Nga : Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Në Kishën e Famullisë së Binçës , me 4 gusht të këtij viti(2025) ku isha i ftuar edhe unë, janë promovuar në mënyrë solemne dhe dinjitetshëm katër libra(vepra) siç janë:
1. Mikel Summa arqipeshkëv i Shkupit(1695-1777),
2. Veprimtaria e Jezuitëve në popullin shqiptar,
3. Martirët shqiptarë dhe
4. Nderimi i Nënës së Zojës në Letnicë, të autorit Frok Zefit, tashmë i njohur si hulumtues dhe studiues dhe pasionuar, veprat e të cilit më së shumti lidhen me historinë e popullit shqiptar e më konkretisht me historinë e Arqipeshkvisë Shkup-Prizren, në 4 vëllime, që, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, mbetët kryevepra e tij…
II. Pak biografi për autorin
Frok Zefi (1961) është prift katolik, tashmë shumë i njohur si hulumtues dhe studiues i pasionuar dhe historian,veprat e të cilit, që janë të shumta, lidhen me historinë e popullit shqiptar dhe kryesisht me historinë e Arqipeshkvisë Shkup-Prizren.
Pas Shkollës fillore, Gjimnazin klasik”Paulinum” e ka kryer në Suboticë të Vojvodinës, ndërsa studimet e larta për filozifi dhe teologji, i ka vijuar në Gjakovo të Kroacisë, më pas në Sarajevë dhe Zagreb.
Në vitin 1989 është shuguruar meshtar për Ipeshkvinë Gjakovo-Osijek. Fillimisht ka shërbyer si kapelan dhe më pas si famullitar i kësaj ipeshkvie. Për tri vite ishte misionar në Misionin Katolik Kroat në Luksenburg.
Aktualusht është famullirar në Binçë, Dioqeza Prizren-Prishtinë.
Veprat e botuara:
– Don Pavao Sagagni, Instruktor albanskog jezika i odgojitelj klementinske mladezi, 1989 (në kroatisht),
– Mikel Summa, arqipeshkvi i Shkupit (1695-1777) (kroatisht dhe shqip),
– Shqiptarët kelmendas në Hrtkovvi e Nikonci, 1737-1997 (kroatisht dhe shqip),
– Argjipeshkvia Shkup-Ptizren, në 4 vëllime: Vëllimi i parë, shek. XVIII, në vitin 2000, në gjuhën shqipe, kurse në gjuhën kroate në vitin 2004, Vëllimi i dytë, shek. XVII, botuar në vitin 2006, në gjuhën kroate, Vëllimi i tretë, shek. XIX, pjesa e parë botuar në vitin 2008, në gjuhën kroate, Vëllimi i katërt, për shek. XIX, pjesa e dytë botuar në vitin 2022, në gjuhën kroate.
– Veprimtaria e Jezuitëve në popullin shqiptar, botuar në kroatisht në vitin 2002,
shqip në vitin 2024,
– Famullia e Binçës, botuat në vitin 2012,
– Famullia e Letnicës, botuar në gjuhën kroate, 2023,
– Matej Mazrek, Argjipeshkëv i Shkupit, kroatisht, 2023,
– Shënime historike për Argjipeshkvinë e Tivarit, kroatisht, 2018,
– Shënime historike mbi Ipeshkvinë e Sapës, 2018,
– Me Nënën Terezë në lutje, I dhe Ii, në kroatisht e në shqip (2014, 2021).
Vlen të theksohet se pothuaj të gjitha botimet në gjuhën shqipe dhe kroate i ka botuar Unioni i Bashkësive në Republikën e Kroacisë, ndërsa botimet e tij janë finansuar nga Qeveria e Republikës së Kroacisë.
Kur jemi te biografia e Frok Zefit, është me shumë rëndësi të theksojmë se ai, për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë, ishte i detyruar ta ndërpres punën dhe kërkimet tashmë prej disa vitesh dhe mu për këtë arsye ia ka dhuruar të gjitha dokumentet, fotokopjet, përshkrimet, mikrofilmat dhe shënimet Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë në Prishtinë, të cilat sipas tij, janë diku rreth 2000 dokumente, rreth 10.000 faqe (Vep. e cit. Mikel Summa, fq. 219).
III. Mikel Summa, arqipeshkvi i Shkupit (1695-177), Osijek, 2024, fq. 219.
Kjo vepër, një nga veprat më të dashura dhe më të pëlqyera prej autorit, është strukturuar në VIII kapituj dhe më këtë përmbajtje:
Kreu I
1.1. Origjina
1.2. Emri dhe mbiemri
1.3. Shkollimi
Kreu II
2 1. Misionar apostolik
2.2. Arqipeshkëv i Shkupit
2.3. Raportet zyrtare mbi arqipeshkvinë
2 4. Meshratët, që shërbyen si bashkëpunëtorë të Summës
Kreu III
3.1. Cilët janë shqiptarët kelmendas?
3.2. Tërheqja e arqipeshkvit
3.3. Së bashku me popullin në arrati
3.4. Arqipeshkëvi Mikel Summs nën mbrojtjen e oborrit perandorak
Kreu IV
4.1. Çfarë raportojnë burimet e asaj kohe mbi shpërnguljen e Summës?
4.2. Gjendja e arqipeshkvisë së Shkupit në mungësë të Summës
4.3. Misioni i Kelmendit në Srem
Kreu V
5.1. Rrethanat në Osijek në kohën e ardhjes së Summës
5 2. Qëndrimi i arqipeshkvit në Osijek dhe çështja e juridiksionit
5.3. Farefisi i arqipeshkvit në Osijek
Kreu VI
6.1. Komuniteti shqiptar në Osijek
6.2. Dy poezi të rastit
Kreu VII
7.1. Kronologjia e aktivitetit të arqipeshkvit në Osijek
7.1.1. Vitet 1741-1750
7.1.2. Vitet 1753-1759
7.1.3. Vitet 1760-1768
7.1 4. Vitet 1771-1776
Kreu VIII
8.1. Sëmundja dhe vdekja e arqipeshkvit Summa
8.3. Trashegimia e arqipeshkvit
8.3. Përmendorja, epitafi dhe varri i arqipeshkvit Summa
8.4. zStema e arqipeshkvit Summa
8.5. Busti i arqipeshkvit Summa
Konspekti i veprës shqip
Sazetak (hrvatski)
Shënime përmbyllëse
Burime studimore
a. Burime të pabotuara
b. Burime të botuara
Litersmatura
Shënime biografike
Pas kësaj pasqyre të lëndës vjen Hyrje (fq.11-15) dhe Parathënie (fq.17-18) që është mjaft përmbajtësore dhe me peshë.
Siç shihet edhe nga pasqyra e paraqitur e lëndës së kësaj vepre (monografie) shkencore, që ka 680 referenca, studiuesi Frok Zefi, ka hedh dritë, pothaj se të plotë, mbi figurën e arqipeshkvit të Shkupit, Mikel Summa, jeta e të cilit ka qenë në shërbim të Kishës dhe Kombit… Përveç paraqitjes me vërtetësi dhe objektivitet të personalitetit të M. Summës, studiuesi në fjalë, me pedanteri shkencore ka paraqitur në këtë vepër edhe problematikat sociale, ekonomike dhe tensionet që vinin, siç e konstaton me të drejtë edhe vetë studiuesi (vep. e cit. fq. 201) si rezulrat i luftrave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për të dalë nga robëria e pushtimit, si për Kosovën e asaj kohe ashtu edhe për Shqipërinë.
Sipas asaj që e ka vërrjtur autori dhe e ka vënë në dukje, kuptojmë se problemet e asaj kohe zgjatohen e vijnë të riformësuara deri në ditët tona, çka meriton vemendjen dhe kujdesin tonë (fq. 202). Në këtë vepër, që është kontributi më i çmueshëm deri me sot, në ndriçimin e figurës së këtij prelati kishtar të quajtur Mikel Summa, autori shpreh jo vetëm habinë por edhe “dëshprimin” edhe për faktin se si misionarët jezuitë në Kosovë (1888’1912), në vështrimet e tyre rreth historisë së arqipeshkvisë së Shkupit e kishin lënë mënjanë dhe në harresë figuren, emrin dhe veprën e arqipeshkvit Mikel Summa, duke mos e pasqyruar thuajse fare kohën dhe veprimtarinë e tij! (Vep. e cit. fq. 202).
IV. Në përmbyllje
Pa hyrë në analizë më të thellë të kësaj vepre me vlera shumështresore, le të theksojmë krejt në fund se autori, siç e ka thënë me shumë të drejtë edhe ai vet (Vep. e cit. fq. 203), ka arritur me shumë sukses dhe elegancë shkencore, të padiskutueshme, të japë përgjigje të qarta dhe të sigurta për një varg pyetjesh mbi personalitetin e arqipeshkvit të Shkupit, Mikel Summa, të cilat deri më tani, fatkeqësisht, janë parashtruar dhe shpjeguar gabim. Prandaj edhe në këtë, thotë autori i veprës në fjalë, qëndron edhe qëllimi kryesor i kësaj monografie shkencore, që është nxitur dhe inkurajuar nga prelati i ndritur kishtar, Imzot Nikë Prela, me të cilin edhe unë kam bashkëpunuar me dekada, deri në kalimin e tij në jetën e amshuar. Dritë pastë !