- një grua, e cila për turpin shkruan pa kurrfarë turpi
Xhelal Zejneli
“Çdo gjë që kam shkruar vjen nga jeta ime personale, nga ajo që kam parë, që kam përjetuar, nga ajo që ende jam duke përjetuar; në këtë vështrim, burimi dhe tematika e letërsisë sime është autobiografike” – Annie Ernaux
Laureate e çmimit “Nobel” për letërsi për vitin 2022 është shkrimtarja franceze Ani Erno (Annie Ernaux). Ajo është femra e shtatëmbëdhjetë që shpërblehet me këtë çmim prestigjioz. Kombi shqiptar priste me ankth që çmimi i sivjetmë t’i jepej Ismail Kadaresë, të përkthyer në 56 gjuhë të botës.
Akademia Mbretërore e Suedisë ia dha çmimin Erno-së (Ernaux) “për veprimtarinë 40-vjeçare të pakompromis, gjatë së cilës hulumton jetën që e karakterizojnë dallimet e mëdha në pikëpamje të gjinisë, të gjuhës dhe të klasës shoqërore, për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën zbulon rrënjët, tjetërsimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.
Vetëm disa minuta para shpalljes së lajmit, juria e Oslos kishte tentuar ta merrte në lidhje telefonike shkrimtaren, por ajo nuk ishte lajmëruar. Supozohet se lajmin e ka marrë prej mediumeve.
Ani Erno (Annie Ernaux) ka lindur në Lillebonne, qytet i vogël në Normandi të Francës, më 1 shtator të vitit 1940. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në fshat në Normandi.
Vjen nga një familje e shtresës punëtore. Prindërit e saj kishin një tregtizë artikujsh ushqimorë. Studioi në Universitetin e Bordosë. Ka kryer dy fakultete – në Universitetin e Ruanit (Rouen) dhe në Universitetin e Bordosë (Bordeaux). Para se të bëhej shkrimtare, ishte profesoreshë e letërsisë.
Fillimet letrare të saj kanë qenë modeste por ambicioze. Që në shkrimet e para iu qas studimit të jetës, të përcaktuar prej dallimeve të mëdha midis gjinisë, gjuhës dhe klasës sociale.
Krijimtarinë letrare e filloi herët si një projekt kujtimesh, me qëllim që t’i zgjerojë kufijtë e letërsisë jashtë fiksionit.
Ani Erno (Annie Ernaux) ka shkruar mbi 30 vepra. Krijimet e saj janë vepra autobiografike të cilat janë të lidhura ngushtë me sociologjinë.
Ajo e rindërton të kaluarën duke u bazuar në traditën e romancierit francez Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) në ciklin e romaneve me titull të përbashkët “Në kërkim të kohës së humbur” (Á la recherche du temps perdu, 1913-1927), por ajo e shpie gjurmimin në një drejtim krejt tjetër. E quan veten “etnologe e vetvetes” dhe jo shkrimtar të fiksionit.
Në vitin 1974, si një profesoreshë e re e letërsisë, zgjoi kërshëri me veprën e parë Ormanët e zbrazët” (Les Armoires vides, 1974). Me këtë roman autobiografik, e filloi edhe karrierën e vet letrare. Me një stil të zhveshur që nuk bredh nëpër meandrat (dredhat) e përsiatjeve psikologjike dhe filozofike, nuk jep sqarime për veprimet apo për sjelljet, por vetëm i konstaton faktet. Këtu nisi të hulumtojë prejardhjen normandike të vet.
Nisi të çajë udhë me romanin “Vendi” (La Place, 1983). Këtu i rendit ngjarjet banale nga jeta e të atit, i cili ishte një tregtar i imët që kërkonte një copë vend nën diell. Përshkruan raportin e saj me të atin dhe jetën e vet në një qytet të vogël të Francës. Me këtë vepër Erno (Ernaux) e filloi ciklin autobiografik tipik. Fantazitë e veta i kthen në vepra autobiografike.
I jepet shpërblimi “Renodo”.
Të ëmës ia përkushtoi romanet “Një grua” (Une femme, 1987) dhe “S’kam dalë nga nata ime” (Je ne suis pas sortie de ma nuit, 1996). Në këto dy vepra flet pothuajse në mënyrë klinike për rrënimin e qenies si dhe për sëmundjen që e bën të duket më pak se një kafshë.
Në romanin “Pasioni i zakonshëm” (Passion simple, 1991), shprehjes gjuhësore qëllimisht të varfër, ia shton edhe përmbajtjen s pastruar, që ka të bëjë me vuajtjen e femrës e cila e pret burrin që dashuron.
Në romanin “Turpi” (La Honte, 1996) me prosedenë e rëndomtë të stilit të një vëzhguesi të ftohtë, flet për një ngjarje traumatike nga koha e fëmijërisë.
Edhe në veprat “Një grua” (Une femme) dhe “Turpi” (La Honte) analizon turpin dhe rrënjët e tij në shoqëri.
Vend të posaçëm në opusin e saj zë rrëfimi për vajzën 23-vjeçare, narratore, e cila në vitet ’60 (të shekullit XX), tenton të abortojë, në Francë, ku një gjë e tillë ishte e ndaluar. Është fjala për romanin “Ngjarja” (L’Événement) të botuar në vitin 2000.
Projekti më ambicioz i saj është romani “Vitet” (Les Années, 2008). Është quajtur “biografi e parë kolektive”. Kjo i solli një sërë shpërblimesh, popullaritet botëror dhe një numër të madh ndjekësish.
Në vitin 2016 botoi veprën “Kujtime të një vajze” (Mémoire de fille). Këtu përshkruan edhe përvojën e vet të humbjes së virgjërisë, por duke paraqitur kontrastin e figurës që e ka për veten si një grua e re në fund të vitit 1950. Përshkruan edhe reaksionin për veprimet e veta si dhe bashkësinë e cila në më pas e flakë.
Librin më të ri “Djaloshi i ri” (Le jeune homme) e botoi sivjet.
Tema kryesore të saj janë turpi, përbuzja, xhelozia, paaftësia për të parë se kush jemi në të vërtetë.
Erno (Ernaux) i përket rrymës së shprehjes letrare minimaliste në romanin bashkëkohor francez dhe grupit të shkrimtarëve të cilët për nga tematika janë të lidhur ngushtë me autobiografinë, ndërsa aktit të të shkruarit i japin një domethënie terapeutike.
“Kur isha fëmijë, i konsideroja luks gëzofët, fustanet e gjata dhe vilat në bregdet. Më vonë erdha në përfundim se luks është të bësh jetën e një intelektuali. Por tani e shoh se luks është edhe mundësia e shfaqjes së pasioneve ndaj një mashkulli apo ndaj një femre” – përfundon vepra “Vetëm pasion”.
Ani Erno (Annie Ernaux) është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Disa vepra të saj janë botuar edhe në gjuhën shqipe.
* * *
“A woman story“, “A man’s place“, “Simple passion“ u vlerësuan nga New York Times si vepra të mëdha. “A woman story“ është libri i fundit i nominuar për çmimin “Los Angeles Times Book Prize”.
Në vitin 2018 ajo u shpërblye me çmimin “Premio Hemingwey”, ndërsa në vitin 2019 u nominua për “Booker Prize”.
Sipas romanit “Ngjarja” (L’Événement) të prozatores franceze Ani Erno (Annie Ernaux), nën regjinë e regjisores dhe skenaristes franceze me prejardhje libaneze Odri Divan (Audrey Diwan, 1980 -), u xhirua filmi që merret me dështimin (abortin). Në Festivalin e 78-të të filmit në Venecie, vitin 2021 filmi i sipërthënë u vlerësua me çmimin më të lartë “Luani i Artë”.