Një antologji me poezi nga 138 poetë nga 12 vende, përfshirë autorë shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria, është botuar nga PEN Qendra Kroate në Zagreb.

Dea Halimi
Antologjia “Žica (Teli)– Poezija Jugoistočne Europe protiv represije (Poezia e Evropës Juglindore kundër represionit)”, e cila përfshin poetë dhe poete nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Greqia, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovenia, Serbia dhe Turqia, është përzgjedhur, përgatitur dhe redaktuar nga Lana Derkač dhe botuar nga PEN Qendra e Zagrebit. Kjo përmbledhje përfaqëson një nga projektet më domethënëse poetike të viteve të fundit në hapësirën e Evropës Juglindore, duke e shndërruar poezinë në akt kolektiv ndërgjegjeje – rezistence morale ndaj represionit, dhunës, luftës, kufijve, kampeve dhe formave të ndryshme të çnjerëzimit.
Brenda kësaj strukture shumëgjuhëshe dhe shumëkulturore, zëri shqiptar – nga Kosova dhe Shqipëria – zë një vend të veçantë, jo vetëm për nga numri i autorëve të përfshirë, por sidomos për nga pesha historike dhe etike që bartin përvojat e tyre.
Nga Kosova, në antologji janë prezantuar poetët dhe poeteshat:
Edi Shukriu, Flora Brovina, Fatmire Duraku, Ajetë Beqiraj, Mustafa Balje, Shyqri Galica, Albina Idrizi, Abdyl Kadolli, Ramë Oraca, Agim Vinca, Adem Aziz Zejnullahu.
Poezia kosovare në këtë antologji nuk flet nga distanca, por nga brenda plagës historike. Ajo vjen si dëshmi e drejtpërdrejtë e luftës, e dhunës shtetërore, e zhdukjes, e varrezave masive, e traumës kolektive dhe e pasojave të saj afatgjata në trupin dhe shpirtin e individit. Te këta autorë, “Žica (Teli)–” nuk është vetëm simbol, por përvojë reale: kufi, kamp, ndarje, burg, heshtje e detyruar.
Zërat femërorë – si Edi Shukriu, Flora Brovina, Fatmire Duraku, Albina Idrizi dhe Ajetë Beqiraj– e artikulojnë represionin edhe si dhunë mbi trupin, kujtesën dhe identitetin, duke i dhënë antologjisë një dimension të fuqishëm gjinor dhe etik. Ndërsa autorët si Agim Vinca, Adem Aziz Zejnullahu, Ramë Oraca, Abdyl Kadolli apo Mustafa Balje ndërtojnë një poezi reflektuese, kritike dhe historikisht të vetëdijshme, ku liria dhe humbja janë në dialog të vazhdueshëm.
Nga Shqipëria, antologjia përfshin poetët dhe poetesha:
Xhevahir Spahiu, Argon Tufa, Visar Zhiti (Shqipëri / SHBA), Sadik Bejko, Alma Jaku, Entela Kasi, Natasha Lako, Arian Leka, Liridon Mulaj, Besnik Mustafaj, Nuri Ibrahim Plaku, Ahmet Prençi. Këta autorë sjellin në antologji përvojën e një tjetër forme represioni: atë të diktaturës, të censurës, të burgut politik, të internimit dhe të mbijetesës shpirtërore. Poezia e tyre ndërton një vijë të fuqishme kujtese që lidhet natyrshëm me përvojën kosovare, duke dëshmuar se represioni, pavarësisht formës, prodhon plagë të ngjashme njerëzore.
Veçanërisht domethënës janë zërat si Natasha Lako, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu dhe Argon Tufa, të cilët e kanë përjetuar ose studiuar represionin jo vetëm si temë poetike, por si realitet jetësor dhe politik. Ndërsa poetë si Sadik Bejko, Arian Leka, Entela Kasi apo Alma Jaku e trajtojnë “ ” përmes një gjuhe më simbolike, filozofike dhe intime, duke e shndërruar poezinë në hapësirë reflektimi dhe lidhjeje.
Në tërësi, prania e autorëve nga Kosova dhe Shqipëria e shndërron antologjinë “Žica” në një arkiv poetik të kujtesës shqiptare, të vendosur në dialog me kujtesën kolektive të rajonit. Këta zëra dëshmojnë se poezia nuk është vetëm estetikë, por akt moral, formë kundërshtimi dhe mjet për të mos lejuar që dhuna të normalizohet apo të harrohet.
Autorët nga Kroacia, si vendi pritës i këtij projekti letrar dhe seli e PEN Qendrës së Zagrebit, sjellin në antologjinë “Žica (Teli)” një poezi që ndërthur kujtesën historike me ndjeshmërinë bashkëkohore. Poezia kroate reflekton përvojën e luftës së viteve ’90, të shpërbërjes së hapësirës ish-jugosllave, por edhe dilemat morale të shoqërisë post-konfliktuale, duke e trajtuar “Telin” si kufi fizik, si ndarje ideologjike dhe si vijë e brendshme psikologjike.
Nga Sllovenia, autorët paraqesin një poezi më të përmbajtur në ton, por të mprehtë në reflektim, ku represioni shfaqet përmes formave të sofistikuara të kontrollit social, izolimit dhe tjetërsimit modern. Në këtë kontekst, “Teli” shndërrohet në metaforë të kufijve të rinj evropianë, të ndërtuar jo gjithmonë me tela me gjemba, por me ligje, frikë dhe mekanizma përjashtues.
Autorët nga Bosnja dhe Hercegovina sjellin një poezi të ngarkuar me kujtesën e gjenocidit, të rrethimeve dhe të dhunës etnike, ku fjala poetike mbart peshën e dëshmisë dhe të zisë kolektive. Ndërsa poetët nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e trajtojnë temën e represionit në mënyrë autokritike dhe reflektuese, duke ngreh problemin në rolin e individit dhe të shoqërisë në sistemet e dhunës dhe heshtjes.
Poezia nga Bullgaria, Rumania dhe Greqia e pasuron antologjinë me përvojën e diktaturave, tranzicionit të vështirë dhe zhgënjimit post-ideologjik, ndërsa autorët nga Turqia sjellin një dimension të fortë të censurës, represionit politik dhe kufizimit të fjalës së lirë në kontekstin bashkëkohor.
Në tërësi, këta zëra e shndërrojnë antologjinë “Žica (Teli)” në një hapësirë të përbashkët dialogu poetik, ku dallimet gjuhësore dhe kombëtare treten përballë një qëllimi të përbashkët: kundërshtimit të represionit dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor përmes poezisë.
Në një kohë kur telat me gjemba po rikthehen në kufijtë e Evropës dhe kur lufta po riartikulohet si “domosdoshmëri politike”, kjo antologji – dhe veçanërisht zëri shqiptar brenda saj – na kujton se poezia është një nga format më të qëndrueshme të lirisë.











