Melisa Braci
Në tempullin e dikurshëm të fjalës, aty ku dialektika: përplasje sublime që lind të vërtetën duhet të ishte busulla e diskursit publik, sot mbretëron një regji cinike e mjerimit moral. Edi Rama ka shpikur një zhanër që do të turpëronte çdo moralist klasik: “Eksorcizmin me proksi”. Nuk është frika ajo që e mban Kryeministrin larg foltores përballë Sali Berishës, por një arrogancë patologjike që e konsideron llogaridhënien si një stërmundim “nën nivelin e tij”. Si një regjisor i fshehur pas kuintave, ai ka instaluar në arenë një kordon “foshnjash” të laboratorit të Rilindjes, të cilët moralin e kanë thjesht një aksesor opsional për t’u këmbyer me një buzëqeshje të padronit.
Shpërfaqja e këtyre të rinjve në foltoren e Parlamentit është një vetëvrasje estetike e paralajmëruar. Shohim djem e vajza që sapo kanë lënë bankat e shkollës, të cilët në vend që të artikulojnë vizionin e një Shqipërie që nuk ikën, janë shndërruar në mburoja prej mishi e kocke për rehatinë e shefit. Nuk ka asgjë më të trishtueshme, më antishkencore dhe më anti-etike sesa një i ri që pranon të bëhet ventrilokist i vrerit të diktuar. Ata lëvizin buzët, por zëri që del prej tyre është ai i WhatsApp-it të Kryeministrisë. Ata edukatën dhe klasin e këmbyen me servilizmin, duke harruar se një i ri që nuk rebelohet ndaj skriptit, është plakur shpirtërisht përpara se të mësojë alfabetin e dinjitetit.
Ironia therëse qëndron te “freskia” e tyre e rreme. Këta fëmijë të rritur me qumështin e propagandës guxojnë ta quajnë Berishën “të vjetër”, ndërkohë që gjuha e tyre është më e mykur se mesjeta e errët. Ndërsa lideri i opozitës, me gjithë peshën e viteve, mbron me zërin e tij një qëndresë organike, këta “modernë” janë thjesht kufoma morale në shërbim të pushtetit. Ata flasin për të ardhmen me një fjalor që do të turpëronte çdo standard qytetar, duke provuar se klasi nuk blihet me emërime, por fitohet me integritet; një monedhë që në tregun e Rilindjes nuk ka asnjë vlerë.
Rama refuzon Berishën sepse është shumë më e lehtë të dërgosh këta “vrasës estetikë” të lehin në foltore për të mbuluar skandalet korruptive, sesa të mbrosh me argumente një pushtet që po kalbet. Një lider që fshihet pas “kukullave” të tij nuk tregon forcë, por një varfëri shpirtërore që paralajmëron perëndimin e etikës. Këta të rinj pa shtyllë kurrizore, që sot pranojnë të jenë pështyma e huazuar e Ramës mbi kundërshtarin, nesër do të jenë mbetjet e radhës politike sapo “Mjeshtri” të ketë nevojë për një imazh të ri. Dallimi mbetet i qartë: njëra palë tenton të ruajë dinjitetin e fjalës, tjetra është thjesht një maskaradë arrogante që ka humbur rrugën drejt moralit.











