Një Qasje Pedagogjike: GenAI, Posthumanizmi dhe Fenomenologjia

0
GenAI
Lekë Pepkolaj
Lekë Pepkolaj

Nga Prof. Asoc. Dr. Lekë Pepkolaj

Inteligjenca Artificiale Gjeneruese (GenAI) i referohet një kategorie të inteligjencës artificiale e aftë të prodhojë përmbajtje origjinale, tekste, imazhe, kode programimi, audio apo video, duke u bazuar në modelet e nxjerra nga të dhëna ekzistuese. Ndryshe nga sistemet tradicionale të IA-së që kufizohen në ofrimin e përgjigjeve të paracaktuara, GenAI karakterizohet nga aftësia për të krijuar produkte të reja. Roli i GenAI në kontekstet arsimore shpesh konceptohet në formën e një dikotomie [1], [2].

Nga njëra anë, ajo vlerësohet si një risi me potencial transformues për proceset e mësimdhënies-nxënies, duke mundësuar personalizimin e rrugëve mësimore, mbështetje të diferencuar dhe asistencë në kohë reale si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit [3], [4]. Nga ana tjetër, GenAI perceptohet si një sfidë serioze për sistemin arsimor, sidomos në aspektin e përdorimit etik, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh kapacitetin e saj për të gjeneruar shpejt përmbajtje të shkruar dhe vizuale [5].

Ky punim e koncepton GenAI jo vetëm si një mjet teknologjik, por si një zhvendosje paradigmatike me natyrë relacionale që rikonfiguron vetë themelin e pedagogjisë. Duke u mbështetur në qasje posthumaniste dhe fenomenologjike, analizohet mënyra se si inteligjenca artificiale po transformon praktikën mësimore, me fokus të veçantë në riorganizimin e qasjeve pedagogjike, në ripërcaktimin e identitetit profesional të mësuesit dhe në format e reja të angazhimit të nxënësve. Perspektiva posthumaniste vë në pikëpyetje qasjet antropocentrike, duke promovuar forma të reja bashkëveprimi dhe bashkëkrijimi midis aktorëve njerëzorë dhe sistemeve inteligjente [6], [7].

Ndërkohë, fenomenologjia thekson përvojat e përjetuara të nxënësve dhe mësuesve në kontekste mësimore të ndërmjetësuara nga IA, duke nxjerrë në pah dimensionet emocionale, përjetuese dhe relacionale të integrimit teknologjik [8], [9]. Duke ndërthurur këto dy korniza teorike përmes tri dimensioneve të ndërlidhura, pozicionit, relacionit dhe funksionimit artikulli analizon implikimet pedagogjike të GenAI. Në këtë kuadër, pozicioni i mësuesit evoluon nga bartës autoritar i dijes në një rol ndërmjetësues dhe lehtësues i të nxënit; relacioni e koncepton IA-në si një aktor bashkë-krijues në procesin mësimor; ndërsa funksionimi zgjeron mundësitë për vlerësim, feedback dhe prodhim krijues. Këto parime shërbejnë si bazë për ndërtimin e “Modelit Pedagogjik të Integruar dhe të Orientuar nga IA”, i cili synon riformulimin e praktikave të klasës dhe të formimit profesional të mësuesve [5].

Ndërsa GenAI po integrohet gjithnjë e më shumë si në praktikat mësimore ashtu edhe në sistemet më të gjera shoqërore, është thelbësore të shqyrtohet se si mund të rimodelojmë mësimdhënien, të nxënit dhe kurrikulën. Ky artikull shqyrton ndryshimet pedagogjike që dalin nga integrimi i GenAI, duke përdorur tre dimensione ontologjike, pozicioni, relacioni dhe funksionimi, për të kuptuar se si po ndryshojnë rolet dhe praktikat [5]. Korniza jonë konceptuale mbështetet në qasjen filozofike të fenomenologjisë, veçanërisht në fenomenologjinë post-intenzionale, për të nxjerrë në pah përvojën e jetuar të këtyre ndryshimeve, dhe në posthumanizëm për të marrë në konsideratë agjencinë:  domethënë aftësinë për të ndikuar, për të gjeneruar veprime, sugjerime, vendime apo ndërhyrje. IA nuk është më vetëm mjet, por një aktor në ekosistemin e të nxënit dhe bashkëpraninë e sistemeve të IA-së në arsim [8],[9]. Posthumanizmi na ndihmon të kuptojmë se në arsim, inteligjenca artificiale nuk është thjesht mjet, por një aktor bashkë-prezent, që ndikon dhe formëson procesin e të nxënit njësoj si mësuesi dhe nxënësi [6], [7].

Posicioni i mësuesve po përjeton një ndryshim thelbësor. Tradicionalisht të shquar si bartës të dijes dhe udhëheqës të kurrikulës, ata po pozicionohen gjithnjë e më shumë si lehtësues dhe bashkë-nxënës në klasa ku sistemet e inteligjencës artificiale ofrojnë përmbajtje, reagime dhe madje edhe ndihmë në dizajnin pedagogjik. Ky transformim kërkon qasje të reja në trajnimin e mësuesve, duke i pajisur ata me aftësi bazë në inteligjencën artificiale dhe kompetenca pedagogjike adaptuese [5], [10].

Relacioni pasqyron ndërvarësitë midis agjentëve njerëzorë dhe jo-njerëzorë. Nga një këndvështrim posthumanist, IA nuk është thjesht një mjet pasiv, por një aktor relacional brenda ekosistemit të të nxënit: ku ndërveprojnë njerëzit, mjedisi, teknologjia, kultura dhe praktikat sociale. Nxënësit, mësuesit dhe sistemet e IA-së janë pjesë e proceseve dinamike të krijimit të kuptimit, që kërkojnë një zhvendosje nga mësimdhënia hierarkike nga lart-poshtë në një pedagogji më bashkëpunuese. Arsimtarët duhet të konsiderojnë ndikimin e marrëdhënieve me IA-në mbi dinamikën e klasës, rezultatet e të nxënit dhe etosin e veprimit të përbashkët [5].

Funksionimi lidhet me implikimet praktike të GenAI në skematizimin dhe vlerësimin e të nxënit. IA mund të gjenerojë feedback të personalizuar, të mbështesë mësimdhënien e diferencuar dhe të krijojë forma të reja angazhimi të përshtatura për nevojat e nxënësve. Veprimtaritë tradicionale mund të evoluojnë drejt përvojave më të avancuara të nxënies, të mbështetura nga IA, të cilat stimulojnë eksplorimin, reagimin dhe krijueshmërinë [5],[11].

Për të lidhur këto  tri dimensione, paraqitet një qasje pedagogjike e integruar dhe e orientuar nga inteligjenca artificiale, i cili riformulon mësimdhënien dhe të nxënit në kontekstin e GenAI. Ky model e vendos GenAI-n jo thjesht si një mjet mbështetës, por si një aktor aktiv pedagogjik që transformon rolin e arsimtarit, përmirëson dhe sfidon dinamikën e marrëdhënieve në klasë, dhe diversifikon funksionet e saj. Ky kuadër nxit mësuesit, studiuesit dhe politikëbërësit të kalojnë përtej qasjeve instrumentaliste, ku teknologjia ose metodat përdoren vetëm si vegla për të arritur qëllime praktike, pa marrë parasysh dimensionet më të gjera edukative ose sociale, duke pranuar kompleksitetin dhe potencialin e bashkëpunimit njeri-makinë në arsim [5].

Posthumanizmi, Fenomenologjia dhe GenAI

Fokusi i fenomenologjisë te përvoja e jetuar dhe vetëdija plotëson theksin posthumanist mbi ndërlidhjen e entiteteve njerëzore dhe jo-njerëzore. Së bashku, këto perspektiva tregojnë se si mësuesit dhe nxënësit mund të angazhohen në partneritete njeri-makinë, duke ruajtur marrëdhënie autentike pedagogjike. GenAI shfaqet jo thjesht si një mjet, por si një aktor i integruar në procesin mësimor, ku aftësitë njerëzore dhe të makinerive bashkohen dhe transformojnë njëra-tjetrën. Fenomenologjia ndihmon mësuesit të kuptojnë përvojat e tyre dhe të nxënësve brenda këtyre ndërthurjeve, ndërsa posthumanizmi sfidon qasjet antropocentrike të mësimdhënies. Integrimi i këtyre perspektivave mbështet një praktikë mësimore që vlerëson përvojën njerëzore dhe veprimin teknologjik, duke promovuar qasje pedagogjike dinamike dhe ndërveprime njeri-makinë kuptimplote, pa humbur lidhjen njerëzore me të mësuarit [5], [7], [9].

Qasje pedagogjike e integruar dhe e bazuar në inteligjencën artificiale [5].

Figura 1 Modeli Pedagogjik i Integruar dhe i Orientuar nga IA. Marrë nga [5]

Kjo figurë tregon një qasje pedagogjike që riformulon mësimdhënien në klasë me GenAI duke u mbështetur në dy perspektiva filozofike: posthumanizmin, i cili decentralizon perspektivën njerëzore duke përfshirë aktorët teknologjikë (IA sugjeron, analizon, ndërhyn dhe personalizon), dhe fenomenologjinë, e cila vendos në qendër përvojat e mishëruara të nxënësve (si ata përjetojnë botën me trupin, shqisat, emocionet dhe praninë fizike). Modeli paraqitet nga diagrama e Venn-it që lidh tre ide pedagogjike: Pozicioni i mësuesit, Relacioni pedagogjik dhe Funksionimi i IA-së në nxënie. Këto bashkohen për të sugjeruar një qasje transformuese ndaj arsimit, që integron veprimin jo-njerëzor dhe adreson kompleksitetin e mjediseve bashkëkohore të të nxënit njerëzor.

Pozicionimi i mësuesit

Mësuesit mund të veprojnë si udhërrëfyes që ndihmojnë nxënësit të lundrojnë në mjedise të ndërlikuara të nxënies të fuqizuara nga IA. Ky ndryshim kërkon rivlerësim të trajnimit dhe zhvillimit profesional, për të zhvilluar kompetenca që lejojnë integrimin efektiv të inteligjencës artificiale në praktikën didaktike. Roli i mësuesit zhvendoset nga kontrolli i informacionit drejt përzgjedhjes dhe lehtësimit të një udhëtimi të nxënies, i cili zhvillohet në bashkëpunim me IA dhe përshtatet me nevojat individuale të nxënësve.

Relacioni pedagogjik

Diagrami paraqet relacionin, ku IA nuk është thjesht një mjet, por shoqërues, tutor dhe bashkë-prodhues në nxënie. Kjo pasqyron qasjen posthumaniste, sipas së cilës entitetet jonnjerëzore kontribuojnë në krijimin e dijes. Në këtë model, IA dhe mësuesit ndërtojnë bashkë përvojën e të nxënit, duke braktisur hierarkinë e zakonshme dhe duke favorizuar një pedagogji dinamike dhe relacione-ndërtuese. Ndërveprimet njeri-IA çojnë në rezultate emergjente, ku të nxënit evoluon përmes angazhimit reciprok, dhe IA bëhet pjesë aktive e planifikimit pedagogjik.

Funksionimi i nxënies

Elementi i tretë fokuson mënyrën se si GenAI transformon aktivitetet në klasë, mekanizmat e të nxënit, krijimtarinë dhe vlerësimet. IA ofron përvoja të personalizuara të nxënit, feedback të menjëhershëm dhe mundëson mësim të diferencuar sipas nevojave të secilit nxënës. Ky ndryshim zhvendos fokusin nga detyrat statike drejt angazhimeve dinamike të orientuara te nxënësi, duke decentralizuar rolin e mësuesit. Projektimi i mjediseve të nxënit duhet të integrojë dimensionet fizike dhe relacione, duke përfshirë funksionimet e GenAI në praktikën didaktike të përditshme.

Ndërthurjet dhe integrimi

Konvergjenca midis pozicionimit të mësuesit dhe pedagogjisë relacione-ndërtuese transformon rolin e mësuesit, duke krijuar hapësira ku bashkëpunimi njeri–IA ndryshon proceset e të nxënit dhe prodhimin kolektiv të njohurive. Mbivendosja midis Relacionit pedagogjik dhe Funksionimit të GenAI-së evidenton pedagogji posthumaniste, ku IA bëhet bashkë-krijuese aktive në nxënie. Konvergjenca midis Pozicionit të mësuesit dhe Funksionimit të GenAI-së nënvizon nevojën për zhvillim të vazhdueshëm të aftësive të mësuesve dhe për një zhvendosje nga paradigmave tradicionale dhe struktura pushteti në arsim. Në qendër të modelit, aty ku ndërthuren të tre rrathet, qëndron Pedagogjia e Integruar dhe e Orientuar drejt IA-së, e cila promovon një proces të nxënit dinamik, adaptiv dhe bashkëpunues, ku mësuesit, IA-ja dhe nxënësit bashkë-angazhohen në krijimin e dijes, duke kapërcyer kufijtë e pedagogjisë tradicionale.

Literatura

[1] Grassini, S. (2023). Shaping the future of education: Exploring the potential and consequences of AI and ChatGPT in educational settings. Education Sciences. https:// doi. org/ 10. 3390/ educs ci130 70692

[2] Sok, S., & Heng, K. (2024). Opportunities, challenges, and strategies for using ChatGPT in higher education: A literature review. Journal of Digital Educational Technology, 4(1), Article ep2401. https://doi. org/ 10. 30935/ jdet/ 14027

[3] Almufareh, M. F., Kausar, S., Humayun, M., & Tehsin, S. (2024). A conceptual model for inclusive technology: Advancing disability inclusion through artificial intelligence. Journal of Disability Research. https:// doi. org/ 10. 57197/ jdr- 2023- 0060

[4] Celik, I., Dindar, M., Muukkonen, H., & Järvelä, S. (2022). The promises and challenges of artificial intelligence for teachers: A systematic review of research. TechTrends, 66(4), 616–630. https:// doi. org/ 10. 1007/ s11528- 022- 00715-y

[5] Creely, E., Carabott, K. Teaching and learning with AI: an Integrated AI-Oriented Pedagogical Model. Aust. Educ. Res. 52, 4633–4654 (2025). https://doi.org/10.1007/s13384-025-00913-6

[6] Taylor, C. A., & Bayley, A. (Eds.). (2019). Posthumanism and higher education: Reimagining pedagogy, practice and research. Palgrave Macmillan. https://doi.org/10.1007/978-3-030-14672-6

[7] Cai, Z., Xing, G., Yamamoto, Y., et al. (2025). From Piaget to posthumanism: Critical review of conceptualization of AI in early childhood education. AI Brain Child, 1, Article 14. https://doi.org/10.1007/s44436-025-00012-4

[8] Ghigi, N., Bizzari, V., & Sannipoli, M. (2025). Phenomenological pedagogy: Training educators in applied phenomenology. Springer Cham. https://doi.org/10.1007/978-3-031-87968-5

[9] Gouveia, S. S., & Morujão, C. (2024). Phenomenology and artificial intelligence: Introductory notes. Phenomenology and the Cognitive Sciences, 23(5), 1009–1015. https://doi.org/10.1007/s11097-024-10040-9

[10] Teles, R. O., & Moreira, F. T. (Eds.). (2025). Integrating AI in formative assessment under UDL principles in diverse learning environments. ICI Global.

[11] Kaldaras, L., Akaeze, H. O., & Reckase, M. D. (2024). Developing valid assessments in the era of generative artificial intelligence. Frontiers in Education. https://doi.org/10.3389/feduc.2024.1399377

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.