Nji pllambë “Mirditë” në New York!

0
Tom Mrijaj - Një jetë në shërbim të nacionalizmit shqiptar - 03.05.2023

Artan Lleshi Gjomarkaj, Mirditë 

Miqtë e mi è dinë se e kam dashur unë librin qysh prej kopertinës e deri në shpirt të kuptimit fletë për fletë deri në të fundit faqe. Ata që ma ngjiten këtë “sëmundje të ambël” kanë qenë shkrimtarë të përmasave, poetë e burra të gjurmëve e të fjalës së artë. Kam njohur për pak kohë të madhin poet Frederik Rreshpja e me kujtohet fort mirë tryeza e çelçit plot dorëshkrime e gota përzier e kurrë nuk i harroj përqafimet atnore të Frederikut, ato përqafime që për fat të keq kurrë nuk m’u dha rasti t’ia kthej janë ditët e tija të vështira. Sa herë dilja nga ajo lagje, nuk shqitesha kurrë pa u përshëndet edhe me at’ Zef Pllumin.

Kam qënë fort i ri ato vite kur me një turrë rimini në sy, kapesha herë pas here tek klubi i poetëve ku më të preferuarit ndër miqtë e mi ishin fisniku Zyhdi Morava, i mençuri e  i rralli PanoTaçi dhe i mrekullueshmi ati i poezisë së re, Fatos Arapi të cilin nuk e ulnim dot në tryezë sepse ai nuk pinte kurrë verë, ndoshta se pse vetë Fatosi ishte vlimi ma i bukur i poezisë shqipe.

Ju betohëm ,miq lexues e ju premtoj se do të ndalem shpesh ndër stacionet e këtyre gjigandëve duke menduar se kësaj radhë rreshtat e mi i përkasin një zhanri paksa ndryshe, zhanrit të letërsisë historike me muzë Kombi përzier, sikur kam gjetur në në një  përmbledhje shkruar larg viseve nga mjeshtër të artë të mendimit të sotëm.

Dikush ende jeton plot shëndet e vision fisnikërie, virtyt e traditë malësori dhe burrat e mërgimit  i thërrasin në emër, baca Tomë Mrijaj. Emri i tij ishte për zgjedhur fshehurazi dijes se tij nga historiani i njohur z. Nue Oroshi dhe është sjell në librin: “Tomë Mrijaj – Një jetë në shërbim të nacionalizmit, humanizmit dhe kulturës shqiptare, botuar në Prizren nga shtëpia botuese “Lumbardhi”, me redaktim të prof.dr Muhamet Shatri, recensent Eugjen Merlika dhe Klajd Kapinova, me interesim dhe shpenzimet e kryera nga shoqata patriotike “Trojet e Arbrit” me seli në Prishtinë dhe  Kiel të Gjermanisë.

Libri sjell pranë lexuesit “fytyrën” engjëllore të një njeriu të madh të ditëve tona, të cilin nuk e shohim ndër televizione sepse ai merrët me punë të zakonshme dhe me patriotizëm. Rrënjët  dhe origjina e patriotit Tomë Mrijaj janë Mirdita e vjetër nga ku dy shekuj më parë, të parët e tij mërguan në Gjakovë. Sikurse mërgimi u bë plagë për trojet shqiptare, qysh shumë vite më parë, edhe Toma largohet prej vendit të tij të lindjes dhe vendoset në shtetin e Lirisë se të gjitha lirive, në Amerikë.

Për vite e vite, Tomë Mrijaj ka qëndruar pranë fisnikëve të Mirditës në New York, kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Monsinior Zef Oroshi, ku kapidan Ndue Gjomarkaj ka qënë drejtues i Bllokut Kombetar Indipendent ndërsa at’ Zef Oroshi ka qënë themelues i kishës katolike “Zoja e Shkodres” në New York .

Unë e kam njohur Tomën pas daljes së librit të jetëshkrimit të tij, dhe nga ai shtrëngim duarsh kam kuptuar arsyen pse një mori shkrimtarësh e publicistësh i janë kushtuar me kaq zell jetës dhe veprimtarisë se tij patriotike dhe nacionaliste.

Në libër sjellin përshtypjet, emocionet dhe përshkrimet e tyre autorët e dëgjuar si: Prof. dr. Muhamet Shatri, Prend Buzhala, Eugjen Merlika, Klajd Kapinova, Bianka Gjomarkaj, Mërgim Korça, prof. dr. Riza Sadiku, Msc.Kristinë Oroshi, dr. Ermelinda Kashah, dr. Besim Morina, Pal Canaj, Sadri Morina, Beqir Sina, Selman Etemi, prof. Isuf Bajraktari, Pjetër Nikolla,

Astrit Tota skenograf, Avni Bilalli, Mr.sc Rezehana Hysa, Prend Gjokë Prendi, Leonora Laçi, Lekë Mrijaj, Mikel Gojani, Laureta Mrijaj dhe përmbledhësi e organizatori i librit,Mr.sc.Nue Oroshi.

Kjo larmi e jashtëzakonshme autorësh përshkrues e sinkronizim librin në një trup të vetëm letrar me të njëjtin qëllim dhe subjekt personazhi  por me modele e stile të veçanta përshkrimi duke arritur më së miri në zbulimin e ngjyrave dhe notave të rralla të patriotizmit, cilës i që veshin imazhin e ktij atdhetari të shquar ashtu sikurse edhe në realitet.Është rast i rrallë në letërsinë shqipe kur një detektiv autorësh bien heshturazi në të njëjtën gjuhë, secili me stilin e tij në përshkrimin e të njëjtit personazh dhe prapë më i rrallë mbetët rasti se pse autorët janë të krahinave të ndryshme e pa te njëjtin angazhim të përditshëm, të gjithë pikasur e nuhatur me mjeshtri nga përmbledhesi i librit, z. Nue Oroshi e bashkuar ne një vepër të vetme.

Për mendimin tim këtë rast më shumë se asgjë e ka sjellë të ndodhë fakti i nevojës së vetë letërsisë shqipe për t’u përshtatur me realitetin e sotëm historik si fazë letrare sepse vetëm kjo fazë e ndihmon letërsinë shqipe të shkëputet pa shenja e dëmtime të penës nga realizmi stoik socialist. Në një rast të tillë, letërsia kuptohet siç duhet në misionin e saj në raport me shoqërinë, letërsia bashkë udhëton gjithashtu në një hap me shoqërinë  dhe fiton luftën mbi personazhin imagjinar të shterrur e sajuar si dhe i jep nxënësit dhe lexuesit shembullin e freskët të mishërimit të cilësive të mira të personazhit me qëllim dhënien e kuptimit të së sotmes kombëtare duke diktuar llojin e intelektualit dhe të patriotit të cilit ende i rreh zemra për vendlindje e atdhe.

Kushdo është kurioz për këtë vepër të vyer,le të kërkojë adresën time sepse do t’ua mundësoj më kopjen edhe pse për momentin kopjen që më është nënshkruar mua un po ja dhuroj redaksisë së gazetës “Nacional” në shenjë respekti e mirënjohje për punën e vyer të mbledhjes dhe vlerësimit të letërsisë së sotme shqipe edhe kjo në fazat më të vështira të saja për të gjitha arsyet.

Tek ky libër un kam zbuluar një copë Mirditë të herëshme në New York e ju falemnderës të gjithë autorëve të cilët kanë përcjellë me aq mjeshtri në faqet e librit frymën dhe rolin e rëndësishëm të njeriut të vlerave si shembull të gjallë për secilin bashkëkombas pavarësisht se ku ai aktivizohet e jeton.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.