Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
E ndodhur ndër shekuj midis Perëndimit dhe Lindjes, Shqipëria me të drejtë është konsideruar si një nga vendet tipike ku takohen fetë, kulturat e qytetërimet, çfarë i ka dhënë një fizionomi të veçantë etnokulturës, arteve dhe vlerave të tjera shpirtërore. Tradita shqiptare në kohëra ofron ngjarje e dukuri që flasin për shfaqje të ekumenizmit, konvergjencës, tolerancës dhe bashkëveprimit fetar. Historia shqiptare e hershme dhe mesjetare dëshmon për rituale që këmbëheshin sa në latinisht e në greqisht brenda një kishe apo përkthimi shqip nga versioni latin i Biblës për besimtarët ortodoksë, fakte tashmë të njohura që flasin për bashkëjetesë dhe ndërveprim midis feve që, për shkak të faktorëve të njohur historikë, e kanë formuar qëndrimin tolerant si një veçori natyrore etnopsikologjike e etnokulturore të shqiptarëve.
Meritë për këtë klimë të kultivuar kanë shqiptarët si etni, si komb, por edhe elitat intelektuale të feve të ndryshme të konsoliduara në Shqipëri që me autorë përfaqësues dhe vepra të ndryshme bëjnë historinë kulturore ndër shekuj të shqiptarëve, edhe për faktin se me këto vepra ata kanë shprehur e realizuar prirjet historike më progresive të kombit. Ky dialog, duke mos qenë privilegj i asnjërës prej feve, por kontribut i të gjithave së bashku dhe veç e veç, ka tërhequr vëmendjen e studiuesve më shumë se një shekull më parë. Është me rëndësi të theksohet se të huajt i ka habitur dhe vazhdon t’i habisë “mozaiku i bukur fetar shqiptar” për të cilin është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet nëse duhet trajtuar si “rasti” apo “fenomeni Shqipëri”. Po aq e rëndësishme është të theksohet se shqiptarët me vetëdije dhe intuitën e tyre natyrore kanë arritur të kuptojnë dhe të vlerësojnë të gjitha fetë tradicionale në Shqipëri si kolona të një lartësie, ato të gjitha me rezatimin e fjalës hyjnore, dashuri, mirësi, paqe dhe harmoni të pafund.
Është fakt po kaq i njohur dhe i admirueshëm që shqiptarët e kanë kapërcyer ngurtësinë dhe fanatizmin fetar, ashtu siç është e njohur se për shkaqe madhore gjeopolitike kanë qenë jo aq të ngulur në zbatimin e praktikave fetare. Këtë e pohojnë edhe dy klerikë mendimtarë, shkrimtarë dhe shqiptarë të mëdhenj dhe të ditur si Barleti dhe Buzuku që shquhen për mirëkuptimin që u japin bashkëkombësve në rrethanat e pushtimit osman. Barleti teksa pohon se shqiptarët janë më shumë popull luftëtar se sa fetar dhe Buzuku që me shpirtin e tij të butë e të gjerë shprehet “Lutemi edhe për tanë vëllazën që në kishë s’mund të vinjëne e të mirat e jetës glatë të gëzonjëne”.
Megjithëse në rrethana të vështira dhe në luftë të pandërprerë për mbijetesë, shqiptarët kanë ditur në mënyrë sa spontane aq dhe me vetëdije të përvetësojnë porositë e Biblës dhe të Kuranit dhe të kultivojnë jo vetëm pranimin por respektin e ndërsjelltë dhe bashkëveprimin midis feve të ndryshme. Pjetër Budi dhe Frang Bardhi me relacionet e tyre dërguar Selisë së Shenjtë, në idetë dhe projektet e tyre për organizimin e qëndresës kundër pushtimit osman gjithnjë kanë marrë në konsideratë edhe shqiptarët e besimeve të tjera. Me interes për objektin tonë është një dëshmi që sjell Frang Bardhi. Ndër të tjera në relacionet e tij, duke folur për mendësitë e shqiptarëve, ai vëren se ata kapërcejnë lehtë dallimet fetare. Kështu myslimanët martohen me vajza të krishtera dhe fëmijët e tyre kanë kujdes t’i pagëzojnë. Në epokën e Rilindjes Kombëtare dalin në plan të parë si nevojë e ngutshme e lëvizjes kombëtare thirrjet për bashkim duke ruajtur e tejkaluar dallimet fetare. Janë të shpeshta rastet kur thirrjet për të forcuar këtë tipar etnopsikologjik e etnokulturor të mirëkuptimit ndërfetar tek shqiptarët i shërbejnë idealit kombëtar.
Vetëm në këtë kontekst historik kombëtar mund të lexohet dhe të kuptohet drejt vargu i njohur i shqiptarit të flaktë dhe kristianit të devotshëm Pashko Vasa “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Po ky autor në Alfabetaren e Stambollit po atë vit u drejtohej bashkëkombësve të vet “me u lidhë me besë e me fe për të mirë e për lumni të dheut të Shqipnisë”. Ndërsa ortodoksi nga Korça Thimi Mitko shkruante po ato vite: “Mblidhi gjithë anë e mbane / Gege, toskë, arbër, çamër / Të krishtenë e myslimanë / Jeni vëllezer e vllamër”. Të njëjtën porosi do të artikulonte edhe Çajupi përmes dëshirës së fundit të Skënderbeut që shprehej: “Shqipërinë të dojni / Pra faluni si të doni”. Çajupi bën thirrjen pa dallim: “Mysliman e të krishtenë / jemi keq / të ngrihemi që të tërë /…”. Në shekullin e 19-të thirrjet për bashkim duke kapërcyer dallimet fetare janë një përbërës i rëndësishëm në poezinë patriotike të kohës. Poeti Filip Shiroka u bën thirrje shqiptarëve në poezinë “Shkolla Shqyp” (1897): “Çilni sytë, mjaft kemi fjetun / Mjaft në terr der sot keni mbetun / T’kështen, musliman, shqyptar sa të jemi”.
Ndërsa Dr. Ibrahim Temos që e ka njohur vetëm përmes shkrimeve në shtyp, Filip Shiroka i lutet me të gjithë forcën e shpirtit që të luftojë përçarjen që mund të shkaktojnë përkatësia fetare. Duke mos u pajtuar me përçarjen midis shqiptarëve të cilën e konsideron të dëmshme për çastin historik kur kërkohet njësi mendimi dhe veprimi për “… të mjerën Shqypni” ai lutet: “Pra në trup të sajin me thikat e mjekësisë/ “Turk e kaur” mbyti: të gjithë jemi shqiptarë! / Turk e kaur s’asht veç mikrob i anmiqësisë”. Ka ndër ta edhe shkrimtarë që i kërkojnë pikat e takimit midis feve të ndryshme dhe që arsyetojnë rreth tyre si Çajupi, i cili pohonte: “Të krishtenë e muslimanë/Të gjithë një perendi kanë”.
Se sa i përkushtuar dhe i vëmendshëm u tregua mendimi i Rilindjes ndaj këtij problemi, sadoqë me traditë por edhe delikat për mendimin konservator dhe fanatik, e dëshmojnë edhe arsyetimet historike të mendimtarëve iluministë dhe humanistë të kësaj epoke. Në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, Sami Frashëri do të shprehej se ndryshe nga shumë popuj të Evropës, shqiptarët nuk kanë njohur në historinë e tyre, lufterat vëllavrasëse për shkak të fesë së tyre. Ai edhe në vizionin për Shqipërinë e nesërme të lirë dhe evropiane me të drejtë do të projektonte më shumë se një shekull më parë një shtet laik jo fetar. Për këtë Sami Frashëri shkruante: “Por këto ndarje të besës nuk sjellin ndonjë çqim a çarje në mes të shqiptarëve. Grindat e besës të cilat jo vetëm në vendet e Lindjes por edhe në Evropë e në vende të ndritura me qytetëri kanë nxjerrë vrasje të mëdha e të tmerruara, në Shqipëri këto grinda dhe kurrë në këtë vend s’ka ngjarë gjë në mes të myslimanëve e të krishterëve, në mes të katolikëve e të orthodoxvet, a në mes të synive a të bektashinjvet. Shqiptari është shqiptar përpara se të jetë mysliman a i krishterë… Besa s’ka ndruar fare as dhe kurrë se ve gjithnje kombërinë përpara besës.”
Ndërsa Faik Konica do të pohonte se “Shqiptarët nga natyra janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka patur luftëra fetare.” Filip Shiroka, është i njohur në historinë tonë kulturore e letrare për modelin e karakterit që e dallonte, ku shfaqej dukshëm pajtimi dhe jo ndarja, afirmimi dhe jo përjashtimi. Ai mbeti deri në fund të jetës një nga mbështetësit e Anton Zako Çajupit në shoqërinë “Vëllazëria” të Misirit, pati miqësi dhe letërkëmbim me Sotir Kolene; por tërheq më tepër vëmendjen një letër që i dërgon nga Misiri në emër të shoqërisë “Vëllazëria” hartuesve të një memorandumi, që i binte ndesh qeverisë së Tiranës në fillimet e saj, të sapodalë nga Kongresi i Lushnjës. Në letrën në fjalë ai thekson: “Nuk mendohen se Shqipëria s’është as e të krishterëve as e myslimanëve, por është e shqiptarëve, se të tërë jemi a janë bijtë e një Nëneje?” Për këtë problem do të shkruante edhe dijetari Eqrem Çabej.
Sado që në fillim të veprës së tij shkencore në fund të viteve 30 do të arrinte në përfundime të përgjithshme me interes për disa disiplina njëherësh. Ai shkruante: “Përsa i përket ndarjes konfesionale të Shqipërisë në shumë besime, kjo këtu nuk ka qenë aq ndarëse e thellë si gjetkë. Vërtet se Shqipëria është vendi ku grindjet fetare midis kishave të Perëndimit e të Lindjes janë zhvilluar më së ashpërmi. Megjithë këto, njësia e kombit në themel nuk u shkatërrua. Ekzistenca e shumë zakoneve të përbashkëta parakrishtere e krishterë të të gjitha shtresave e popullit dhe në të gjitha krahinat ka ndihmuar pa ditur, ruajtjen e kësaj njësie. Ndërgjegjja e fisit dhe ndjenja nacionale kanë qenë gjithnjë anë të forta. Ky fakt i njohur nga shkenca duhet marrë parasysh kur studiohet historia shqiptare. Ky edhe u ka vërtetuar gjatë saj shpesh herë, në mënyrë që në çaste vendimtare interesat e veçanta konfesionale u lanë mënjanë para interesash të përbashkëta kombëtare.”
Edhe pse nuk dëshiron të flasë për problemin e përhapjes së feve në Shqipëri apo për pikat e takimit në mes tyre nga pikëpamja mistike, Ernest Koliqi do të shprehet: “… në jetën e popullit shqiptar Islami dhe Krishterimi jo vetëm kanë gjetë vetvetiu një modus vivendi të mrekullueshëm, gjë që provon natyrën liberale të fisit, por në Shqipëri, pa ndërhymjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dy feve, ndodhin fenomene harmonizimi të cilat, me sa kam marrë vesh, asht e vështirë të ndodhin tjetërkund…” Është e njohur shumë kënga popullore e Kupe Danes që mbron nderin e një gruaje të krishterë. Është folur për faktin se Fishta këndon në veprën e tij monumentale me të njëjtin frymëzim dhe ndjeshmëri trimërinë e Marash Ucit apo Oso Kukës. Por kjo dukuri vjen aq e dendur ndërmjet letërsisë së traditës. Veprat e Nikajt, Gramenos, Postolit, Koliqit, Kutelit, L. Thaçit etj., japin shembuj të pafund kuptimplotë.
Në romanin e parë shqiptar të botuar frëngjisht në Paris më 1890 me titullin “Bardha e Temalit” ose “Skena të jetës shqiptare”, Pashko Vasa ka përfshirë edhe një skenë shumë me interes, që shpreh mirëkuptim, mirëbesim dhe bashkëveprim midis besimtarëve të feve të ndryshme. Ky bashkëveprim kulmon në skenën kur Aradi, një prej personazheve të romanit, i ndjekur dhe i rrezikuar për jetën, gjen shpëtim në shtratin e një lehone myslimane. Po aq interesant është edhe fiksioni letrar që ofron një roman i viteve ’40 i botuar nga Luigj Thaçi me titullin “Miqtë e Vezirit” që ka në qendër fisnikërinë dhe bujarinë e Mahmut Pashë Bushatit që njihet për politikat e urta në afrimin dhe trajtimin e barabartë të të gjitha besimeve për mbrojtjen që u ka dhënë besimtarëve katolikë, etj. Fiksioni letrar në këtë roman mbështetet në marrjen në mbrojtje nga ana e Vezirit të Shkodrës të dashurisë së lirë të dy të dashuruarve të besimit kristian. Autori Thaçi i vendos ngjarjet sa në Bushat, sa në Shkodër në fund të shekullit 18 ose më 1794. Duke lexuar romanin e Luigj Thaçit të botuar në vitet ’40, kur Shqipëria ndodhej në udhëkryq të shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore, nuk ka si të mos dallosh modelimin e udhëheqësit në ato kohë të trazuara dhe leximin aktual të tij.
Me interes është trajtimi ne fillim te shekullit XX te lidhjeve dashurore mes individeve te feve te ndryshme ne romanin “Per mbrojtjen e Atdheut”(1909) te Foqion Postolit qe prek raste me sa duket te ndodhura ne realitetin shqiptar. Edhe një roman i lënë dorëshkrim vite me vone nga Qemal Draçini, të cilit ia ndërprenë dhunshëm jetën, me titullin “Rrugash” tregon dashurinë e Gjergjit e të Hanës që vinin nga besime të ndryshme fetare. Autori Qemal Draçini, që shquhet për shpirtin e mendimin e hapur e tolerant, ka guximin ta trajtojë këtë dukuri nga me delikatet në letërsinë e traditës. Edhe pse e pamundur të përfshihet në një shkrim kjo temë në të gjithë shtrirjen e saj, tërheq jashtë mase edhe një tjetër shprehje e dialogut ndërfetar nga personalitete të njohura që më shumë dhe për shumë arsye do të ndodhte në qytetin e Shkodrës, i veçantë në të gjithë hapësirën shqiptare, jo vetëm për kontrastet e feve të ndryshme, por në të njëjtën kohë edhe për bashkëveprimin e ndërsjellët midis tyre, falë kulturës qytetëruese që ofron tradita e këtij qyteti. Le t’u referohemi disa fakteve që na duken me interes dhe që kanë protagonistë personalitete të lëna në harresë ose të mohuar aq vite.
Së pari mendojmë se paraqet interes fakti që ofron jetëshkrimi i martirit të demokracisë Qemal Darçinit, lidhja dhe nderimi i ndërsjelltë që pati me Atë Gjergj Fishtën. Enver Dracini, vëllai dhe biografi i Qemalit, shkruan: “… kur vdiq Fishta më 1940 e përcolli me lule në dorë dhe pikëllim në shpirt, sepse e deshti pa hile, por edhe poeti kombëtar sa qe gjallë e ngrohu me miqësinë e tij. Kur ia patën prezantuar poetit të madh, ai pat shpërthyer me gaz të njimendtë “Por ti qenke Malseni, a?” E kishte njohë Malsenin si pseudonim, ndërsa tash po e shifte para vetes, Malsenin vetë dorën vetë një djalosh 16 vjeçar. Poeti në shenjë simpatie i dhuroi Lahutën e Malcisë, në faqen e parë të cilës vuni “P.T. Malsenit, sa të kesh hapin matë vrapin At Gjergj Fishta OFM”. Të duket sikur ati i urtë ia pat frikën vrullit marramendës të pasionit të djaloshit për dritë. Me këtë rast dëshmon biografi, duhet të përmendim edhe një detaj interesant. Poeti i madh duhet të jetë befasuar kaq shumë nga intelekti premtues i Malsenit, ashtu dhe nga siguria dhe temperamenti i tij, sa që i pat propozuar detyrën e sekretarit të tij privat simbas ditarit të Qemalit shkruar italisht më 1940.”
Modelin e dialogut nderfetar na e shfaq edhe Hamid Gjylbegaj qe kishte mbaruar studimet e ne Stamboll. Ai do té dallohej per shpirtin tolerant e jo konformist ne te gjitha kohérat. Vepra e tij eshte deshmi e mirékuptimit dhe dialogut midis feve ndryshme. Nder personalitete qe njeh e nderon eshte ajo e meshtarit patriot, gjurmuesit dhe shkrimtarit Ate Shtjefen Gjecovit, vrare mizorisht nga qarqet serbe. Hamid Gjylbegaj i kushton Gjecovit librin e tij “Fleta e jetes — Pasqyra e se vertetes”. Libri hapet me prozen kushtuese “Pikellim” Gjylbegaj qe qe ¢muar ngrohtesisht nga Gjecovi duke u quajtur “Kont i drandofilleve” derdh lot dhimbjeje qe i dalin nga thellesia e shpirtit.
“Vertet, shkruan Gjylbegaj, barbaret te vrane, ¢’ka vec virtytet s’ti shdukne, qe po flasin veprat e tua te madhnueshme “Agimi i qytetnise” e “Kanuni i Leké Dukagjinit” te cilin me aq kujdes e mblodhe tash nder gjire te motve te pavdekshme hini. E di se ti nevoje per mue nuk ke, por une per ty, sepse tue derdhe lot mbi varrin tand te paharrueshém shfrej e ngushullohem”. Eshte folur dhe eshte shkruar per ndihmesen qe i dha Hamid Gjylbegaj misionarit dhe albanologut italian Cordignano ne hartimin e fjalorit te tij te njohur. Njihet mendimi vleresues qe kishte Cordignano per Hamid Gjylbegajn, pavaresisht se te dy polemizuan duke ruajtur secili bindjet e veta, por gjithnje me nje respekt e frymë të ndërsjelltë të bashkëpunimit.
Atë Gjon Fausti, i ftuar për të dhënë mendime në revistën “Leka” për librin e Cordignanos botuar më 1932 në Shkodër, me titull “Një tjetër filozofi a fe islame. Ç’ka don Hamid Gjylbegaj? Ç’ka thotë një meshtar katolik”, do ta mbyllte recensionin e tij me këto fjalë: “Përgjithsisht asht për t’u lavdrue ky hap tjetër që po bahet për me ia mbrrijtë një marrëveshjes ma të kthjellët nepërmjet ndjekësave të dy besimeve”. Në veprat e tij Hamid Gjylbegaj ka përfshirë edhe poezi kushtuar personaliteteve me të cilët e lidhte një miqësi dhe respekt i ndërsjelltë, si: Atë Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Prendushi, si dhe urime me rastin e zgjedhjes së tyre në hierakinë kishtare, urim për Pashkët si dhe kushtime të tjera, të cilat jo pa kuptim dhe me dinjitet, ai i ka përfshirë në botimin e veprave të tij. Me vargje të përzemërta ai uron për emërimin arqipeshkëv Imzot Gaspër Thaçin dhe Imzot Vincens Prendushin: “Zyra e naltë/Detyra e vështirë/n’ veprim iu daltë/me sukses të mirë”.
Tek Dom Ndre Mjeda Gjylbegaj çmon personalitetin e shumanshëm të shkrimtarit. Poezia “Flija e detyrueshme” i kushtohet shkrimtarit “fort të vlefshëm”, “të përshndritshmit” siç e cilëson atë Gjylbegaj. Plot ndjesi dhe hir është poezia që Gjylbegaj i kushton “fytyrës fort të dashtun të këtij dheut, të përshndritshmit Atë Vincens Prendushi”, i cili “nëpër kopshije të dijes, nëpër magje të urtësisë mblodhi gjethe e lule”. Por ndër shkrimet e tij ndrit “Kunora e lumnisë”, që Gjylbegaj i kushton Atë Gjergj Fishtës me rastin e 60-vjetorit të lindjes. Me Fishtën nuk e lidhte vetëm miqësia e ngushtë por edhe adhurimi i stërmadh për mjeshtrin e urtë. Gjergj Fishtës ne këtë përvjetor iu kushtuan shumë shkrime, ndër to do të përmendja një penë brilante të lënë aq gjatë në harresë si Dom Lazër Shantoja që i dërgoi Fishtës një letër uruese, e cila mbeti e panjohur dhe u botua kur as Fishta as Shantoja nuk jetonin më. Ka në këtë letër të dhëna me vlerë dhe kujtime të shprehura mrekullisht bukur e pastërtisht shqip.
E parë në këtë kontekst edhe poezia e Hamid Gjylbegajt është e buruar nga thellësia e ndjenjave. Le të shkëpusim një strofë: “E vërteta ma e plotë/Bukuria e pambarueme/Dashtunija ndaj te në botë/Hije dritet e amshueme”. Se ç’efekt pati poezia e dëshmon shkrimi i botuar në Gazetën shqiptare të Barit më 1932 nën titullin “Manifestat e Shkodrës” ku shkruhej “Vjersha kunora e lumnisë që Zotnía e tij Hamid Gjylbegaj pati mendimin e bukur me ia kushtue Atë Fishtës ka bâ përshtypjen ma të thellë për naltësi mendimesh, shprehje fjalësh, si dhe për metrikë të plotë. Atë Fishta ia shprehi falënderjet e tij e i thekun në zemër i shtrëngoi dorën Z. Hamid Gjylbegajt tuj dashtë me ia dëshmue haptas se ishte i prekun për këtë vjershë” Hamid Gjylbegaj çmon edhe përkthimin shqip të Biblës nga Konstandin Kristoforidhi për të cilin thekson: “Është një e vërtetë e pamohueshme se vepra kryesore e të ndjerit Zotni Kristoforidhi s’duhet harrue kurr sa të jetë hanë e diell”.
Në të mirë të argumentit tonë është pothuajse e pamundur të mos flasësh për një personalitet si Ernest Koliqi që me veprat e tij studimore shkencore e letrare, por sidomos me tekstin dy vëllimesh “Shkrimtarë shqiptarë” me serinë e botimeve “Studime shqiptare” me “Shkëndijën” që ai drejtoi në Tiranë dhe me të përkohshmen kulturore shoqërore artistike “Shejzat” që nxori në Romë për 18 vjet rresht (1957–1975) me rreth të 5000 faqet e saj ai u dha vend shkrimtarëve dhe përfaqësuesve të të gjitha besimeve. Ndërmjet aq shumë lëndë që ofron vepra e tij shumёdimensionale do të përmend një moment shumë interesant nga vepra e këtij personaliteti të spikatur të kulturës shqiptare. I ftuar nga profesariati spanjoll ne vitin 1959 ai mban një konferencë në italisht, të cilën do ta botojë më pas tek Shejzat. Konferenca kishte si titull “Islami dhe krishtërimi në letërsinë shqipe”. Që në zgjedhjen e temës bie në sy kultura dhe vizioni i studiuesit.
Ai është i pari që e trajton këtë problem në planin historiografik letrar dhe së dyti vlerat e këtij punimi mund të kuptohen po të kesh parasysh se ajo mbahet në Spanjë në një vend, ku, si në Shqipëri, ndër shekuj janë takuar krishtërimi dhe islami, kulturat e qytetërimet që ato përfaqësojnë. Këtë punim Koliqi jo rastësisht e fillon duke marrë në konsideratë shkrimtarë si Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Fishta e Çajupi që në fakt përfaqësojnë të gjitha besimet e shqiptarëve edhe ortodoksinë unite që njohu autoritetin e Selisë së Shenjtë. Në këtë punim të mbajtur mbi 50 vite më parë Koliqi vë theksin në bashkëjetesën e mrekullueshme dhe në harmoninë e shqiptarëve të besimeve të ndryshme.Për të vërtetuar këtë argument, se sa i qëndrueshëm dhe i vjetër është ky fenomen, ai kujton të drejtën e maleve që është ligjëruar në kanun. Para kanunit të gjithë njerëzit, pavarësisht nga besimi, janë të barabartë dhe se me nenet e tij përligji tolerancën fetare.Shembuj të mirëkuptimit dhe dialogut ndërfetar Koliqi gjen në rastet kur fise të krishtera udhëhiqen nga prijës muhamedanë. Ai përmend edhe rastin e Kupe Danes.
Duke shquar mitin e gjakut dhe të gjuhës së përbashkët që ia kalon çdo ndjenje tjetër Koliqi arrin në përfundimin: “Populli shqiptar, qysh prej ditëve ma të zymta të tiranisë aziatike, i nxitun prej instiktit të vetruajtjes që e shtynte drejt harmonisë kombëtare, pririje e natyrshme e lindun në shpirtin e tij dhe e gjallnueme prej urtisë shumë njerëzore që pohon prej poezisë popullore, kishte gjetë mënyra të veçanta përshtatjeje e baza të veçanta bashkëjetese, pa ndeshje të Krishterimit me Islamin. Sot janë të shumta vendet ku, të lindun prej së njëjtës zanafillë race, bashkëjetojnë në harmoni të krishterë e myslimanë. Njena nga dëshmitë më të bukura të kësaj harmonie e pshtetun mbi një frymë të gjerë mirëkuptimi të anasjelltë; asht bashkëjetesa vëllaznore e myslimanëvet dhe e të krishtenëvet në Shqipni, shembull i dobishëm për botën mesdhetare, djep i sa feve e i sa qytetnimeve…”
Duke ngritur lart kultin e bashkimit kombëtar e vëllazërimit të të gjithë shqiptarëve ai sjell si shembull veprën e Fishtës që pa rezerva e komplekse e me shumë patos u këndon heronjve të besimeve të ndryshme. Në këtë shkrim si dhe në të tjerë Koliqi do t’i mëshonte fort argumentit të tij të preferuar se populli shqiptar lëshoi rrënjë para mijëra vjetësh në një truall ku u ndeshën fe, kultura dhe qytetërime të ndryshme, por ai ruajti thuajse të paprekura tiparet themelore si komb. Takimi i feve, i kulturave dhe i qytetërimeve, me ndërthurjen e ndikimeve perëndimore e lindore në ide, përfytyrime e trajta të letërsisë shqiptare, sadoqë në përpjesëtime të vogla në tërësinë e saj, e bëjnë letërsinë shqipe një ndër letërsitë më interesante të periferisë evropiane.
Pasi ka shqyrtuar shembuj nga Naimi, Fishta e të tjerë Koliqi vëren në përfundim për letërsinë e kultivuar: “Besoj se kurrgja nuk mund ta shfaqë ma mirë bashkimin e posaçëm tek i cili Islami dhe Krishterimi mbërrijnë pa u kujtue në shpirtin e përbashkët shqiptar në fushën e letërsisë që pasqyron konceptet e ndjenjat e tij themelore. Islami dhe Krishterimi në pak vende të tjera jetojnë krah për krah si në Shqipni,letërsia e së cilës dhe për këtë arsye, shtriu krahët për me përfshi shpirtna e trajta të lindjes dhe të perëndimit”. Si përfundim do të theksonim se prania e disa feve e ka pasuruar letërsinë shqiptare në çdo anë, dialogu midis tyre e ka gjallëruar dhe ripërtërirë këtë pasuri të letërsisë shqiptare që nga fillimet e saj. Kjo e bën të papërsëritshëm fenomenin shqiptar, model të shoqërive shumëfetare të së ardhmes dhe letërsinë shqiptare të traditës gjithnjë aktuale në prirjet e saj historike kombëtare.