Autore:
Elife LUZHA
(Me brigadat e flijimtarëve të vitit 1981)
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë ishin vazhdim i veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara, që padrejtësisht Fuqitë e Mëdha ia dhuruan Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Më 1912, Shqipëria u shpall e pavarur, por 55% e territoreve të saj, si Kosova dhe Çamëria, mbetën jashtë shtetit shqiptar. Kjo çoi, veç të tjerash, në themelimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 1918, me qëllim mbrojtjen e tokave tona të shenjta. Shqiptarët nuk mund ta pranonin robërinë me poshtërimin më të rëndë që u bëhej atyre. Me instinktin gjenetik të lirisë dhe të krenarisë, ata u detyruan të organizojnë forma të ndryshme qëndrese kombëtare e njerëzore, fillimisht për mbijetesë.
Veprimtaria kundër dhunës, kulmoi sidomos në vitin 1945, me legjendarin Shaban Polluzha me shokë; pastaj në vazhdimësi me pishtarin Adem Demaçi.
Viti 1945 shënon ripushtimin e tretë të Kosovës nga Jugosllavia, kur dhe u instalua pushteti ushtarak sllavo-komunist. Për 6 muaj kulmoi tragjedia shekspiriane, nën petkun e fitimtarëve vranë 48.000 shqiptarë, zhdukën 10.000 të tjerë dhe dëbuan për në Turqi 350 mijë shqiptarë etnikë (në kohën e Rankoviçit u dëbuan edhe 250 mijë). Kombi shqiptar në vatrën e vet ilire përjetonte “natën mesjetare” të Shën Bartolomeut. Gjithëçka ishte e lejuar kundër tyre e në sy të Evropës, ata vriteshin, plaçkiteshin, dëboheshin e zhdukeshin brenda natës. Por masakra gjenocidiale serbo-sllave nuk i trembi dot atdhetarët e Lëvizjes Kombëtare. Terrori vetëm sa u shtonte trimërinë e qëndresën. Bashkë me lirinë synohej dhe bashkimin me Shqipërinë amë, lumenj gjaku rrodhën për të dy qëllimet.
Më 1945, sapo ishte lejuar shqipja, pasi serbo-sllavët edhe zyrtarisht e kishin ndaluar. “Rilindja” si gazetë e parë shqipe në Kosovë doli më 1945 (më 1957 njihet si organ i LSPPK-së), por bazuar në censurën që ushtrohej mbi çdo gjë që flitej dhe shkruhej shqip, shtypi i asaj kohe ende ishte larg së përfaqësuari të mendimit shqiptar. Megjithatë, pena e atdhetarëve, e mendjeve më të ndritura dhe më me ndikim të kohës, nëpërmjet shtypit klandestin publikoi artikuj me përmbajtje kombëtare, duke edukuar, bashkuar dhe ngritur vetëdijen politike e kombëtare për liri dhe bashkim. Për këtë ata ndiqeshin e burgoseshin, si Adem Demaçi, që ridënohej në burgun e dytë ende pa u liruar nga i pari.
Por as proceset e montuara politike, as terrori rankoviçian nuk mundën ta ndalin shpërthimin e demonstratave studentore për liri dhe barazi, të njohura si demonstratat e ’68-ës. Ato koinciduan me demonstratat në Europë dhe në botë, por që dallonin për nga motivet e thella të krimeve sllave dhe karakteri çlirimtar i tyre.
“Të ndalet diskriminimi i shqiptarëve”, “Vetëvendosje” dhe “Kosova Republikë”, ishin kërkesat më të zëshme në demonstratat e shqiptarëve të vitit 1968. Që në ditën e parë të tyre, më 27 nëntor, u vra me armë zjarri nxënësi Murat Mehmeti. Shumë demonstrues u burgosën bashkë me prijësit e tyre, si Osman Dumoshi, Skënder Kastrati, e shumë të tjerë. Ishin vite tepër të rënda për Kosovën e tradhtuar, dhunuar e terrorizuar, kurse paria e vendit, siç thoshte Jusuf Gërvalla, nuk bëzante e tulatur nga pagat e majme dhe kolltukët e butë, ku me kohë i kish rehatuar Serbia. Ata, me duart e tyre, u dorëzuan xhelatëve serbë bijtë më të mirë të popullit, madje duke proklamuar me gojën e propagandës shoviniste, se shqiptarët i paskan të gjitha të drejtat dhe se Kosova “vetëm emrin nuk e ka Republikë”!
Do të kalojnë tetë vite derisa në Brione të Kroacisë të miratohen ndryshimet e pritura të kushtetutës jugosllave të vitit 1974. Por statusi i Republikës së Kosovës u hesht. Paria e vendit dështoi edhe kësaj here t’i dilte zot popullit dhe vendit të vet. Kosova prapë mbeti nën dhunë e poshtërim, duke u trajtuar edhe më tutje, si autonomi konstituive e federatës. Vetëm pas dy vjetësh, intelektualët serbë bënë të njohur daljen e librit të kaltër. Me një fjalë, Serbia nën rrogoz po përgatiste procese të mbrapshta frenuese jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, për t’ua hequr edhe ato pak të drejta të garantuara me kushtetutë, për të cilat bijtë e Kosovës ende dergjeshin burgjeve.
Megjithatë, siç kujton Mehmet Hajrizi, prijës i ilegales në vitet ’70-të, “aspirata e popullit shqiptar në këto vite vetëm sa rritej”. Lëvizja Kombëtare e zgjeroi edhe më aktivitetin e saj kombëtar, tanimë në ilegalitet të thellë. Kurse organizatat dhe shtypi klandestin shqiptar vetëm sa u shtuan, në veçanti pas formimit të Grupit Revolucionar të Kosovës (GRK) më 1973.
Udhëheqësi i grupit, Kadri Osmani thoshte: “Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë të na zhdukin, ne njëqind herë do të luftojmë, të ringjallur për lirinë e Kosovës”. GRK-ja, nga viti 1975, u quajt “Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës” OMLK, dhe nga viti 1974 deri më 1982 (kur pushoi së vepruari), është udhëhequr nga Mehmet Hajrizi.
Të kujtosh veprimtarinë atdhetare të OMLK-së, që është organizatore e demonstratave 1981, do të thotë të kujtosh atdhetarizmin e epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, trimërinë, besën, guximin, solidaritetin e sakrificën deri në vetëmohim, vlera këto të trashëguara brez pas brezi ndër shqiptarë. Si kriter për t’u anëtarësuar në këtë organizatë vlerësohej atdhedashuria, guximi, zgjuarsia dhe, në veçanti, aftësia e ruajtjes së konspiracionit.
Ky fakt na kujton gjykimin e anëtarëve të kësaj organizate të arrestuar nga sigurimi serb më 1982, (“për t’ua këputur kokën e thyer kurrizin”, çirrej vasali S. Hasani), në mesin e të cilëve gjendej edhe nxënësi i shquar i gjimnazit matematikor, Kadri Luzha. Edhe pse në moshën 19-vjeçare, gjatë hetimeve ai përballoi torturuat mesjetare e satanike. Në qelinë e tij, nga dritarja me grila, në shtratin prej dërrase akull, si në pamje legjende edhe në kohë dimri, hynte borë e lagështi.
Përkundër të gjitha torturave para trupit gjykues, të cilët ishin shqiptarë, kur po dënohej bashkë edhe me tetëmbëdhjetë shokët e tij, më 8 korrik 1982, Kadri Luzha me guxim Prometeu deklaron: “Jam më i riu dhe pa përvojë, por ju dhe pushtuesit e popullit tim që ju mbajnë, ju betohem që do t’ju luftoj tërë jetën”, kështu kujton udhëheqësi i grupit dhe i bashkëdënuari me Kadriun, Mehmet Hajrizi.
Ky frymëzim atdhetar që prushonte në zemrat e rinisë së Kosovës, pushtuar nga ndjenja e dashurisë për liri dhe demokraci, demonstratat e Pranverës së Madhe të vitit 1981, i shndërroi në kryengritje popullore, duke tundur për vdekje themelet e federatës jugosllave.
Filluan më 11 mars, për të mos përfunduar deri në fund të viteve ’90-të, kur përgjegjësinë për t’i dalë zot Kosovës e mori UÇK-ja. Demonstratat e 26 marsit ishin uverturë e atyre të 1, 2 dhe 3 prillit, kur të bashkuar, nxënës, studentë, mësues, punëtorë e fshatarë, pushtuan rrugët e mbarë qyteteve të Kosovës me kërkesën “Kosova Republikë”. Në Ballkan dhe Europën Lindore nuk ishin parë demonstrata aq masive që nga Lufta e Dytë Botërore. Ata (protestuesit) të gjithë i ngjasonin njëri-tjetrit, me vrullin, solidaritetin, vendosmërinë dhe qëllimin e tyre.
Mbi ta u gjuajt me armë zjarri nga policët, tanket, aeroplanët. Ranë edhe dëshmorët e parë të Pranverës së Madhe, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. U plagosën qindra demonstrues, ndërsa u vranë me dhjetëra të tjerë. Populli mbante dyert e hapura me adhurim për bijtë e tij më të mirë. Nënat, motrat e nuset u kujdesën për plagët e krushqve të lirisë. Liria e Kosovës qe kryefjala dhe kallëzuesi i të gjithëve. Me trupat e tyre ngrinin barrikada para kordonëve policorë, për ta penguar marshin e tyre gjakësor. Vashat si luanesha hidheshin mbi tanket serbe dhe në tytat e tyre vendosnin flamurin kombëtar. Të bashkuar, nxënës e studentë, çarmatosnin policët që gjuanin me plumba mbi ta.
Policia kriminale e pushtuesit u gjet e papërgatitur para ortekut demonstrues. Në ndihmë u erdhën ushtria me njësitë speciale nga Beogradi dhe shpallën gjendje lufte. Mbyllën shkollat, fakultetet e ndërmarrjet, kurse ndër medie kurdisën altoparlantët e shantazheve dhe të propagandës antishqiptare. Edhe kësaj here paria e vendit u pozicionua në anën e turpit. Për-krah armikut demonstruesit i quajtën: “armiq”, “reaksionarë të egër”, “nacionalistë të ashpër”, e thanë “do t’i fusim në vrimat e minjve” e çfarë nuk thanë.
E tërë Kosova ziente nga bastisjet dhe shfryrjet sadiste të ardhacakëve serbë mbi shqiptarët etnikë. U publikuan për herë të parë të dhënat, ku tregohej se nga viti 1979 deri më 1980 ishin zbuluar dhe dënuar 8 grupe nacionaliste me 680 anëtarët e tyre; 4 vjet pas demonstratave të vitit 1981 u dënuan 4000 veta dhe u shqiptuan 5 shekuj burg. Nga viti 1981 deri më 1990 u dënuan edhe 1346 ushtarë shqiptarë, që shërbenin në ushtrinë jugosllave, ndërsa në mënyra të ndryshme u vranë edhe 63 të tjerë. Me një fjalë, në Kosovë që nga viti 1945 e deri më 1999, për veprimtari politike janë shqiptuar 666 shekuj burg për shqiptarët etnikë.
Gjithsesi, kryengritja e Pranverës së Madhe më 1981 shënoi kthesë të madhe në historinë më të re shqiptare dhe fillimin e fundit të robërisë në Kosovë. “Brezi i artë” apo “brigadat e flijimtarëve” të vitit ‘81 ishin pishtarët e parë të lirisë dhe të demokracisë.
“Të gjitha vitet e ndihmuan historinë, por viti ’81 e ndryshoi atë”, gjykonte i paharruari Mr. Ukshin Hoti. Ndërsa Sekretarja e Shtetit Amerikan, Hillari Klinton (Hillary Clinton), për këto ngjarje në ditarin e saj kujton: “Dardanët kosovarë, që janë vetëm shqiptarë, në vitet ’80, me protestat dhe gjakun e tyre, i bënë të njohur edhe shqiptarët e Shqipërisë”.
Bota e qytetëruar demokratike i përkrahu fuqishëm demonstratat në Kosovën e vitit 1981, e për këtë më mirë flasin dhjetëra artikuj të botuar nëpër mediat më të fuqishme botërore. Edhe shumë atdhetarë në shtetin amë, duke i përkrahur demonstratat e vëllezërve kosovarë, u thoshin popujve në ish-Jugosllavi dhe më gjerë, që të solidarizohen me shqiptarët dhe kërkesat e tyre legjitime, ngase “Dora e fortë serbe që po godet Kosovën, shpejt do të ngjitet edhe në Bosnjë, Kroaci e Slloveni”.
Atdhetarizmi shqiptar është një vijë e ndritshme, që eci nëpër histori me guximin e bijve më të përkushtuar. Kulmi qe legjenda e përjetshme e Adem Jasharit, e cila u flet të gjithë brezave me zërin e lirisë e të flijimit për shqiptarinë.
Shqiptarët e Kosovës me luftën heroike të UÇK-së, më 1999, realizuan ëndrrën njëqindvjeça-re për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Sot Republika e Kosovës, ngadalë, por e sigurt, po ecën drejt finalizemit të kauzës kombëtare, duke e çuar në vend amanetin e mijëra shqiptarëve të rënë për liri dhe bashkim kombëtar.
Ashtu qoftë!











