15.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj VËSHTRIME ANALITIKE MBI AUTORË DHE VEPRA – KONTRIBUTI KRITIK I PROF. DR....

VËSHTRIME ANALITIKE MBI AUTORË DHE VEPRA – KONTRIBUTI KRITIK I PROF. DR. FAIK SHKODRËS

0

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

(Prof. Dr. Faik Shkodra, “Shpalosje letrare”, Prishtinë, 2026)

Profesori i nderuar, prof. dr. Faik Shkodra, edhe kësaj here na del përpara me atë prani të tij të dallueshme letrare që e karakterizon prej dekadash. Ai shfaqet si një zë i qetë, por i thellë, që sjell me vete shkrime të ngarkuara me gjurmë mendimi, meditime të brendshme dhe përjetime që vetëm një shpirt i ushtruar në lexim e në krijimtari mund t’i bartë.

Fjalët e tij, të thurura me durimin e një studiuesi që i ka dhënë vite të tëra vëzhgimit të kujdesshëm dhe reflektimit të pandalur, rrjedhin para nesh si një zinxhir përshtypjesh të ndritshme. Ato lindin jo rastësisht, por si fryt i një dashurie të gjatë e të sinqertë për librin — dashuri që e ka shoqëruar në çdo hap të rrugëtimit të tij intelektual.

Çdo vështrim i tij letrar duket si një portë që hapet ngadalë, duke na ftuar të hyjmë në botën e autorëve të rishqyrtuar, në temat, simbolikat dhe emocionet që ai ka lexuar, studiuar e kuptuar me një kujdes pothuaj ritual. Ai nuk i prek librat vetëm në sipërfaqe, ai i hap faqet e tyre siç hapen shtresat e kujtesës njerëzore — ngadalë, me respekt dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie për atë që fshihet brenda.

Kështu, shkrimet e profesorit Shkodra marrin dritën e një udhëtimi shpirtëror, ku fjala bëhet rrugë, libri bëhet hartë, ndërsa lexuesi ftohet të ecë bashkë me të drejt thellësive ku mendimi merr formë, e përjetimi kthehet në art.

Ai ka ditur t’i japë zë çdo ndjenje, çdo reflektimi, duke i kthyer ato në një mozaik mendimesh që pasurojnë jo vetëm autorin, por edhe lexuesin që ndalet t’i shijojë. Shkrimet e tij janë dëshmi e përkushtimit të tij të palëkundur ndaj fjalës së shkruar, ndaj artit të interpretimit, dhe ndaj vlerave që i sheh të mishëruara në çdo vepër për të cilën ka vendosur të rrëfejë.

Në këtë mënyrë, profesori Shkodra, edhe një herë, na kujton se kritika e vërtetë letrare nuk është thjesht një analizë teknike, por një dialog i brendshëm me librin, një udhëtim që autori dhe lexuesi e përshkojnë bashkë, përmes syve të tij prej dijetari dhe zemrës së tij të mbushur me dashuri për letërsinë.

Është një befasi e këndshme të shohësh se si në vështrimet e tij, me një mjeshtëri që rrallë haset, ai arrin të kapë me saktësi pikat më kulmore të krijuesve të ndryshëm. Në çdo analizë të tij, ai depërton thellë në zemrën e tekstit, duke ndriçuar jo vetëm strukturën e tij letrare, por edhe ritmin e brendshëm artistik që e mban gjallë veprën.

Shkrimet e tij lënë gjurmë të dukshme në hapësirën e kritikës letrare dhe artistike, sepse ai nuk ndalet vetëm te përmbajtja, por shkon përtej saj — drejt mesazheve të heshtura, drejt simbolikës që autori ka fshehur mes rreshtave, drejt asaj drite që nuk shihet, por vetëm ndjehet.

Me qasjen e tij të thellë dhe elegante, ai e trajton veprën si një organizëm të gjallë, të cilit i zbulon pulsin, tensionin, brishtësinë dhe madhështinë. Kështu, përmes fjalës së tij, letërsia fiton një dimension të ri, ndërsa lexuesi ftohet të shohë më larg, më thellë dhe më bukur se sa do të mundte vetë.

Profesori, në natyrën e tij të përkushtuar dhe të pashtershme, shfaqet si një udhëtar i palodhur në botën e librave, duke marrë në dorë e duke analizuar mbi shtatëmbëdhjetë prej tyre — secilin me vëmendje të veçantë, me durimin dhe finesën e një mendimtari që e di sa peshon fjala e shkruar.

Ai i qaset çdo vepre më vete, duke ia zbërthyer shtresat e brendshme, duke e lexuar siç lexohet një peizazh i gjallë: herë përmes ritmit të prozës me hap të qetë e reflektues, herë përmes drithërimës së poezisë që flet me një gjuhë më të brishtë e më të ndritshme. Në çdo analizë, ai sjell një këndvështrim të ri, një hije tjetër drite, një hapësirë ku lexuesi ftohet të hyjë për të parë thellësinë që mbase nuk e kishte vërejtur më parë.

Kjo palodhshmëri e tij — ky udhëtim i pa ndalur nga libri te libri — nuk është thjesht një punë e kritikës, por një dëshmi dashurie për letërsinë, një dëshirë për ta kuptuar thelbin e saj dhe për ta sjellë atë më afër nesh. Dhe, përmes kësaj devotshmërie, profesori krijon një mozaik të gjerë interpretimesh, ku çdo libër është një gur i çmuar, i vendosur me kujdes në një galeri mendimesh që pasuron botën shpirtërore të të gjithëve.

Autori Shkodra, përgjatë gjithë kësaj përmbledhjeje vështrimesh, shfaq një gjuhë që rrallë mund të ndeshet ndër autorë të tjerë të së njëjtës fushë. Ajo është një gjuhë që rri lehtë mbi faqe, që rrjedh natyrshëm dhe që depërton shpejt te lexuesi, sepse nuk ka barrën e rëndë të komplikuarës, por finesën e qartësisë dhe elegancën e mendimit të ndërtuar me maturi.

Shkodra flet me një lehtësi që nuk e humb kurrë thellësinë, përdor fjalë të kuptueshme, por që shndritin si gurë të çmuar kur vendosen në rresht, të ngarkuara me domethënie dhe emocion. Në shkrimet e tij, metaforat nuk janë zbukurime, por ura që lidhin botën e lexuesit me botën e autorit; krahasimet nuk janë stolisje, por dritare që hapin horizonte të reja ku kuptimi merr jetë; ndërsa simbolet që ai zgjedh janë si shenja të vendosura me kujdes në hartën e udhëtimit letrar, që të çojnë drejt thelbit pa humbur në shtigje të kota.

Gjuha e tij ngjan me një fllad të butë që prek përherë mendimin, duke e bërë leximin jo vetëm të kapshëm, por edhe kënaqësi estetike. Nëpërmjet saj, Shkodra arrin të ndërthurë thjeshtësinë me thellësinë, duke krijuar një stil që mbetet i veçantë, i dallueshëm dhe i paharrueshëm në peizazhin tonë letrar.

Profesori, në këtë mozaik të gjerë vështrimesh, sjell para nesh më shumë se tetëmbëdhjetë analiza dhe vlerësime për veprat e autorëve të ndryshëm, duke e shtrirë penën e tij kritike në një hapësirë të madhe krijimtarie. Secili prej këtyre vështrimeve është një fije e hollë që, e endur me kujdes, ndërton një tapiceri të pasur mendimi, ku zëri i profesorit rezonon me qetësi dhe thellësi.

Por kjo përmbledhje nuk qëndron vetëm mbi gjurmët që ai lë te të tjerët; ajo shndriste edhe përmes pesë vështrimeve të autorëve të tjerë, të cilët i janë kthyer veprave të vetë prof. Faik Shkodrës. Në këto shkrime, që flasin me ton të matur e të sinqertë, veprat e tij paraqiten si punë të rralla, të ndërtuara me një përkushtim të pandalshëm, të pajisura me një gjuhë të pastër, të kultivuar, dhe me një stil letrar që ngrihet mbi zakonshmen.

Këto reflektime, të shkruara nga duar dhe mendje të ndryshme, përbëjnë një mozaik të pasur vlerësimesh që dëshmojnë ndikimin e gjerë dhe rezonancën e veprës së tij në hapësirën letrare. Nuk janë të pakta këto shkrime (pesë sosh) — secili prej tyre mban brenda një përulësi të heshtur dhe një respekt të thellë për punën e profesorit, duke e shoqëruar atë me fjalë që i ngjasojnë një dritareje të hapur mbi kontributin e tij shumëvjeçar.

Kështu, përmbledhja nuk bëhet vetëm një pasqyrë e kritikës që profesori i ka bërë të tjerëve, por edhe një dëshmi e gjallë e mënyrës se si vetë vepra e tij ka frymëzuar të tjerë të shkruajnë, të analizojnë, të meditojnë. Është një dialog i bukur letrar — një qark i mbyllur mirënjohjeje, ku fjala e profesorit takon fjalën e kolegëve të tij, dhe së bashku krijojnë një hapësirë ku letërsia merr frymë më gjerë, më thellë dhe më bukur.

Këto fjalë miradije nuk janë vetëm vlerësime formale; ato janë dëshmi të ndikimit që profesor Shkodra ka ushtruar në horizontin e letërsisë. Janë një pasqyrë që rikthen dritën tek ai vetë, duke e vendosur veprën e tij në piedestalin që i takon — atë të krijimeve që lindin nga dashuria për fjalën dhe nga përkushtimi që nuk njeh lodhje.

Kështu, mozaiku i tij nuk bëhet vetëm panoramë e letërsisë shqiptare bashkëkohore, por edhe një dëshmi e ndritshme e mënyrës se si një autor mund të jetë njëkohësisht edhe lexues i urtë, edhe shkrues që frymëzon të tjerët ta shohin më thellë, ta ndjejnë më shumë dhe ta duan më fort letërsinë.

Po ashtu, në këtë përmbledhje zë vend një moment i veçantë kulturor: promovimi i katër veprave të autorit Faik Shkodra, një ngjarje që nuk ishte thjesht një prezantim librash, por një festë e madhe letrare, një përkulje e denjë para një jete të tërë të përkushtuar fjalës dhe mendimit.

Ky promovim kishte ardhur në një kohë simbolike, duke u ndërthurur natyrshëm me dy jubile të rëndësishme në jetën e autorit: 80-vjetorin e lindjes, një prag që shënon pjekuri të rrallë shpirtërore dhe intelektuale, dhe 50-vjetorin e krijimtarisë së tij letrare, ku gjysmë shekulli punë shndërrohet në më shumë se tridhjetë vepra që tashmë mbajnë vulën e tij të veçantë në kulturën shqiptare.

Ky përkim kohor i kishte dhënë ngjarjes një dimension të dytë emocional e historik — jo vetëm që ishin prezantua librat e rinj, por ishte nderua një rrugë e gjatë, e ndërthurur me pasion, dije dhe këmbëngulje. Ishte sikur fjala të kishte zgjedhur vetë ditën e duhur për të kremtuar autorin e saj, duke e vendosur prof. dr. Faik Shkodrën në qendër të një universi letrar që ai e ka ndërtuar gur pas guri, libër pas libri, dekadë pas dekade. Në këtë mënyrë, promovimi nuk ishte vetëm një aktivitet kulturor, por një përmendore e gjallë e vlerës së tij si krijues, një moment reflektimi mbi trashëgiminë që ai ka lënë dhe mbi dritën që vazhdon të shpërndajë në letërsinë shqiptare.

Përurimin e krijimtarisë letrare të profesor Shkodrës e kishin begatua me kompetencë dhe elegancë intelektuale një varg referuesish e kritikësh letrarë, të cilët me fjalën e tyre të matur kishin krijua një kurorë nderimi rreth veprës së tij. Secili prej tyre kishte sjellë një dritë të veçantë, një qasje të menduar thellë, duke e bërë këtë ngjarje jo vetëm promovim librash, por një festim të vetë aktit të krijimit dhe të leximit.

Prof. dr. Adem Zejnullahu kishte hapur këtë rreth vlerësimesh me një shqyrtim të mprehtë të librit “Aziz Shkodra – personalitet i veçantë”, duke nxjerrë në pah dimensionet e një figure që shkon përtej biografisë, drejt simbolit të vlerave intelektuale e kombëtare.

Pas tij, prof. dr. Hysen Matoshi kishte sjell një trajtesë të thelluar për veprën “Rexhep Shkodra – intelektual e profesionist model”, duke e vendosur këtë figurë në një kontekst më të gjerë kulturor, si një shembull i rrallë profesionalizmi dhe karakteri.

Prof. Nexhat Rexha, me mënyrën e tij të natyrshme të qasjes analitike, e kishte ndriçua librin “Profili letrar – Sulejman Dërmaku”, duke theksuar finesën me të cilën profesori Shkodra ka ditur të shpalosë portretin shpirtëror dhe letrar të këtij autori.

Ndërsa kritiku letrar Prend Buzhala, me stilin e tij të përpunuar e poetik, kishte folur për “Thellësinë e komunikimit artistik të Ramadan Mehmetit”, duke nxjerrë në pah jo vetëm vlerat estetike të veprës, por edhe ndjeshmërinë me të cilën është lexuar dhe interpretuar nga prof. Shkodra.

Në duart e këtyre referuesve, ngjarja mori trajtën e një mozaiku të përsosur letrar, ku çdo vështrim kishte shtua një pjesë të re në portretin e gjerë të krijimtarisë së profesor Shkodrës. Ishte një përkujtim i bukur dhe i denjë, që e ngriti fjalën letrare në lartësinë që meriton dhe i dha autorit një vend të veçantë në peizazhin kulturor shqiptar.

Duhet falënderuar profesori për këtë punë të madhe, të vyer dhe thellësisht fisnike, e cila po shndërrohet në një trashëgimi sublime për kulturën tonë letrare. Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm te autorët, të cilëve u jep zë, dritë dhe vend të merituar në horizontin e krijimtarisë; ai përfshin edhe lexuesit dhe, sidomos, gjeneratat e reja, të cilat shpesh, në vorbullën e botës së digjitalizuar, duken sikur po i largohen librit dhe qetësisë që ai sjell.

Në këtë kohë të shpërqendrimeve të shumta, kur fjala e shkruar rrezikon të humbasë mes ndezjes së ekraneve, profesori vjen si një kujtesë e gjallë për vlerën e librit, për thellësinë që vetëm leximi mund ta japë, për ato botë të brendshme që hapen vetëm përmes faqes së shtypur. Ai, me punën e tij të përkushtuar, ndërton ura mes së kaluarës dhe së ardhmes, duke e mbajtur gjallë traditën e leximit, të interpretimit, të mendimit të ndërtuar me kujdes.

Kjo trashëgimi që ai po lë, është një fener që ndriçon jo vetëm autorët e shumë veprave që ai ka trajtuar, por edhe rrugën e lexuesve të rinj që, falë tij, mund të rikthehen drejt librit me kureshtje, respekt dhe dashuri. Në këtë kuptim, puna e profesor Shkodrës nuk është vetëm një akt kritik apo akademik — ajo është një dhuratë për kulturën, një shërbim i heshtur, por i pamatshëm, që e ruan shpirtin e letërsisë në kohë ndryshimesh të mëdha.

15 dhjetor 2025
Prishtinë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.