– Parathënie –

Mbrenda letërsisë shqipe barijtë tanë shpirtnorë – priftrijtë –hartuen dhe botuen nji varg veprash letrare poetike llojesh të ndryshme. Disa prej këtyne veprave hyjnë në rrethin mâ të ngushtë të vlerave mâ të qensishme që janë krijue në gjuhën tonë. Pra, barijtë shpirtnorë – shkrimtarë në rrjedhën e qindvjetshave bân objekt trajtimi artistik dukuni të ndryshme, në mënyrë të veçantë Zotin dhe Mbretninë hyjnore, tue e lidhë atë me jetën e njeriut tonë dhe me fatin e tij; shqiptuen rândsinë e afrimit dhe mbështetjen në dashuninë e Hyjit, që nxit dhe e përforcon dashuninë midis njerzve. Vepruen në këtë mënyrë për arsye se Hyji dhe besimi në hirin e Tij qe dhe mbeti pjesë e pandashme e gjallimit të njerzve tanë në përgjithësí dhe e botës së poetëve, të veprimit dhe të mendimit të tyne.
Do të duhej shum vend për t’i shënue vetëm disa prej këtyne veprave[1].
Po përmend këtu vetëm dy autorët e fillimit të letërsisë sonë të shkrueme.
Në veprën “Meshari” (1555) – librin e parë të shkruem dhe të botuem në gjuhën tonë nga prifti Gjon Bdek Buzuku, janë edhe katër poezitë e para, të hartueme në shëmbëllesë me psalmet. Këto poezi – psalme si dhe disa pjesë – krijime të Buzukut të botueme në ketë libër, si fjala vjen, poema për shtatë mkatet prej 128 vargjesh, dëshmojnë se Buzuku âsht poeti ynë i parë që njohim deri më sot[2]. Këtë e vë në dukje edhe vetë Buzuku, kur shkruen se ai, dom Gjoni, i krijoi dhe i këndoi psalmet, pra i luti ato me përvujtní para Hyjit të gjithpushtetshëm, i cili do t’ia falë mkatet për të qenë krejtsisht i pastër në mënyrë që me fitue parajsën dhe amshimin e shpirtit: për këta të kënduom të këtyne Psalme, / qi u ī pādenji këndova[3].
Në psalmin e tretë “O zot i gjallëvet e i vdekunet” Gjon Bdek Buzuku i lutet Zotit edhe për të gjithë njerzit e gjuhës e të gjakut të tij që t’i ketë në kujdesin dhe dashuninë hyjnore: për gjithë njerëzit të mī ņ gjakut sim[4].
Kjo dukuri dëshmohet edhe në poezinë e Pjetër Budit “Këtu apmâ lavd Tinëzot për të mâdhāt mâshërrier të tij”, të botueme më 1618 në veprën e përkthyeme nga ai “Doktrina e krishtênë”, ku poeti ynë e falënderon Hyjin që e frymzoi dhe i dha mundsinë t’i shkruente – këndonte poezitë edhe në gjuhën shqipe. Budi uron që poezitë e tij t’i pëlqejnë Hyjit[5].
Në vazhdën e kësaj tradite, që pastaj u pasunue edhe mâ shum përmes veprave të krijueme nga shkrimtarët arbneshë, nga ata të Rilindjes, po dhe nga ata të kohës sonë, edhe atë Pashko Gojçaj dha nji ndihmesë të rândsishme, tue botue përmbledhjet me poezi: Kompanjelat dhe hijet (në kroatishte), Sytë e shêjtneshës I, Sytë e shëjtneshës II, Takimi i kohëve dhe Kohë shtjelle.
Atë Pashko Gojçaj, si dhe barijtë tanë të tjerë shpirtnorë, u mor me letërsi, përkatsisht i hartoi veprat letrare në mënyrë që edhe përmes artit të fjalës ta përhapë midis njerëzve tanë fjalën e Hyjit – frymën e dashunisë së Tij dhe si rrjedhojë të kësaj dhe të dashunisë për njerzit, që sublimohet në dy përbas të njâjtës rrâjë: Dueje Zotin, Hyjin tand, me gjithë zêmër (Mt 22, 37) dhe Dueje të afërmin tand porsi vetveten (Mt 22, 39).
Pra, Pashko Gojçaj si dhe paraardhësit, e përhapi Fjalën e Hyjit dhe dashuninë e tij për njeriun përmes dy formave: veprimeve dhe punës konkrete me besimtarët, sidomos përmes predikimeve në meshë, dhe përmes veprave të artit të fjalës, letërsisë. Në ketë mënyrë ai synoi të mbërrihet ajo që thuhet në Bibël: “Bânu i përsosun siç âsht i përsosun Ati yt”.
Tue e pa çashtjen në ketë dritë them se veprat letrare të hartueme nga barijtë shpirtnorë arbnorë – shqiptarë luejtën nji rol të dyfishtë: me nji anë mundsuen mbijetimin e gjuhës shqipe si përbasin kryesor dhe të besimit dhe, me anë tjetër, e pasunuen artistikisht botën dhe shpirtin e njerzve tanë, ndihmuen shtegtimin e tyne nëpër rrjedhë të shekujve. Kështu, u dëshmue ajo që Karl Gustav Jung-u e theshte me të drejtë:”[…] arti përfaqson nji proces vetë rregullimi shpirtnor në jetën e kombeve dhe të epokave të ndryshme.”
Rândsia e besimit për jetën e njeriut
Në poezitë e atë Pashk Gojçajt përligjet fakti sa i rândsishëm âsht besimi në Hyjin dhe në Birin e tij, Jezu Krishtin, ku del qartazi se Zoti ka rrâjëzue thellë në shpirtin e tij. Poeti ynë âsht i bindun, siç thoshte Gonxhe Bojaxhiu – Nâna jonë Tereze: “Të besosh domethanë të jetosh […] Besimi âsht e vetmja gjë që qensisht âsht e jona[6]”. Në Letrën e parë të Gjonit dëshmohet: “Hyji âsht dashuní, dhe, kush mbetet në dashuní, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të” (1Gjn 4, 11 – 16) dhe se lutja që i drejtohet Hyjit “[…] âsht kërkim i Zotit, por edhe zbulim i Zotit. Përmes saj, Zoti zbulohet si krijues dhe Atë, si Shëlbues, si shpirt që ‘rrëmon çdo gjë, edhe thellësitë e Zotit’ (1 Kor 2, 10) dhe para së gjithash ‘fshehtsí e zemrës njerzore’ (krah Ps 43/44, 22).
Atë Pashko Gojçaj e shqipton me bindje rândsinë e shumfishtë të besimit në Hyjin dhe në Birin e tij, Krishtin,
Ti u ngjalle për ne,
e na ngjallemi nëpërmjet Tejet!
(Gjithmonë me Krishtin)
Në kushte të rânda jete njeriu ynë qëndroi dhe nuk u gjunjizue edhe kur i mungoi shumëçka, prandaj: “Shpirtin e ushqejshim me fjalën e Zotit”.
Vuajtjet dhe kryqëzimin e Krishtit në kryq poeti e lidh pandërmjetsisht me vuejtjet e njeriut e të popullit tonë nëpër rrjedhë të kohëve:
O Jezus!
Sa të ngjashme
e patëm të kaluemen me Ty!?
(Gjithmonë me Krishtin)
nga se “Kjem të pasun me skamje / deri në ankim” (Pasunija e skamjes”).
Atdheu dhe besimi apo Për atme e fé
Shkrimtarët tanë, veçmas ata të traditës, dashuninë për atdheun dhe për Hyjin e shprehen me togfjalshin Atme e fé. Disa prej tyne mâ vonë këtë e këmbyen me shprehjen Atme e art, që dëshmohet me veprat e tyne të rrafshit të lartë poetik.
Nga të dhânat që njihen deri me sot bamja e atdheut objekt vështrimi poetik e të dashunisë për të, dëshmohet te Gjon Bdek Buzuku, përkatësisht në “Mesharin”.
E përmenda ma parë faktin se në poezinë e tretë (prej katër poezive të hartuara në shëmbëllesë të psalmeve), Buzuku shkruan se lutej edhe për gjithë njerzit e mi dhe të gjakut tim[7], ndërsa në “Pasthânjen” e veprës ai i përmend arsyet pse e hartoi dhe e botoi librin: “U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue ụ kujtuom shumâ herë se gluha jonë nukë kish gjā të ņdigluom ņ së Shkruomit shenjtë, ņ së dashunit së botësë sanë desha me ụ fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ņdiglonjinë, përse ata të mundë mernë sā i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi ta duonë m gjithë zemâr”.
Pjetër Budi (63 vjet ma vonë se Buzuku) thotë se përkthimet, po edhe poezitë e hartuara nga ai (dhe disa të hartuara nga Pali prej Hasit) i botoi për shpëtimin e shpirtit të popullit të tij, të priftrijve, të besimtarëve dhe të fitimit të parajsës qiellore: “[…] ishnë për të madhe ndihmâ e frujt të shpīrtit t atī populli e aqë mā tepërë të disa priftëne, qi dëshërojnë me i pasunë[8]”.
Edhe Pjetër Bogdani në “Cuneus Prophetarum” (1685) shkruen se e hartoi veprën për të qenë nji dritë për njerëzit e botës së Arbënit të tij: “[…] per të shërbyem dheut dëshërova mirë filli […] ashtu qi kur të kthenji prej dheut sinë te keshë nji Qirí ndezunë ndorë, për të ndritunë atë të vobek dhé t’Arbënit…”
Dëshmi e vazhdimsisë së kësaj tradite – dashuninë për atdheun – janë edhe poezitë e atë Pashko Gojçajt që botohen në ketë libër.
Atdheu për poetin âsht vendi – altari i shpirtit dhe i mendjes; në të njeriu e përligj veten, gjallimin dhe frymmarrjen, po dhe besimin në Hyjin dhe në hirin e tij. Pa atdhe gjithçka bâhet e kotë, e paqenë. Për poetin Gjojçaj atdheu âsht:
Aty ku Zoti adhurohet,
Aty ku ruhet Besa […]
Aty ku jeta jetohet,
Aty ku nuk shuhen brezat,
Aty ku shpresa nuk vdes kurrë […]
Njeri për të lind,
për të jeton
për të vdes!?
(Elteri i atdheut)
Edhe gjuha shqipe, gjuha ême, gjuha e nânës – përbasi ma i rândsishëm i identitetit të njeriut, me të cilën poetët e përftojnë artin, për Gojçajn âsht thesari kryesor që lidhet ngushtë me jetën, me dashuninë për atdheun dhe me trashigiminë shpirtnore të njerzve dhe të botës që ai i përket.
Gjuha ême âsht gjuha e martirve tanë,
âsht gjuha e xhubletës […]
âsht gjuha e dashtnisë.
U linda me të,
U përkuna me të,
U rrita me të
U plaka me të.
(Gjuha ême)
Tundimet e njeriut dhe ligsitë e kohës
Në poezinë e vet poeti Gojçaj i vështron nji varg dukunish të jetës e të fatit të njeriut, që lidhen kryesisht me të tashmen. Mirëpo, në disa sosh i vështron edhe ato të kaluemes. Kjo vërehet veçmas te poezitë përkushtuese si ato për Nânën Tereze, për Fishtën etj.; mbrenda të tashmes janë dy të tretat e së kaluemes.
Poetin tonë e shqetson sidomos e sotmja, dukunitë e saj; trazimet dhe ligsitë e shumta që e cilësojnë; njeriun jeton vetëm për lavdinë e vet, që e çon në vetë rrënim. Sikur e ka harrue detyrën e tij të shêjtë që të jetë i njerzishëm, të punojë natë e ditë për përparimin e vet dhe për lehtsimin e vështirsive të jetës; me e dashtë dhe me çmue tjetrin si veten, siç thuhet në Bibël. Pra, poetin e shqetson shprishja shpirtnore e njeriut të kohës së tij: Tue i sjellë në vend, humbja e identitetit, gjâ që vërehet në veprimet e përditshme, në ligsitë që i dëshmon për veten e për tjetrin; pushtimet dhe luftat si shëmtimi mâ i madh.
Njeri sot don me kênë ai që nuk âsht
e nuk mundet me kênë.
Don mos me kênë ai që âsht
e nuk mundet me dalë jasht lëkuret.
Don me kênë gjithëkush tjetër, por jo ai që âsht.
(Kriza e identitetit)
Atë Gojçaj i vështron dukunitë e tilla të liga i vetdijshëm se njeriu në dritën e vërtetsisë së tyne do të kthehet kah mirsija dhe njerzorja, kah hiri i Hyjit, dhe, si thuhet në Psalmin (147, 1): Bukur âsht t’i këndosh himne Hyjit tonë / âsht knaqsí t’i ngritësh lavdime, synim që përmbushet vetëm:
Aty ku ka besim ka edhe besë (Sa afër aq larg).
Në ketë mënyrë njeriu ka me heqë dorë prej të këqijave simbas asaj që thoshte Nietsche (Niçe): “Çdo njeri, çdo popull, që të jetojë dhe të tregojë (dëshmojë) vetveten, para së gjithash, duhet me e rregullue kaosin, që gjendet mbrenda ûnit të tij[9]”; duhet me u bâ i vetdijshëm se koha âsht e vlefshme, ajo âsht hir, âsht mundsí, prandaj dhe duhet të shfrytëzohet:
Koha âsht hir, âsht lutje
âsht ballafaqim, âsht frymzim….
âsht mundsí që nji herë shfrytzohet.
(Koha)
Veçantia poezive të atë Pashko Gojçajt të botuemea në ketë libër përligjet nga tânsija e tyne, e jo nga të shprehunit mbrenda vargut – pjesve të tij. Qensia e tekstit del nga ballafaqimi dhe përplasja, nga kundërvumja e të shprehunit, nga pamjet e përftueme me përkushtim, nga forca dhe tânsija e mesazhit që dëshmohet brenda nji poezie dhe si i tillë ban ndikim të dukshëm estetik.
Gjuha që përdor atë Gojçaj âsht e veçantë dhe e pasun; ajo ndërlidhet me nji pjesë të madhe të traditës sonë letrare të shkrueme në gegnisht.
Në bazë të asaj që u vështrue ma nalt mund të them përmbledhtas se poezitë e këtij libri me veçantitë dhe me vlerat që kanë kanë me u mirëpritë dhe me u lexue me ândje nga lexuesit.
Prishtinë, korrik 2025
ANTON NIKË BERISHA
[1] Si e vështruen poetët tanë Hyjin dhe botën hyjnore shih më gjânsisht në Parathënien time Qenësia e hyjit dhe e mbretërisë hyjnore në poezinë tonë në veprën time “Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019”. Faik Konica, Prishtinë 2020, f. 7 – 29.
[2] Shih studimet e mija “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014 dhe Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.
[3] Shih “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e dytë. Faksimile dhe transkribim fonetik. Universiteti shtetëror i Tiranës. Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968, f. 54 – 55.
[4] Shih studimin tim Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Pellegrini Editore, Cosenza 2016, f. 83 – 86.
Teksti i plotë i Psalmit të tretë hartuar nga Buzuku:
O Zot i gjallëvet e i vdekunet,
Shelbuosi i gjithëve,
qi ti z do mortnë e t përkatënuomit,
ma aj të konvertonetë e të gjellinji, ņdijemë,
u tӯ të lus, e m ī afërë muo Dom Gjonit.
E muo shkatëro të shkruomitë e gjithë katet mive.
E tӯ tue t u pëlqyem, përzë oratëtë e mī
qi u m tӯ përdā, për muo
e për gjithë njerëzit të mī ņ gjakut sim,
e për miq të mī e pr anëmiqt të mī,
për të gjallë porsi për të vdekurnitë.
(Nga “Meshari”, XIX)
[5] Për Budin Hyji âsht krijuesi i të gjitha gjânave, edhe i njeriut, prandaj dëshiron që poezia që kishte përftue në gjuhën shqipe me i pëlqye para së gjithash Atij. Në qoftë se ato poezi do t’i pëlqejnë të Gjithëpushtetshmit dhe të mëshirshëm, atëherë âsht e natyrshme se do t’u pëlqejnë edhe njerzve, krijesave të tij, në rastin konkret të arbnorëve.
Tashti të lus, ndritmë muo,
Zoti im, me nji rrezē,
Si të jetë urdhënuom
Shpīrtit shint prej tē.
Shqip të mudënj me rrëfyem
Ndōnji kankë të rē,
Qi mbi qiellt t’ish pëlqyem
Përpara tȳ ke jē.
Shih poezinë Këtu apmë lëvd Tinëzot për të mëdhāt mëshrërier të tij. Në “Dottrina Christiana”. Composta per ordine della fel..me DI PAPA CLEMENTE VIII. Dal R.P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di GIESV. Adesso Cardinale di santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua Albanese DAL REVER. DON PIETRO BVDI da Pietro Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zanetti, 1618, con Licenza di superiori, f. 220. Tekstin e mora nga vëllimi Pjetër Budi. Poezi. Prishtinë 2006, f. 245.
[6] Thirsting for God. A Yearbook of Prayers, Meditations, Anevdots, Edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servan Books, Ann Arbor (USA) 2000, f. 114. Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 195. Shih dhe mendimin e Nënës Tereze në Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali. Città Nuova Editrice, Roma, X edizione, 2005, f. 8.
[7] Shih studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku, vep. e përm., f. 44.
[8] Po aty, f. 2.
[9] Shih Anton Nikë Berisha, Hyu dhe mbretëria hyjnore në poezinë shqipe. Në “Burim drite e dashurie. Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1618-1998”. “Shpresa”, Prishtinë 1999, f. 5- 6; shih dhe Parathënien time Qenësia e hyjit dhe e mbretërisë hyjnore në poezinë tonë në veprën time “Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019”. Faik Konica, Prishtinë 2020, f. 7 – 29.











