Xhelal Zejneli
FJALA DHE PJESËT E SAJ – Fjalët mal, det, di përbëhen vetëm prej një pjese që quhen rrënjë. Rrënjës mund t’i shtohen parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa, që ndryshe quhen morfema ndajshtesore. Pjesët përbërëse të fjalës ndryshe quhen morfema. Morfemat ndahen në morfema rrënjore dhe në morfema ndajshtesore. Te fjala përhap, fshatar mbartëse e kuptimit të fjalës janë morfemat rrënjore hap, fshat, ndërsa pjesët për-, ar janë morfema ndajshtesore. Me morfemat ndajshtesore krijojmë fjalë të reja.
RRËNJA E FJALËS – Fjala pa parashtesë, pa prapashtesë dhe pa mbaresë është rrënjë e fjalës. Kur rrënjës i shtojmë morfema ndajshtesore (parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa) atëherë krijojmë fjalë të reja. P.sh. prej fjalës dorë krijojmë: dorezë, dorëz, dorëzim, dorëzoj, dorëzues, përdor, përdorim, i përdorshëm, përdorues, i përdorur, i papërdorur, i papërdorshëm etj.
TEMA E FJALËS – Temë e fjalës është pjesa që mbetet pasi të hiqen mbaresat dhe prapashtesat trajtëformuese që shërbejnë për formimin e shumësit të emrave. Mbaresë është morfema që i ngjitet fjalës në fund për të ndërtuar format e lakimit: lis-i (i-ja është mbaresë). P.sh: nën+shtet+as+i: shtet (rrënja), nënshtetas (tema), i (mbaresa).
Te fjalët pa parashtesa dhe prapashtesa tema përputhet me rrënjën e fjalës dhe quhet temë e parme. Tema të këtilla: dash-i, shok-u, lis-i, nip-i. Te fjalët fshatar, nëpunës tema nuk përputhet me rrënjën dhe ajo quhet temë jo e parme. Kemi edhe temë fjalëformuese: fshat+ar. Nga kjo fjalë krijojmë fjalën fshatarësi.
PARASHTESAT DHE PRAPASHTESAT – Parashtesa është pjesë e temës që i shtohet para temës së parme. Prapashtesa është pjesë e temës që i shtohet pas temës së fjalës. Parashtesa, rrënja dhe prapashtesa përbëjnë temën e fjalës.
MËNYRA E FORMIMIT TË FJALËVE – Për nga përbërja, fjalët ndahen në dy grupe: në fjalë të parme dhe në fjalë jo të parme. Fjalë të parme quhen fjalët që nuk janë formuar nga një fjalë tjetër: dorë, buzë, sy, nip etj. Tema e këtyre fjalëve përbëhet vetëm nga rrënja. Fjalë jo të parme quhen fjalët që janë formuar prej temës së një fjale tjetër me anë të parashtesave dhe prapashtesave. P.sh fjalët fisnik, bukuri, lindje janë fjalë jo të parme ngase janë formuar në bazë të temave fis, bukur, lind.
Fjalët jo të parme formohen me anë: të prejardhjes, të paranyjëzimit, kompozimit, përngjitjes, konversionit. Fjalët formohen edhe me mënyra të përziera. Varësisht nga mënyrat e fjalëformimit, fjalët mund të jenë: të prejardhura, të përbëra, të përngjitura.
FJALËT E PREJARDHURA
- Formimi i fjalëve me parashtesa – Formohen me parashtesa, me prapashtesa dhe me parashtesa e prapashtesa njëkohësisht. Parashtesa janë: për-, pa-, mos-,, nën-, mbi-, jo-, ndër-, stër- etj. P.sh. pa+aftësi, mos+pajtim, për+buz, jo+shkencor, nën+shtrim etj. Parashtesa janë edhe fjalët: bashkë-, para-, kundër-, sipër- etj. P.sh. bashkë+punoj etj. Si parashtesa për formimin e fjalëve të reja shërbejnë edhe tingujt: ç-, sh-, zh-, s-, z-. P.sh. ç+lodhje, sh+paloj, zh+duk, s+kuqje, z+bardh.
- Formimi i fjalëve me prapashtesa – Numri i prapashtesave është rreth tri herë më i madh se numri i parashtesave. Janë mbi 160 prapashtesa: -ar, -as, -atar, -e, -es, -shë, -ë, -im, -isht, -shëm etj. P.sh. det+ar, dimër+or, bes+nik, i ar+të, lir+isht, kalim+thi, punë+tor, anë+tar, i fam+shëm etj.
- Formimi i fjalëve me parashtesa e prapashtesa – P.sh. më+sy+sh, për+fund+o+j, s+kuq+je, z+but+je, nën+det+ëse, i për+bashkë+t etj.
PARANYJËZIMI – Fjalë të reja formohen edhe me anë të nyjës së përparme. P.sh. laj, larë, i larë; hap, hapur, i hapur. Flas, folur, të folurit, ha, ngrënë, të ngrënët, jam, qenë, të qenët.
FJALËT E PËRBËRA (KOMPOZITAT) – Përbëhen prej dy a më shumë temave. P.sh. at+dhe, botë+kuptim, mirë+sjellje, krye+qytet. Kompozitat formohen me bashkimin: e dy emrave: bukë+pjekës; e një emri me një mbiemër: belhollë; e një ndajfoljeje me një emër: keq+bërës; e një numërori me një emër: dy+anshmëri; e një përemri me një emër: vet+dije; e një ndajfoljeje me një folje: keq+kuptoj; e një emri me një folje: buzë+qesh. Disa kompozita shkruhen me vizë në mes: hyrje-dalje, vajtje-ardhje, tekniko-shkencor, ideo-estetik; qytet-hero. Por, kompozitat si: verilindje, marrëdhënie, shitblerje etj. shkruhen bashkë.
FJALËT E PËRNGJITURA – Janë fjalë që janë formuar me anë të përngjitjes së dy a më shumë fjalëve që dikur janë përdorur si togfjalësh. P.sh. togfjalëshi atë herë është ngjitur dhe është bërë një fjalë e vetme atëherë; se pse=sepse, mire dita=mirëdita, farë e fis=farefis, gjë e gjëzë=gjëegjëzë, dy mbi dhjetë=dymbëdhjetë, në se=nëse, nga që=ngaqë, se cili=secili, ndo kush=ndokush etj.
FORMIMI I FJALËVE ME KONVERSION – Konversion është kalimi i një fjale prej një pjese të ligjëratës në pjesë tjetër të ligjëratës, pa ndryshime fonetike e morfologjike. Në këtë mënyrë formohen emra prej mbiemrave (emërzim) si dhe mbiemra prej emrave (mbiemërzim). Në këtë mënyrë formohen edhe disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës.
Emërzimi – P.sh. i ligu – emër i formuar nga mbiemri i ligë; e mira – emër nga mbiemri e mirë; e bukura (nga e bukur), e vërteta (nga e vërtetë).
Mbiemërzimi ose shndërrimi i emrave në mbiemra: besnik, bujar, fisnik, dinak. Këto fjalë përdoren edhe si emra edhe si mbiemra. Kur përdoren pa ndonjë emër tjetër, janë emra. Kur gjenden pas ndonjë emri, atëherë janë mbiemra. P.sh. luftëtar (emër), popull luftëtar (mbiemër), plak (emër), burrë plak (mbiemër).
Shndërrimi i fjalëve në ndajfolje – P.sh. Ditën punojmë, natën pushojmë (emrat ditën dhe natën në rasën kallëzore janë ndajfolje kohe). Në ndajfolje shndërrohen edhe mbiemrat duke ua hequr nyjën e përparme, foljet në pjesore dhe në përcjellore.
SINONIMET – Fjalë me forma e përbërje tingëllore të ndryshme , por të njëjta për nga kuptimi leksikor. P.sh. rrugë-udhë; krye-kokë; hap-çel; tavolinë-tryezë; shikoj-vështroj; gjel-këndes; litar-konop-tërkuzë; vajzë-çupë-çikë-cucë-gocë-vashë.
vatan, ndikim-influencë, përvojë-eksperiencë, fqinj-komshi, përfundim-konkludim. Në këto raste duhet të përdoren fjalët shqipe.
ANTONIMET – Janë fjalë me përbërje fonetike të ndryshme dhe me kuptim të kundërt: gëzim-hidhërim, dritë-errësirë, verë-dimër, dritë-natë, rini-pleqëri, blej-shes, marr-jap, këndoj-vajtoj, i ri-plak, i mirë-i keq, afër-larg etj.
HOMONIMET – Janë fjalë me përbërje tingullore të njëjtë, por ndryshojnë nga kuptimi: zë, vesh, verë, bredh, pres etj. P.sh. Zë një vend të mirë. S’më zë gjumi (zë – folje); Ai ka zë të bukur (zë – emër). Rina vesh rroba të mira (vesh – folje); Rona ka vesh për muzikë (vesh – emër). Gjyshi pi verë (verë – folje); Gresa në verë shkon në Sarandë (verë – emër).
Ka fjalë që ndryshojnë për nga theksi, p.sh. Rita ka shumë para (para – emër); Dalina doli para teatrit (para – parafjalë). Bari duhet kositur. Në bjeshkë pamë një bari.
NDËRKOMBËTARIZMA. Shumë fjalë të huaja janë zëvendësuar me fjalë shqipe si: subjekt me kryefjalë, predikat me kallëzues, nominativ me emërore, evitoj me shmang, abonim me parapagim, aprovoj me miratoj, angazhim me zotim etj.
ARKAIZMAT – Janë fjalë të vjetruara që janë përdorur në të kaluarën, e që sot kanë dalë nga përdorimi. Në vend të tyre janë krijuar fjalë të tjera. Arkaizma: kut (metër), okë (kilogram), mokër (gur mulliri) etj. HISTORIZMAT – Fjalë që janë përdorur në një periudhë historike, e që sot nuk janë në përdorim. P.sh. aga, be, pasha, kryeplak, alltie, nagant, martinë, patllake, bandere, gjyle, fishek, topuz, kobure, shishane, bajrak etj. DIALEKTIZMAT dhe KRAHINORIZMAT – Fjalë që përdoren vetëm në një dialekt e që nuk janë bërë normë letrare quhen dialektizma. P.sh. gegërisht: korit-turpëroj, varrë-plagë, dollap-dritare, çikë-vajzë, qeramide-tjegull; toskërisht: nakatos-përziej. Po qe se këto përdoren në rajone më të ngushta gjuhësore, atëherë quhen krahinorizma.
Me krahinorizma zëvendësohen fjalët e huaja dhe ndërkombëtarizmat, si p.sh. emnak (adash), brezore (tarracë), gjedhe (model), përkushtoj (dedikoj), ballor (frontal), hulli (brazdë) etj. NEOLOGJIZMAT – Janë fjalë dhe shprehje të reja që sapo kanë filluar të përdoren në gjuhën letrare. P.sh. bashkëjetesë, bashkëbisedim, drejtshkrim, drejtshqiptim, përligj etj.
Me fjalët e reja zëvendësohen arkaizmat, huazimet dhe ndërkombëtarizmat. P.sh. i vetëdijshëm për koshient, sasi për kuantitet, cilësi për kualitet, sasior për kuantitativ, cilësor për kualitativ, novitet për risi etj. Fjalët e reja formohen me parashtesa dhe prapashtesa apo me përngjitjen e dy a më shumë fjalëve. P.sh. mbifitim, mbikalim, ujësjellës, përçues, gazsjellës, naftësjellës, mbikalim etj. PROFESIONALIZMAT – Fjalë që janë karakteristike për një profesion apo lëmë të caktuar. Bujku ka përdorur fjalët: lesë, lesoj, umb etj.; bariu: laro, kuqal, syskë, kërluk etj. në shtypshkronjë: linotip etj. Në leksikun (fjalorin) profesional përdoren fjalët profesionale. Në gramatikë: emër, kryefjalë. prapashtesë etj.; në matematikë: zbritje, shumëzim, pjesëtim, thyesë etj. në gjeografi: gji, baticë, etj.
NJËSITË FRAZEOLOGJIKE (frazeologjizmat) – Funksionin e një fjale mund ta kryejnë dy a më shumë fjalë që përdoren si shprehje gjuhësore. P. sh. besoj – zë besë, harroj – më del nga mendja etj. Frazeologjizmat kanë fuqi shprehëse shumë më të madhe se fjalët e rëndomta. P.sh. thika në gjalpë, dhëmb për dhëmb, gacë e mbuluar, shkel e shko, thur e shthur, çan dërrasa, ua mbathi këmbëve, më bëhet zemra mal. E bëri hi e pluhur. I vari buzët. I hedh hi në sy. Flet në tym. Iku nga shiu ra në breshër. Është bërë koc e lëkurë. Hoq të zitë e ullirit. etj.
FJALORËT – Janë dy lloje: fjalorë enciklopedikë dhe fjalorë gjuhësorë (linguistikë). Në fjalorët enciklopedikë shpjegohen në formë të shkurtër gjëra nga lëmi i shkencës, i artit, i letërsisë, i filozofisë etj. Fjalorët gjuhësorë ndërkaq, janë disa llojesh: shpjegues, dygjuhësh, shumëgjuhësh, drejtshkrimor, frazeologjik, etimologjik, terminologjik, dialektor, fjalor i fjalëve të huaja etj. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe përmban 41000 fjalë dhe një numër të madh njësish frazeologjike. Fjalori i parë etimologjik i gjuhës shqipe është ai i albanologut gjerman Gustav Majer, i botuar më 1891.
NDRYSHIMET FONETIKE TË TINGUJVE – Në gjuhë, sipas ligjeve gjuhësore, me kalimin e kohës, ndryshojnë tingujt. Ndryshime fonetike janë: asimilimi (përngjashmimi), qiellzorizimi (palatalizimi), metafonia, apofonia, rotacizmi etj.
ASIMILIMI (përngjashmimi) – Është ndryshimi fonetik kur dy tinguj të ndryshëm pranë njëri-tjetrit bëhen të njëjtë ose të ngjashëm. P.sh. dëgjoj-dëgjoj=dëgjoj, mbasi- bbasi-basi-pasi; s+kuq=skuq, por s+but=zbut (dhe jo sbut), s+bardh=zbardh dhe jo sbardh, sh+vendos= zhvendos dhe jo shvendos.
ELIZIONI – Rënia e zanores fundore të pjesëzës të apo të nyjave të, së kur gjenden para trajtave të shkurtra i dhe u si dhe rënia e zanores ë trajtave të shkurtra më, të kur bashkohen me trajtën e shkurtër i dhe me pjesëzën u. P.sh. Dua t’i (të i) them…Nuk bën t’u (të u) tregosh…Rina m’i (më i) dha biletat. Nuk kemi elizion në rastet: në arë, të egra, në ujë, të anës tjetër etj. Pra nuk thuhet: n’arë, t’egra, n’ujë, t’anës tjetër.
APOSTROFI – Është shenjë që shënon rënien e ë-së fundore:
- a) Të trajtës së shkurtër të përemrave vetorë më dhe të kur gjenden para trajtave të shkurtra i dhe u dhe pjesëzës u të foljeve joveprore. P.sh. M’i jep librat, e pasi t’i lexoj, t’i M’u plotësuan dëshirat. T’u dha rasti…t’ia kthesh të mirën.
- b) Të pjesëzës të të mënyrës lidhore…: P.sh. t’i ndihmosh, t’ia shpjegosh, t’i kuptojë, t’ju them, Dua t’u drejtohem, t’ua numëroj …Për t’u ..
- c) Porosinë e t’et, kujtimet e s’ëmës
ç) S’e merr me mend, ç’ndodhi, Ai s’mund t’ia falë vetes, s’më tregove, s’iu përgjigje, s’mungon, s’është, ç’bën, ç’të bësh. Përemri i pacaktuar çka dhe përemri pyetës çfarë shkruhen pa apostrof.
METAFONIA – Është ndryshimi i zanores a në e dhe të e-së në i. P.sh. dash-desh, kunat-kunetër, mëzat-mëzetër, natë-net, plak-pleq etj. Unë dal- ti del, unë marr-ti merr. Në vetën e dytë shumës e-ja kthehet në i: dilni, flitni, ngitni, vritni, dilja, flitja, ngitja.
Ndërrimi i e-së në i: breg-brigje, shteg-shtigje. Ndërrimi i o-së në e: njoh-njeh, shoh-sheh.
APOFONIA – Shndërrimi i a-së dhe e (je-së) te koha e tashme e foljes në o kur folja ndodhet në të kryerën e thjeshtë. Koha e kryer e thjeshtë: dola, mora, hodha, brodha, nxora, vola, solla. Foljet te të cilat a-ja apo e-ja e rrënjës ndryshon në o quhen folje apofonike. Foljet apofonike që mbarojnë me l, ll dhe rr në trajtën e pashtjelluar nuk marrin ur por ë. për të dalë, për të marrë, për nxjerrë, për të mbjellë dhe jo për të dalur, për të marrur, për të nxjerrur, për të mbjellur.
Foljet apofonike që mbarojnë me rr, në të kryerën e thjeshtë shkruhen me r dhe jo me rr.
QIELLZORIZIMI (palatalizimi) – Kur tingujt k dhe g ndodhen para i-së dhe e-së kalojnë në q, gj: ka-qe, mik-miq, peshk-peshq, zog-zogj, burg-burgje, breg-brigje, murg-murgj, lëng-lëngje. Qiellzorizim kemi edhe në rastet: ndjek-ndiqni, ndiqja, pjek-piqni, djeg-digjni, dogja. qiellzorizohet edhe ll-ja fundore: buall-buaj, kërcell-kërcej, yll-yje, portokall-portokaj etj.
ROTACIZMI – Kalimi i n-së në të folmet toske në pozicionin midis dy zanoreve, në r. Është dukuri e vjetër fonetike. P.sh. te fjalët huni druni, vena, kunora, peni, freni n-ja ka kaluar në r dhe kemi: huri, druri vera, kurora, peri, freri etj. Edhe fjalët drapër, dhelpër, emër, femër, lakër përdoren në formë të rotacizuar. Nuk kemi rotacizëm te fjalët hëna, puna, nëna etj.
METATEZA – Këmbimi i vendit të tingujve në disa të folme popullore: leblebi-elbebi, lëshoj-shloj, bajrak-barjak, mullar-murall, llagap-gallap, kthej-thkej etj. Format e dyta nuk përdoren në gjuhën letrare.
RËNIA DHE SHTIMI TINGUJVE – Në të folmen popullore ka raste të rënies së tingujve: Agim-Gim, Fatoni-Toni, Afërdita-Dita, Mehmet-Met, shtëllungë-shllungë,shtëpi-shpi, erdhi-erdh, pati-pat, fjeti-fjet. Për ta lehtësuar shqiptimin, shtohen tinguj h, j, v: bela-belaja, kala-kalaja, ide-ideja, afrohem-afrohem. Këtë dukuri nuk e kemi te fjalët: liri-liria, rini-rinia, shtëpi-shtëpia.
NDARJA E FJALËVE NË RROKJE NË FUND TË RRESHTIT – Fjalët njërrokëshe nuk ndahen: bujk, dash, ah, mal, kopsht, lëng, shkëmb etj. Fjalët dyrrokëshe: bo-ta, do-ra, li-si. Fjalët trerrokëshe: po-pu-lli, zha-pi-ni. Fjalë katërrokëshe: xi-xë-llo-nja. Fjalët me dy ose më shumë bashkëtingëllore ndahen: ko-dra ose kod-ra, hu-dhra ose hudh-ra, ka-fsha-ta ose kaf-sha-ta, i vo-gli ose i vog-li etj. Togjet prej tri bashkëtingëlloresh ndahen: lu-ndra,lun-dra, lund-ra. Fjalët me dy zanore njëra pas tjetrës: mi-ell, blu-aj, ku-adër; më-sue-si, i shkël-qye-shëm. Fjalët e përbëra ndahen: nën-shkrim, për-cak-tim. Një shkronjë e vetme nuk mund të qëndrojë as në fund të rreshtit, as në fillim të rreshtit: udha dhe jo u-dha; ba-bai dhe jo ba-ba-i; bu-rri dhe jo bur-ri, do-gja dhe jo dog-ja. Fjalët në thonjëza nuk ndahen: “Gjimnazisti” dhe jo “Gjimna-zisti”. Nuk ndahen fjalët – shkurtesa: ShBA, OKB, NATO, BE.