OETIKA E DHURIMIT DHE ESTETIKA E PAFAJËSISË

0
Avdush Canaj - Era harroi sandalet

Studim mbi lirikën për fëmijë “Falma këngën” të Avdush Canajt

Nga ZAMIRA SHTYLLA

1.
Letërsia për fëmijë, për një kohë të gjatë, është trajtuar si zhanër periferik në studimet letrare, shpesh e reduktuar në funksione edukative ose morale. Megjithatë, poetëT bashkëkohorë si Avdush Canaj dëshmojnë se poezia për fëmijë mund të jetë një formë e lartë e mendimit estetik, ku thjeshtësia formale fsheh një thellësi konceptuale.

Lirika “Falma këngën” që është përfshirë në vëllimin poetik ‘’ ERA HARROI SANDALET”, faqe 59, botuar nga Shtëpia Botuese “ Armagedoni”, Prishtinë 2023, përfaqëson një shembull të kësaj qasjeje: një tekst i shkurtër, me gjuhë të pastër dhe figuracion të dukshëm, por me ngarkesë të thellë filozofike dhe simbolike.

2.
Një nga boshtet themelore të poezisë është struktura e shkëmbimit. Subjekti lirik ofron elemente madhore të botës: hënën, qiellin, detin, yllin, në këmbim të elementeve të vogla, por poetikisht të fuqishme: ëndrra, një dallëndyshe, një këngë.

Ky disproporcion i qëllimshëm krijon një anti-logjikë ekonomike, ku vlera nuk matet me madhësinë fizike, por me intensitetin emocional dhe imagjinativ. Në këtë mënyrë, poezia ndërton një etikë fëminore të vlerës, ku një ëndërr e magnoljes është më e çmuar se hëna vetë.

Kjo strukturë e shkëmbimit shndërrohet në metaforë të aktit poetik, ku poeti “jep botën” për të fituar përvojën estetike.

3.
Në traditën klasike, elementet kozmike (hëna, qielli, deti) shfaqen si të paarritshme, sublime dhe shpesh dominues. Tek Canaj, këto elemente zbuten dhe bëhen të dhurueshme. Kozmosi nuk është më objekt adhurimi, por hapësirë bashkëndarjeje.

Figura e “yllit mbi plep” është veçanërisht domethënëse. Ajo krijon një bashkim vertikal midis qiellores dhe tokësores, duke përmbysur hierarkinë tradicionale midis lartësisë dhe thjeshtësisë. Ky imazh i sugjeron fëmijës një botë pa distanca ontologjike, ku madhështorja mund të banojë në të përditshmen.

4.
Një tjetër aspekt thelbësor i poezisë është roli aktiv i natyrës. Magnolia “prodhuese e ëndrrave”, dallëndyshja “çapkëne” dhe guguçja që “orkestron” e shndërrojnë natyrën në subjekt estetik.Këtu nuk kemi të bëjmë me dekor idilik, por me një ekologji poetike, ku arti lind nga dialogu me botën e gjallë. Vargu përmbyllës:

“orkestruar nga guguçja”
zhvendos autorësinë e këngës nga njeriu te natyra, duke artikuluar idenë se poezia është dëgjim para se të jetë fjalë.

5.
“Kënga” në këtë tekst funksionon si metaforë e poezisë vetë. Kërkesa “Falma këngën” nuk është kërkesë për pronësi, por për dhuratë. Kënga është e përkohshme, e brishtë dhe e paarkivueshme – ashtu si përvoja estetike e pastër.

Në këtë aspekt, Canaj artikulon një etikë të artit jo-posesiv, ku krijimi nuk zotërohet, por përjetohet. Kjo qasje është thelbësore për edukimin estetik të fëmijës, duke e orientuar atë drejt ndjeshmërisë, jo konsumit.

6.
Pa përdorur moralizim të drejtpërdrejtë, poezia ushtron një pedagogji emocionale dhe estetike. Ajo i mëson fëmijës: të vlerësojë të voglën dhe të padukshmen; të ndajë, jo të zotërojë; të dëgjojë natyrën si burim krijimi.

Kjo e bën tekstin shembull të asaj që teoria moderne e letërsisë për fëmijë e quan didaktikë e heshtur, ku edukimi ndodh përmes përjetimit estetik.

7.
Lirika “Falma këngën” dëshmon se Avdush Canaj e koncepton poezinë për fëmijë si një hapësirë serioze artistike dhe filozofike. Teksti ndërton një botë ku dhurimi, imagjinata dhe kënga janë forma themelore të ekzistencës. Në këtë kuptim, poezia nuk i flet vetëm fëmijës, por edhe të rriturit që ka humbur aftësinë për ta parë botën si dhuratë

AVDUSH CANAJ

FALMA KËNGËN

Hënën e ndërroj
me dy ëndrra të magnoljes

Qiellin ta jap
për një dallëndyshe çapkëne

Merre barkën, nëse do
ma lë gjysmën e detit

Edhe ai yll mbi plep
është yti

Tash falma këngën
orkestruar nga guguçja

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.