“Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin B. D., 45 vjeç, banues në Korçë, me detyrë mësues në një shkollë 9-vjeçare, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”, dy 14-vjeçare, nxënëse të shkollës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan celularët e këtyre shtetasve“.
Arrestimi i 45 vjeçarit B.D., mësues në Shkollën 9-Vjeçare “Sotir Gurra”, është i drejtë, por i vonuar. Me rastin e rëndë po merret drejtësia. Ajo do ta thotë fjalën e fundit, të fajësisë apo pafajësisë së tij. Unë nuk merrem me xhestin. Sado i vogël që mund të jetë ai, në atë shkollë apo shkolla të tjera, duhet trajtuar. Duke e parë rastin në aspektin social, unë do të them disa mendime, që mendoj se i shërbejnë shkollës, nxënësve, komunitetit të prindërve e më gjerë…
Për këtë natyrshëm lindin disa pyetje, si: A kemi “bledarë” të tjerë nëpër shkolla? A i kemi lënë, disi, pas dore problemet edukative në shkollë? A funksionon sa duhet lidhja midis shkollës dhe komunitetit të prindërve? A duhet të rritet më tepër roli i mësuesit kujdestar? A është konsoliduar sa duhet roli i psikologut, si një “institucion” i ri, në shërbim të shkollës? A funksionon siç duhet komunikimi, mësues-prindër-nxënës?
Sa hapsirë u lëmë nxënësve në komunikimin, që ato të shprehen hapur për shqetësimet e tyre në shkollë, familje e shoqëri? Përse ligjet e miratuara në parlament, për abuzuesit apo ngacmimet seksuale me fëmijët, janë të buta? A ka vend për një kordinim më të mirë të punës midis drejtorisë së shkollës , oficerit të sigurisë nga njëra, me komisariatet e policisë nga ana tjetër, për parandalimin apo dënimin e personave me preçedentë negativë në shkolla, etj.?
Duke u nisur nga përvoja e gjatë si mësues dhe arritjet në arsim, mund të them se arsimi ka arritje të rëndësishme në shumë drejtime. Këtë duhet ta pranojmë të gjithë, dhe pa asnjë mëdyshje. Shkolla është pjesë e shoqërisë dhe si e tillë është e lidhur ngushtë me të. Në këto tridhjetë e katër vitet e fundit shoqëria e hapur shqiptare ka kaluar sfida, por ka pasur dhe trauma të shumta. Si e tillë shkolla jonë i ka përjetuar këto dukuri dhe është përballur me to. Luftimi me sukses i këtyre dukurive negative është një sfidë.
Është një sfidë e vështirë që kërkon një angazhim të madh dhe të vazhdueshëm të institucioneve të arsimit, kolektivave pedagogjike, institucionit të familjes, mbarë shoqërisë shqiptare, komunitetit të prindërve, dhe shumë faktorëve të tjera të lidhur me shkollën. Parë në kompleks mund të them se krahas arritjeve në proçesin mësimor-edukativ ka dhe shumë probleme. Këto probleme shfaqen në shoqërinë hapur, në kushtet e ndikimit të globalizimint, në stadin e zhvillimeve ekonomiko-shoqërore të shoqërisë sonë në tranzicion. Që të mos dal nga tematika e diktuar nga rasti në fjalë, unë mendoj se kurrikulat shkollore të shkollës së sotme duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi problemeve të edukimit.
Në shkollë duhet të ketë më shumë hapsirë për lëndët e edukimit qytetar. Mësuesi dhe shkolla duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi njohjes, diskutimit dhe reagimit për temat “tabu”, fjala vjen për drogën, prostitucionin, ngacmimeve seksuale të fëmijëve, lojrave të fatit, etj. Në kohën tonë, këto tema dhe të tjera këto qenë tabu, sot janë realitet. Shkolla përballet me këtë realitet të ri. Për rrjedhojë këto nuk duhen mbuluar, por duhet të trajtohen hapur dhe të bëhet ndërgjegjësimi dhe reagimi i adoleshentëve, ndaj tyre. Heshtja, mbulimi, mosreagimi ndaj këtyre dukurive negative, është disfatë, është dështim i plotë dhe sjell probleme të parikuperueshme për shoqërinë tonë në shumë aspekte.
Në qoftëse dy adoleshentet 14 vjeçare do të kishin reaguar që në mesazhet e para, ndaj “mësuesit” abuzues, që nga mosha ai ishte edhe prind i këtyre vajzave, ndoshta zgjidhja do ishte më pozitive, për vajzat në fjalë, për reputacionin e shkollës, etj… Opinioni shoqëror ka rol të madh në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative. Sa funksionon sot kjo?… Për rastin në fjalë dhe raste të tjera të mundëshme si kjo, zgjidhja më e mirë është dënimi me burg dhe largimi përgjithmonë i monstrave nga arsimi. Kush e bën këtë? Ligji.
Për fatin e keq ligjet janë të buta ndaj rasteve të tilla. Ligjvënësit tanë parlamentarë, duhet të miratojnë ligje më të rrepta ndaj abuzuesve me fëmijët. Monstra të tilla nuk kanë vend në arsim. Unë nuk e njoh personin në fjalë, nuk kam çfarë të fol për të, por me indinjatë dënoj ashpër xhestin e abuzimit me nxënësit. Rasti në fjalë nuk besoj se është i vetëm. Kemi pasur edhe abuzime të tjera. Po cilit mund t’ia besojë prindi fëmijën e vet, përveçse mësuesit? Askujt! Mësuesi është një prind i dytë për nxënësin.
Nga raportimet në media, nga përvoja ime në arsim mund të them se këto raste janë tepër të izoluara në shkolla. Si të tilla ato nuk mund ta cënojnë figurën e nderuar të mësuesit dhe rolin mësimor dhe edukativ të shkollës… Kur “bledarë” të tillë vihen; përballë opinionit të shoqëror, përballë kolektivit pedagogjik, qeverisë së nxënësve, përballë institucioneve të drejtësisë, etj. ato nuk kanë vend ku të futen dhe jo të abuzojnë në forma të tilla. Kjo arrihet kur faktorët e mësipërm bashkëveprojnë midis tyre dhe secili kryen detyrën e tij.
A funksioonojnë siç duhet këto hallka? Neglizhenca dhe liberalizmi që tregohet shpesh në zbatimin e planit edukativ të shkollës është i papranueshëm. Barrë më e rëndë i bie më shumë shkollës dhe familjes. Një herë, në një kohë, neve na thuhej: “Mësuesi është mbi të gjitha edukator, dhe pastaj duhet të jetë mësimdhënës”. Kjo duhet t’i qëndrojë, besojë edhe kohës së sotme…!
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 16.11.2024