SHQIPTARËT EMIGROJNË MË SË SHUMTI NË EVROPË

0
Shqiptarët pas 1990

Diskursi demografik

Në kohën e diktaturës në Shqipëri, emigrimi i shqiptarëve ishte dukuri e sanksionuar me ligj, ku çdo tentim denohej me masa drastike, ndërsa me miratimin e pluralizmit politik, kjo dukuri mori përmasa të mëdha duke u bërë proces, me pasoja të mëdha kombëtare. Nga të dhënat të cilat janë publikuar kohë më parë nga Eurostat, del se shqiptarët për nga procesi i emigrimit janë kombësia më e madhe në BE në raport me popullsinë

Dr. Nail Draga

Emigrimi si dukuri e migrimit të popullsisë në kuadër të procesve demografike, nuk është dukuri e re e as e panjohur edhe për ne shqiptarët. Në lidhje me këtë çështje nga koha e instalimit të pushtetit të diktaturës komuniste në Shqipëri në vitin 1944, lëvizja e lirë e popullsisë e sidomos emigrimi në botën e jashtme, ishte dukuri e ndaluar me masa ligjore. Në kohën e diktaturës në Shqipëri është e njohur se populli jetonte me tollon e vendi ishte i rrethuar me klon dhe i izoluar nga bota, që ishte demagogji me pasoja kombëtare.

Tri eksodet biblike
Pas rënies së murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, të gjitha vendet e ish kampit socialist, filluan të bijnë si kullat prej letre. Dhe jehona e tillë pati ndikim pozitiv edhe në Shqipëri, ku në fillim të vitit 1990, u paraqiten tentime për grumbullime të qytetarëve, por edhe për të kaluar kufirin nga të rinjë si në veri e jug të vendit, ku pjesa ma e madhe e tyre e pësuan nga rojet e kufirit.

Eksodi i parë ka të bëjë me datën 2 korrik 1990, që është i pari nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, që njihet si “Fenomeni i Ambasadave në Shqipëri”. Në ambasadat e akredituara në Shqipëri sipas të dhënave janë futur 4975 persona. Nga ky numër më së shumti janë vendosur në ambasadën gjermane 3554 qytetarë, 816 në ate italiane, 549 në ate franceze dhe në rezidenca diplomatike në Tiranë. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se ishte një shuplakë e madhe për diktaturën komuniste në Shqipëri, duke dëshmuar se diktatura kishte falemintuar si kudo në vendet e ish kampit socialist. Të gjithë ata qe u vendosen në ambasada, më pas përmes portit të Durrësit, janë përcjellur për në ato vende ku kanë shprehur dëshirën të shkojnë.

Nga vera e deri në fund të vitit edhe pse në dhjetor u miratu pluralizmi politik në Shqipëri, kufirin e kanë kaluar numër i konsideruar i shqiptarëve nga deti e toka, duke rrezikuar vetën sepse rojat e kufirit ishin në gjendje mobile. Autori i këtij shkrimi është dëshmitar okular kur në lumin Buna me 20 dhjetor 1990, janë vrarë disa qytetarë e të tjerë janë mbytur në lum pranë fshatit Bore. Kufomat e pesë individëve me 21 dhjetor janë bartuar për në Podgoricë, por nga Qeveria e Shqipërisë nuk janë pranuar se janë qytetarët e tyre, andaj i kanë kthyer pas dhe janë varrosur në varrezat e kishës së Shën Kollit në Shtoj të Ulqinit. Raste të tilla ka pasur edhe në zonat tjera kufitare me pasoja të mëdha për individë e familje të ndryshme. Madje cekët se deri në fund të vitit në Greqi kanë kaluar duke udhëtuar këmbë me ditë e javë të tëra rreth 20.000 shqiptarë, duke kërkuar azil politik.

Grushti i fundit ndaj diktaturës

Eksodi i dytë ndodhi më 7-10 mars 1991, ku për tre ditë mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në kalatat e portëve më të mëdhënj të vendit. Llogaritet se rreth 20.000 refugjatë shqiptarë të nisur nga porti i Vlorës dhe i Durrësit zbarkuan në portet e jugut të Italisë: Brindizi, Bari, Otranto dhe Monopoli.

Ndërsa eksodi i tretë ndodhi me 8 gusht 1991 ku me anijen Vlora, që u nis nga Durrësi me rreth 10.000–15.000 persona në bordin e saj dhe mbërriti në portin e Barit. Në të njëjtën kohë, disa anije të tjera me rreth 1.000 persona arritën në portin e Otrantos. Ndërsa dy anijeve të tjera me rreth 675 persona janë përpjekur të zbrisnin në portet e Siçilisë dhe në Maltë, por nuk mundën dhe u detyruan të ktheheshin në Shqipëri.

Durrës, Egzodi 8 gusht 1991
Nga koha e hyrjës së shqiptarëve në ambasada me 2 korrik 1990 dhe deri në fund të vitit 1991 vazhduan largimet masive me çfarëdo lloj mjeti lundrues. Gjatë këtij eksodi të paparë deri në atë kohë, llogaritet se vendin e kanë lënë rreth 200.000 shqiptarë.

Ndonëse emigracioni u bë dukuri shoqërore, gjatë viteve 1992-1996, pësoi një ulje relative, sepse kishte një përmirësim të stabilitetit politik dhe situatës social-ekonomike, por të dhënat dëshmojnë se në fund të vitit 1996 arriti në 350 mijë vetë. Ndërsa kjo dukuri u bë masive në vitin 1997, si pasojë e rënies së skemave piramidale dhe kaosit politik që shoqëroi këtë ngjarje.

Shtegtarët

Për të pasur më të qartë numrin e popullsisë së emigruar na shërbejnë të dhënat nga regjistrimi i popullsisë të kryer nga INSTAT-i, në vitin 2001, ku popullsia shqiptare ishte 3,07 milion banorë dhe, nëse nuk do të kishte migracion, kjo shifër do të ishte 3,78 milion. Diferenca ndërmjet këtyre dy shifrave është numri i përafërt i emigrantëve, pra 710.000 persona.

Dhe nga ato vite e me pas emigrimi nga Shqipëria u bë proces që dëshmohet nga të dhënat e ndryshme sipas viteve përkatëse në vendet europiane e jashtë tyre. Në këtë aspekt nga EUROSTAT-i, nga viti 2008 kemi të dhëna të sakta të cilat nga media e individë të ndryshëm përpunohen dhe i janë prezantuar opinionit.

Shqiptarët – kombësia më e madhe në BE në raport me popullsinë

Kështu sipas të dhënave nga Eurostat-i në vitin 2023, në kuadër të BE-së janë regjistruar 25 shtetësi që nuk janë shtetas të BE, apo 27.4 milion persona, që përbënin 6.1% të popullsisë së BE-së. Në këtë kategori kanë dominuar shtetasit ukrainas (11,9 %), turq (7,7 %), marokenë (7,1 %) dhe sirianë (5,3 %). Ndërkohë, shtetasit kinezë (përfshirë Hong-Kongun) dhe rusët zinin përkatësisht 3,9 % dhe 3,3 % të numrit të përgjithshëm.

Nga ana tjetër shqiptarët renditen në vendin e nëntë me rreth 2.3% të totalit të të huajve që jetojnë në BE, pas Indisë (3.2%) dhe Mbretërisë së Bashkuar (2.6%).

Shqipëria e Kosova, të parat në raport me popullsinë
Në vendet e BE-së jetojnë rreth 3.2 milionë ukrainas, dhe 2.1 milionë turq, sipas të dhënave të Eurostat-it, duke u renditur të parët në numër.

Por emigrantët nga të dy këto shtete vijnë nga vende me popullsi të mëdha, ku Turqia ka 87 mln banorë dhe Ukraina 39 milionë banorë, duke bërë që emigrantët në raport me popullsitë e tyre përkatëse te jenë vetëm 2.4% dhe 8.4%.

Në BE, sipas Eurostat-it jetojnë rreth 630 mijë shqiptare (të dhënat nuk përfshijnë Greqinë). Kjo është e barabartë me 26% të popullsisë që jeton në Shqipëri, duke na renditur të parët në BE, në raport me popullsinë. Nëse shtohen dhe ata që jetojnë në Greqi, që janë të paktën 400 mijë persona, shifra e kalon 40%.

Në nivele të larta është dhe Kosova, që renditet e dyta për shtetasit që jetojnë në BE, në raport me popullsinë përkatëse, me 25.7%. Ballkani Perëndimor vijon kryesimin, me Maqedoninë e Veriut me 19.6% dhe Bosnjë e Hercegovinën me 17.3%. etj.

Nga viti 2008 leje qendrimi fituan 920 mijë shqiptarë
Të dhëna të tjera nga Eurostat-i bënë të ditur se në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së.

Në 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Që nga viti 2008, kur Eurostat-i raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë. Ndërsa për ata të cilët nuk kanë fituar një leje të tillë, mbetet çështje e hapur sepse nuk ekziton asnjë evidencë nga Qeveria e Shqipërisë, andaj çdo e dhënë është aproksimative dhe mund të spekulohet.

Një emigrim i tillë ka ndikuar që popullsia e Shqipërisë të pësoi rënie të dukshme,ku sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur në vitin 2023, sipas INSTAT-it, në vend jetojnë 2.4 milion banorë, me rënie prej 420 mijë persona, krahasuar me vitin 2011.

Popullsia në vend zbret në 2.36 milion banorë!
Ndërsa të dhënat e fundit që kanë të bëjnë me popullsinë e Shqipërisë mbajnë datën 1 janar 2025, ku sipas INSTAT-it rezulton se në Shqipëri jetojnë 2.363.314 banorë, duke pësuar rënie me 1.2% krahasuar me 1 janar 2024. Rënia e popullsisë është rezultat i dy komponentëve kryesorë demografikë: emigracioni dhe rënia e lindjeve, dukuri e cila është bërë shqetësuese dhe më pasoja kombëtare.

Mungon evidenca në nivel kombëtar
Në mungesë të një evidentimi të shqiptarëve në nivel të përgjithshëm, nga ndonjë subjekt qeveritar, çdo e dhënë është subjektive, andaj mbetet të ndryshohet qasja ndaj diasporës shqiptare. Për të eliminuar dilemat në lidhje me këtë çështje duhet një angazhim serioz, kryesisht nga përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë dhe të Kosovës, veç e veç apo së bashku në koordinim me subjekte tjera qeveritare. Vetëm në këtë formë do të kishim evidentim të saktë të të dhënave për shqiptarët në emigrim, si veprohet kudo në botën demokratike, duke eliminuar spekulimet dhe paragjykimet në lidhje me numrin e shqiptarëve në emigrim në vendet e ndryshme të botës.

(Korrik 2025)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.