Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
TRAKI I LËVIZJES POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS
Në rrëfimin e tij, Shillova nis me një identifikim të thjeshtë, por të mbushur me domethënie: “Unë, Agim Shillova, nga fshati Topliqan, Komuna e Lipjanit…“. Kjo hyrje nuk është vetëm një prezantim, por një përkujtim i origjinës, i rrënjëve që edhe pse fizikisht larg, kanë mbetur të pashkëputura. Ai kujton se qysh në vitet ’80 kishte emigruar në Zvicër – një hap që, për shumë shqiptarë të asaj kohe, nënkuptonte largimin nga represioni por jo shkëputjen nga angazhimi politik. Përkundrazi, diaspora shqiptare në Zvicër u shndërrua në një terren të rëndësishëm për organizimin e lëvizjes ilegale, dhe pikërisht aty Shillova do të njihte dhe do të bashkëpunonte me shumë individë të përkushtuar në strukturat e LPRK-së.
Kjo dëshmi, përveçse pasuron narrativën për Arif Seferin me zëra të dorës së parë, i jep punës së Fitor Seferit një dimension të ri: atë të ndërlidhjes së memories individuale me kujtesën kolektive. Nëpërmjet dialogut me aktorët e gjallë të rezistencës, ai arrin të krijojë një portret të shumëfishuar të historisë – një histori që nuk qëndron vetëm në dokumente të thata, por që pulson në kujtime të ruajtura me kujdes dhe respekt të thellë.
Një nga momentet më domethënëse në kujtimet e aktivistëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) është padyshim njohja dhe bashkëpunimi me figura kyçe të rezistencës ilegale, siç ishte Arif Seferi – një prej përfaqësuesve më të angazhuar dhe të besuar të kësaj lëvizjeje. Kjo marrëdhënie bashkëpunuese, siç rrëfen një ndër pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të ngjarjeve, kishte nisur në kuadër të Mbledhjes së Dytë të Përgjithshme të LPRK-së, ku Arif Seferi merrte pjesë si delegat i rregullt, përfaqësues i përkushtimit politik dhe organizativ të strukturave të brendshme të lëvizjes.
Viti i këtij takimi shënoi një periudhë me intensitet të lartë veprimi politik, ku detyrat e shpërndara ndërmjet aktivistëve nuk ishin vetëm simbolike apo të natyrës teorike, por konkrete, të guximshme dhe të rrezikshme. Në këtë kuadër, një nga përgjegjësitë më të ndjeshme që i ishte besuar Agim Shillovës ishte transportimi i një shaptilografi dhe një makine shkrimi elektronike nga Zvicra në Kosovë – pajisje që në atë kohë përbënin mjete themelore për përgatitjen e materialeve të shtypura ilegale, përfshirë traktet, fletushkat dhe dokumentet e brendshme të lëvizjes.
Kjo detyrë e ndjeshme nuk do të realizohej pa bashkëpunimin e një rrjeti të gjerë solidariteti brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës. Në këtë rast, rolin kyç e kishte luajtur një shok shqiptar me shtetësi dhe pasaportë turke – Hysniu – një veprimtar që jetonte dhe punonte në qytetin e Bazelit, në Zvicër. Prania e tij, përveçse e garantonte njëfarë lehtësimi në aspektin teknik të kalimit kufitar, tregonte edhe për natyrën transnacionale të lëvizjes ilegale shqiptare, e cila përtej kufijve fizikë, mbështetej në lidhje të gjalla dhe të qëndrueshme ndërmjet mërgatës dhe atdheut.
Në këtë rrëfim, veprimtaria nuk paraqitet si një akt i thjeshtë logjistik, por si një dëshmi konkrete e besimit të ndërsjellë, e rrjetëzimit të rezistencës dhe e përkushtimit të përbashkët ndaj kauzës kombëtare. Pajisjet që transportoheshin nuk ishin vetëm objekte funksionale – ato ishin veglat e një lufte tjetër: luftës së fjalës së shkruar, të mendimit të lirë dhe të dokumentimit të së vërtetës. Arif Seferi, që do t’i merrte këto pajisje në terren, mishëronte besimin që struktura e LPRK-së kishte tek individët e saj më të devotshëm, ata që në heshtje, por me vendosmëri, mbanin gjallë frymën e rezistencës.
Pas rikthimit në vendlindje, i ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe urgjencën e misionit që kishte ndërmarrë, kishte kontaktua menjëherë Arif Seferin – një figurë qendrore e organizimit të brendshëm të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Lidhja e Agimit nuk ishte vetëm personale, por thellësisht e ndërthurur me detyrat që lidhnin mërgatën me strukturat e rezistencës në vend. Kishte bisedua me të në telefon dhe për takimin që duhej të ndodhte, një takim që do të kishte peshë organizative dhe përmbajtje logjistike me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e veprimtarisë ilegale.
Dhe, dy ditë pas bisedës, Arifi ishte paraqitur në vendin e caktuar. Ishte një pasdite që nuk i mungonte as tensioni, as përmbajtja simbolike. Ai kishte shkua me një veturë të thjeshtë, një “Reno 4”, që përfaqësonte modestinë, por edhe kujdesin strategjik në lëvizje. Arifin e shoqëronte një mik i tij, për të cilin më vonë kishte mësua se quhej Reshat dhe ishte mësues i biologjisë – një profesion i qetë që maskonte një pjesëmarrje të heshtur në rrjete rezistence. Figura si Reshati ishin tipike për kohën: njerëz të zakonshëm në dukje, por të përfshirë në mënyrë të thellë në proceset e organizimit të fshehtë politik, të cilët e vinin dijen, rrjetin dhe përkushtimin personal në funksion të çështjes kombëtare.
Në atë takim, megjithatë, Arifi njoftoi se nuk do të ishte i gatshëm të merrte menjëherë pajisjet – shaptilografin dhe makinën e shkrimit elektronik – për të cilat ishin bërë përgatitjet me kujdes dhe sakrificë. Ai e shtyu marrjen e tyre për dy ditë më vonë. Ky vendim, që në pamje të parë mund të duket procedural, në të vërtetë pasqyronte saktësinë dhe maturinë me të cilën vepronin organizatorët e rezistencës ilegale. Çdo lëvizje duhej të kalonte nëpër filtër sigurie, çdo veprim të koordinohej me rrethanat dhe vlerësimet operative. Kjo nuk ishte një punë spontane, por një veprimtari e menduar, e ndërtuar mbi përvojë dhe disiplinë të rreptë, ku asgjë nuk i lihej rastësisë.
Ky episod i vogël në dukje, shpalos thellësinë e mënyrës si funksiononte rezistenca: në heshtje, me durim, me organizim dhe me vetëdijen se çdo hap bartte peshën e përgjegjësisë historike.
Dhe ashtu siç ishte paralajmëruar, gjithçka ndodhi sipas planit: Arif Seferi dhe bashkudhëtari i tij, Reshati, mbërritën me të njëjtën makinë modeste, që tashmë kishte marrë një simbolikë të heshtur për rrugëtimin e tyre të guximshëm. Vazhdon më tej Agimi, “Kur hynë në oborrin e shtëpisë sime, i prita me mikpritjen e zakonshme shqiptare – një zakon i rrënjosur thellë në kulturën tonë, që nuk njeh kohë e rrethana: miqtë nderohen me ushqim, me kafe, me ngrohtësi. Por, këtë herë, ndryshe nga zakonisht, ata refuzuan me mirësjellje çdo ofertë”.
Nuk ishte thjesht çështje kohe apo rregulli etik. Në të vërtetë, në sytë e tyre lexohej një ndjesi shqetësimi të thellë, të cilën e ndaja edhe unë: rruga që kishin përpara ishte e gjatë dhe e mbushur me pasiguri. Udhëtimi drejt Kumanovës nuk përfaqësonte vetëm distancë fizike, por një segment të ngarkuar me tension dhe rrezik të vazhdueshëm – një rrugë që mund të ndryshonte jetën në çdo moment, në varësi të një kontrolli policor, një sinjalizimi të rastësishëm apo një ndalese të paarsyeshme.
Kjo përmbajtje e thjeshtë – refuzimi i mikpritjes për hir të një përgjegjësie më të madhe – përçon thellësinë e etikës së veprimtarëve të asaj kohe. Ata nuk udhëtonin për vizitë, as për lehtësim personal, por si bartës të një misioni, ku çdo minutë kishte peshë dhe çdo lëvizje duhej të ishte e matur. Ishte ky një reflektim i ndjenjës së lartë të detyrës që i përshkonte të gjithë ata që vepronin në fshehtësi për të mirën e përbashkët. Dhe kështu, takimi i shkurtër u shënua më shumë nga domethënia e pranisë së tyre se sa nga kohëzgjatja e tij. Në heshtjen që i shoqëronte, ndjehej peshë simbolike: përkushtimi për një rrugë të gjatë – jo vetëm gjeografike, por edhe historike.
Në atë kohë, kur çdo veprim duhej të bëhej me maturi të skajshme dhe nën hijen e rrezikut të përhershëm, transportimi i materialeve të ndaluara nuk ishte thjesht një detyrë teknike – ishte një akt guximi, një pjesë e pandashme e përpjekjes së organizuar për liri. “Me veturën time, vendosa të marr përsipër një pjesë të kësaj përgjegjësie, duke e transportuar pajisjen teknike deri në fshatin Bibaj, në Komunën e Ferizajt. E bëra këtë jo vetëm si një detyrë personale, por edhe si shprehje konkrete e solidaritetit me bashkëveprimtarët, për të ndarë me ta rrezikun që rëndonte mbi çdo hap të këtij rrugëtimi.
Bibaj ishte vendi i ndërrimit të dorëzimit – një pikë tranziti që për ne kishte rëndësi strategjike. Aty, me kujdesin dhe koordinimin që kërkonte momenti, kaluam pajisjet nga makina ime në automjetin e shokëve të tjerë, të cilët do të vazhdonin rrugën drejt destinacionit përfundimtar”. Edhe ky veprim, i heshtur dhe pa bujë, përfaqësonte një hallkë të fortë në zinxhirin e organizimit ilegal, ku gjithçka mbështetej mbi besim, përkushtim dhe maturi të përhershme.
Sipas marrëveshjes, pas dy orësh prita sinjalin e tyre – një telefonatë që do të më tregonte nëse gjithçka kishte kaluar në rregull. Kur më në fund u dëgjuam, përgjigjja ishte e qetë, me tone të zakonta, por përplot kuptim për atë që e dinim të dy: “Mirë shumë,” – tha ai. “E mora parketin dhe më doli shumë i mirë.” Këto fjalë, të koduara me kujdes për të shmangur çdo formë të përgjimit, përçonin qartë se pajisja kishte arritur me sukses dhe se gjithçka kishte shkuar sipas planit.
Kjo mënyrë e të folurit – e thjeshtë në dukje, por e ngarkuar me domethënie – është dëshmi e nivelit të organizimit dhe vetëdijes që mbizotëronte ndër radhët e rezistencës. Ajo tregon për jetën në ilegalitet, ku ndjeshmëria për çdo fjalë, për çdo lëvizje, për çdo veprim ishte çështje mbijetese. Dhe pikërisht në këto përvoja të vogla, të përditshme, por të guximshme, qëndron historia e madhe e qëndresës shqiptare në një kohë të errët, ku fjala, mendimi dhe pajisja e shtypit kishin peshën e një akti politik të barasvlershëm me kryengritjen.
“Takimi i fundit me Arif Seferin, një figurë që do të zinte vend të veçantë në kujtesën time dhe në historinë e rezistencës shqiptare, ndodhi në rrethana të ngarkuara nga ndjenja e përbashkët e qëndresës dhe vendosmërisë. Ishte viti 1989 – një vit kritik për fatin politik të Kosovës – dhe ne u gjendëm krah për krah në demonstratat e mbajtura në Ferizaj, në kundërshtim të hapur me ndryshimet kushtetuese që po i imponohej popullit shqiptar nga regjimi jugosllav. Ishte një moment historik, një akt kolektiv i refuzimit të nëpërkëmbjes, dhe një shfaqje e guximit qytetar që kërkonte të ruante identitetin dhe të drejtat themelore të një populli të tërë”.
Në atë grumbullim të zëshëm, ku fjalët e protestës i kapërcenin frikët dhe ku çdo hap në rrugët e qytetit ishte edhe një akt përballje me pushtetin, Arif Seferi shfaqej ashtu siç e kishin njohur gjithnjë – burrëror, i qetë, me shikimin përpara dhe zemrën të lidhur fort pas idealit të lirisë. Ai nuk fliste shumë, por prania e tij ishte fjalë më vete: një dëshmi e përkushtimit, një simbol i guximit të heshtur, por të pathyeshëm. Pas atij takimi, rrugët tona nuk u kryqëzuan më fizikisht, por kujtimi për Arifin mbeti i gjallë, i ngulitur thellë në ndërgjegjen time si shok, si veprimtar dhe si njeri.
E kujtoj me përmallim dhe respekt të thellë si një burrë syhapur, që nuk dinte të trembej përballë padrejtësisë – një mik i idealit dhe një luftëtar i palëkundur për çështjen kombëtare. Sot, kur emri i tij qëndron krenar ndër radhët e Dëshmorëve të Kombit, e ndjej për detyrë të përkul me respekt kujtimin ndaj jetës dhe veprës së tij. Arif Seferi nuk ishte vetëm pjesë e një organizate, ai ishte frymë – ai ishte mishërimi i asaj gjenerate që nuk kurseu asgjë për të ardhmen e lirë të vendit. Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Dëshmorit të Kombit, Arif Seferi – simbol i qëndresës dhe i nderit shqiptar, përfundon rrëfimin e tij Agim Shillova.
( vijon )