Shkruan: Florim Zeqa, 23.02.2023
Rezistenca e Bokshiqit e 23 Shkurtit 1993 mobilizoj stacionet policore në rrafshin e Dukagjinit
Ishte fillimi i vitit 1993, koha kur pushteti okupues i Millosheviqit, kudo në Kosovë kishte intensifikuar represionin dhe fushatën antishqiptare në emër të aksionit për grumbullimin e armëve, si pretekst për të sulmuar shqiptarët e pafajshëm në shtëpitë e tyre.
Si kundërpërgjigje ndaj kësaj fushate antishqiptare të Serbisë, kudo nëpër fshatrat e Kosovës kishte filluar një formë e organizuar e vetëmbrojtes, qoftë përmes organizmit të rojeve të fshatit e deri të format e organizmit të një rezistence aktive për mbrojtjen e bashkëfshatarvë për të mos u rrëmbyer nga policia serbe, si pasojë e ftesave për dorëzim të armëve.
Ngjarja e 23 Shkurtit 1993 në fshatin Bokshiq, jo vetëm që i kishte kaluar kufijt e Kosovës, i kishte kaluar edhe ata Ballkanik e Evropian. Për ngjarjen e 23 Shkurtit kishin shkruar e njoftuar mediat e shkruara dhe vizuele vendore dhe ndërkombëtare. Ishte misioni i OSBE-së i akredituar askohe në Kosovë, që shpërndau me shpejtësi të madhe lajmin gjithandej shteteve evropiane e deri në SHBA për sulmin e forcave serbe në Bokshiq të Klinës.
Pas lënjes së ftesave për dorëzimin e armëve në fshat, me rastin e shkuarjes në polici të disa fshatarëve, me ç’rast ishin përballuar me dhunë ç’njerëzore të policëve serb, siq ishte rasti i Halil Zeqës (babait tim) dhe Haxhi Fazliut, të cilët edhe përkundër maltretimeve të rënda fizike dhe psiçike, ishin kërcënuar edhe me jetë, …por që në asnjë rrethanë nuk ishin nënshtruar, duke mos e pranuar posedimin e armëve që në fakt i mbanin të fshehura në shtëpitë dhe pronat e tyre.
Mirëpo, kishte edhe të atillë në fshat që nuk i rezistuan dhunës serbe, duke pranuar menjëherë posedimin e armëve, më pas dhe dorëzimin e tyre.
Nënshtrimi para policëve serb ishte i mjaftueshëm për ta dëshmuar ekzistencën e armëve në popull dhe justifikuar ushtrimin e dhunës ndaj familjeve shqiptare .
Në këtë situatë paradoksale, mes qëndresës heroike dhe nënshtrimit para policisë serbe, ishte e domosdoshme ndërmarrja e hapave konkret në parandalimin e aksionit të armëve.
Kësisoji, fillimisht kryesia e fshatit muar vendim për organzimin e përbashkët të një rezistence paqësore, e cila për qëllim parësorë kishte pengimin e patrulles së policisë në momentin e hyrjes në fshat.
Për ta realizuar me sukses të plot këtë plan, kanë qenë të caktuara dy grupe fshatarësh që me çdo kusht ta ndalin patrullen e policisë serbe.
Grupi i parë e ka pas për detyrë ndaljen e patrulles përmes dialogut, me kërkesën për kthim të mënjëhrshëm prapa, në të kundërtën nëse policët ngulin këmbë hyrje në fshat, atëherë me policinë serbe do të vazhdojnë të mirren grupi i dytë, përkatësisht i treti sipas nevojës.
Ngjarja e ditës së martë të 23 shkurtit i vitit 1993, mobilizoj stacionet policore në rrafshin e Dukagjinit
Zakonisht, patrullat e policisë, para se të ngjiteshin për Bokshiq, ndalonin në fshatin Grabanicë. Mirëpo, kësaj radhe, patrulla e policisë e cila ishte nisur për Bokshiq, fillimisht ndaloi në shkollën fillor “Azem Bejta” në Grabanicë për të bërë një vizitë “rasti”.
Ishte pushimi pas orës së parë të mësimit, kur në lokalet e shkollës u futen 3 policët (serb të fshatrave fqinjë), të cilët silleshin si kauboj nëpër koridorin e shkollës, ku pas disa minutave qëndrimi në brendi të shkollës, nga oborri shkollës me automjetin e policisë “NIVA” nisen për në Bokshiq.
Duke i ditur parapërgatitjet në fshat, isha i bindur për atë që do të ndodhë.
Ashtu siq pritej, policët serb në hyrje të fshatit ndalohen nga grupi i parë i rezistencës, të cilët jo vetëm që i ndaluan, me shpejtësi dhe në mënyrë tejet efikase arrijnë t’i çarmatorisn tre policët serb, të cilëve ua rrëmbejnë nga duart automatikët, duke i urdhëruar të kthehen prapa e të mos vijnë më në fshat.
Policët serb, të frikësuar dhe poshtëruar nga pritja që hasën nga fshatarët, para se të kthehen nga fshati Bokshiq, siq e kanë zakon, me një dinakëri ju luten fshatarëve deri në përulje që t’ua kthejnë armët (automatikët), me premtimin se nuk do t’i shohin më në fshat, duke ju kërkuar falje dhe mirëkuptim për gjithçka që kishte ndodhur deri në atë moment.
Pas një konsultimi në mes tyre, anëtarët e grupit të parë të rezistencës; Muhamet Zeqa, Ukë Musa, Ismet Zeqa, Mustafë Binaku ua kthejnë armët policëve të dëshpruar dhe dorëzuar njëkohësisht.
Policët e dëshpruar, të mundur dhe turpëruar në fshatin Bokshiq, me të kthyeyer në stacionin policorë në Klinë, i alarmojnë të gjitha stacionet policore dhe ushtarake në Kosovë dhe Serbi.
Nga momenti i çarmatosjes dhe kthimit të policëve serb nga Bokshiqi, për banorët e fshatit, krahas ndjenjës së krenarisë fillon faza e mobilizimit të përgjithshëm, por njëkohësiht edhe e shqetësimit të madh se çfarë do të ndodhë në orët e ardhshme.
Me të marrë lajmin për atë se çfarë kishte ndodhur në fshatin tim, menjëherë i kërkova leje drejtorit të shkollës, Selman Etemi, për të shkuar sa më parë tek bashkëfshatarët, për të ndarë me ta shqetësimet dhe ndjenjen e krenarisë.
Ishte ky rasti i parë që kishte ndodhur deri më tani në Kosovë, që ishte kthyer prapa e gjunjëzuar policia e Serbisë, dhe ishte rezistenca e parë aktive në pengimin e aksionit famëkeq të armëve në nivel vendi.
Nga mëhalla e Mekajve e deri të mëhalla e Ramzeqëve, në një distancë prej vetëm 100 metrash, kanë qenë të tubuar të gjithë burrat e fshatit dhe fshatrave për rreth.
Përderisa para shitores në lagjen e Ramzeqëve ishte tubuar një grumbull më i madh i njerëzve të cilët ndanin mendime të ndryshme për ndërmarrjen e hapave të mëtutjeshëm dhe për pasojat e mundshme pas këtij rasti.
Nga bisedat e bashkëfshatarëve vërehej gatishmëria e madhe që të vazhdohej me rezistencën luftarake pa llogaritur pasojat, por kishte edhe të atillë që mendonin se tërheqja nga veprimet e radhës do të jetë akoma më e dëmshme.
Megjithatë, dominonte mendimi i përbashkët se policia serbe do të rikthehet kah mbrëmja me përforcime të mëdha. Prandaj, këkohej zgjidhja që nga kjo situatë të dilet me sa më pak pasoja, duke mos provokuar dhunë të cilën policia serbe do ta përdorte si shkas për hakmarrje ndaj pleqve, grave dhe fëmijëve në shtëpitë tona.
Për këtë arsye u mor vendimi që turma e bashkëfshatarëve të shpërndahet jo nëpër shtëpi, por në pika të caktuara si dhe të vëzhgohet me rojet të shtuara nëpër fshat.
Me rekomandim të disa bashkëfshatarëve, e në veçanti të insistimit të babait tim (Halil Zeqa), unë shkova në shtëpi që të pushoj pak nga lodhja dhe stresi ditor.
Të njëjtën ditë, në orët e pas ditës, diku rreth orës 16 e 30 minuta, ndodhi sulmi i shpejtë dhe i befasishëm, më i madhi i policisë serbe, i njohur deri atëhere në komunën e Klinës e mbase edhe në Kosovë.
Ishin 32 policë më armatim luftarak, e 7 automjete policore që hyjnë dhunshëm në fshat, duke demoluar, thyer dyer e dritare të shtëpive që ishin cak i tyre, siq ishte shtëpia e kuvendeve te rezistencës në qendër të fshatit.
Kështu pra, pas një kohe të shkurtër (rreth 20 minuta), ashtui siq isha duke pushuar në dhomën e fjetjes, vjen vëllau im Ismeti me një shpejtësi të madhe, e hapi derën dhe m’u drejtue me këto fjalë; “Qohu shpejtë dhe ik në drejtim të Berblakut (mali afër shtëpive tona), jemi të rrethuar nga të gjitha anët me forca të mëdha policore”.
Tentova të pyes diçka vëllaun, por mbeta pa përgjigje…
Në atë moment e kuptova rrezikun, pa hemendje me shpejtësi dola nga dhoma e fjetjes, mezi i mbatha një palë këpucë të vjetra të dera dhe u nisa drejt Berblakut.
Me të kaluar oborrin e shtëpisë, aty të “Dardhat e Zeqëve” e takova babën duke u hamendur çfarë të bënte; të ikte nuk i kishte mbetur forcë, e poashtu as të përballjes me forcat e shtuara të policisë serbe.
Kur më pa u gëzua shumë; “Isha duke të pritur edhe ty, prandaj ti mos u vonu më shumë, futu sa më parë në thellësi të malit”. Ishte ky momenti më i vështirë i jetës time. U ktheva përseri tek babai duke e lutur që të kthehet në shtëpi ose të pëshpejtoj hapat. Pastaj baba mu drejtua përseri me një zë pak më të lartë; “Florim largohu ti menjëherë në drejtim të Berblakut sa s’të kanë zënë të gjallë, pastaj çdo gjë do të jetë më e vështirë për mua…”!
Edhe pse shumë e vështirë, u detyrova ta lë babain të vetmuar dhe të pambrojtur.
Ishte ky një moment tepër i rëndë, kur në njërën anë e lashë babën vetëm, ndërsa para syve të mi i shihja duke ikur të gjithë djemt dhe burrat e lagjes nga mosha 10 vjeçare e sipër të ndjekur nga tre kordon të policisë serbe.
Shkaku i vonesave me babain kam qenë i fundit që jam futur në mal, me brengen dhe ankthin e madh që lash pas për familjet e pambrojtura, pleq e plaka, nëna e vajza të vetmuara nën mëshirën e barbarëve serb.
Gjatë kapërcimit të përroit në mes Llugës tonë dhe malit të Sadikëve i kam dëgjuar krismat e automatikëve serb. Në atë moment jam ndalur dhe e kam kthyer kokën prapa për të shiquar se kush mbeti vrarë nga familjarët tonë!
Pikërisht në ato momente, me sytë e mi e pash kur e arrestuan dhe goditën me kondak të pushkëve babën tim policët serb, të cilët mëpastaj e tërhoqën zvarrë duke e goditur pamëshirshëm në të gjitha pjesët e trupit.
Në atë moment u shtanga në vend, nuk pata forcë të vazhdojë tutje. Mirëpo më erdhi në ndihmë kushëriri Idriz Musa i cili më kapi për krahu dhe hynën së bashku në mal. Në këtë moment distanca mes nesh dhe forcave policore serbe nuk ishte më e gjatë 50 metra, por me t’u futur në brendi të malit, ata na ndjeknin pas përmes gjurmëve të këmbëve tona nëpër bardhësitë e borës.
Në këtë situatë, ne e kishim një përparësi të madhe, pasi e njhnim mirë terrenin dhe të gjitha rrugicat e malit, ndërsa në anën tjetër, policia serbe e kishte pasigurinë e madhe të futjes në thellësi të malit nga frika e kapjes dhe vrasjes nga ana jonë.
Thënë të vërtetën, ne, disa herë pas futjes në mal kemi pasur mundësi të shtinim mbi policinë serbe, por shkaku i familjeve që kishin mbetur në mëshirën e tyre, jemi përbajtur më qëllim të evitimit të masakrave ndaj familjeve tona.
Në anën tjetër policët serb kanë qenë të përgatitur për aksion lufte, por që një gjë të tillë të filloj së pari nga ana jonë.
Këtë kam arritu ta kuptoj më së miri disa ditë pas aksionit policor nga rrëfimet e babait për ngjarjen pas rënjes në duart e policisë serbe me 23 shkurt 1993, me ç’rast kishte dëgjuar në radio lidhje bisedën e njërit nga policët me qendrën e tyre komanduese pas të shtënave me automatik ndaj nesh; “Mos shtini tutje me armë derisa të gjuajnë terroristët”.
Vetëm pasi jemi larguar pak sa nga fshati, kemi arritur të vërejmë se ishim të rrethuar nga tri drejtime; nga Klina kah drejtimi i Grabanicës dhe Dugajevës, ndërsa nga Peja kah Lugu i Baranit.
Cak i sulmit të policisë serbe i 23 shkurtit të vitit 1993 ishte arrestimi i veprimtarëve të fshatit, si; Zenun Zeqa, Muhamet Zeqa, Xhafer Zeqa, Niman Musa, Ismet Zeqa, Ukë Musa, Demë Keka, Mustafë Binaku, Shaban Zeqiri, Ali Syla, Shaqir Zeneli…etj.
Policët serb të mllefosur për dështimin e gjahut, ishin kthyer nëpër shtëpitë tona të boshatisura nga burrat, duke thyer e demoluar çdo gjë, duke provokuar e rrahur gra, fëmijë dhe pleq të moshuar.
Pas arrestimit të Halil Zeqës (babait tim), në ndjekje e sipër policët serb në vendin e quajtur Presina kishin arritur të kapin edhe kushëririn tjetër Avdyl Zeqa, të cilin e rrahin brutalisht dhe në mënyrë ç’njerëzore, për t’u ktheyr më pas në shtëpitë tona, duke e rrahur rëndë dhe maltretuar në prezencën e familjes plakun 65 vjeçar, axhën Ali Zeqa dhe vajzen e tij Serveten, për të vazhduar me rrahjen e gruas së axhës Adem, plaken 80 vjeçare Hate Zeqa dhe rejen e saj Gjylshahen, të cilës pasi e rrahin i marrin të gjitha gjësendet prej ari.
Pas rrahjes dhe demolimit e të shtëpive, kishin kaluar në shtëpinë e përbashkët në Ulicë, ku thyejnë dyer e dritare të këtij objekti i cili edhe më parë ishte cak i policisë serbe, shkaku i mbajtjes së shumë kuvendeve dhe tubimeve me karakter kombëtar. Prandaj ky ishte një rast i mirë për ta, që ta çfryejnë mllefin e tyre armiqësorë.
Pas çfryerjes së mllefit në Shtëpinë e Kuvendeve të Rezistencës, forcat policore serbe nisen në drejtim të dy lagjeve të fshatit Bokshiq. Mirëpo paraprakisht ndalojnë tek shtëpia e Ramadan Ukës, të cilin pasi e rrahin e arrestojnë, për të vazhduar tek familja Hamza, tek dy familjet e besimit katolik, me ç’rast i arrestojnë kryefamiljarët Dedë e Martin Hamza.
Mëpastaj vazhdojnë tek mëhalla e Dautëve, ku fillimisht ndalojnë tek shtëpia e Haxhi Fazliut të cilin e rrahin brutalisht dhe arrestojnë, për të vazhduar me arrestimin e plakut të mëhallës Avdyl Dauti e Daut Dauti si dhe kryetarin e Aktivit të LDK-së, Ukë Musa, për të përfunduar aksionin në mëhallën e Binakëve, ku e arrestojnë Rasim Binakun. Pas arrestimit, të gjithë së bashku i fusin në një makinë për t’i dërguar në Stacionin Policor në Klinë.
Me të dërguar në stacionin policorë, i rrahin dhe maltretojnë të gjithë pa dallim. Mandej pas një verifikimi i lirojnë menjëherë; Rasim Binakun, Ramadan Ukën dhe Avdyl Dautin, për të vazhduar me torturat më ç’njerëzore ndaj të tjerëve deri në orët e hershme të mëngjesit të datës 24 shkurt 1993.
Më të rënda se rrahjet për të arrestuarit kanë qenë sharjet dhe fyerjet mbi baza kombëtare, të cilëve ju kanë shkaktuar plagë të pashërueshme shpirtërore.
Nga më të lënduarit nga torturat e policisë serbe ka qenë Ali Zeqa, i cili nga plagët e shkaktuara në natën e 23 shkurtit, ndërron jetë me 5 prill 1993 në Spitalin e Pejës.
Nga dhuna e paparë e policisë serbe, bokshiqasit dolën më të fortë dhe më unik se asnjëherë më parë. Të arrestuarit e asaj nate, krahas tmerrit të përjetuar kujtojnë edhe momentet e krenarisë gjatë qëndresës heroike të Haxhi Fazliut, i cili edhe përkundër torturave nuk ishte gjunjëzuar për asnjë moment. Haxhiu, edhe pse i tëri i skuqur në gjak nga torturat, ua kishte thënë në fytyrë gjaksorëve serb; “Ju nuk kini çka na bëni, ne jemi në shtëpitë tona, ne jemi fitues e jo ju”.
Kur jemi në këtë segment të qëndresës heroike në stacionin policor në Klinë, vlenë të përmendet një rrëfim i babait tim (Halil Zeqa) për Haxhi Fazliun, të cilin policët serb ishin munduar disa herë ta shtyjnë të këndojë këngën e preferuar të serbëve “Ko to kaze, ko to laze da je Serbija mala”, por që nuk kishin mundur t’i nxjerrin asnjë fjalë nga goja e Haxhiut.
Rezistenca dhe qëndresa e Haxhi Fazliut dhe Halil Zeqës ishin kthyer në burim force për të gjithë të arrestuarit e tjerë, për të qëndruar burrërisht deri në fund të torturave të policisë serbe.
Të rrahur e të dërmuar, me plagë të rënda trupore, në orët e hershme të mëngjesit të 24 shkurtit 1993, policia serbe i liron duke i urdhëruar që në këmbë të nisen për Bokshiq.
Ashtu të dërmuar, bokshiqasit duke e ndihmuar njëri-tjetrin nisen drejt shtëpive të tyre. Gjatë rrugës tetë kilometërsh kanë hasur në njerëz të vullnetit të mirë që i kanë ndihmuar dhe dërguar me makina deri në shtëpitë e tyre.
Me të arritur në shtëpitë e tyre, përveq ndjenjes së papërshkruar të gëzimit të familjarëve, me vete bartnin edhe dhimbjet e plagëve trupore, ku shumica e të plagosurve iu nënshtruan kujdesit intensiv mjekësorë.
Një dite pas, në ditën e 24 shkurtit 1993, Bokshiqit ia mësyjnë veprimtarë e aktivist lokal të degës së LDK-së në Klinë dhe nga qendra (Prishtina), përfaqësues të OSBE-së, gazetarë të mediave vendore dhe ndërkombëtare si dhe individ dhe organizata të shumta nga e mbarë Kosova, të cilët kishin ardhur për të vizituar të plagosurit dhe familjet e tyre, duke ju dhënë kurajo në përballimin e dhimbjeve dhe shërimin e plagëve fizike dhe shpirtërore.
Në pasditën e 24 shkurtit 1993 në Bokshiq arritën përfaqësuesit e OSBE-së, të cilët kishin ardhur për të parë nga afër gjëndjen e krijuar në fshat pas aksionit të forcave policore serbe.
Represioni serb mbi fshatin Bokshiq, për qëllim kishte uljën e moralit dhe shtypjen e rezistencës aktive paqësore, të shndërruar tashmë në bastion të lëvizjes paqësore demokratike në komunën e Klinës.
Mirëpo pas 23 shkurtit 1993, bokshiqasit dolën më të fortë dhe më unik, më të konsoliduar dhe më të përgatitur për sfidat e radhës me pushtuesit serb.
Deri para këtij rasti, nuk kisha arritë t’i njohë sa duhet bashkëfshatarët, asnjëherë deri më tani nuk kisha besuar që Bokshiqi ka njerëz aq të fortë dhe të qëndrueshëm, saqë nuk kisha arritë ta njohë sa duhet as durimin e babait tim (Halil Zeqa).
Më mirë se asnjëherë më parë, personalitetin e babait tim e njoha me rastin e vizitës së OSBE-së bashkë me strukturat udhëheqëse komunale, derisa e dëgjoja duke ua thënë këto fjalë; “Kemi përjetuar tortura të rënda në stacionin policor në Klinë, na kanë goditur me tyta pushkësh dhe mjete tjera të forta në të gjitha pjesët e trupit, por të gjitha i kemi përjetuar më lehtë sesa sharjet dhe fyerjet në baza kombëtare, dhe prapë duronim në pamundësi për të bërë gjë. Në atë moment jam betuar, se edhe nëse më ndodhë ndonjëherë në jetë që të më shajë ose ofendojë ndonjë shqiptarë, nuk do të më shkojë mendja për ta bërë edhe më të voglën gjë, por vetëm do t’i themë, të qoftë për nderë” (përfundon citati).
Ishte kjo hera e parë që dëgjojë një mesazh kaq të fuqishëm të babait tim, që ngërthente në vete thirrjen për një unitet akoma më të fuqishëm të faktorit shqiptar.
Ngjarja e 23 shkurtit 1993, e Rezistencës së Bokshiqit kishte bërë jehonë të madhe edhe jashtë kufijve të Kosovës. Për 23 shkurtin kishin shkruar gazetarë të huaj të akredituar asokohe në Kosovë që ishin prezent bashkë me përfaqësuesit e OSBE-së.
Por, pavarësisht kësaj prezence ndërkombëtare, ishte presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ai i cili kishte organizuar konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë në lokalet e LDK-së në Prishtinë, ku i kishte informuar për sulmin e forcave serbe mbi fshatin Bokshiq, me ç’rast e dënon ashpër sulmin e policisë serbe mbi popullatën e pambrojtur në Bokshiq. Me këtë rast ishte njoftuar Departamenti Amerikan i Shtetit dhe organizmat tjerë ndërkombëtar. Me këtë rast, kryetari i shtetit, Ibrahim Rugova kishte bërë thirrje për përmbajtje dhe ruajtjen e gjakftohtësisë, për të mos rënë pre e provokimeve tjera të mundshme të regjimit serb.
Pas ngjarjes së 23 shkurtit 1993, ju kishte ndërprerë udha së keqës. Për një kohë relativisht të gjatë ishte ndërprerë shpërndarja e ftesave për dorëzimin e armëve nga ana e policisë serbe jo vetëm në fshatin Bokshiq, por edhe në fshatrat tjera të Bashkësisë Lokale të Grabanicës.
Vlenë për tu theksuar, se pas këtij rasti, për disa muaj rresht nuk ishte dukur asnjë patrullë e policisë serbe në këto anë.
Si rezultat i situatës së krijuar pas 23 shkurtit 1993, brenga e vetme e banorëve të fshatit Bokshiq kishte mbetur shërimi i të plagosurve.
Përkundër dhimbjeve të shumta nga plagët e shkaktuara nga dhuna e policisë serbe, të plagosurit ishin më të fortë sesa ne të tjerët, e kishin një moral të lartë dhe një forcë të papërshkruar shpirtërore.
Gjatë vizitave të shumta asokohe nga e mbarë Kosova në familjen tonë, më kujtohet një detaj interesant nga një fjali e plakut 65 vjeçar, axhës Ali Zeqa (i cili, nga plagët e marra me 23 shkurt, ndërron jetë me 5 prill 1993 në Spitalin e Pejës), nga e cila po shkëpus këto fjalë; “Deri më tani ashtë kanë duke më mbetur merak me shkue pa e pa Kosovën e lirë, por tani mbasi e pash krejt Kosovën që erdhën mem pa, edhe me vdekë nesër nuk kam gajle, pasi u binda se liria qenka shumë afër dhe atë nuk ka forcë që mundet mi ndalë” (përfundon citati).
Siq e ceka më sipër, Ali (Ramë) Zeqa, ndërroi jetë me 5 prill 1993 në Spitalin e Pejës. Çertifikata e mjekut specialist, Bullatoviq…është dëshmi se Ali Zeqa ka ndërruar jetë nga plagët e rënda trupore.
Bazuar në çertifikatën e mjekut të sipërpermendur dhe dokumentacioneve tjera poseduese, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë, me datën 26.01.2009, me Numër Protokoli 35/2009, familjes Zeqa i lëshon një DËSHMI, me të cilën dëshmohet se Ali Ramë Zeqa, i lindur më 1928 në fshatin Bokshiq të Klinës, gjendet në listën e personave të vdekur si pasojë e dhunës së policisë serbe gjatë vitit 1993 në Kosovë (nënshkruar nga drejtori ekzekutiv Behxhet Shala).
Në ceremomin e varrimit të Ali Zeqës kishin marrë pjesë mijëra vetë të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit martirit të orëve të para të lirisë sonë, kishin ardhur veprimtarë dhe aktivist të shquar të çështjes kombëtare nga të gjitha trevat kombëtare.
Ky ishte dhe mbeti varrimi më masiv që kishte ndodhur ndonjëherë në fshatin Bokshiq. Ishte hera e parë që fshati përballej me një prezencë aq të madhe njerëzish të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës.
Prandaj, edhe niveli përgatitjes dhe organizimit të ceremonisë mortore për martirin Ali Zeqa ka qenë në nivelin e duhur, falë ndihmës së pakursyer të bashkëfshatarëve, miqve dhe farefisit të gjërë.
Para arkivolit të martirit të parë të kësaj ane, ishte dhënë betimi, se asnjëherë nuk do t’i ndalim përpjekjet tona deri në çlirimin përfundimtarë të Kosovës nga barbarët serb.