atëherë edhe një kungull e kupton: ky nuk është shtet, por një teatër ku lojtari i dobët hakmerret për të gjitha rolet që s’i mori dot.

3) Dhe tani, Ndërskamcat… Kjo shprehje nënkupton veprime të fshehta për të penguar dikë qëllimisht; kur dikush “i vë këmbën” tjetrit në mënyrë figurative për ta rrëzuar. Kulturorisht shpesh ka sqarime lidhur me zilinë, intrigat, zullumin dhe veprime që e pengojnë përparimin e tjetrit për arsye personale, por që veprimet si sjellje reflektojnë edhe në mjedise pune apo politike. Në këtë shprehje, kur autoriteti ose individi e shqipton këtë deklaratë është duke theksuar nevojën për solidaritet, meritokraci dhe ndershmëri në shoqërinë shqiptare, duke refuzuar intrigat dhe sabotimin si sjellje joshqiptare ose të dënueshme.

Fjalia: “Ngërrqet, hakmarrja dhe ndërskamcet nuk bëjnë pjesë në kulturën shqiptare!” , është një pohim me shumë fakte, është një deklaratë normative dhe aspiruese. Ne kemi një kulturë shqiptare moderne që nuk bazohet në pengesa, hakmarrje apo sjellje të pabesa. Në parim, është një thirrje për qytetari, drejtësi dhe bashkëpunim. Uroj që sjellje të tilla më kurrë mos t’i shohim te klasa jonë politike që deklarojnë se janë shqiptarë, por manifestojnë sjellje, të cilat vetëm ne shqiptarëve nuk na përkasin!

Qëndrimi i Gurit për Ndërskamcat. Unë jam Guri, dhe nuk lëviz as kur më godasin, por e ndjej kur dikush vë këmbën që të tjerët të rrëzohen. E kam parë këtë ndërskamcë në shumë forma: si nënqeshje, si pezullim, si emërim që vjen vetëm për të penguar dikë tjetër. Ju thoni: “Ndërskamcat nuk bëjnë pjesë në kulturën shqiptare.” Por në politikë, gjithçka është kthyer në pengesë për tjetrin, jo në rrugë për të gjithë. Nuk bëjnë më betejë idesh, por luftë sabotimesh. E në këtë luftë, askush nuk del fitues, vetëm humbësi ndërrohet. Kur fjalët flasin për meritokraci, e veprat pengojnë cilësinë të ngjitet lart, unë qëndroj këtu, për të treguar se pengesat nuk janë vetëm gurë në rrugë janë qëllime në vetvete.

Qëndrimi i Erës për Ndërskamcat: Unë jam Era, se për ty nuk mund të më ndalë askush, por shpesh e ndjej kur dikush përpiqet të më drejtojë vetëm atje ku i intereson vetë. Ndërskamcat janë erë e prapme dhe fryjnë pas shpine. Nuk duken, por prishin. Shpesh ato nuk vijnë si akuza, por si sugjerime, si rekomandime, si heshtje që nënkupton shmangie. I kam dëgjuar nëpër korridore, në komente nën zë, në sabotime që s’kanë as firmë, as vulë, por kanë efekt të madh. Kur fjalët premtojnë bashkëpunim, e veprat ndërtojnë kurthe, unë bëhem erë që nxjerr në dritë të gjitha gënjeshtrat e mbështjella me buzëqeshje.

Qëndrimi i Lozës së Kungullit për Ndërskamcat: Unë jam Loza e Kungullit, që po rritem vetëm kur më japin vend. Por ndaloj rritjen sapo dikush më shtyp, më lidh, apo më ndan nga drita. Kështu ndodh edhe me të tjerët. Ndërskamcat nuk janë vetëm të liga, janë të pashpresa. Ato i bëjnë njerëzit që kanë aftësi të dorëzohen, i bëjnë të rinjtë të ikin, dhe i bëjnë të paaftët të ndihen të sigurt. Në këtë tokë, ndërskamca është më e fortë se diploma, më e vlefshme se ndershmëria. Kur fjalët lavdërojnë suksesin e tjetrit, e veprat bëjnë gjithçka për ta rrëzuar, unë si një kungull i thjeshtë pyes: Si mund të lulëzojmë bashkë, kur rrënjët e njeriut tjetër merren si kërcënim?

Porosia e përbashkët: Ngërrqet, hakmarrja dhe ndërskamcat nuk bëjnë pjesë në kulturën shqiptare? Mbase nuk duhet të bëjnë. Mbase s’kanë qenë kurrë në zemrën e saj. Por sot janë të veshura me kostume, me tituj, me emra partish dhe me buzëqeshje televizive. Kur fjalët e mohojnë, e veprat i ushqejnë, vetëm natyra mbetet për të folur. Dhe ne; Guri, Era dhe Loza, asnjëherë nuk jemi as votues, as të zgjedhur, por jemi të drejtë. Dhe e dimë mirë: kur fjalët dhe veprat ndahen, fillon gënjeshtra kolektive… E gjithë kjo nënkupton se: “Ngritja e patriotizmit të rrem është një flakë që djeg shtëpinë nga brenda“, dhe se kur patriotizmi përdoret si maskë për interesa personale, manipulim politik apo urrejtje, ai nuk e forcon as shtetin, as kombin përkundrazi, e shkatërron atë nga brenda, duke minuar besimin, unitetin dhe vlerat e vërteta të shoqërisë.”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.