
Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
Leximi kritik i veprës së Migjenit që fillon në të gjallë të tij, e ka përcaktuar atë si fenomenin më interesant dhe përfaqësuesin më të rëndësishëm në letërsinë tonë moderne. Por raportet e veprës së tij me lexuesin në kohëra për shkak të natyrës së veçantë të artit të tij kanë kërkuar dhe nënkuptuar një lexues të mirëfilltë studiues, siç lutej ta kishte për veprën e vet, më shumë se 300 vjet më parë, eruditi Frang Bardhi. Studimet për Migjenin, sidomos të viteve të fundit kanë vërtetuar se veprës së poetit të madh nuk mund t’i qasesh me instrumente empirike, por lypsen platforma nga më modernet e më të avancuarat teorike e kritike letrare. Ne sajë të këtyre platformave dhe teknikave mund të thuhet pa mëdyshje se lexuesit të sotëm dhe të nesërm pak do t’i interesojë edhe jeta e tij me fatkobin e saj tragjik, fakti se ai u shfaq si meteor, urugan apo vullkan siç shprehet vetë, por vepra që të shtang, të befason, të mrekullon e që të shtyn të reflektosh aq gjatë për qenien, ekzistencën e saj, për jetën sociale dhe njeriun si protagonist të saj, për rrjedhat universale dhe epidemitë që e kërcënojnë.
Përherë e më pak vend do të ketë për falsifikime të paskrupullta, për përkatësinë veçse shqiptare të poetit, përherë e më pak vend do të ketë për angazhimin në një ekstrem ideologjik dhe filozofik, për një interpretim sociologjik vulgar e naiv, përherë e më pak vend do të ketë për shmangie të qëllimshme deri në një përjashtim të heshtur, gjëra jo të munguara në një tranzicion si ky i yni. Duke ju referuar të dhënave bibliografike, është fakt se Migjeni dhe vepra e tij ka tërhequr aq shumë në të shkuarën studiuesit, por ka njohur leximin e vërtetë në këto vitet e fundit. Optika e re, i ka bërë studiuesit të flasin për një teori të veçantë në leximin e veprës së shkrimtarit të madh ku është folur mvehtësisht për konspektivitetin e tekstit, për një densitet të lartë të kuptimit të tij. Është folur për shndërrimin që solli në letërsinë shqiptare me kapërcimin nga kulti i etnisë, kombit në kultin e njeriut, nga kulti i heroit në kultin e ideve. Është folur nga studiuesit për vargjet e lira si refuzim estetik i tradicionales në letërsi që sipas studiuesve ka joshur e ngacmuar abuzimin me vlerat e tij.
Është folur e shkruar për rizbulimin e Migjenit përmes shkrimeve ende të panjohura si dhe të epistolarit të tij. Të dhëna që vijnë nga vepra e tij, por edhe nga dëshmitë e të afërmëve, të njohurve, miqve të poetit dëshmojnë për formatin e tij të veçantë kulturor. Ai njihte mirë autorë të mëdhenj të Perëndimit dhe të Lindjes, të Evropës dhe të Ballkanit. Por në plazmimin e identitetit të tij krijues pa një të dytë që shfaq Migjeni me veprën e tij që ende e lexojnë si të shkëputur, të pakryer, të ndërprerë apo të papërfunduar që për mendimin tonë i ngjan një mozaiku madhështor enciklopedik, ai hyri në panteonin letrar shqiptar për të mbetur përgjithnjë aty me emrin letrar Migjeni siç shprehet një studiues.
Shkodra, qytet historik e kulturor nga më të vjetrit e më të njohurit në Ballkan kur erdhi në jetë Migjeni një shekull më parë, përjetonte kulme të zhvillimit të saj kulturor. Ajo kishte shkëlqyer që në krye të herës me Barletin dhe Beçikemin kur konturohej vetëdija e atdheut kombëtar që po lindte kudo nëpër Evropë në shekujt e humanizmit. Ky qytet do t’i falte shumë dritë poetit që edhe pse e përmend fare rrallë ka derdhur gjithë magjinë dhe veskun drithërues në përcaktimin “Shkodra – dashnorja e shekujve” dhe kaq do të mjaftonte për të shprehur pafundësisht atë marrëdhënie të brendshme të thellë të poetit me qytetin ku u lind. Dhe s’është rastësi që njeriu i letrave Koliqi do ta mbështetë në botimet e para dhe që vlerësimet e para vinin nga dy kritikë Arshi Pipa dhe Qemal Draçini që do të afirmonin i pari frymën e re dhe i dyti rrymën e re që përfaqësonte poeti në letërsinë shqiptare, por në kohë kur poeti nuk jetonte. Por formati migjenian, pavarësisht nga interpretimeet e panatyrshme në leximin e mëtejm do të I kapërcënte kufijt lokalë e rajonalë.
Ai do të vinte në letërsi si produkt i kohës historike e letrare shqiptare, por edhe i Ballkanit dhe Evropës si një poet vizionar i lirisë në të gjitha kuptimet e fjalës, që do ta shqetësonte dilema ekzistenciale e njeriut të të gjitha kohëve me një vetëdije të shquar kritike e vetëkritike, ironike e vetironike për t’u konsideruar siç është përcaktuar në studimet e fundit si formula më e madhe e artit të fjalës shqipe, pika e gravitetit të letërsisë dhe kulturës shqiptare pa një të dytë. Ai është dhe do të mbetet siç është thënë qartë, prerë dhe saktë: “I lakmuar por i patejkaluar”. Magjia e mozaikut migjenian në poezi dhe prozë e lexuar si tekst, nëntekst dhe kontekst e lexuar dendësisht në kontekstin shqiptar, pret të lexohet edhe në kontekstin evropian.
Pike takimet me zhgënjimet, dhe pikëllimin e Nices, Schopenhauerit, Dostojevskit, e Brezit të Humbur janë provë e reflektimit të ankthit dhe krizave të njëriut që kishin shkaktuar luftërat botërore. I lindur dhe format i kohës së tensionuar në Evropë si shkak i këtyre gjakderdhjeve të pakuptimta, që i sollën njerëzimit, e para dhjetë milionë viktima,e dyta pesedhjete milionë, si dhe humbjen e vlerave të pallogaritshme materiale dhe shpirtërore, nuk mund të mos sillnin atë që sollën, duke i shndërruar njerëzit sidomos elitat në të pandjeshëm deri në kufoma dhe në të mbindjeshëm për atë që kishte ndodhur dhe pritej për të ndodhur në botë dhe në truallin tonë që për mirë a për keq ndodhej në theqafje të Perëndimit edhe të Lindjes.
Migjeni është ndoshta i vetmi krijues në letërsinë shqiptare që përtej dhimbjeve individuale arriti të shfaqte dhimbjet e shqiptarit dhe brengat e llahtarshme “të një njerëzimi që kalon ndër shekuj” nga një katastrofë në një tjetër më cnjerëzore, pa e humbur asnjëherë rrezellimin e ëndrrës për një jetë te bukur dhe të paqtë. Vepra e tij mozaikale enciklopedike që sfidon përcaktimet e ndërprerë, e pakryer shfaqet dhe e ben te paperseriteshme fakti se cfare eshte jete, histori, estetike e gjalle eshte bere ndjenje,mendim,hir,gjuhe dhe veper e kristalte qe pret rizbulime te reja. Ajo pret zhulime edhe nga lexuesi evropian që kërkohet të njihet jo përmes inisiativave personale siç ka ndodhur kohët e fundit, por institucionale për integrimin tone kulturor në botën globale.
Në studimet e sotme vetëm sa ka nisur udha e zbulimit të shqipes së Migjenit që jo vetëm me normativitetin dhe gramatikalitetin por edhe me anormativitetin dhe agramatikalitetin e saj, gjë kjo e pritur nga krijues potencialë, fsheh thesare që një krijues i shumëfishtë në vlera arrin t’i shpërfaqë në mënyrë magjepse. Niveli i leximit të Migjenit në këto vite lirie paralajmëron arritje të reja për lexuesit studiozë jo vetëm letrarë por edhe të fushave të tjera që do t’i qasen veprës së një personaliteti të pazakontë si Migjeni që me të drejtë konsiderohet klasiku i modernitetit tone letrar.