5.5 C
Tirana
E enjte, 26 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Dom Nikollë Kaçorri, njëri ndër etërit e themelimit të kombit

Dom Nikollë Kaçorri, njëri ndër etërit e themelimit të kombit

0
Nikollë Kaçorri
Gjon Marku
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

Nikollë Kaçorri u shugurua meshtar në muajin dhjetor të vitit 1893. Pas përfundimit të studimeve, ishte praktikë që klerikët e rinj të qëndronin për disa kohë në vendin e studimeve, për t’u njohur më mirë me punën që do të bënin. Kleriku i ri qëndroi në Zvicër vetëm disa muaj, pasi më 11 shtator 1894 filloi shërbimin meshtarak në Delbnisht dhe më pas në Milot e Gurëz, e prej këtu, pas pak kohësh, u transferua në qytetin e Durrësit.

Imzot Preng Bardhi, kryeipeshkëv i Durrësit, në një letër që i shkruan konsullit austro-hungarez në Durrës, Szomer, më 18 tetor 1894, shkruan për Kaçorrin këto fjalë:
“…Asht një prift shumë i zoti, ka sjellje shembullore dhe kam besim se do të na nderojë dhe do të bajë shumë të mira në këtë qytet…” (1)

Imzot Nikollë Kaçorri zgjidhet ndihmës i Kryeipeshkëvit dhe nga kjo pozitë merr pjesë në Koncilin III Shqiptar në Kishën Katedrale Metropolitane në Shkodër, i cili u mbajt nën kryesimin e Imzot Pashko Guerinit, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës. (2) Kaçorri, si prift, pati një kontribut të veçantë edhe në pajtimin e njerëzve.

Për merita të shquara, në vitin 1906 Selia e Shenjtë e emëron “Protonotar Apostolik”, që është një ndër titujt më të lartë të nderit që i jepet një prelati për merita të veçanta, me kërkesë të Ipeshkëvit të Durrësit, dhe këtij titulli i bashkëngjitet edhe titulli “Imzot”. (3) Me propozim të Arqipeshkëvit të Durrësit, po në vitin 1906, Ati i Shenjtë e nderon me “Croce pro Ecclesia et Pontifice” (Kryqi për Kishë dhe Papë), një medalje e artë e nxjerrë nga Papa Leoni XIII, e cila u jepej laikëve dhe klerikëve që ishin dalluar për shërbimin e tyre ndaj Kishës. Ndërsa në vitin 1913, Propaganda e Fesë i dha titullin “Kamerier Nderi i Papatit”. (4)

Më 23 shtator 1908 u propozua pranë Selisë së Shenjtë për Ipeshkëv të Shkupit. Imzot Lazër Mjeda e propozoi për Kryeipeshkëv të Shkodrës pas largimit të Imzot Guerinit. (5)

Imzot Kaçorri ishte një ndër ithtarët e bashkimit të shqiptarëve dhe ka meritën e madhe se arriti të bashkëpunonte me Myftiun e Durrësit, Mytezim Këlliçin, i cili ndikoi në zbutjen e fanatizmit fetar dhe afrimin e myslimanëve me çështjen kombëtare. Gjithashtu, rreth tij u grumbulluan intelektualë të shquar durrsakë të të gjitha besimeve fetare. (6)

Imzot Kaçorri kishte një bibliotekë të pasur dhe lexonte shumë, duke e pasuruar vazhdimisht bibliotekën e tij me libra. (7) Kështu shkruan Dom Mark Dushi, i cili po ashtu pohon kontributin e tij në mbledhjen e këngëve popullore dhe flet për rolin e tij në themelimin e arsimit shqip në Durrës, si edhe si themelues i shoqërisë atdhetare “Vllaznia” dhe i klubit “Bashkimi”, etj.

Imzot Nikollë Kaçorri ka një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai ishte ideologu i kryengritjeve të Kurbinit dhe për këtë u mbështet jo vetëm në traditën vetëqeverisëse të Mirditës, por edhe në rezistencën dhe qëndresën e saj proverbiale. Ai vendosi lidhje të forta dhe të drejtpërdrejta me krerët e krahinës dhe punoi që kurbinasit të kundërshtonin masat e reja të qeverisë osmane. Për veprimtarinë e tij shkruan “Hylli i Dritës”:
“Nikollë Kaçorri, famullitar i Durrësit, mendonte si me e çue popullin e Kurbinit kundër qeverisë turke, me fillue dalëngadalë, tue i lidhë me krenë të tjerë të maleve, me ba një lëvizje për me fitue pavarësinë kombëtare. Dhe rasti nuk vonoi me i ardhë.” (8)

Në shkurt të vitit 1903, Esat Pashë Toptani ndërmori një ekspeditë, gjatë së cilës kreu krime të shumta kundër malësorëve. Nikollë Kaçorri u takua me konsullin austro-hungarez në Durrës dhe kërkoi prej tij një angazhim serioz për të zbardhur çështjen dhe për dërgimin e përgjegjësve para drejtësisë. Pas kësaj, Kaçorri u nis për në krahinat e Mirditës dhe me këtë rast vizitoi Kthellën, Selitën dhe Rrënzën.

Veprimtaria e tij binte ndesh me qeverinë dhe autoritetet turke, ndaj këto të fundit vendosën arrestimin e tij. Rreziku i arrestimit e detyroi priftin të largohej nga Durrësi dhe të strehohej nëpër fshatra, kryesisht në Kurbin. (9) Edhe këtu ai u mor me organizimin e kuvendeve të burrave. Kështu, më 5 gusht 1907 organizoi kuvendin e tretë të Delbnishtit, në të cilin, krahas Nikollë Kaçorrit, ishte i pranishëm edhe Shtjefën Gjeçovi.

Dom Nikollë Kaçorri ishte delegat edhe në Kongresin e Manastirit, të mbajtur në vitin 1908, i cili mund të konsiderohet si një ngjarje e madhe kombëtare dhe paraprirëse e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Më 2 gusht 1910, në bazë të Kodit Penal Osman, dënohet me 4 vjet burg. Nikollë Kaçorri, i liruar nga burgu në mars të vitit 1911, vihet në krye të lëvizjeve kryengritëse të shpërthyera në Malësinë e Madhe dhe në Mirditë; kjo e fundit ishte kthyer në kryefjalë të kryengritjeve për liri.

Nikollë Kaçorri kalon në zonat e Kthellës dhe të Selitës, më pas shkon në Lurë e Dibër. Pa dyshim, këto treva do të ishin të parat që do të bashkoheshin me një kryengritje eventuale të Shqipërisë së Veriut. Prej Lurës, Dom Nikollë Kaçorri shkoi në Orosh dhe, në takimet që bëri me parinë e fiseve, si edhe me famullitarin e Oroshit, u bëri thirrje për bashkim, duke harruar përçarjet, mëritë dhe gjakmarrjen. (10)

Viti 1912 e gjen Dom Nikollë Kaçorrin në krye të lëvizjeve për liri dhe pavarësi kombëtare.

Në mënyrë të qartë, roli i Kaçorrit del në letërkëmbimin mes tij dhe Sali Nivicës, në letrat që ky i fundit i dërgonte Komitetit të Kryengritjes së Krujës.

Ky i fundit i shkruan më 3 korrik 1912 Z. Kaçorrit:
“Tim Zot Nikollë Kaçorri, i ndershmi e i shtrenjti atdhetar!… Patriotizmin e këtushëm fort bukur e din edhe zotnia juaj, se është mjaft mirë dhe i sosun, por ka fjalë të shumta e të pëmta. Zgjedhja e deputetëve ka prurë ndarje dhe çarje të mjafta midis popullit të këtushëm, andej për fat të zi s’asht tue mbretue ma ajo vllazni e dashni e bashkëme që ishte ma parë, por kuptojmë se një nevojë e përgjithshme kombëtare, një qëllim i shtrenjtë patriotik, ka me u pjekë e me na bashkue, sidomos në një ditë të zezë e të rrezikshme…”

Kaçorri i shkruan letra edhe Dedë Gjo Lulit dhe Hasan Prishtinës, ku evidentohet se edhe në kryengritjet e vitit 1912 problemi i rëndësishëm mbetet sigurimi i armëve dhe municioneve. Përsëri, Dom Nikollë Kaçorri këtë veprim të rrezikshëm e merr përsipër. Janë këto letërkëmbime nga të cilat del qartë se Dom Nikollë Kaçorri kryente rolin e udhëheqësit politik të kryengritjeve të Shqipërisë së Mesme, duke treguar se ai ishte një politikan vizionar.

Pa diskutim dhe pa hezitim, Dom Nikollë Kaçorri mbetet njëri ndër etërit themelues të kombit.

Me vajtjen e Ismail Qemalit në mision diplomatik jashtë vendit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare kishte hyrë në një paqartësi të theksuar. (11) Rexhep Mitrovica, njëri ndër pjesëtarët e delegacionit të Shkupit dhe figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare, i shkruan Mustafa Krujës dhe e informon se, së bashku me disa shokë nacionalistë, do të shkonin në Egjipt; mes tyre ishte edhe Dom Nikollë Kaçorri. (11)

Katër ditë para ardhjes së Ismail Qemalit në Shqipëri dhe vetëm dy javë para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, nuk dihej se si do të zhvilloheshin ngjarjet. Për të unifikuar faktorin e brendshëm dhe për të sqaruar qëndrimin ndaj Fuqive të Mëdha, më 14 tetor 1912, në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, mblidhet Komiteti i “Shpëtimit”, i njohur në popull si “Komiteti i Shpëtimit Kombëtar”, ku u mbajt një kuvend i kryesuar nga Nexhip Draga.

Në këtë kuvend morën pjesë: Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, etj. Aty, pasi u arrit në përfundimin se “Turqia po numëronte ditët e fundit në Ballkan…”, u morën këto vendime:

1. Hartimi i një proklamate që do t’u drejtohej Fuqive të Mëdha.

2 Caktimi i një grupi atdhetarësh që të bisedonte me krerët e Malësisë së Madhe për shkëputjen e beslidhjes që Malësia e Madhe kishte lidhur me Malin e Zi për luftë të përbashkët kundër forcave osmane në Shkodër.

3 Caktimi i një delegacioni që do të kishte për detyrë komunikimin me krahinat e tjera të Shqipërisë për t’i shpëtuar shqiptarët nga terrori dhe nga rreziku i copëtimit. (12)

4 Në zbatim të këtyre vendimeve, në Shkup, më 16 tetor 1912, kuvendi ua dorëzoi konsullatave austro-hungareze dhe gjermane një projekt, ku thuhej:
“…Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim zgjerimin e territoreve ose përhapjen e ndikimit të tyre politik; prandaj edhe ne shqiptarët po rrëmbejmë armët për të mbrojtur tokat tona…”.

5 Prej këtij kuvendi u nxorën edhe delegatët për në Kuvendin Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë.

6 Diplomati i shquar Ismail Qemali, i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, u nis nga Stambolli për në Bukuresht. Shumë pak njerëz kishin dijeni për atë që do të ndodhte.

7 Kristo Frashëri shkruan: “Terrenakia atdhetare, Komisioni nismëtar i Kuvendit të Vlorës, që përbëhej nga Xhemal Bej Vlora, Elmaz Kanina dhe Leonidha Bezhani, sipas tij, mbanin lidhje me Ismail Qemalin dhe duhej të kishin dijeni se çfarë do të ndodhte.” (13)

8 Në të vërtetë, përpjekje për të organizuar një Kuvend Kombëtar po bënte edhe Syrja Bej Vlora. Ai kishte mundur të hynte në lidhje me anëtarët e delegacionit të zgjedhur në mbledhjen e Shkupit: Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani. Së bashku me Dom Nikollë Kaçorrin, Mustafa Krujën, Abdi Bej Toptanin dhe vetë Syrja Bej Vlorën, ata përbënin Komitetin e Përkohshëm të Shqipërisë për përgatitjen e kuvendit për Shpalljen e Pavarësisë, përpara se Shqipëria të pushtohej nga forcat e Aleancës Ballkanike.

9 Pra, vepronin dy organizata të pavarura nga njëra-tjetra: “Komisioni Ndërkombëtar” dhe “Komiteti i Përkohshëm”, të cilat shprehën edhe rivalitetin mes dy pinjollëve të familjes Vlora: Ismail Qemal Vlorës dhe Syrja Vlorës. Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Lajhanec, në raportin drejtuar kontin Berhtold, Ministër i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, informon lidhur me veprimtarinë e Syrja dhe Eqerem Vlorës dhe rivalitetin e tyre me Ismail Qemalin për organizimin e një kuvendi kombëtar të përgjithshëm në ndonjë qytet të Shqipërisë Perëndimore. (14)

10 Në funksion të këtij aktiviteti, ish-deputeti Syrja Bej Vlora, rival i Ismail Qemalit, duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar, i kishte telegrafuar nga Durrësi, të dielën më 10 nëntor, djalit të tij Eqerem Bej Vlorës, duke e informuar se:
“…Në Tiranë qenkan mbledhur përfaqësuesit e të gjithë qyteteve të Shqipërisë së Veriut”, dhe bënte pyetjen se deri në ç’shkallë kishin përparuar punimet e konferencës që do të mbahej në Shqipërinë e Jugut. (15)

11 Siç duket, Ismail Qemali kishte një mbështetje shumë më të madhe se Syrja Bej Vlora.

12 Më 13 nëntor, djali i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora, i përgjigjet të atit duke e informuar se: “…kishin lajmëruar kudo bashkëatdhetarët që të dërgonin në Vlorë delegatët për Asamblenë…”. (16)

13 Imzot Nikollë Kaçorri, si zëvendës i Ismail Qemalit, do të merrte mbi vete shumë përgjegjësi për qeverisjen e vendit. Njëra ndër personat që e ka ndjekur nga afër veprimtarinë e Dom Nikollë Kaçorrit në Qeverinë e Vlorës është Amalie van Godin, e cila jep të dhëna për personalitetin e tij:

14 “…i mençur, i kulturuar, energjik, i dashur dhe njohës i thellë i botës. Ky burrë punoi gjithmonë për Shqipërinë, bëri ç’mundi… Atdheu atij i qëndronte në zemër më afër se Kisha, prelat i së cilës ishte… Dom Nikollë Kaçorri i përshtatej postit që mori si nga talenti, ashtu edhe nga kultura që kishte… Jam e sigurt se ky burrë, megjithëse në fushën fetare ishte besimtar, pranonte tolerancën fetare për hir të Shqipërisë; çdo veprim i tij ishte i matur dhe asnjëherë nuk shkeli në dërrasë të kalbur dhe nuk i rrëshqisnin këmbët.” (17)

Edhe Eqerem Bej Vlora e vlerëson pozitivisht nënkryetarin e qeverisë. Duke përshkruar një vizitë që u bëri nëpunësve të lartë të qeverisë së re, ai shkruan:
“Të ndershmit Dom Nikollë Kaçorri, anëtar i qeverisë së re, ishte një shok i mirë dhe unë dua të them se, në rrethanat e këtushme, s’mund të bëhej një zgjedhje më e mirë…” (18)

Përshtypje mjaft pozitive shprehin gjithashtu edhe Dhimitër Zografi, delegat i Kuvendit, i cili e cilëson Dom Nikollë Kaçorrin si një burrë tepër të ditur. (19)

Natyrisht, në kuadrin e një kumtese nuk mund të ceken dhe të trajtohen të gjitha momentet dhe i gjithë kontributi i Dom Nikollë Kaçorrit në pragun e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Megjithatë, ai mbetet njëri ndër figurat më të ndritura, me një kontribut ende të paevindentuar dhe të panjohur sa duhet për shqiptarët, kudo që ndodhen. Pa diskutim, ai mbetet njëri ndër etërit themelues të shtetit dhe të kombit shqiptar.

Literatura

1. Dom Mark Dushi, Një figurë e ndritur, patriot shqiptar Dom Nikollë Kaçorri, AQH, fondi 572, dosja 3, f. 32.
2. Gjysh Sheldia, Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës dhe dioqezat sufragane, Shkodër, 1957–1958.
3. Dom Nik Ukgjini, Nënkryetari i Qeverisë së Vlorës, Kaçorri rivarroset në Kishën e Shën Luçies në Durrës, gazeta “Kisha dhe Jeta”, nr. 2, shtator 2011.
4. Letër e Propaganda Fide dërguar Kryeipeshkëvit të Durrësit, më 11.02.1903, fondi 131, dosja 4.
5. Dom Nik Ukgjini, Nënkryetari i Qeverisë së Vlorës, Kaçorri rivarroset në Kishën e Shën Luçies në Durrës, gazeta “Kisha dhe Jeta”, nr. 2, shtator 2011.
6. Imzot Lazër Mjeda – klerik atdhetar, poet, themelues i shoqërisë “Agimi”; shërbeu si famullitar në Planë, Pogë dhe Melgushë në Pult; më pas Ipeshkëv i Sapës, Ipeshkëv ndihmës i Shkodrës, Kryeipeshkëv i Shkodrës dhe i Shkupit.
7. Dom Mark Dushi, Një figurë e ndritur, patriot shqiptar Dom Nikollë Kaçorri, AQH, fondi 572, dosja 3, f. 2.
8. Revista “Hylli i Dritës”, Shkodër, 1937.
9. Haredin Isufi, Nikollë Kaçorri…, f. 64.
10. Muzeu Historik, fondi Dom Nikollë Kaçorri, Dibër.
11. Revista “Leka”, numër i vetëm, 1944, dok. 176, f. 158–159.
12. Shaban Braho, Beteja e Drinit kundër agresionit serb (nëntor 1912), Prizren, 2000, f. 31.
13. Kristo Frashëri, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2008, f. 88.
14. Arkivi i Institutit të Historisë (AIH), Vj. 22-8-825; 22-11-1152.
15. Raporti i konsullit Lajhanec nga Vlora për kontin Berhtold, Ministër i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Vlorë, 13 nëntor 1912, Vj. 22-8-825 (AIH).
16. AIH, Vj. 22-8-824 (HH. ST. A. PA. A., tel. 13 nëntor 1912, tekst frëngjisht).
17. Amalie van Godin, Aus dem neuen…, f. 69–70.
18. Eqerem Bej Vlora, Kujtime (1885–1925), Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë, 2003, f. 309–310.
19. Dhimitër Zografi, Kuvendi i Vlorës, gazeta “Dielli”, Boston, 30 nëntor 1917.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.