Ymer Adem Llugaliu
Me krenarinë tande
ballin kam stolisë,
flamurtar në histori kombi.
Dy shllunga resh,
harqe të zeza,
në themel të ballit kam vu,
ndjersët e ftohta
dritën e syve
mos të munden
me ma verbue.
Mbi krah të qepallave
mbaj peshën e qiellit
tand plumb.
Dy sytë e mij
mos të më shndërrohen
në dy gurra.
Ftyrën e zymtë
trishtimi mos të ma mbysë
në rrëke lotësh si lum.
Në zemrën time,
brum i gatuem
nga balta, grunoret,
shkambijt tu granit,
dashuninë, zjermin,
guximin tand kam ndry.
Dashuni e pashprehun,
guxim i frenuem,
zjermi si vullkan
në lavën e prusht
krahnorin po don
nder hove me ma përvlue.
Me rrobën tande
trupin kam veshë,
kostum purpur,
ngjyrë e flokut
nder grunore det,
era kur i valzon.
Kmishën e kuqe,
gjak i zemrës tande,
derdhet buzë agimesh,
firue në errësinë
si ujët e Llapit,
të lumit Drin.
Fushën me e vaditë,
bari i shkelun,
bari i vyshkun
me u knellë fillak.
Kallini i grunit
kokën ma nalt
nder grunore me e ngritë.
Në gishtin e dorës së djathtë
nji shqipojë krahartë,
me frymzimin e zemrës
merr fluturim.
Me dashni jetë,
me urrejtje vdekje,
me hov rinor,
me guximin e vet
nëpër furtuna farkue,
çan thellë nëpër errësi,
nder maja malesh
agimin me e ndeshë,
me majën e sqepit
në folenë shkambore
fëmijve azgan
ushqim me u çue.
Me oren tande
mas kohën Kosovë,
nji minut para
në njizetekatër orë.
Nder minuta shekujt
a mundemi me i përbi?
Hapin e njerzimit,
a mundesh me ma thanë:
kur kemi me e arritë?
Ymer Adem Llugaliu, Mirditë-Rrëshen
P.S. Kjo poezi është shkruar para 52 vjetësh nga Ymer Adem Llugaliu, mësues, poliglot dhe demokrat, i cili u burgos nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës për “propagandë e agjitacion”, derisa punonte si arsimtar i gjuhës shqipe në Rrëshen të Mirditës.
Dialekti gegë ruhet qëllimisht, jo për pasojë të mosnjohjes së standardit, por si reagim ndaj padrejtësive dhe mohimit të gegnishtes. Ymeri krijoi kryesisht në dialektin e veriut, si shprehje identitare dhe kulturore, në një kohë kur kjo formë gjuhësore ishte e shtypur institucionalisht.
Përgatiti për botim: Arif Ejupi











