IDRIZ ZEQIRAJ
Para një ngjarje të shënuar, siç është zgjedhja e presidentit/es të vendit, amatorë dhe specialistë të çështjeve politike, japin propozime dhe bëjnë parashikime, sipas analizave të tyre. Por, kush i ka gjasat për ta merituar postin e krye shtetarit, nganjëherë ka dilema objektive, kur kandidatët/et janë të një niveli apo të përafërt në simpati apo meritokraci. Por, në rastin konkret, duke njohur kandidaturën e parë dhe me provën e dhënë përgjatë mandatit të parë, nuk ka arsye për hamendje. Sepse Vjosë Osmani është objektivisht më e pranueshme për shqiptarët e kudondodhur.
Ndërkohë, kundërshti subjektive, edhe pse të pakët në numër, do të këtë. Presidentja aktuale, besoj edhe në pritje, për hirë të parimeve të hekurta, duke qenë sovrane në qëndrimet e saj, nuk e mbështeti të ardhmen e saj tek asnjë parti politike. Dhe, vetëm ky element, edhe pse fisnik, plus zilia me tepri e politikanëve partiakë, mund t`ia zvogëloi gjasat e vazhdimit të mandatit të dytë. Kjo nuk do të ishte humbje personale, sa do të ishte humbje për shtetin e brishtë të Kosovës, në procesin e konsolidimit.
Edhe pse më lartë trajtuam figurën dhe personalitetin shumëdimensional të presidentes Osmani, megjithatë po bëjmë edhe disa plotësime. Historia ka dëshmuar se e ardhmja u përket reformatorëve. Të tilla janë binomi Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, të cilat kanë hyrë në historinë e kohës më të re të Kosovës, natyrshëm, me qëndresë dhe vendosmëri, njëmendësisht për ta bërë ndryshimin e madh, në Kosovën tonë, të lodhur nga krimi vrastar, hajnia zyrtare, haraçi, kontrabanda dhe të gjithë katalogun e veseve, të një shoqërie të zënë fryme dhe bjerrje të shpresës, për një perspektivë të afërme. Prandaj, bazuar në opinionin tërësisht pozitiv, Vjosë Osmani është uragan i papërballueshëm, madje nga kushdo qoftë, e pakonkurrencë.
Vendosmëria e kryeministrit Albin Kurti dhe e LVV të tij, me aleatët Guxo, Alternativa, për ta shtrirë sovranitetin “cep me cep” në veriun e Kosovës, ngjalli kundërshti dhe nervozizëm. Boshti Prishtinë-Tiranë-Beograd, përkatësisht, Hashim Thaçi, Edvin Rama, Aleksander Vuçiq, ishin pajtuar që veriu i Kosovës, si “tokë e askujt”,, sipas Ramës, ose “Kosova t`i lihet Serbisë”, siç do ta përçonte në opinion porosinë e Hashimit, këshilltari i trefishtë, Baton Haxhiu!
Çmontimi i Institucioneve paralele të Serbisë në veriun e Kosovës, nga Qeveria Kurti, nxiti reagimin koral të Serbisë, Rusisë, BE-së dhe të disa ndërkombëtarëve të tjerë. Kësaj kampanje ogurzezë, iu bashkua edhe opozita kundra-kombëtare e Kosovës, duke kërkuar kthimin e gjendjes në veri, ku e ka lënë shelegia e Hashimit, Editë Tahiri, tej një dekade më parë, kur mashtronte se me Thaçin po bëjmë vetëm dialog teknik. Ndërkohë, i gjithë dialogu ishte puro politik dhe i tëri në favor të Serbisë! Sepse i shantazhuari me dosje penalizuese, Hashim Thaçi, tashmë, i ishte dorëzuar Vuçiqit, Serbisë, me premtimin se do ta shpëtonin nga burgu i Hagës.
Lobistët e paguar pro serbë, Christopher Hill dhe Richard Grenell, bënin punën e tyre në Amerikë. Me intrigimet e tyre, në Administratë amerikane, Dialogu Strategjik Kosovë-SHBA u pezullua. Një zyrtar amerikan shënjestroi kryeministrin Kurti, duke akuzuar për gjithçka. Opozita, palë me Serbinë, për çështjen e veriut, i gëzohej goditjes dhe ishin në pritje të shpalljes “non grata” të kryeministrit Kurti nga DASH amerikan. Nga Administrata deklaruan hapur se të vetmen lidhje komunikuese që ka mbetur në mes të SHBA dhe Kosovës , është presidentja Vjosë Osmani,
Ndërkohë presidentja Osmani bëri disa vizita radhazi në Amerikë. Nga Shtëpia e Bardhë filloi një reagim ndryshe. Shefi i NATO-s, Rutte, do të thoshte se “Vjosa Osmani është presidentja ime e preferuar”. Takimi i presidentes Vjosë, në “Bordin e Paqes” me presidentin Donald Trump dhe pritja e veçantë e saj, të shoqëruar me një deklaratë dashamirësie unike: “E shihni këtë zonjë të ulur këtu, para meje, meriton të gjithë respektin tonë, sepse ajo po lufton dhe punon për mbrojtjen e Atdheut të saj”. Ndonëse të njëjtën gjë ka bërë dhe vazhdon ta bëjë edhe Albin Kurti, tërthorazi, ky mesazh vlente edhe për kryeministrin. Kështu, presidentja Vjosë rehabilitoi, madje njëkohshëm, Kosovën dhe kryeministrin e saj Albin Kurtin.
Edhe pse ka pasur zëra, deklarata dhe përfolje për disa kandidatë të tjerë, ende nuk ka shpallje publike të kandidaturave të tjera, për president/e të Republikës të Kosovës. Pra, në tavolinë është kandidatura e vetme e presidentes aktuale, Vjosë Osmanit.
Megjithatë, deri me tani, as një subjekt politik apo grup deputetësh, nuk është deklaruar për ta propozuar Vjosë Osmanin për presidente të vendit. Partia fituese, LVV, e cila ka parësinë e propozimit të kandidatit/es për president/e, është deklaruar se janë disa procese të ngutshme në radhë, për t`u kryer dhe pastaj i vjen radha zgjedhjes për postin presidencial. LVV, si parti e centralizuar, nuk praktikon deklarime vetjake paushalle, por i përmbahet deklaratës fillestare të liderit Kurti.
Kjo ka ngjallur dyshime se mos Kurti ka ndërmend të kalkulojë me parti tjera, për dy arsye: E para, për ta lehtësuar zgjedhjen e presidentit. E dyta, ngritjen e mëtejme të figurës të Vjosë Osmanit, mund ta shikojë si një konkurrente serioze në perspektivë. Megjithatë, kalkulime të tilla në këtë fazë të proceseve konsoliduese të shtetit të Kosovës, nuk i shërbejnë vendit.bukëshkalë e të pafisëm
Megjithatë, nuk dua ta besoj se shqiptarët janë kaq bukëshkalë e të pa fisëm, sa kjo opozitë destruktive e hiçe, sa të mos e shpërblejnë presidenten Vjosë Osmanin, për përgatitjen supreme intelektuale dhe kontributin unik, tashmë, e provuar në mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. Në veçanti, në ripërtëritjen e lidhjeve dhe të miqësive, me Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, si dikur Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili nuk ka ndërmjetës në historinë kombëtare, që nga Gjergji ynë lavdiplotë.











