Arben Çokaj
– tregim satirik
Si i lanë paratë për hekura nga kompleksi i pamjaftueshmërisë së vlerave?!
Njëri nga kushërinjtë, Lapi, sa shkoi në Berlin, hyri 30 mijë Euro borxh te Fondacioni “Besa” dhe bleu një Golf VIII të ri! Pas 6 vjetësh kur do të pagojë huanë, makina e ka vlerën 5-6 mijë Euro, ndërsa Besës ai i ka paguar nja 45 mijë Euro! Hajde biznes hajde! Mendje e zgjuar shumë! Mendje gjermoni… 😛
Tjetri kushëri i tij Pit-Bulli i grave, që kishte gjetë një kosovare duke luajtur luftash në Internet dhe i premtoi se do martohet me të, e bëri atë të merrte me qera një shtëpi të mirë, ku do të jetonin bashkë, pastaj ajo i bleu edhe një PlayStation të fundit ludomanit, pas lutjeve konstante të këtij të fundit, që edhe pse ishte 30-të, nuk i pëlqente puna, por i pëlqenin lojërat deri né mani… si me e vra kohën kot?
E kështu tani që Lapi kishte blerë Golf të ri, e ziente atij diçka përbrenda, si ta sfidonte Lapin, çfarë makine të blinte ai?
Ia mbushi mendjen të shoqes t’i blinte një BMW të vitit 2023 për 35 mijë Euro, që t’ia kalonte Lapit… “U bë Lapi t’ma kalojë mua?!” – tha, “Na merre tani!”… E shoqja hyri borxh në bankë dhe ia bleu, se e donte fort…
Iuuhahaha… s’ka më mirë se kur të mban gruaja me para! – qeshte me vete Pit-Bulli i kënaqur. 😛
Lap katundarin tani s’e mbante dheu.
“A ta shes Golfin 20 mijë?” – tha, se më shumë nuk ia merr kush pas 2 muajve, e të marr 50 mijë Euro borxh te Besa, e të blej një makinë më të mirë se Pit-Bulli?!
Kështu ndërsa lufta në Ukrainë vazhdonte dhe Europa po armatosej përditë, dy kushërinjté katundarë në Gjermani s’i zinte gjumi i natës kush e blen makinën më të shtrenjtë, si jevgjit, me para borxh në bankë…
I lanë leshtë për hekura…