Shqetësime rreth kolonializmit modern në Ballkan:
Nga Safet SADIKU
Kolonializmi modern në Ballkan i referohet praktikave të ndikimit të thellë politik, ekonomik dhe kulturor që shtete apo aktorë të jashtëm (të rajonit ose ndërkombëtarë) ushtrojnë mbi vendet e Ballkanit, jo përmes pushtimit ushtarak si në kolonializmin klasik, por përmes kontrollit ekonomik, varësisë energjetike, ndikimit në media, investimeve të kushtëzuara dhe mekanizmave diplomatikë që minojnë sovranitetin kombëtar dhe zhvillimin e pavarur të këtyre vendeve.
Ky titullim i këtij vlerësimi në formën e shkruar, nënkupton shqyrtimin kritik të mundësisë që Shqipëria, në përpjekjet e saj për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal (p.sh., përmes nismave si Ballkani i Hapur), të ketë rënë në një pozitë ndikimi të tepruar nga Serbia, ku vendimet strategjike ekonomike dhe politike mund të jenë të ndikuara apo të orientuara nga interesat serbe në rajon, duke rrezikuar interesat kombëtare shqiptare dhe barazinë në bashkëpunimet rajonale.
Në një botë ku kolonializmi tradicional me pushtim ushtarak, aneksim territoresh dhe vendosje administrate të huaj konsiderohet tashmë i tejkaluar nga koha dhe historia, janë shfaqur forma të reja të ndikimit politik dhe ekonomik të një shteti mbi një tjetër, të cilat, ndonëse më të sofistikuara në paraqitje, nuk janë më pak të rrezikshme për sovranitetin dhe të ardhmen e shteteve me institucione të brishta, ekonomi të dobët dhe mungesë llogaridhënieje demokratike.
Në këtë kontekst të ri global, ku fuqitë rajonale kërkojnë të zgjerojnë sferën e tyre të ndikimit nëpërmjet mjeteve të buta, marrëveshjeve “strategjike”, projekteve të zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal të kontrolluar, lind nevoja për një analizë të thelluar mbi mundësinë e nënshtrimit të Shqipërisë ndaj një forme të kolonializmit të ri nga ana e Serbisë, e cila, ndonëse e goditur nga pasojat e shpërbërjes së Jugosllavisë, duket se ka ruajtur një projekt të heshtur për rikthimin e dominimit në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila në dekadat e fundit ka treguar një tolerancë të tepruar ndaj influencës së saj politike dhe ekonomike.
1) Çfarë është kolonizimi? Kolonizimi është një proces përmes të cilit një shtet (kolonizuesi) merr kontrollin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi një territor tjetër dhe e administron atë në funksion të interesave të veta politike, ekonomike, ushtarake apo kulturore. Kolonizimi tradicional ka ndodhur me pushtimin e territoreve dhe vendosjen e administratës së kolonizatorit në atë vend (si rasti i Britanisë në Indi, apo Francës në Algjeri etj).
a) Kolonializmi modern dhe metodat e reja të ndikimit janë të pranishme kudo në të gjitha kontinentet. Në kohët moderne, kolonializmi nuk ndodh më me ushtri, por me dominim ekonomik dhe projekte strategjike, ndikim politik përmes elitave të blera ose të varura, institucione të dobëta dhe korrupsion të lartë në vendin që ndikohet.
a) Marrëveshje të fshehta ose “të klasifikuara” për investime, tregti, apo infrastrukturë. Kapjen e institucioneve të drejtësisë, medias dhe administratës publike. Ky fenomen njihet ndryshe si neokolonializëm.
2) Kuptimi i kolonializmit dhe format moderne të tij, na dëshmojnë se kolonializmi, si koncept historik, përfshin procesin transformues përmes të cilit një shtet i fuqishëm pushton, administron dhe shfrytëzon një territor tjetër për qëllime ekonomike, politike apo kulturore, duke e zhveshur popullsinë vendëse nga vendimmarrja dhe duke instaluar një sistem dominimi të përhershëm. Megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore dhe dekolonizimit të shumicës së vendeve afrikane dhe aziatike, praktikat e pushtimit ushtarak u zëvendësuan me forma më të rafinuara të ndërhyrjes dhe kontrollit, ku pushtuesi nuk ka më nevojë të vendosë ushtri në një vend për ta sunduar atë, por e bën këtë nëpërmjet politikave të varësisë ekonomike, projekteve të investimeve që vijnë me kushte të rënda politike, ndikimit në median dhe drejtësinë vendore, si dhe përmes kapjes së elitave politike, të cilat në shumë raste shërbejnë si zgjatime të interesave të huaja. Kjo qasje e re, e quajtur shpesh neokolonializëm, është më pak e dukshme por më e qëndrueshme, sepse rrënjoset thellë në sistemin e një shteti, duke e bërë vështirë të ndryshohet edhe kur pushteti politik ndërrohet.
3) Në dritën e fakteve të mësipërme, nuk është aspak e ekzagjeruar të ngrihen shqetësime serioze se Shqipëria, ndonëse formalisht shtet sovran, po i afrohet gjithnjë e më shumë një forme të nënshtrimit të heshtur ndaj Serbisë, nëpërmjet instrumenteve të ashtuquajtura “të zhvillimit ekonomik”, të cilat, në mungesë të transparencës, llogaridhënies dhe fuqisë reale për të mbrojtur interesin kombëtar, rrezikojnë të përkthehen në humbje të pavarësisë vendimmarrëse, dobësim të pozitës së Shqipërisë në rajon dhe, më e rëndësishmja, në anashkalim të heshtur ndaj interesave afatgjata të kombit shqiptar. Historia na ka mësuar se kolonializmi nuk ka nevojë për tanke për të pushtuar një vend, por mjaftojnë marrëveshje të errëta, sidomos kur projektet që nuk kalojnë në filtrin demokratik të institucioneve dhe kur një klasë politike duket hapur se, „po vepron më shumë si agjente e interesave të jashtme“, sesa si përfaqësuese e vullnetit të qytetarëve të saj.
Prandaj, në një kohë kur lufta për dominim nuk bëhet më me armë, por me banka, kontrata dhe kontroll mbi rrjetet e komunikimit dhe tregtisë, shtetet si Shqipëria, të cilat përballen me dobësi të mëdha institucionale, mungesë të sigurisë kombëtare dhe një popullsi të zhgënjyer që largohet masivisht, janë pikërisht ato më të rrezikuarat të bien nën ndikimin e kolonializmit modern, të maskuar me emrin e zhvillimit dhe integrimit. Qytetarët shqiptarë, shoqëria civile dhe elitat mendore duhet të jenë vigjilente përballë këtij rreziku, sepse nëse sot nuk ka tanke në rrugë, kjo nuk do të thotë që vendi nuk po pushtohet, ndoshta jo me forcë, por me heshtje, me aksidente të planifikuara, dhe me marrëveshje të fshehta dhe me indiferencën që vret më shumë se çdo armik i jashtëm.
4) Shqipëria dhe Serbia janë në një marrëdhënie ekonomike të pabarabartë, e cila është në rritje e sipër? Nëse marrim në shqyrtim marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në dekadat e fundit, vërejmë një tendencë të qartë të përmbysjes së balancës politike dhe diplomatike, ku Shqipëria, pavarësisht retorikës së qëndrimeve parimore ndaj Kosovës, në praktikë ka toleruar e madje ka përkrahur nisma që në thelb konsolidojnë rolin rajonal të Serbisë. Iniciativa si Ballkani i Hapur, e cila u promovua si një projekt ekonomik që do të lehtësonte lëvizjen e mallrave, kapitalit dhe njerëzve në Ballkanin Perëndimor, ka ngritur shqetësime serioze në qarqe akademike dhe politike për faktin se mund të kthehet në një mjet të ri për dominim të Serbisë në rajon, duke shfrytëzuar avantazhet e saj industriale, lidhjet e forta me Rusinë dhe Kinën, si dhe mbështetjen e disa strukturave perëndimore që e shohin Serbinë si një partner strategjik për ruajtjen e stabilitetit.
Ende më shqetësuese është fakti, që shumë marrëveshje ekonomike ndërmjet Tiranës dhe Beogradit janë klasifikuar si “sekrete”, duke përjashtuar opinionin publik dhe parlamentin nga procesi i miratimit të tyre, çka përbën një shkelje të rëndë të parimeve demokratike dhe e bën edhe më të dyshimtë natyrën e këtyre projekteve. Kur këtij zhvillimi i shtojmë edhe faktin se Shqipëria vuan nga një nivel i lartë korrupsioni, mungesë e administratës profesionale dhe një sistem të drejtësisë ende në tranzicion, krijohet një realitet në të cilin vendi është i pambrojtur përballë projekteve të huaja që, nën petkun e bashkëpunimit ekonomik, sjellin nënshtrim politik dhe ekonomik afatgjatë.
5) Parakushtet e nënshtrimit dhe realiteti i brendshëm i Shqipërisë, si bazë e kolonializmit modern është shumë i pranishëm. Nëse do të analizojmë seriozisht se si dhe pse një shtet, qoftë edhe formalisht i pavarur, bie nën ndikimin ekonomik, politik dhe kulturor të një shteti tjetër më të fuqishëm, pa patur nevojë për pushtim të drejtpërdrejtë, nuk mund të anashkalojmë gjendjen e brendshme të atij vendi, e cila në rastin e Shqipërisë përmbush pothuajse të gjitha parakushtet që e bëjnë një shtet të prekshëm ndaj formave të reja të kolonializmit modern, të maskuar si “bashkëpunim rajonal”, “zhvillim ekonomik” apo “integrim”.
Në radhë të parë, zhgënjimi i thellë dhe i përhapur i qytetarëve shqiptarë ndaj klasës politike, sistemit shtetëror dhe institucioneve publike, ka krijuar një klimë apatie të rrezikshme, ku populli nuk beson më në mundësinë e ndryshimit, nuk sheh perspektivë brenda vendit, dhe në vend të rezistencës, zgjedh shpëtimin individual përmes emigrimit masiv. Kur një shtet humbet kapitalin e tij më të madh, besimin e qytetarëve…, atëherë bëhet shumë më e lehtë për një fuqi tjetër të hyjë dhe të ofrojë “zgjidhje të gatshme”, të cilat në pamje të parë duken si ndihmë, por në thelb janë mekanizma për të kontrolluar politikën, ekonominë dhe opinionin publik.
Së dyti, administrata shtetërore shqiptare është në krizë të thellë funksionaliteti, e dobësuar nga reformat e pamenduara mirë, nga mungesa e profesionalizmit, nga kapja e plotë nga politika dhe nga shpopullimi i pandalshëm i vendit. Një administratë që nuk funksionon, nuk mund të mbrojë interesin publik në negociata ndërkombëtare, sepse nuk është në gjendje të analizojë kostot dhe përfitimet e projekteve të huaja, dhe as të kontrollojë mënyrën e zbatimit të tyre. Kjo dobësi administrative i hap rrugën veprimeve, që çdo projekt që vjen nga jashtë, qofte nga Serbia, Kina apo hyrje të dyshimta dhe të pakonfirmuara si burime financiare, të pranohet pa kushte dhe pa kontroll, thjesht për arsye politike apo për përfitime afatshkurtra për individët në pushtet.
Një tjetër element i rëndësishëm është kolapsi i sistemit të drejtësisë, i cili, edhe pas reformës që u promovua si shpëtimtare, ende nuk ka arritur të funksionojë në mënyrë të pavarur, të besueshme dhe efikase. Pa një sistem të drejtësisë që funksionon, asnjë marrëveshje nuk mund të shqyrtohet nëse është në përputhje me ligjin, dhe asnjë zyrtar nuk mbahet përgjegjës për anashkalim dhe sabotim apo abuzim me interesin publik, dhe asnjë qytetar nuk ka mundësi reale të kërkojë të drejtën e vet kundër institucioneve. Drejtësia e dobët është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo formë e pushtetit të korruptuar dhe çdo projekt i huaj që kërkon të shfrytëzojë dobësitë e shtetit për përfitime të veta.
Për më tepër, varfëria ekstreme, mungesa e punës, pabarazitë sociale dhe largimi masiv i të rinjve, kanë krijuar një klimë dëshpërimi që është shndërruar në normalitet. Kur shumica e njerëzve mendojnë vetëm për të ikur nga vendi dhe jo për të kërkuar llogari apo për të protestuar, krijohet një boshllëk social dhe politik që mbushet me agjenda të huaja, të cilat nuk hasin në asnjë rezistencë. Ky boshllëk nuk është i rastësishëm, por është pikërisht gjendja që i duhet një fuqie që kërkon të vendosë ndikimin e saj në një vend tjetër, pa pasur nevojë për përplasje apo ndërhyrje të hapur.
Në një klimë ku shpresa është zëvendësuar me ikje, institucionet janë zëvendësuar me interesa personale, dhe interesi publik është zëvendësuar me heshtje kolektive, Shqipëria rrezikon realisht të mos jetë më një aktor i lirë në vendimmarrjen e saj, por një zonë ndikimi, një “zonë tampon” në duart e interesave të mëdha rajonale, ku në emër të zhvillimit ekonomik, humbet identiteti shtetëror, sovraniteti dhe e drejta për të vendosur mbi të ardhmen e vet.
Pyetja ime është kjo: A po i nënshtrohet Shqipëria një forme të re kolonizimi nga Serbia, përmes mjeteve të sofistikuara administrative në kohën moderne? Studiuesi i këtyre çështjeve, Eilat Hans, i cili ka dokumentuar për tematikën “kolonizimi administrativ”, thekson se, “parakushtet dhe faktorët që bëjnë të mundur në formë një shtet të bjerë nën mbikëqyrje administrative të një shteti tjetër, ose të kthehet në koloni të një fuqie më të madhe, shpesh fshihen pas justifikimeve si tregtia dhe zhvillimi ekonomik.” Unë e kam fjalën për Shqipërinë e ditëve të sotme, e cila duket se po i nënshtrohet ndikimit të Serbisë në shumë aspekte; ekonomikisht, politikisht dhe institucionalisht. Kjo nuk ndodh në mënyrë të hapur, por përmes një vargu marrëveshjesh, iniciativash rajonale dhe ndikimesh që krijojnë varësi të ndërsjellta, ku Shqipëria duket se po jep më shumë sesa merr ose viteve të fundit, Shqipëria jonë po i nështrohet Serbisë me çdo gjë.
6) Disa shembuj konkretë: Në dritën e fakteve të mësipërme, nuk është aspak e ekzagjeruar të ngrihen shqetësime serioze se Shqipëria, ndonëse formalisht shtet sovran, po i afrohet gjithnjë e më shumë një forme të nënshtrimit të heshtur ndaj Serbisë, e cila përmes projekteve rajonale si Ballkani i Hapur, të cilin shumë dëshmi të analizuara e kanë cilësuar si një tentativë për rikthimin e ndikimit jugosllav pa flamur jugosllav, po ndërton një infrastrukturë politike dhe ekonomike që i jep asaj akses në tregjet, portet dhe institucionet e vendeve fqinje, përfshirë Shqipërinë, e cila për habi shpesh tregon më shumë zell për të zbatuar kërkesat e Beogradit sesa për të mbrojtur interesat e veta apo të Kosovës.
Një shembull konkret i kësaj prirjeje është rasti i Portit të Durrësit, i cili, megjithëse projektet zyrtare flasin për investime nga Emiratet e Bashkuara, përsëri edhe ky projekt është parë gjithnjë e më tepër si një portë strategjike, që Serbia kërkon të shfrytëzojë për të pasur dalje në det. Kjo është një ambicie e vjetër e Serbisë, që daton që nga koha e Nikolla Pashiqit. Kjo ambicie është ringjallur në mënyrë më të butë përmes projekteve infrastrukturore të bashkëpunimit rajonal, përfshirë linjën hekurudhore Beograd–Durrës, e cila në pamje të parë paraqitet si një mundësi për rritjen e lidhjeve tregtare, por në fakt mund të kthehet në një varësi të njëanshme ku Serbia përfiton akses strategjik në një port ndërkombëtar, ndërsa Shqipëria nuk përfiton asnjë levë të ngjashme në territorin serb.
Një tjetër shembull shqetësues është mënyra se si Shqipëria ka heshtur në mënyrë konsistente ndaj politikave agresive të Serbisë, që po aplikon në mënyrë aktive ndaj Kosovës, përfshirë organizimin e fushatave të egra për tërheqjen e njohjeve ndërkombëtare apo sabotimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës apo Interpoli. Në vend që të ngrejë zërin në mbrojtje të Kosovës, Shqipëria shpesh është fokusuar në takime e forume me presidentin Vuçiq, duke përsëritur retorikën e bashkëpunimit ekonomik, ndërkohë që Serbia mban lidhje të forta ushtarake me Rusinë dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Një nga zërat, ish diplomat gjerman në një koment ironik por kuptimplotë, ka thënë se “që nga koha e Nikolla Pashiqit, Serbia nuk ka pasur një klasë poltike më të dëgjueshëm, në funksion të arritjes së qëllimeve të saja, se sa në dekadat e fundit të tranzicionit”, një deklaratë që, edhe pse jo zyrtare, pasqyron qartë perceptimin ndërkombëtar për mënyrën se si Shqipëria po i nënshtrohet ndikimit serb.
Rasti i fundit, ku Shqipëria nuk reagoi fuqishëm ndaj përpjekjeve të Serbisë për ta ndaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, apo heshtja përpara vendimeve të dëmshme të Serbisë në raport me mërgatën shqiptare dhe me Kosovën Lindore, janë tregues seriozë të një devijimi të thellë nga politika tradicionale kombëtare. Nëse këtyre u shtojmë edhe faktin që shumë vendime të rëndësishme ekonomike, si privatizimi i aseteve strategjike, menaxhimi i burimeve ujore dhe energjetike, apo dhënia e koncesioneve të mëdha janë marrë me mungesë totale transparence, pa konsultim publik dhe pa kontroll parlamentar efektiv, atëherë krijohet një tablo e qartë ku elita politike e Tiranës vepron më shumë në funksion të një agjende të jashtme, sesa në përputhje me interesat afatgjata të vendit.
Në këtë mënyrë, bëhet e qartë se kolonializmi i ri nuk kërkon më ushtarë, tanke apo flamuj të huaj. Ai vepron përmes një elite politike të gatshme të nënshkruajë marrëveshje të pabarabarta, përmes projekteve të ndërtuara mbi mungesën e transparencës dhe përmes një sistemi institucional të dobët që nuk ka mekanizma për të mbrojtur interesin publik. Shqipëria, për fat të keq, i plotëson shumë nga këta faktorë: korrupsion i lartë, drejtësi e paqëndrueshme, mungesë e transparencës në kontratat ndërkombëtare, dhe një klasë politike që shpesh herë vendos interesat personale dhe politike mbi ato kombëtare.
Prandaj, nëse qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë me përkujdesje të shtuar llogaridhënie, transparencë, dhe mbi të gjitha, mbrojtjen e sovranitetit kombëtar si vlerë thelbësore e shtetësisë, rrezikojmë që vendi të kthehet në një koloni moderne, pra jo me tanke në rrugë, por me borxhe, kontrata të fshehta, dhe një elitë që shërben më shumë si zgjatim i interesave të huaja sesa si mbrojtëse e së ardhmes së Shqipërisë. Kolonializmi i sotëm nuk mbërrin me flamuj të huaj, por me heshtje, indiferencë dhe një shoqëri që nuk pyet më për të ardhmen.
7) A po i nënshtrohet Shqipëria kolonizimit të Serbisë? Kjo është një çështje e debatueshme dhe kërkon analiza të qeta, pa emocione politike. Po përmend disa shenja që mbështesin këtë shqetësim, pa pretenduar se janë prova të pakundërshtueshme.
Shembuj të ndikimit të mundshëm serb në Shqipëri:
a) Minishengeni Ballkanik (tani “Ballkani i Hapur”) është parë nga disa ekspertë evropianë dhe analistë vendorë si një mënyrë për t’i hapur Serbisë rrugë drejt detit përmes Shqipërisë dhe për të dominuar ekonomitë më të vogla përreth.
b) Politika e jashtme e Shqipërisë është shpesh shumë e butë ndaj Serbisë, ndërkohë që kjo e fundit nuk ndryshon qëndrimet ndaj Kosovës.
Diplomatë europianë (si rasti i përmendur më sipër) kanë akuzuar në mënyrë joformale, se Shqipëria vepron shpesh si “satelit politik” i Serbisë në rajon.
Mungesa e transparencës në marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, dhe klasifikimi i tyre si “sekrete shtetërore” ngre dyshime legjitime.
c) Parakushtet që një vend të bjerë nën ndikimin ose kontrollin e një shteti tjetër. Ja disa faktorë kyç që krijojnë kushte për kolonizim modern ose “kapje të shtetit”:
| Faktorët | Përshkrimi |
| Institucione të dobëta | Shteti nuk ka administratë funksionale, dhe institucionet varen nga individë, jo nga ligji. |
| Korrupsion i lartë | Politikanët shesin interesat kombëtare për përfitime personale ose mbështetje politike. |
| Varësi ekonomike | Kur një shtet nuk ka industri, energji ose burime të veta, ai pranon kushte të dëmshme nga të tjerët. |
| Mosfunksionimi i drejtësisë | S’ka llogaridhënie për marrëveshje të fshehta, korrupsion, apo abuzime me pushtetin. |
| Humbja e besimit nga qytetarët | Kur qytetarët janë të zhgënjyer, apatikë, ose largohen masivisht nga vendi, ndikimi i jashtëm rritet. |
Mjerisht të gjitha këto parakushte të paraqitura në tabelë, Shqipëria i plotëson në nivelin më të lartë të mundshëm.
Shembuj ndërkombëtarë janë rastet të ngjashme në Afrikë. Për të kuptuar më mirë se si ndodh nënshtrimi i një shteti përmes formave të buta të kolonializmit modern, mjafton të hedhim një sy në kontinentin afrikan, ku shumë shtete të pavarura në letër janë kthyer në vasale ekonomike të fuqive si Kina, Franca apo Turqia. Zambia, për shembull, në kërkim të zhvillimit të infrastrukturës së saj, ka nënshkruar marrëveshje të pafavorshme me Kinën, përmes të cilave u lejua shfrytëzimi i pasurive natyrore nga kompanitë kineze në këmbim të investimeve në rrugë dhe hekurudha, duke rezultuar në borxhe të mëdha dhe humbje të sovranitetit ekonomik.
Në mënyrë të ngjashme, Angola, një vend me pasuri të mëdha natyrore, u bë praktikisht i varur nga kreditë dhe investimet kineze, të cilat, ndonëse në pamje të parë i dhanë hov zhvillimit infrastrukturor, në realitet i dhanë Kinës kontroll të rëndësishëm mbi politikat ekonomike dhe burimet strategjike të vendit. Këto raste nuk janë të largëta nga ajo që mund të ndodhë nesër „edhe me de juro“ edhe në Shqipëri, nëse nuk mbikëqyren nga afër marrëveshjet me shtete të tjera, përfshirë ato me Serbinë, e cila, pavarësisht se nuk ka fuqinë ekonomike të Kinës, përdor metodologji të ngjashme për të konsoliduar ndikimin e saj në rajon, duke ofruar projekte “fitimprurëse”, që në realitet janë ura për të vendosur prani të përhershme në tregjet, institucionet dhe politikat e fqinjëve të saj.
Nëse i hedhim një vështrim më të gjerë shembujve ndërkombëtarë, rasti i Angolës me Kinën është tejet domethënës, pasi një vend i pasur me burime natyrore, por që, në përpjekje për të ndërtuar infrastrukturën e shkatërruar nga lufta, u zhyt në borxhe kolosale ndaj Kinës dhe lejoi kompanitë kineze të kontrollojnë sektorin e naftës dhe ndërtimit për dekada. Në mënyrë të ngjashme, Zambia dha nën koncesion minierat e saj të bakrit dhe sektorin hekurudhor në këmbim të projekteve të ndërtimit, por më pas humbi kontrollin ekonomik dhe politik mbi këto sektorë jetikë. Edhe në Sri Lanka, një tjetër shembull i kolonializmit modern, qeveria i dha Kinës portin strategjik Hambantota për 99 vjet, pasi nuk ishte në gjendje të shlyente borxhin. Padyshim një formë e re e “pushtimit ekonomik” që ndodh pa armë, por me kontrata dhe marrëveshje që fshehin pas vetes kosto të rënda për sovranitetin kombëtar.
8) Shembuj nga Afrika dhe shtetet që nënshkruan “kapitullimin ekonomik.“ Në përpjekje për të ilustruar konkretisht se si funksionon kolonializmi modern ekonomik dhe se si shtetet me institucione të dobëta bien nën ndikimin e fuqive më të mëdha, vlen të analizohen disa raste të vendeve afrikane që, në emër të zhvillimit infrastrukturor, ndihmës financiare dhe bashkëpunimit strategjik, pranuan marrëveshje thellësisht të pabarabarta, të cilat në praktikë sollën humbje të sovranitetit ekonomik dhe ndikim të drejtpërdrejtë politik nga partnerët më të fuqishëm. Këto raste, ndonëse të zhvilluara në një kontekst tjetër gjeografik, shërbejnë si paralajmërim i qartë për shtete si Shqipëria, të cilat ndodhen në një situatë të ngjashme për nga dobësia institucionale dhe mungesa e transparencës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
a) Angola dhe Kina: Rasti i Angolës është një shembull i qartë i asaj që studiuesit e zhvillimeve ndërkombëtare e quajnë “kapitullim i heshtur ekonomik”. Pas përfundimit të luftës civile, qeveria angolane, në përpjekje për të rindërtuar vendin dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, u përfshi në marrëveshje shumë të gjëra me Republikën Popullore të Kinës, e cila ofroi miliarda dollarë në kredi për ndërtimin e infrastrukturës; rrugë, ura, hidrocentrale dhe ndërtesa publike, por në këmbim kërkoi dhe përfitoi kontroll të drejtpërdrejtë mbi një pjesë të madhe të sektorit të burimeve natyrore, kryesisht naftës dhe mineraleve strategjike. Këto marrëveshje, në shumë raste të mbajtura të fshehta nga opinioni publik, nuk kaluan në asnjë proces transparent parlamentar dhe u negocuan nga një numër i vogël zyrtarësh të nivelit të lartë, duke krijuar një model të qartë të varësisë së njëanshme, ku Kina jo vetëm që përfitoi ekonomikisht, por fitoi edhe ndikim politik të theksuar në vendimmarrjen strategjike të Angolës.
b) Zambia dhe Kina: Një tjetër shembull domethënës është Zambia, një vend i pasur me burime natyrore, sidomos me bakër, e cila në përpjekje për të zhvilluar rrjetin e infrastrukturës dhe për të marrë fonde për buxhetin e shtetit, nënshkroi një sërë marrëveshjesh me qeverinë kineze dhe me kompani të mëdha shtetërore kineze. Në këmbim të ndërtimit të rrugëve, urave dhe projekteve të tjera publike, Zambia pranoi të jepte koncesione afatgjata për minierat më të rëndësishme të bakrit, duke i lënë kompanitë vendase pa konkurrencë dhe duke krijuar një realitet ku shteti humbi kontrollin real mbi sektorin më fitimprurës të ekonomisë së tij. Me kalimin e kohës, ndikimi kinez u zgjerua përtej ekonomisë dhe hyri edhe në sferën e politikës dhe të medias, duke krijuar një situatë ku çdo kritikë ndaj rolit të Kinës në vend shihej si kërcënim për “stabilitetin” dhe „zhvillimin“, si një narrativë shumë e njohur edhe në vende të tjera që përjetojnë kapje ekonomike të ngjashme.
c) Republika e Afrikës Qendrore dhe Franca: Ndryshe nga shembujt me Kinën, rasti i Republikës së Afrikës Qendrore pasqyron një formë më të vjetër të kolonializmit ekonomik, të trashëguar nga kolonializmi klasik, ku Franca, edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendeve frankofone afrikane, ruajti kontrollin ekonomik dhe politik përmes mekanizmave të “bashkëpunimit monetar” dhe “ndihmës ushtarake”. Vendi, si shumë të tjerë në rajon, përdor monedhën frangu CFA, e cila menaxhohet nga Banka Qendrore e Francës dhe ndikon drejtpërdrejt në politikat monetare dhe ekonomike të vendeve anëtare. Për më tepër, rezervat e arit të Republikës së Afrikës Qendrore ruhen në Paris, një praktikë që ka ngjallur polemika të mëdha dhe është cilësuar si një formë moderne e dominimit kolonial.
Edhe ndërhyrjet ushtarake të Francës në këtë vend, të justifikuara në emër të “sigurisë dhe rendit publik”, tregojnë se kontrolli politik i një fuqie të jashtme mund të ushtrohet përmes strukturave ushtarake dhe financiare, edhe pse vendi në letër është sovran. Këta shembuj tregojnë qartë se kapitullimi ekonomik nuk ndodh gjithmonë me forcë, por shpeshherë me një dorë të zgjatur “ndihme”, që në realitet fsheh pas vetes interesa strategjike afatgjata dhe një projekt të qartë për të ushtruar ndikim të vazhdueshëm në vendimmarrjen e shteteve më të dobëta. Ajo që i bashkon të gjitha këto raste është fakti se qeveritë në fjalë, të përballura me kriza ekonomike, mungesë transparence dhe presion të brendshëm politik, nënshkruan marrëveshje pa analizuar pasojat afatgjata, duke krijuar varësi të thella që më pas ishin pothuajse të pamundura për t’u zhbërë.
Sqarim: Afrika Qendrore është term politik, i cili përdoret për përcaktimin e regjionit qendrorë në kontinentin afrikan. Ky klasifikim politik, sipas dokumenteve të Kombeve të Bashkuara që e ndajnë Afrikën në rajone, përfshin njëmbëdhjetë shtete dhe ka një sipërfaqe prej rreth 5.491.253 km², me një popullsi prej afërsisht 99.503.690 banorësh, që i korrespondon një dendësie prej 18,1 banorë për km².
9) Shqipëria në rrezik? Kjo është një hipotezë që meriton debat të gjerë publik, me më shumë transparencë nga qeveria shqiptare. Nëse: a) Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të fshehta me Serbinë. b) Ka dhënë akses në porte, energji apo sektorë strategjikë. c) Ka marrë vendime në dëm të Kosovës ose interesave shqiptare. ç) Dhe vepron më shumë për interesat e një shteti tjetër se të vetin. Atëherë dyshimet për një formë të kolonializmit modern janë objektive.
a) Një hipotezë që kërkon transparencë, debat dhe llogaridhënie: Nëse marrim në konsideratë zhvillimet e dekadës së fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe në veçanti në Shqipëri, është e pamundur të anashkalohet një hipotezë që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në qarqet intelektuale, mediatike dhe diplomatike: a është Shqipëria duke u afruar gjithnjë e më tepër me një formë të kolonializmit modern të maskuar si bashkëpunim rajonal, i cili në fakt favorizon interesat e një shteti tjetër, konkretisht Serbisë, në kurriz të interesave të veta kombëtare dhe të kombit shqiptar në tërësi?
Kjo nuk është një teori konspirative në ajër, por një hipotezë e bazuar mbi indikatorë konkretë, e cila kërkon urgjentisht transparencë të plotë, debat publik dhe llogaridhënie institucionale, sidomos nga Qeveria shqiptare, e cila deri më tani ka shmangur me kujdes çdo sqarim serioz në lidhje me marrëveshjet e shumta që ka nënshkruar me Serbinë dhe përfshirjen e saj të pakushtëzuar në iniciativa të dyshimta si Ballkani i Hapur, i cili, sipas shumë ekspertëve të rajonit, përbën një rikthim të heshtur të projektit të vjetër të një mini-Jugosllavie, me Shqipërinë si pjesëmarrëse të plotë, dhe pa Kosovën si faktor të barabartë.
Nëse është e vërtetë, siç përflitet në media dhe në dokumente jo të deklasifikuara, që Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të fshehta ose dokumente të klasifikuara me Serbinë, ku përfshihen çështje të ndjeshme si akses në porte (si Durrësi apo Shëngjini), marrëveshjet energjetike që favorizojnë rrjetet rajonale me ndikim serb, apo leje për projekte infrastrukturore të përbashkëta që i japin Serbisë dalje të drejtpërdrejtë në detin Adriatik pa asnjë pagesë takse, atëherë kemi të bëjmë me një situatë ku interesi strategjik i shtetit shqiptar është vënë në pazar, pa ndonjë diskutim institucional dhe pa përfshirjen e opinionit publik. Këto zhvillime janë të ngjashme me rastet që pamë në Afrikë, ku marrëveshjet e “zhvillimit” rezultuan të jenë në thelb si marrëveshje për dorëzimin e resurseve dhe pozitave gjeostrategjike në këmbim të “ndihmës” nga një fuqi më e madhe. Për më tepër, kemi parë se në disa raste të rëndësishme diplomatike, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të butë ose neutral përballë sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës, duke krijuar përshtypjen se vepron më shumë si ndërmjetësues ose partner i Beogradit sesa si mbrojtëse e interesit kombëtar shqiptar në rajon.
Këtu lind pyetja thelbësore: nëse një shtet i dorëzon sektorët e vet strategjikë, vendimmarrjen politike dhe resurset kombëtare në duart e një shteti tjetër, në mënyrë të heshtur dhe të padiskutueshme, a nuk jemi atëherë përballë një forme moderne të kolonizimit, ndoshta jo me flamur, por me kontrata; jo me ushtri, por me influencë ekonomike dhe politike?
Shembujt nga Angola, Zambia, apo Republika e Afrikës Qendrore tregojnë se kapitullimi ekonomik nuk ndodh me një akt të vetëm, por me një seri vendimesh të vogla, të heshtura, të mbështetura në indiferencën e qytetarëve dhe në arrogancën e pushtetit, të cilat përfundimisht e zhveshin një vend nga aftësia për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.
Në këtë kuptim, hipoteza se Shqipëria ndodhet përpara një forme të kolonizimit të butë nga Serbia, përmes projekteve që promovohen si rajonale, por që realisht fuqizojnë Beogradin dhe dobësojnë Tiranën, nuk është më një çështje teorike, por një alarm që kërkon urgjentisht debat publik, transparencë të plotë mbi çdo marrëveshje, dhe përfshirjen e shoqërisë civile, mediave të lira dhe akademisë shqiptare në analizën kritike të vendimeve të mëdha që po merren sot për të ardhmen e vendit.
10) Një këndvështrim kritik…
a) Këto zhvillime nuk janë vetëm mes Shqipërisë dhe Serbisë, por ato janë pjesë e një lufte gjeopolitike mes Perëndimit, Rusisë, Kinës dhe fuqive rajonale për influencë në Ballkan.
b) Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë, llogari dhe mbrojtje të sovranitetit kombëtar.
c) Këto tema nuk duhet të mbesin tabu, por të debatohen me fakte, jo vetëm me emocione apo patriotizëm të verbër.
a) Gjeopolitika, sovraniteti dhe domosdoshmëria e debatit publik: Për të kuptuar më mirë zhvillimet aktuale në rajonin e Ballkanit dhe për të vendosur Shqipërinë në një kontekst më të gjerë strategjik, është e rëndësishme që çështjet e diskutuara deri tani të mos kufizohen vetëm në raportin dypalësh Shqipëri-Serbi, por të shihen si pjesë përbërëse e një konfrontimi shumë më kompleks dhe të sofistikuar, i cili ndodh ndërmjet fuqive të mëdha globale si Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina, të cilat, secila për llogari të vet, po kërkojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre në këtë rajon të brishtë, të trazuar dhe historikisht të paqëndrueshëm.
I ahtuquajturi Ballkani Perëndimor, për shkak të pozitës së tij gjeostrategjike si urë midis Lindjes dhe Perëndimit, dhe për shkak të historisë së tensionuar etnike dhe politike, është shndërruar prej kohësh në një “zonë loje” për interesa të mëdha gjeopolitike, ku vendet e vogla, si Shqipëria, shpesh nuk janë aktorë të barabartë, por thjesht objekte ndikimi të fuqive që operojnë përtej kufijve të tyre. Brenda kësaj loje shumëdimensionale, raportet Shqipëri-Serbi nuk mund të shihen të izoluara, pasi janë të ndërthurura me projektet më të mëdha të rajonit, si “Ballkani i Hapur”, (ndonëse ndikimi i SHBA-së e ka shtyrë këtë projekt nën hije hë për hë) për rrugët energjetike, ndikimi kinez përmes investimeve infrastrukturore dhe përpjekjet e Rusisë për të ruajtur një prani indirekte përmes aleatëve të saj tradicionalë në rajon. Në këtë realitet kompleks, qytetarët shqiptarë jo vetëm që kanë të drejtë, por kanë detyrimin qytetar të kërkojnë llogari nga institucionet dhe politikanët e tyre, të cilët shpeshherë marrin vendime me pasoja afatgjata pa ndonjë transparencë reale, pa debat publik dhe pa përfshirjen e ekspertizës së pavarur kombëtare.
Kërkesa për transparencë, për sqarim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për mbrojtjen e sovranitetit nuk është as shenjë populizmi dhe as thirrje nacionaliste. Përkundrazi, është një akt demokratik thelbësor, i cili synon të rivendosë besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe të sigurojë që interesi kombëtar nuk cenohet në emër të projekteve të huaja apo interesave të ngushta politike. Për këtë arsye, është e domosdoshme që temat që lidhen me sovranitetin, ekonominë kombëtare, marrëdhëniet me shtetet e rajonit dhe orientimin strategjik të Shqipërisë në botë, të mos mbeten tabu, të mbuluara nga retorika zyrtare ose të heshtura me arsyetime të thjeshta si “stabiliteti” apo “interesi rajonal”.
Debati për këto çështje duhet të jetë i hapur, i mbështetur në fakte të verifikueshme, analiza të thelluara dhe jo vetëm në emocione patriotike apo ndjenja të verbra nacionaliste, të cilat shpesh përdoren si mjet për të shmangur ballafaqimin me të vërtetat e pakëndshme. Vetëm një shoqëri që e ballafaqon vetveten me guxim dhe pa iluzione, mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme, të lirë dhe me dinjitet në skenën ndërkombëtare.











