KULTURA SHQIPTARE NË OPTIKËN STUDIMORE TË ZEF AHMETIT

0
Kurt Marti - Fjalim Mortor
Zef Ahmeti (Noka)
Zef Ahmeti (Noka)

Nga: Isak A H M E T I

I. Në vend të hyrjes

Zef Ahmeti (Noka), studiues i pasionuar i proveniensës shqiptare-gjermane, autor i shumë veprave zhanresh të ndryshme me vlera shumështresore. Emër i njohur jo vetëm në rrafshin kombëtar, tashmë i ka kapërcyer edhe kufinjtë kombëtar dhe është bërë i njohur sidomos në Zvicër dhe Gjermani…

II. Pak biografi

Zef Ahmeti u lind në vitin 1975 në Stubëll të Epërme, Komuna e Vitisë. Shkollën fillore dhe atë te nesme, Gjimnazin, e ka kryer në Stubëll dhe Viti. Ka studiuar për drejtësi me interesa për shkencat politike në Prishtinë, Graz, St. Gallen dhe Hagen. Ka kryer masterin në fushën e mediacionit (ndërmjetësimit) pranë Fakultetit Juridik në Universitetin e Hagen-it të Gjermanisë.

Është shpërblyer me Çmimin inkurajues për punimin e masterit nga Centrale fur Mediation në Këln të Gjernanisë. Ka botuar punime shkencore në revista e gazeta të ndryshme në Kosovë, Shqipëri, Gjermani dhe Zvicër. Është i njohur edhe si përkthyes. Përveç përkthimeve nga gjermanishtja të teksteve shkencore, ai ka përkthyer edhe këto verpra:

1. Phil Bosmans: Lulet e fatit duhet t’i mbjellësh vetë, poezi, St. Gallen, 2006,
2. Kurt Marti: Fjalim mortor, poezi, Albanisches Institut, St. Gallen, 2006,
3. Roland Kley: Paqja ndër demokracitë, St. Gallen, 2007.

Ka botuar, ndër të tjera, edhe këto vepra:
1. Mendime mbi shtetin dhe kushtetutën, Zagreb, 2005,
2. Liria dhe demokracia – raport i ndërsjellët, Prishtinë /St.Gallen, 2012,
3. Bashkeditor në festëshkrimin: POETA NASCITUR, HISTORICUS FIT-AD HONOREM ZEF MIRDITA, ALBERT RAMAJ, (ED, ZAGREB /ST.GALLEN, 2013,
4. Raportimet e gazetave zvicerane për Nënën Tereze, Shkup, 2022,
5. ÇFARË ËSHTË KULTURA SHQIPTARE, Abanisches Institut, Tiranë-St. Gallen, 2014.
6. Ibrahim Rugova, studim monografik në gjuhën gjermane, që është poashtu i një rëndësie të veçantë.

Përveç këtyre veprave le të themi këtu se Zef Ahmeti ka botuar edhe një varg artikujsh publicistikë e shkencorë, që poashtu janë të një cilësie dhe vlere të veçantë, si p.sh.

1. Shqipëria veneciane (1392-147..),
2. Pse jemi kështu si jemi ose një qasje psikologjike për jetën e rreme të shqiptarëve,
3. Politika e jashtme, etj.

Zef Ahmeti jeton dhe vepron në Zvicër.
Është bashkëthemelues i Albanisches Institut në St. Gallen, që tashmë ka bërë emer.

III. ÇFARË ËSHTË KULTURA SHQIPTARE

(Albanisches Institut, Tiranë-St. Gallen, 2014, fq. 157, Redaktir: Dr. Kastriot Marku).
Ky studim monografik, siç shihet edhe nga përmbajtja që do e japim më poshtë, bazohet në pyetjet e shtruara si vijon:
– Çfarë është kultura në vetvete e në vijim të saj, çfarë është ajo që ne quajmë kulturë shqiptare?
– Çfarë e bën shqiptare kulturën shqiptare?
– Cila kulturë shqiptare duhet ruajtur ?
– Kush e përcakton dhe kush e përkufizon këtë kulturë?
– Cilat janë vlerat që e (për)bëjnë kulturën e popullit shqiptar dhe si të sillëm(i) unë (ne) me këto vlera dhe brenda këtyre vlerave?
– Çfarë provokojnë këto vlera në raport me vlerat e vendeve ku jeton diaspora shqiptare në Evropën politike e cila mëton të bëhet pjesë e saj ?
– Si i shikojmë dhe si i përceptojmë ne këto vlera?
– A është statike apo e ndryshueshme kultura shqiptare?

Në bazë të këtyre pyetjeve të shtruara kështu, vlerëson Dr. Kastriot Marku, ky studim mund të shihet edhe si një lloj rekomandim sjelljeje për integrimin real të kulturës shqiptare në kulturën evropiane, si qasje integruese gjithpërfshirëse dhe si qasje individuale; si qasje e politikës dhe shoqërisë përballë rendit juridik, shtetit ligjor, sistemit politik, sjelljes ndaj shtetit dhe mbi të gjitha si qasje e kulturës politike dhe juridike të pushtetarëve shqiptarë në sjelljen e tyre në raport me pushtetin dhe qytetarin.

Duke u marrë me studimin e kësaj problematike që është mjaft komplekse dhe interesante, studiuesi Zef Ahmeti do theksojë se në universitetet e ndryshme evropiane, tema mbi kulturën e shteteve të ndryshme është bërë jo rastësisht pjesë e lëndëve universitare. Prandaj jo rastësisht, varësisht prej rëndësisë që kanë, univerisitetet afrojnë njohuri, ofrojnë njohjen e kulturës (politike, historinë, literaturën dhe njohjet e tjera specifike shoqëtore dhe ekonomike) për vendet e ndryshme sipas rëndësisë politike dhe ekonomike që ato kanë.Kjo prandaj, vlerësëson studiuesi në fhalë, edhe lidhet me aspektin dhe rëndësinë që ka njohja e kulturës (Vep. e cit. fq. 6).

IV. Strukturimi i përmbajtjes së librit

Ky studim monografik mbi kulturën është strukturuar jo rastësisht në dymbëdhjetë njësi shkrimore (numri 12 një simbolikë biblike ), dhe ka këtë përmbajtje:

1. Kultura. Në kërkim të kuptimit (fq.7)
2. Kulturologjia ose kultura dhe shoqëria (fq. 11),
3. Kushtetutat dhe ligji në kulturën perëndimore (fq. 17),
4. Gjuha si përcsktuese e kulturës: Historia e gjuhës latine, franceze dhe angleze (fq. 20),
5. Kultura politike: një përpjekje për ta shpjeguar (fq. 27),
6. Kultura në terrenin e globalizmit (fq. 31),
7. Evropa politike dhe kultura evropiane (fq. 35),
8. Nën thjerrëzën e një albanologu: si ndjehet kultura shqiptare (fq. 45),
9. Kultura sipas të kuptuarit në gjuhën shqipe: çfarë është kultura shqiptare (fq. 58),
10. Kultura politike shqiptare (fq. 75),
11. Latinishtja dhe gjuha e arbërit (fq. 102),
12. Përfundime (fq. 124).

Librit i paraprin shkrimi mjaft përmbajtëso si një VADE MECUM për lexuesin dhe studiuesin, ndërsa krejt në fund është dhënë LITERATURA që dëshmon për bagazhin kulturor dhe seriozitetin e një autori të rrallë në shkrimet jo vetëm shqipe.

V. Identiteti shqiptar

Te njësia shkrimore: PËRFUNDIME (fq. 124-133), autori është marrë, në mënyrë më të thelluar, me problematikën e identitetit shqiptar. Duke shtjelluar këtë problematikë që është mjaft interesante, komplekse, madje mjaft aktuale dhe intriguese sidomos kohët e fundit, autori i është referuar mjaft studiuesve të njohur shqiptarë dhe të huaj siç janë p.sh.: Arbër Xhaferi, Duijzings, Kadare, Qosja etj.

Ç’është e vërteta, Identitetin shqiptar, shkruan autori (Vep. e cit. fq. 125) e kanë sfiduar besimet e ndryshme. Feja ka qenë si faktor i rëndësishëm në procesin e identifikimit të popujve të Ballkanit, pra edhe te shqiptarët. Siç thoshte me të drejtë edhe studiuesi i njohur Ger Duijzings, fetë te shqiptarët kanë qenë shekuj me radhë një faktor dominues identifikimi dhe një burim domëthënës vetëidentifikues edhe pse zërat e ndryshëm këtë faktor e kanë vlerësuar si parëndësishëm thotë Duijzings.

Kjo lidhet edhe me politikën e Perandorisë Osmane të sistemit të miletit – ndarja e popullatës sipas kriterit të përkatësisë fetare dhe se kjo më vonë do bëhet pengesë për shqiptarët në krijimin e kombit sipas të kuptuarit të shek.XIX. Përderisa elitat e fqinjëve të shqiptarëve me sukses ia dalin të identifikojnë kombësinë me fenë, tek shqiptarët kjo nuk ishte e mundshme, kështu që atyre u nevojitej një rrugë e tretë, ajo e identifikimit me historinë e Skënderbeut, prejardhjen e përbashkët, në gjuhën e përbashkët.

Ky identitet (shqiptar) është formuar mbi bazën e përkatësisë etnike, mbi traditën e përbashët tolerante që nuk prodhon segregim(veçimin) e çfarëdo përkatësie. Element kryesor në ndërtimin e identitetit kombëtar vazhdimisht, në të gjitha periudhat historike nuk është feja, por gjuha, rrjedhimisht tradita dhe kultura që ndërtohet mbi këtë bazë.

Populli shqiptar, unik dhe i dallueshëm, në krahasim me popujt e Bosnjës, apo popujt e tjerë që hynë në konflikte të përgjakshme religjioze, vetitë dhe atributet e veta i ka baraspeshuar në mënyrë të shkëqyeshme dhe harmonike. Këto veti, këto atrbute i konsideruan si të vetat, si pjesë të identitetit e jo si kontradikta që përçajnë personalitetin-shkruante filozofi i njohur, Arbër Xhaferi.

Debatit për identitetin e shqiprarëve i kanë paraprirë në historinë më të re i edhe dy figurat e njohura të kombit: Ismail KADARE dhe Rexhep QOSJA. Ç’është e vërteta, para se të debatonte me Kadarenë, Rexhep Qosja kishte një kundërkandidat si në frymën letrare poashtu edhe në frymën e orientimit politik, Ibrahim Rugovën, i cili i dha kahje perëndimore në praktikë oriebtimit të shqiptarëve të Kosovës.

Ç’është e vërteta, është thënë e thuhet kur është fjala për identitetin, se kemi shqiptarë me identitet katolik, shqptarë me identitet ortodoks, shqiptarë me identitet mysliman,
shqiptarë me identitet protestant dhe shqiptarë me identitet ateist, por të gjitha këto identitete të veçanta, më të ngushta, më të vogla, në saje të të përbashkëtave të përmbajtura në seciln prej tyre bashkohen në atë përgjithësinë, në atë të përgjithshmen, në atë të tërën që i themi IDENTITET KOMBËTËTAR SHQIPTAR (Vep. e cit. fq. 129).

Shqiptarët, sipas albanologut të njohur shqiptar, Eqrem Çabejt, historikisht kanë qenë midis Oksidentit dhe Orientit dhe kështu ata kanë marrë disa tipare të ndryshme që i kanë përzier me tipare shqiptare dhe kështu edhe kanë fituar një pamje të veçantë.

VI. Krejt në fund

Ky libër monografik është një kontribut i paçmueshëm dhe i pakrahasueshëm në fushën e shkrimeve albanologjike. Dhe si i tillë, me shumësinë e vlerave dhe peshën që ka, do ishte mirë të futej në programet shkollore dhe universitare.

Ndërsa historia e gjuhës shqipe dhe zhvillimi i saj është burimi më autentik i kulturës shqiptare që nga fillet e saj e deri më sot. Për më tepër, ajo reflekton ecurinë historike të ngjarjeve që, duke u lidhur me disiplinat e tjera shkencore, të japin sigurinë për t’u ndier mirë në kërkimin e kulturës shqiptare.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.