Dëshmorët e Paqes

0
UÇK - ushtarë

Kushtuar klasës politike të Kosovës, e cila as dje (më 26.10.25), pas nëntë muajsh (nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025), nuk ka arritur të gjejë maturinë, përgjegjësinë dhe guximin qytetar për të ndërtuar një marrëveshje të ndershme e për të formuar qeverinë që do ta çonte vendin përpara.

Nga Safet SADIKU

Sot nuk u votua qeveria e Kosovës. Salla e Kuvendit, dikur e menduar si tempulli i demokracisë dhe zërit qytetar, mbeti bosh si një teatër pa publik, ku aktorët janë lodhur nga rolet e tyre dhe skena është mbuluar nga pluhuri i mosveprimit. Në atë sallë, ku duhet të dëgjohej zëri i përgjegjësisë, tashmë dëgjohet vetëm jehona e heshtjes. Dhe ajo heshtje është më e rëndë se çdo debat, më therëse se çdo fjalë, sepse ajo është heshtja e ndërgjegjes së fjetur, e moralit të zbehur dhe e shtetit të bllokuar. Në luftë, djemtë e këtij vendi ranë dëshmorë për ta çliruar atdheun nga okupatori, duke e derdhur gjakun jo për të ndarë poste, por për të ndërtuar një shtet. Ata luftuan jo për privilegje, por për ideale, jo për pushtet, por për liri. Në atë luftë, gjaku ishte garanci e besimit, dhe fryma e tyre ishte premtim për një të ardhme më të drejtë, më të denjë dhe më të njerëzishme. Por sot, kur liria është fituar, po e shohim shtetin të penguar në rrjetat e interesave personale, të marrëveshjeve të fshehta dhe të një amnezie morale që po gërryen çdo vlerë të përbashkët.

Kallapsi politik është bërë simbol i një realiteti të mbyllur, të deformuar dhe të zhveshur nga çdo ndjenjë përgjegjësie. Liderët politikë, të zhytur në retorikën e akuzave të ndërsjella, shfaqen në publik me kostumin e patriotizmit, ndërsa në prapaskenë zhvillojnë lojëra që nuk kanë asnjë lidhje me idealet e lirisë. Secili e quan veten shpëtimtar, por askush nuk pranon të bëhet shërbyes i kombit. Secili flet për shtet, por askush nuk e mbron atë nga rrënimi i brendshëm. Kjo nuk është garë për parime, por po ngjanë se është tregti interesi, ku besimi qytetar shitet për përfitime momentale dhe shpresa kolektive bëhet monedhë politike. Në luftë, armiku kishte uniformë, ishte i dukshëm, i njohur dhe i përballueshëm. Sot, armiku është brenda nesh, dhe i padukshëm, i veshur me kostum e kollare dhe i ngujuar në korridoret e luftës për pushtetin, ku përgjegjësia është harruar dhe ndërgjegjja është zëvendësuar nga kalkulimi. Dëshmorët ranë që ne të kishim institucione, jo që t’i bllokonim ato me lojëra të pafundme pushteti. Ata dhanë jetën që shteti të bëhej realitet, jo që të shndërrohej në instrument të hakmarrjes politike.

Çdo sabotim, çdo vonesë, çdo mosveprim është një goditje ndaj amanetit të tyre dhe një plagë e re në trupin e republikës. Nëse dikur dështimi politik quhej mosmarrëveshje, sot ai është bërë kulturë, është kthyer në strategji për mbijetesë dhe në mënyrë e të bërit politikë. Pyetja që lind nuk është më thjesht politike, por thellësisht morale: sa dëshmorë të paqes duhen që kjo klasë politike të kuptojë se shteti nuk është pronë private, por amanet i përgjakur i atyre që nuk janë më? Sa herë duhet të dështojë Kuvendi që të kuptohet se heshtja e sotme është më e rrezikshme se çdo betejë e djeshme? Nëse lufta për liri u fitua me armë, atëherë lufta për shtet po humbet me heshtje. Dhe kjo heshtje, në fund, do të gjykojë më rëndë se çdo përballje e kaluar. Në këtë realitet të zymtë, demokracia është reduktuar në një matematikë mandatesh, ku çdo votë përdoret si instrument shantazhi, dhe çdo qytetar trajtohet si statistikë. Por demokracia nuk është aritmetikë sepse ajo është moral, përgjegjësi, ndershmëri dhe shërbim publik.

Kur këto parime zhduken, shteti kthehet në një skenë ku luhet një teatër absurd, ku aktorët janë të njëjtët, por rolet ndërrohen sipas interesit. Dhe në atë skenë, qytetarët mbeten spektatorë të pafuqishëm, me duart bosh e me zemrën e ngrirë. Historia nuk fal. Ajo i shënon me turp të gjithë ata që në emër të patriotizmit e shkelin moralin e shtetit. Boshllëqet morale që po i hap politika sot, nesër do të mbushen me ekstremizëm e urrejtje. Indiferenca qytetare do të kthehet në apati, dhe institucionet e dobëta do të bëhen pre e autoritarizmit. Nëse duam që emri i dëshmorëve të mos mbetet një dekor retorik në fjalimet e politikanëve, atëherë duhet të kërkojmë qeverisje transparente, drejtësi të vërtetë, dialog të sinqertë dhe përgjegjësi për çdo vendim që prek qytetarin. Por në këtë udhëkryq të lodhur, del pyetja më e madhe e kohës sonë: çfarë duhet të bëjmë ne, votuesit shqiptarë? A duhet të heshtim e të durojmë pafundësisht, duke parë sabotimin e shtetit që na u dhurua me gjak? A duhet të mbyllim sytë para atyre që janë rritur me mentalitetin e okupatorit dhe që sot, me duar të pastra në dukje, punojnë për ta delegjitimuar vetë shtetësinë e Republikës së Kosovës?

Apo duhet, më në fund, të marrim qëndrim, të ngremë zërin dhe të kërkojmë llogari nga ata që e kanë shndërruar politikën në tregti dhe Kuvendin në teatër të mjerimit moral? Sepse loja e liderëve politikë tashmë ka marrë pamjen e një tragjedie kombëtare. Ata, me arrogancë e dinakëri, po e zbatojnë me përpikëri një skenar të njohur, të trashëguar nga mentaliteti sllav i manipulimit e i përçarjes, ndërsa ne qytetarëve po na mpihen dhëmbët nga pritja dhe po na mpaket shpresa. Dhe në fund të fundit, edhe kur grupet politike nuk janë të përkryera dhe bartin gabimet e tyre, ato duhet të kuptojnë se hakmarrja nuk është kurrë zgjidhje! Ajo është helm që vret ngadalë, por me siguri. Nëse hakmarrja politike vazhdon të sundojë mbi përgjegjësinë kombëtare, atëherë shteti i Kosovës rrezikon të bëhet rrafsh me tokën, jo nga armiku i jashtëm, por nga dora jonë, nga duart e atyre që u betuan për ta mbrojtur. Hallall u qoftë dëshmorëve që dhanë jetën për këtë tokë, por mjerë ne që po lejojmë ta shkelim me heshtje amanetin e tyre. Sepse kush e anashkalon amanetin e dëshmorëve, ka shkelur vetë themelin e shtetit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.