Nga Llesh NDOJ
Opinion
Po ndiqja me vëmendje dhe shqetësim qytetar një emision televiziv, ku një ekonomist po përpiqej të shpjegonte efektet e krizës në Lindjen e Mesme, si pasojë e konfliktit SHBA – Izrael me Iranin dhe ndikimin e saj në vendin tonë. Natyrisht që nafta do të ishte e para dhe kryesorja, që do të reagonte ndaj kësaj krize, e përmes saj, efekt i përdorimit dhe i ndikimit, drejtpërdrejt apo tërthorazi, në shumë sektorë të tjerë jetikë në ekonomi dhe natyrshëm edhe në përditshmërinë e jetesës së njerezve. Analisti konstatonte se kjo krizë, nisur nga fuqia e jashtëzakonshme e Amerikës dhe epërsia e saj botërore, u mendua si diçka e shpejtë, maksimumi 1 – 2 javë bombardime nga qielli e rrethim nga toka e deti për klikën gjakatare iraniane, por ajo po zgjat tej parashikimeve dhe se akoma nuk duket në horizont fundi i saj, duke sjell një panoramë disi të zymtë edhe të perspektivës.
Konkretisht, nga 174 lekë për litër, që nafta shitej në vendin tonë në tregun e pakicës para fillimit të krizës, sot ky çmim mesatar ka arritur në 214 lekë / litër, pra plot 40 lekë më shumë, dhe në një projeksion të afërt pritet të kap shifrën e rreth 245 – 250 lekë / litër. Interesant në të gjithë këtë panoramë më erdhi shpjegimi i specialistit. As më pak e as më shumë, ai shpjegoi se deri më tani, kjo rritje vjen si një reagim psikologjik i tregut më së shumti, jo si ndonjë efekt i drejtpërdrejtë, më saktë jo si efekt i çmimit të naftës së zhdoganuar me çmime të rritura.
Duke qenë se sa më lart vjen plotësisht në përputhje edhe me opinionin tim, mund të them se më pëlqeu konstatimi i tij, por jo konkluzioni, dhe natyrshëm shtrova me vete pyetjen: – Ȅshtë vërtetë ky reagim i tregut efekt psikologjik, apo është më shumë se kaq, një instikt grabitçar? Përsonalisht anoj nga konkluzioni i dytë: Jemi përpara një instikti grabitçarë, që ngre krye në vendin tonë, sa herë në botë shfaqen kriza të ndryshme ekonomike, apo edhe politike!
Nuk vjen ky reagim thjesht si vetmbrojtje, por njëjtë si ujku e shfrytëzon mjegullën që përhap koha e krizave për t’a goditur prenë e vet, pikërisht aty ku i dhemb më shumë, njëjtë e shfrytëzon këtë edhe biznesi shqiptar, i llastuar dhe i krijuar “nga lart”. S’ka si shpjegohet ndryshe! Një efekt thjesht psikologjik do të ishte i kuptueshëm, por reagimi si pasojë e tij nuk mund të justifikoje rritjen e çmimit të naftës me minimumi 30% në kaq pak ditë, por mund të justifikonte, t’a zemë, rritjen graduale nga 174 lek / litër, në 180 lek / litër.
– Po çfarë e rrit atë kaq shumë?
Pa asnjë dyshim, këtë e bën instikti grabitçarë i tregtarëve shqiptarë, instikt i favorizuar dukshëm nga ekzistenca e marrëveshjeve të tipit kartel mes grosistëve nga njëra anë, dhe që reflekton mungesën e shtetit real, e korrupsionin galopant shtetëror, nga ana tjetër.
Numri i importuesve të mëdhenj të naftës e të gazit, luhatet të numërohet me gishtat e njërës dorë, e marrëveshja mes tyre në kushte të këtilla është lehtësisht e mundshme, sidomos kur sjell fitime marramendëse për ta. Dhe në krah të këtij numri të kufizuar grosistësh, mbetet si gjithnjë korrupsioni shtetërorë shqiptar, pasojë e të cilëve është tregu grabitçar shqiptarë, kurse ne viktimat e urta të tij. Sigurisht, në këtë rreth vicioz nuk është përfshirë veçse nafta dhe gazi.
Njëjtë janë të kapura edhe shërbimet kryesore të këtij vendi, është buka, ushqimi, portet e aeroportet, rrugët, tregu me pakicë, toka, ajri, deti, siguria e gjithçka tjetër. Të gjithë janë të inspiruar nga instikti i grabitçarit, e ne populli, të trembur, mbetemi viktimat e përjetshme të këtij instikti. – A nuk ndodhi kështu në pandeminë e 2020 – ës? – A nuk ndodh kështu para çdo feste madhore, raste ku në të gjithë botën çmimet ulen në funksion të konsumit të shtuar e të fitimit përmes xhiros, kurse tek ne çmimet rriten? E vërteton hipotezën e mësipërme edhe fakti se kurrë ky tregu ynë nuk reagon psikologjikisht, atëhere kur çmimet në bursa e në tregun global, ndodh të pësojnë ndonjë ulje, qoftë kjo edhe e ndjeshme.
Instiktin grabitçar të tregut e vërteton edhe fakti se ai, çmimin e arritur e ruan edhe pasi kriza kalon e tregu global stabilizohet. E gjithë skema zbatohet si me komandë nga porti, deri në maje të malit, ku ndoshta i vetmi lajm që mbërrinë në kohë reale, është ai i krizës së stisur të çmimeve. Pse? Sepse është treg plotësisht i kontrolluar nga interesat e fitimit maksimalist dhe korrupsioni kriminal shtetëror. “Qeni”, (nënkupto shteti), i vënë aty për të ruajtur “tufën” e konsumatorëve, sapo trokasin mundësi të tilla pasurimi pa fre, ulet në sofër me ujkun. – A nuk ndodhi kështu kur plasi kriza ukrainase me grurin? – A nuk u boshtatisën magazinat nga gruri? – A nuk u rrit çmimi i bukës si asnjëherë tjetër dhe, si të mos mjaftonte kjo, u përkeqësua më tej edhe pesha e cilësia e saj?
– Pse pra ndodh kështu?
Veç instiktit grabitçar të tregtarëve, shumica krijuar si me “telekomandë” qeveritare e që komandohen me leva korrupsioni, shteti ka heq nga vetja çdo përgjegjësi për orientimin e ekonomisë së vendit drejt një ekonomie prodhuese. Tokat kanë mbetur djerrë, se gruri na duhet i komanduar nga kufiri, kullotat janë pa gja të gjallë e komplekse blegtorale s’ka, apo janë ato një gjë e rrallë, sepse mishi e qumështi komandohet më lehtë nga kufiri, industria e naftës thuajse nuk ekziston, se nafta komandohet më mirë nga porti.
Për gjithçka jemi lumturisht dy herë të varur: Njëherë nga krizat botërore, qofshin ato reale apo të stisura, dhe herën e dytë nga oreksi i shfrenuar për fitime maksimaliste të grosistëve – qeveritarë dhe qeveritarëve – grosistë matrapazë. Pastaj shpikim borde, që duhen paguar nga taksat tona, mekanizma të shumëllojshme allashqiptare, duke bërë sikur shteti ndryshon fytyrë dhe nga shtet liberal, në raportin zyrtar me ekonominë, shndërrohet, në sa hap e mbyllë sytë, në një mekanizëm ndërhyrës të drejpërdrejtë në ekonomi. Në fakt asgjë e mirë nuk ndodh, veç sa shtohet edhe një hallkë e re korruptive, që rezulton edhe një barrë e shtuar ndaj varfërisë sonë të tejskajshme.
Një shtet serioz ka njëmijë e një mekanizma për t’a mbajtur tregun nën kontroll, sidomos atë të produkteve jetike e me ndikim të gjerë në ekonomi, apo në pavarësinë e vendit, kurse një shtet rrumpallë i tipit “ku rafsha, mos u vrafsha”, si ky i yni, për më tepër i lodhur nga pushteti i gjatë e i ngarkuar nga korrupsioni i kudogjendur, shpik metoda ekstraekonomike, tipike për qeverisjet autoritare, dhe në vend që të vërë vetullat, nxjerr sytë!
Veç një gjë që nuk harrohet e ndryshohet, as prej shtetarëve, as prej tregtarëve, është instikti i tyre grabitçarë ndaj kujtdo, e ndaj gjithçkaje. Se instiktet janë trashëgimi kafshërore, ndaj nuk ndryshojnë lehtë, ndërsa shtetformimi është kulturë e kërkon kohë, kërkon mend, seriozitet dhe investim në çdo fushë. Në krahun tjetër, edhe ne “delet konsumatore”, pre e grabitçarëve të përjetshëm, knaqemi gjithnjë me pak, e pak do të thotë për ne një faleminderit ndaj grabitçarëve tanë, mjaft të na e “lënë frymën gjallë”…, ndërkohë që reagimi popullor është zero dhe jo për këto çeshtje “dytësore”, pasi rendin e parë e ha meraku, se “kalorësve tanë po u varen këmbët”, nga pesha e plëndësit të pangopur…
– Deri kur kështu?
Lezhë, më 22/03/2026











