Kimete Berisha
I.
Nëse do të fotografohej ndjenja:
– Jam pak e pikëlluar,
– pak a shumë kokëfortë
askund nuk mbërrijë me kohë.
– Duke u tallur me pikëllimin tim;
i them vetes: pse nuk dorëzohesh,
Ti o shpirti im;
– Jam pak përbuzëse, më duket jam shumë;
– Në njëfarë lufte
– jo si të isha ushtare, por si të isha ushtri.
Sikur të fotografohej ndjenja…
do ta shihje
se
unë ndjehem sikur më nuk kam më kë të mbetem e mirë…
Sepse këtu, ku jam unë – s’ka mbetur njeri,
dikush ka vdekur,
– dikush nuk guxon të ndjehet gjallë.
– Sikur të shihej ndjenja me sy,
– duke i shikuar sytë e mi,
do të shihje
se
unë ndjehem e pafajshme – anipse, s’di a jam!
– Dhe do ta kuptoje
se
të dukesh e butë e të sillesh si ushtri
– ose je mjaftueshëm e marrë
ose kjo është metaforë për poezi.
II.
– As dielli nuk e depërton pikëllimin,
njësoj siç nuk i depërton retë.
Se e provova unë, sot,
Portretin e ndjenjave të mia,
e bëra
duke ecur nëpër diellin e këtij qyteti të shëmtuar.
Prita që ky diell:
ose t’i shkrijë; ose ti thajë;
pak ti shkretërojë, një ndjenjë të vjetër ta përvëlojë,
e shumë të tjera – t’i vdes urie.
Por, as dielli nuk e depërton pikëllimin,
njësoj siç nuk i depërton retë.
III.
Duke u kthyer në shtëpi, asgjë nuk ndjeja më,
as etje për ta shuar këtë zjarr që nuk kishte djegur asgjë:
Veç dy ndjenja të miat nuk kishin mbetur pa fjalë:
Të parën nuk mund ta tregoj,
Sepse këtu, ku jam unë – s’ka mbetur njeri,
dikush ka vdekur,
– dikush nuk guxon të ndjehet gjallë.
– Shumë qesharak është ky pikëllimi im.
Se pikëllimi im është kontrast i madh i trupit tim.
Ndoshta e kam shpikur.
– E paskam shpikur pikëllimin tim.
IV.
– Nëse ndjenja do të fotografohej,
do të shihej se Unë – Ty të dua shumë,
por s’e di:
a je mendje – a shpirt.
Sepse, as mendja as shpirti nuk më dhemb.
E, as Ti nuk më mungon.
P.S. Mos u dorëzo, Kim!
Dorëzohu, shpirt…
…se Shpirti nuk qetësohet pa u dorëzuar.
E,
po ndodhi edhe një luftë, kujto:
– O Zoti, o Dashuria të shpëton!
që nuk shihen, njësoj si pikëllimi!