Analizë e ekspozitës personale të piktorit Agron Mulliqi, e hapur mbrëmë në Galerinë e Fakultetit të Arteve

0
Agron Mulliqi - ekspozitë

“Rrugëtimi në dialog me kohën”

Në ekspozitë u prezantuan piktura dhe një video ku imazhet e tyre marrin lëvizje dhe jetë

Shkruan: Ilir Muharremi, kritik i artit

Hapja e ekspozitës “Rrugëtimi në dialog me kohën” mbushi hapësirën e Galerisë së Fakultetit të Arteve të cilën e udhëheq profesori Xhevdet Pantina. Me një rrymë njerëzish të larmishëm, kolegë arti, studentë, miq e admirues të punës së Agron Mulliqit. Sytë e tyre lëvizin në heshtje nga një pikturë në tjetrën, bisedat lindin, ndalen dhe rifillojnë si valë të buta mbi sipërfaqen e veprave. Veprat në heshtje djersitin valen e ngjyrave, renditjen e formave, poetikën shpirtërore. Ka një ngrohtësi kolektive, shenja respekti dhe kurioziteti, që i jep hapësirës karakterin e një fillese reflektimi. Një përbërje e tillë të pranishmish, e cila përzihet lehtë me ambientin, tregon se ekspozita ka tërhequr jo vetëm shikues të rastësishëm por dhe një audiencë të gatshme të hyjë në dialog kritik me punën.

Ai është i butë si drita e mëngjesit që prek butësisht sipër një letre të vjetër, i sinqertë, i heshtur, me një zemër që nuk bërtet për t’u dëgjuar. Në atelien e tij koha rrëshqet si bojë në kanavacë, ditët zhyten në pjatat e ngjyrave dhe dalin përsëri të ndryshuara, të ngjeshura me kujtime. Duart e tij, të njoma nga ngjyrat, punojnë me një qetësi të thellë, lëvizjet janë të sakta por të pafolura, si rrahjet e një zemre që përkthjen ndjesinë në formë. Krijimet lindin gati pa zë , një rrjedhë e brendshme që merr konturë, dritë dhe hije pa nevojën e çdo shpjegimi verbal. Fjalët i ka të rralla, kur i zgjedh, zëri i tij bie i ulët dhe mbart peshën e asaj që ka parë dhe ndjerë gjatë viteve në atelie. Por pikturat nuk heshtin, ato flasin në vend të tij, mbrojnë kujtimet, gjykojnë butësisht dhe dëshmojnë, janë avokatet e shpirtit të tij, të vendosura në korniza për të dëgjuar dhe për të vlerësuar.

Në galerinë e zbardhur, pikturat e Mulliqit flasin si kujtime të përpunuara, jo të ngrira, por të lëvizshme. Ngjyrat dalin si shtresa kohe, të thella e të buta, të ndërtuara njëra mbi tjetrën, si memorie që copëtohet dhe ribashkohet. Motivët herë figurative, herë abstrakte janë si shenjat që trupi i kohës lë pas , një buqetë e çngjyrosur transformohet në fushë, një vijë gërvishtet dhe kthehet në rrugë, një sipërfaqe qelqesh ngrihet si horizonte të harruara. Ekspozita, në këtë kuptim, është një poezi vizuale në vargje të pandërprerë ku tempo ndryshon, herë shpërthen me intensitet, herë qetësohet në tonet e arta e të gjelbërta.

Dritat e hedhura mbi impastot dhe shtresimet ngjeshin ajrin me prani, çdo pikturë thotë “kam kaluar dhe jam këtu”. Një video u jep frymën formave, pikturat zënë frymë dhe dalin nga kornizat personazhe të gjallë që kërcejnë në dritë.Vajzat në kostume tradicionale lëvizin si kujtime të gjalla, valle që mbështjellin ngjyrat dhe i japin zë relikteve. Hyjnesha ndryshon në variacione një prani mitike që shndërrohet, shpërndahet, rikthehet në çdo kënd të kompozimit. Gjithçka është në lëvizje: etnoja zgjohet, pulson dhe rrëfen, një histori që bëhet trup dhe tingull në hapësirën e galerisë.

Mulliqi përdor një ritëm kompozicional të qëllimshëm, pikturat vendosen në një rrjedhë që udhëzon shikuesin nëpër galeri si në një itinerar kohor. Shumë prej punimeve tregojnë ndarje hapësinore të qarta, fusha ngjyrash të mëdha që kundërvihen me motive më të imëta, duke krijuar një tension të balancuar midis sipërfaqes dhe detajit. Ka një kombinim të suksesshëm ndërmjet formave gjeometrike dhe elementeve organike, që i japin punimeve një ndjenjë transformimi të vazhdueshëm. Ngjyrat janë zemra e ekspozitë prej paletave të ngrohta ( të kuqe, të verdha të buta) deri te tonalitetet e freskëta dhe të qeta (jeshile, vjollcë). Ajo që bie në sy është përdorimi i shtresave, ngjyrat ndërthuren, fshihen dhe shfaqen sërish.

Temat qendrore, kujtesa, ndryshimi, pranimi vijnë si ripërsëritje tematike dhe ikonografike, peizazhe të stilizuara, elementë bimorë, forma që mund të lexohen si objekte të përditshme apo si metafora. Nuk është se çdo pikturë ofron një ngjarje narrative të qartë, më tepër, ato krijojnë atmosferë dhe përqendrim reflektues. Kjo lë hapësirë për interpretime, disa punime shfaqen si reflektime personale, të tjera si alegori historike apo sociale. Përmbledhtazi, temat e kohës dhe transformimit janë të pranishme jo vetëm në subjekt por edhe në mënyrën se si është ndërtuar piktura.

Stili i Mulliqit, siç dëshmon ekspozita, është tashmë i formuar dhe i konsoliduar. Ai kombinon elemente gjeometrike me abstraksionin e kontureve, linja e tij është shpesh e qartë, por jo e ngurtë. Eksperimenti me transparencë dhe opacitet, me vështrim të brendshëm drejt materialitetit të bojës, tregon një pjekuri me gjuhën e pikturës. Nga ana teknike, disa kompozime përfitojnë nga kontraste më të theksuara valorike për të përmirësuar lexueshmërinë në hapësirë të bardh të galerisë, megjithatë, zgjidhjet e deritanishme ruajnë një koherencë estetikore.

Vendosja e punimeve, me hapësirë të bollshme midis tyre dhe me ndriçim të drejtuar, lejon që secila pikturë të marrë vëmendjen e duhur. Linja e syrit, e ndërtuar që nga hyrja drejt fundorit, krijon një lëvizje natyrale, kjo qasje kuratoriale përforcon temën e “rrugëtimit”. Të pranishmit dhe entuziazmi që shfaqet në hapje tregojnë se prezantimi arriti të krijojë një hapësirë dialoguese gjë që është thelbësore për artin që kërkon reflektim.

Agron Mulliqi prezanton në këtë ekspozitë një korpus të qëndrueshëm punimesh që flasin me siguri artistike mbi kohën dhe memorien. Thellësia qëndron te ndërtimi i shtresave ngjyrash, materiali taktil dhe koherenca tematikore.

“Rrugëtimi në dialog me kohën” konsiston në një afrim të ndjeshëm dhe të matur ndaj temave të kohës dhe kujtesës. Agron Mulliqi tregon pjekuri stilistike dhe një aftësi për të ndërtuar peizazhe emocionale me mjete piktorike të thjeshta dhe të efektshme. Ekspozita nuk pretendon të japë përgjigje, por hap pyetje dhe kjo është një meritë e rrallë, ajo thërret për reflektim, për bisedë dhe për rikthim. Veprat e Agron Mulliqit do të hyjnë në histori të artit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.