ÇAMËRIA-NJË UDHTIM KAHER I PLANIFIKUAR

0
Sabile dhe Tefik Basha

BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

(Pjesa e parë)

Në ëndrrat e mia, shpesh kam endur rrugët e Qamërisë, një vend të cilin ende nuk e kisha prekur me këmbë. Greqinë e kishim vizituar shpesh, por Çamëria kishte mbetur një mollë e ndaluar, një mister që kërkonte të zbulohej me ngadalë. Rrugët e saj, sipas tregimeve, ishin të trazuara dhe të vështira, dhe për të arritur atje, na dukej se ishte një përpjekje e pafund. Vitet kaluan, mundësitë për të udhëtuar pa viza u mbyllën, dhe kalimi i kufirit u bë një pengesë e vazhdueshme.

Një ditë, pak pas vitit të ri 2024, Agoni, djali ynë i dashur, na solli një surprizë të veçantë. Na kishte rezervuar pushimet e verës, dhe na tha me buzëqeshje: “Nuk e di nëse pajtoheni, por kam bërë rezervimet për pushimet e verës për Ty mami dhe Babin. E di se ku do të shkoni, dhe mbeta e habitur nga çfarë fliste ai.”

E qeshura më shpëtoi, dhe i thashë se, kudo që të ishim, nuk mund të ishim në vende të papërshtatshme që nuk i dëshironim. Ai më dorëzoi letrat e rezervimeve dhe priste reagimin tim me kënaqësi. Me kujdes lexoja dokumentet:

Së pari, Selaniku, ku do të qëndronim në hotelin “Imperial”; pesë natë në “Aegean Melathron” në gishtin e madh të Halkidikut, dhe pastaj në Janinë në hotelin “Grand Saraj”. Pjesën tjetër të udhëtimit do ta kalonim në qytetin e Pargës, në “Villa Coralli”, vetëm katër metra nga deti.

Ndërsa po shqyrtoja rezervimet, mendoja se ky ishte përfundimi i udhëtimit tonë, por Agoni vazhdoi të më shikonte, pa folur, vetëm më inkurajoi të vazhdoja të lexoja dokumentet. Dhe aty, papritmas, gjej edhe bileta trageti nga Igumenica për në Korfuz, dhe letrat e rezervimeve nuk kishin fund. E përqafoj fort djalin tim, i cili vazhdonte të më befasonte me planifikimet e tij të shkëlqyera.

Ai pastaj na sugjeroi që të shkonim në kthim edhe për disa ditë në Sarandë dhe, me një buzëqeshje, na tha të ktheheshim kur të ndiheshim të lodhur nga pushimet. E falënderoj, dhe me një buzëqeshje e lëvdova për organizimin e tij të shkëlqyer.

Agon Basha, Albina Balidemaj-Basha, Sabile Keçmezi-Basha, Tefik Basha, Arianit Jakupi, Arta Basha-Jakupi, Prishtinë,10 shkurt, 2024

Muajt kalonin dhe dita e nisjes për pushime po afronte. Kishim vetëm disa ditë për tu nisur, dhe i thashë Artës (vajzës sonë) se isha pak e trembur për këtë udhëtim. E vërteta është se kemi udhëtuar shumë, por tani që do të shkojmë në Janinë, Pargë e Korfuz, më dukej se po hynim në një kontinent të ri. Ëndrra ime e kahershme ishte të vizitonim këto vende, por ndërkohë isha pak e shqetësuar.

“Lere këtë muhabet, mami,” më tha Arta, “Greqia është aq afër, vetëm një hap dhe jeni atje.” Ajo qeshi dhe iku duke thënë se ishte e bindur që do t’i dilnim për zot dhe se nuk kishte arsye për shqetësim.

E mendoja fjalën e Volterit, që kishte thënë se kishte veshur rroba të thjeshta kur ishte në Paris sepse aty e njihnin, dhe më dukej se rrobat e rehatshme për rrugë dhe për ditët e ngrohta të qershorit do të ishin të mjaftueshme.

Dita e Nisjes
14 Qershor 2024 (e Premte)

Në mbrëmje, Arta, Niti, Gerti dhe Darsi u shfaqen në mbrëmje për të na uruar rrugë të mbarë në udhëtimet tona. Ata na përshëndetën me një ngrohtësi të veçantë, duke na dhuruar një ndjenjë të ngrohtë në prag të udhëtimit. Më vonë, si një valë e fundit që shpaloset në breg, Agoni, Albina dhe Beni erdhën, duke na sugjeruar të qetësoheshim dhe të përgatiteshim për udhëtimin e nesërm.

Agoni, si një orkestrues i përkushtuar, kishte ndarë me mua çdo detaj të përgatitjeve. “Dokumentet janë gati,” më tha me një ton të sigurt, “kur të kthehem nga puna, do të rregulloj gjithçka në navigator.” Bashkë me Artën dhe Nitin, ai u largua duke premtuar se do të më zgjonte herët për të më shpjeguar se si të përdornim navigatorin. “Zgjohuni herët,” tha, “në kufi mund të ndodhin tollovi.”

Ishte e vështirë të fshihja shqetësimin tim për udhëtimin, edhe pse Tefiku priste një nisje të hershme. Agoni, me një mërmërimë të fundit, u largua duke na lënë me urdhrin e tij: “Zgjohuni herët dhe nisuni.”

Pavarësisht dëshirës për të fjetur herët, gjumi im ishte si një det i trazuar nga valët e shqetësimit. Në shtëpi, ndërsa flija, ndjeja një brengë të pandërprerë për udhëtimin që po pritej. Tefiku kishte ndarë të njëjtin shqetësim. Sytë tanë u mbyllën vonë, dhe ora 4:30 na zgjoi me një cingërimë të butë. Agoni na thirri për të na kujtuar se ishte koha për tu nisur. U përgatitëm dhe prisnim “udhëzimet” e tij për rrugën. Kur ora kaloi 6 dhe ai nuk shfaqej, Tefiku vendosi valixhet në veturë dhe mbylli derën, duke vendosur të prisnim përpara shtëpisë.

Befasia

Ne prisnim para shtëpisë, të mbështjellë në biseda dhe pyetje që shpresonim t’i zgjidhnim: pse djali po vonohej? Ai na kishte zgjuar herët për të udhëtuar drejt Greqisë. Ndërsa bisedonim, nga kati i katërt, si një melodi e butë, zëri i Benit të vogël përshkoi ajrin. Fillimisht mendova se më ngjau, por pastaj pashë qeshjen e tij të ëmbël, ndërsa ai zbriste shkallët me hapa të lehtë dhe të shpejtë që vetëm fëmijët i njohin. E çuditur, iu ktheva burrit tim dhe thashë, “A e sheh? Agoni ka zgjuar edhe djalin për të na përcjellë! Sa keq, gjumi i tij është prishur sikur po udhëtojmë përtej shtatë deteve.” Dhe qëndrova përpara shkallëve, duke menduar se si ta qortoja për këtë pakujdesi.

Ndërkohë, në krye të shkallëve, Agoni u shfaq me Albinen, Benin dhe valixhet e tyre. Na lanë të shtangur. “Po ju ku kështu?” – e pyeti Tefiku djalin. Ata filluan të qeshin dhe na treguan se kishin bërë rezervimet për pushime për të na u bashkuar me ne. Befasia ishte e madhe dhe e ëmbël, një gëzim që vetëm fëmijët tanë mund të sjellin. Pa hezitim, vendosëm valixhet në vetura dhe u nisëm për rrugën e planifikuar.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, çuditesha se si Arta dhe Niti, Albina dhe fëmijët ishin kaq indiferentë ndaj udhëtimit që më dukej kaq i gjatë dhe i vështirë, që do ta bënim vetëm unë e Tefiku. Ata qeshnin, sepse të gjithë e dinin për befasinë që e kishte përgatitur Agoni. E habitshme ishte se edhe Beni i vogël nuk na tha asgjë, megjithëse kalonte kohë të gjatë me ne pas përfundimit të vitit shkollor. Herë pas here i thosha, “Eee, Beni, eja me ne të shkojmë në det, këta të tjerët le të punojnë.” Ai qeshte dhe më thoshte se do të vinte ndonjë herë tjetër. Pas zbulimit të befasisë, e pyeta, “Pse nuk më ke treguar që do vini me ne?” Duke më përqafuar, ai më tha, “Nuk guxoja të flisja, se babi më kishte lutur të mos u tregoja. Kisha premtuar, andaj heshta.”

Dita e Re – Nafaka e Re (Nisja për Rrugë)

Është diçka e veçantë në familjen tonë – për ne, udhëtimi është më shumë se një rrugë drejt një destinacioni. Është kënaqësia e vetë udhëtimit që na mbush me gëzim. Valixhet tona janë të ngarkuara me ushqime të bollshme – pemë dhe perime që i marrim me vete për të shijuar rrugën. Ndalesa jonë e parë është gjithmonë e njëjtë, në pompën EXFIS, ku marrim kafe të freskët dhe ujë, të përgatitur për çdo udhëtim.

Por kësaj here, me Agonin pranë, gjëra të tilla si navigatori nuk më shqetësonte fare; ai ishte udhërrëfyesi ynë, dhe me të pranë, ndjehem e sigurt për çdo kilometër që na pret. Megjithëse synojmë të nisemi herët, ora 7 e mëngjesit na zuri në shtëpi, dhe mu kjo orë ishte koha kur në të vërtetë filluam udhëtimin tonë. Kufiri me Maqedoninë kalon lehtë, por në kufirin me Greqinë na pret një pritje më e gjatë – shtatë radhë veturash që ngadalë lëvizin nën një diell përvëlues.

Vetura të shumta me tabela nga Kosova kalojnë përpara nesh. Çdo e dyta duket se është nga qytetet tona. Ndoshta është kjo nevoja për të shijuar lirinë pas viteve të izolimit që i shtyn bashkëkombësit tanë drejt Greqisë. Dikur, kur nuk kishte nevojë për viza, këto brigje greke ishin destinacionet e preferuara të kosovarëve. Arsyeja ishte e qartë: deti i pastër dhe i ngrohtë, ushqimi bio dhe i shijshëm, mikpritja e grekëve, pastërtia dhe siguria, që asnjëherë nuk ishte vënë në dyshim. Turistët tanë kurrë nuk janë ankuar për ndonjë humbje apo mungesë të ndonjë gjëje.

Pritja në kufi na lodh, dhe ndjenja e nxehtësisë që po rritet është gjithnjë e më e fortë. Megjithatë, sapo dalim në autostradën greke, rruga duket e qetë, pa kaosin e kufirit. Agoni udhëheq me veturën e tij, dhe ne e ndjekim nga pas. Me telefon na informon për vendin ku do të ndalemi për të ngrënë drekën. Ora është afërsisht dy e pasdites kur na tregon për një fshat buzë detit, ku ushqimi është i veçantë dhe premton të na kënaqë të gjithëve.

Dreka në fshatin Afitos

Në udhëtimin tonë nëpër rrugët e Greqisë, gëzimi i Benit ishte si dielli që ndriçon mbi detin e kaltër. Me një buzëqeshje të pafund, ai kërcente nga një vend në tjetrin brenda veturës, duke përjetuar çdo moment me një entuziazëm të papërshkrueshëm. Për çdo pamje të re që shfaqej, Beni i ngazëllyer kërkonte nga Agoni të ndalonte dhe të na tregonte bukuritë e rivierës greke.

Teksa udhëtonim, Agoni bëri një kthesë të ngadaltë dhe para syve tanë u shfaq një horizont i gjelbëruar, me lule që ngjyrat e tyre shkëlqenin si një pikturë e natyrës, dhe më tej, deti i pafund që ndriçonte si një pasqyrë e kaltër. Kjo pamje magjepsëse na mbushi me një ndjenjë të thellë qetësie. Dalëngadalë, dolëm nga veturat dhe u pritëm nga një greke e buzëqeshur që na ftoi në një tavolinë të përgatitur për ne në një vend të freskët buzë detit. Restoranti ishte aq pranë detit sa mund të shijoje ushqimin me këmbët në ujë, ndërsa Beni nuk mund të rezistonte dhe u zhyt në ujin e cekët dhe të pastër.

Tefik Basha, Albina Balidemaj-Basha, Sabile Keçmezi-Basha dhe Agon Basha
– Halkidiki, 14 qershor, 2024

Pas pak kohe, teksa po rehatoheshim, kamarieri erdhi me një buzëqeshje të ngrohtë dhe na solli ujë të ftohtë për mirëseardhje. Ky gjest i thjeshtë, por i bukur, na përshëndeti me një ndjenjë të ngrohtë që e gjetëm në shumë restorante të tjera gjatë udhëtimit tonë. Ushqimin e porositëm dhe ndërsa prisnim, sytë tanë u mbushën me qetësinë e detit dhe natyrës. Në restorant kishte pak mysafirë, të gjithë të përfshirë në soditjen e bukurive rreth tyre. Ndërkohë, tavolina jonë ishte më e gjalla, me Benin që vazhdimisht tregonte gjëra të reja dhe kërkonte aprovimin tonë.

Një fshat i vogël, i mbuluar me gjelbërim dhe lule shumëngjyrëshe, na tërhoqi vëmendjen. Agoni, me një ngazëllim të veçantë, na prezantoi me restorantin e tij të preferuar, ku supat e peshkut dhe sallata e gjelbër me djathë dhe rukollë ishin një kënaqësi për shijet e çdo njeriu. “Nuk di si të ngopesh,” tha ai, ndërsa ne bëmë një zgjedhje të veçantë për drekë. E pyeta Benin, “Po ti, çfarë do të hash?” Ai, me një ton të ëmbël, tha: “Ndoshta patate të skuqura.”

Beni, nipi ynë i tretë, gjithmonë është një sfidë kur vjen puna te ushqimi. Me dëshira të ndryshueshme, ai kalon nga makaronat tek orizi, nga mollët e kuqe tek ndonjë tekë tjetër. Por kësaj here, ai vendosi vetë – patate të skuqura dhe sallatë vetëm me tranguj.

Nuk kaloi shumë dhe tavolina u mbush me ushqime të shijshme. Çdo pjatë kishte një shije që na befasonte. Nga e ëmbla tek e njelmëta, nga e buta tek pikantja, çdo shije ishte një eksplorim i ri. E ndjeja se mund të kem qenë e uritur, por çdo kafshatë kishte një shije të mrekullueshme. Në mes të kësaj kënaqësie, Tefiku, që gjithmonë dëshiron të kapë momente të tilla, sugjeroi që të bëjmë një foto për të ndalur kohën në vend.

Në mes të drekës sonë, një moment i papritur ndriçoi ditën tonë. Beni kërkoi nga kamerieri që të na bëjë një foto, duke folur në shqip, pa menduar se ai do ta kuptonte. Unë qesha lehtë dhe i thashë, “Mos fol o Beni, ai nuk të kupton.” Por, në një kthesë të papritur të fatit, kamerieri buzëqeshi dhe tha me një zë të qetë: “Po, kuptoj shumë mirë, unë jam shqiptar.”

Habia na kaploi të gjithëve, dhe menjëherë e përshëndetëm. Ai u prezantua si David, një djalë me rrënjë nga Gjirokastra, por i lindur dhe rritur në Greqi. Edhe pse mësimet e tij ishin në gjuhën greke, shqipen e kishte ruajtur të pastër në zemër, ashtu si prindërit e tij. Ai na tha se punonte gjatë verës për të ndihmuar familjen, por që studimet i kishte prioritet.

Kamarieri David,

Me një përzemërsi që rrallë gjendet, na bëri jo vetëm një foto, por shumë. Ndihesha e prekur nga historia e tij, teksa na tregonte se kishte vite që nuk kishte vizituar vendlindjen e prindërve të tij. E pyetëm nëse kishte shumë shqiptarë në atë zonë. Ai pohoi, por shtoi se disa nuk dëshironin të shprehnin identitetin e tyre shqiptar, duke menduar se do të trajtoheshin më mirë si grekë. “Por ata gabohen,” tha Davidi me bindje, “respekti dhe edukata janë ato që të vlerësojnë, jo prejardhja. Unë dhe familja ime nuk e mohojmë kurrë origjinën tonë, dhe ne flasim shqip në shtëpi.”

Ndërkohë, tavolinat e tjera filluan të mbushen, dhe Davidi na kërkoi leje që të kthehej në punë. Por gjatë gjithë kohës sa qëndruam aty, ne ishim të privilegjuarit e tij. Ushqimi na u soll ndër të parët, dhe ëmbëlsirat na erdhën gratis, një gjest që e dyshova se vinte direkt nga zemra e Davidit të ri. Kur përfunduam drekën dhe Beni bëri një not të freskët në det, u përshëndetëm me nikoqirin tonë të ri. Davidi na shoqëroi me shikimin e tij të ngrohtë, por papritur, sikur diçka iu kujtua, vrapoi drejt nesh dhe na pyeti nga vinim. Kur i treguam se ishim nga Kosova, ai qeshi me gjithë shpirt, përqafoi Benin dhe me një ton të ngrohtë na tha: “Kthehuni përsëri këtu, se unë jam këtu deri në fund të verës.”

EMIGRIMI SHQIPTAR NË GREQI: NJË POEMË E ËNDRRËS DHE DËSHPËRIMIT

Në vitet e fundit të shekullit të kaluar, një rrjedhë e pafund e ëndrrave dhe shpresave të thyera ndihmoi që emigrimi shqiptar në Greqi të shpërthejë si një valë, që ndihmoi të ndriçojë shpirtin e shkatërruar të një kombi. Rënia e regjimit komunist, që solli përmbysje dhe trazira, u pasua nga një valë e madhe shpëtimi për ata që kërkonin dritë jashtë kufijve të Shqipërisë, që ishin gjithashtu të shëmtuar dhe të përfshirë në errësirën e diktaturës.

Në Kosovë, në të njëjtën kohë, populli ballafaqohej me dhimbje të tjera, duke mbajtur mbi supe sfidat e okupimit serb dhe duke luftuar për mbijetesën kombëtare. Në atë periudhë të errët, shqiptarët e ndjenë të nevojshme të shtegtonin drejt një të ardhmeje më të ndritur, edhe pse rrugët e tyre ishin të pasigurta dhe destinacionet e panjohura.

Përjetimet e shqiptarëve që iknin nga regjimi i dhunshëm pasqyroheshin në një sërë shkëputjesh dhe arratisjesh. Nga vitet 1990 deri në 1992, një mori e njerëzve u hodh në një aventurë të pasigurt, ku rreth 300 mijë shqiptarë u larguan nga atdheu me çdo mjet të mundshëm, duke kërkuar një shpëtim nga varfëria dhe dëshpërimi.

Edhe në periudhën e stabilizimit të përkohshëm nga 1992 në 1996, kur situata politike dhe ekonomike në vend nisi të qetësohej, emigracioni vazhdoi si një rrëke e paepur e shpresave të thyera dhe ëndrrave të mbetura në ajër. Përsëri, vitet 1996-1997 sollën një tjetër valë emigrimi, pasi rënia e skemave piramidale dhe përplasjet sociale shtuan tërmetin e brendshëm, duke nxitur rreth 100 mijë njerëz të iknin në kërkim të një jete më të sigurt.

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha – Çamëri

Në vitin 1997, numri i shqiptarëve që kërkonin shpëtim jashtë kufijve të tyre u rrit në mënyrë dramatike, si pasojë e kaosit që kishte përfshirë vendin. Por, nga vitet 1998 dhe më tej, përmirësimi i kushteve politike dhe ekonomike në Greqi dhe Italinë fqinje filloi të ndihmonte, duke rritur emigracionin e ligjshëm dhe duke lehtësuar dhimbjet e migracionit të paligjshëm.

Statistikat e asaj periudhe flasin për më shumë se 20 mijë shqiptarë që emigruan drejt Greqisë në vitin 1990, duke kërkuar azil politik. Këta individë ishin, në esencë, pjesë e një vale të madhe të emigracionit që vazhdoi të rrjedhë me oscilime për vite me radhë. Deri në fund të vitit 1996, numri i shqiptarëve që jetonin jashtë vendit arriti në rreth 350 mijë vetë. Pas vitit 1997, shpërthimi i emigracionit ishte i dukshëm dhe, për një periudhë, Greqia u bë një strehë për ata që kërkonin një jetë më të mirë.

Në vitin 2003, sipas raportit të Komisionit Evropian për Migracionin, Azilin dhe Kthimet, rreth 434,810 shqiptarë jetonin dhe punonin në Greqi. Megjithatë, përballë politikave diskriminuese dhe metodave të ndryshme për asimilimin e emigrantëve, shqiptarët e Greqisë i kaluan këto vështirësi, duke arritur të ndërtojnë një jetë të re dhe më të ndritshme.

(vijon)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.