Ese (5)
Mendime të mbledhura nga aktualiteti politik
Hulumtim mbi logjikën politike të përditshmërisë: “Nëse morali është themeli i politikës, atëherë ligji është kufiri i saj i domosdoshëm.”
Nga Safet SADIKU
Në kulturën tonë politike, liderët shpesh janë ngritur në piedestal aq të lartë sa duken të paarritshëm sikur të ishin vetë hyjni tokësore, të rrethuar me aureolën e paprekshmërisë. Secili ish-kryeministër gjatë tranzicionit të gjatë, ka krijuar rreth vetes një mini-perandori personale me një rreth njerëzish të mbledhur jo nga bindja, por nga interesi, jo as nga ideali, por nga pagesat e majme që burojnë nga thesari i shtetit, i cili, për fat të keq, lëviz sipas vullnetit dhe bekimit të një njeriu të vetëm.
Kjo logjikë e sundimit paternalist ka lindur nga një mentalitet i gabuar, i rritur me idenë se pushteti nuk shërbehet, por trashëgohet, se nuk i përket shtetit, por pronarit të radhës. Dhe kështu, komunikimi politik është deformuar, si një pasqyrë e thyer ku realiteti dublon veten në forma të çuditshme, duke dobësuar institucionet që duhej të ishin shtylla të demokracisë. Pra, shumë gjëra janë vendosur “nga së prapthi” dhe pushteti me kohë ka marrë trajtën e autoritetit absolut, ndërsa qytetarët janë shndërruar në spektatorë të heshtur të një teatri ku të gjithë luajnë, por pak kush mban përgjegjësi.
Ndërkohë, arroganca politike në hapësirat shqiptare, në Kosovë, në Shqipëri dhe në komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, etj., ka lindur nga mungesa e një vetëdijeje morale të qëndrueshme. Krijohet përshtypja, sikur është zhdukur ajo lidhje hyjnore që bashkon pushtetin me shpresën, dhe përgjegjësinë qytetare me nderin publik. Aty ku shpresa shihet vetëm si premtim elektoral dhe jo si projekt kolektiv për shtetndërtim, politika humb misionin e saj etik dhe kthehet në një makineri vetëpërjetësimi. Në atë pikë, qeverisja nuk buron më nga detyrimi ndaj qytetarit, por nga logjika e dominimit, sepse nuk ndërtohet mbi dinjitet, por mbi frikë. Kjo politikë asnjëherë nuk është më shërbim, por ambalazh i pushtetit personal. Dhe, kur dinjiteti i përbashkët zëvendësohet me arrogancën institucionale, shteti fillon të duket si “pronë private” e elitave politike, si një vilë e rrethuar me gardh, ku qytetarëve u jepet vetëm e drejta të shohin nga jashtë.
Atëherë ky fakt bëhet më i qartë se kurrë, se “të jesh evropian” nuk është vetëm një firmë në letër apo një ceremoni protokollare, por kemi të bëjmë me një kulturë politike, dhe mbi të gjitha, me një sistem vlerash ku morali, përgjegjësia dhe dinjiteti janë themelet e çdo vendimi, gjë që këto vlera në vendin tonë ende nuk i kemi parë. Vetëm aty ku politika kuptohet si projekt moral dhe jo si tregti e pushtetit, shpresa bëhet forcë vepruese, e qytetari bëhet bashkëpronar i shtetit dhe jo spektator i abuzimit.
Ish-institucionet gjatë periudhës së tranzicionit, ashtu edhe qeveritë e fundit në Kosovë, (as pas zgjedhjeve të fundit pas një viti), në mënyrë të përbashkët midis pozitës dhe opozitës, nuk arritën të vendosin prioritetet e ndërtimit të shtetit, përmes jetësimit të institucioneve. Në vend të një qasjeje të orientuar drejt shërbimit publik, shpesh është manifestuar një qasje që e trajtonte funksionin shtetëror si hapësirë të influencuar nga interesa të ngushta. Kjo solli ngatërrim midis përgjegjësive institucionale dhe interesave private, duke e dobësuar funksionimin e duhur institucional. Për pasojë, shteti i Kosovës shpesh është perceptuar si një mekanizëm i përdorur për interesa të grupeve të caktuara. Pushtetet tona në të kaluarën gjatë tranzicionit, dëshmuan se mendësia e tyre nuk ishte mendësi shërbimi, por mendësi pronësimi. Funksionin shtetëror e shndërruan në „pronë“, duke i ngatërruar ligjet e shtetit me ligjet e oborreve private, dhe duke e trajtuar trashëgiminë e pushtetit si trashëgimi familjare, ashtu si regjimet që shqiptarët i kanë përjetuar ndër shekuj, duke i mbajtur larg funksionimit të dinjitetit institucional.
Ndërkohë, qytetarët të shndërruar në spektatorë të pafuqishëm, nuk patën asnjë mekanizëm real për ndryshim, madje as kur liderët që ata vetë i votuan, të cilët e shkelën ligjin me vetëdije gjatë gjithë kësaj loje të zgjatur politike. Dhe ligjet ishin të mbyllura në sirtar, edhe kur deputetet nuk ndryshonin me vota në Kuvend pozicionet e istikameve të tyre, për ta zgjidhur ngërqin, sepse liderët partiakë i komandonin me urdhër të prerë! I gjithë teatri ishte tepër monoton, i vrazhdë, dhe botërisht po interpretohej se pronarët politikë të shtetit tonë nuk po bëjnë zgjidhje në mes veti për funksionimin e shtetit. Prandaj, pyetja që ngrihet sot, fort dhe pa shmangie, është kjo: „a do të përsëritet i njëjti ring, i njëjti skenar, më 28 dhjetor të këtij viti?”
Dhe nese përsëri do të kemi rezultate të përafërta si do të formohet qeveria e ardhshme e Kosovës, pasi investimi në pozitat e instikameve është histori në vete, e cila situatë sërish mund të përsëritet!? Apo koha e pritjes për ndarjen e pasurive publike, gjer më tani liderëve tanë politikë, u ka shërbyer vetëm për kompromise të heshtura, duke konfirmuar logjikën e vjetër të pranimit të së kaluarës, pra atë filozofi të zymtë: “më rrove dhe të rrova, brisku i berberit”, ku parimisht askush nuk ndëshkon askënd, me kusht që askush të mos kërkojë drejtësi? Sepse drejtësia, tashmë për vite të tëra pothuajse është inekzistente, („dhe është e pezulluar deri pas datës 28 dhjetor“), derisa të krijohet një qeveri, qoftë edhe duke mbyllur sytë ndaj së kaluarës së mbushur me paaftësi, dështim dhe eufori banale mes liderëve politikë. E gjitha kjo, po bëhet vetëm që rrota të vazhdojë të sillet, por jo aq shumë përpara, pasi janë të njëjtët aktorë, me të njëjtat role, në të njëjtin teatër të vjetër.
Nga këto rrethana, me sa kemi kuptuar deri më tani, arroganca në politikën e pushteteve shqiptare ka lindur nga mungesa e një vetëdijeje morale. Pra, ka dominuar mangësia e asaj vetëdijeje që e lidh pushtetin me shpresën, por edhe me përgjegjësinë qytetare. Sepse atje ku shpresa shihet si një ndjenjë kalimtare dhe jo si projekt i përbashkët për ndërtimin e shtetit, politika humb misionin e saj etik dhe kthehet në një instrument vetëpërjetësimi të individëve. Në atë çast, qeverisja nuk buron më nga përgjegjësia ndaj qytetarit, por buron nga logjika e dominimit. Kjo ndodh kur dinjiteti kolektiv zëvendësohet me arrogancën institucionale, dhe shteti fillon të duket si pronë private e elitave politike. Me këtë rast shprehja: “të jesh evropian” nuk nënkupton se shteti është folklorik, përkundrazi ai vepron me mekanizma juridik, dhe asnjëherë nuk është vetëm akt nënshkrimi apo ceremoni diplomatike formale, por është edhe ndërtim i një kulture politike ku morali, përgjegjësia dhe dinjiteti janë themelet e çdo vendimi publik. Ashtu siç paralajmëronte filozofi francez Montesquieu, „pushteti që nuk gjen kufi te ligji e shndërron lirinë në iluzion dhe shtetin në instrument të interesave personale“.
Sepse, sipas vetë Brukselit, Evropa kërkon jo deklarime, por prova të sundim të ligjit, pavarësi të gjyqësorit, transparencë, dhe luftë kundër korrupsionit dhe barazi para ligjit. Pra, jo si slogan, por si standard i padiskutueshëm. Tocqueville do ta quante këtë “virtytin e institucioneve”, dhe idenë se liria mbijeton vetëm kur ligjet janë më të forta se njerëzit dhe kur qytetari nuk shihet si dekor politik, por si bosht i rendit demokratik. Për shqiptarët, të qenit pjesë e Evropës nuk është thjesht aspiratë gjeopolitike, por njëkohësisht është kërkesë juridike dhe morale. Brukseli e ka bërë të qartë se integrimi nuk ndodh aty ku pushteti shihet si pronë, por aty ku ligji shtrihet mbi të gjithë, pa përjashtim.
Ndërkaq, sociologu gjerman Habermas do ta quante këtë “legjitimitet përmes normave”, idenë se, një shtet është modern vetëm kur autoriteti i tij buron nga respektimi i rregullave që ai vetë vendos. Prandaj, vetëm aty, ku politika kuptohet si projekt moral e jo si tregti pushteti, shpresa bëhet forcë vepruese, e qytetari ndihet bashkëpronar i shtetit të vet, dhe jo spektator i abuzimeve. Sepse çdo pushtet që nuk ka frikë nga ligji, degradohet në arbitraritet. Dhe çdo shtet që nuk e vendos ligjin mbi ata që e shkruajnë, humb kuptimin e vet si rend juridik dhe si aspiratë e demokracisë evropiane.
Në sallën e madhe, dritat ishin të ftohta, si dritë hëne që s’ngroh askënd. Tryeza ovale në Shtëpinë e Bardhë shkëlqente nën pasqyrimin e gotave të ujit, dhe çdo shtrëngim duarsh kishte elegancën e detyrimit, jo të ndjenjës. Karriget ishin të buta, por ajri i rëndë nga fjalët e matura me kujdes, dhe çdo buzëqeshje dukej e provuar paraprakisht, dhe çdo përkulje ngjante, si një rit i mësuar për kamerat. Në fund të fundit, për të dalë nga ky cikël i dëmshëm i “diplomacisë sonë të dështuar”, Kosova duhet të përballet me të vërtetën e hidhur të ndikimeve të së kaluarës, dhe të ndërtojë një kulturë politike të re që e bën shtetin prioritet dhe të luftojë për ndërtimin e një identiteti shtetëror të fortë dhe të pavarur, duke i dhënë fund kështu një herë e mirë shterjes së vizionit dhe etikës shtetformuese që po e mban vendin peng në këtë fazë kritike.
Në reflektimin e tij të thellë dhe historik, diplomati gjerman Rudolf Hans i rikthehet edhe njëherë një prej momenteve më vendimtare të historisë së Gjermanisë, atij të bashkimit të vitit 1990, i cili nuk ishte thjesht një ngjarje gjeopolitike, por një përpjekje e jashtëzakonshme dhe titanike për të transformuar mendësinë dhe shpirtin e një shoqërie të tërë që kishte kaluar dekada të tëra nën ndikimin e aparatit represiv sovjetik. Historia, sipas fjalëve të tij, pa një spastrim të thellë institucional dhe moral të ish-republikës demokratike gjermane, asnjë prosperitet dhe asnjë demokraci e qëndrueshme nuk do të ishte e mundur, dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë hapësirë për mëshirë apo kompromis ndaj atyre që kishin shërbyer në mënyrë aktive apo pasive ndaj regjimit të vjetër, sepse ndërtimi i Gjermanisë së bashkuar kërkonte një përjashtim të plotë të bashkëfajtorëve të sistemit represiv. Dokumenti që kam sjellë është i ngarkuar me peshë historike dhe etike, dhe ofron bazën ideale për një krahasim të thellë, të matur dhe të ndërtuar me gjuhë argumentuese, midis procesit të pastrimit institucional gjerman dhe mungesës së një procesi të tillë në vendbanimet shqiptare pas periudhës së regjimit serb, e sidomos pas luftës së Kosovës.
1) Morali si themel i politikës: Në kuptimin më të gjerë, morali i shoqëruar me parimin e etikës, është busulla e brendshme që udhëheq politikanin, komunitetin dhe institucionin. Pa një strukturë morale, politika rrezikon të shndërrohet në një makineri të ftohtë interesi, në të cilën qytetari bëhet vetëm mjet. Shembujt nga realitetet shqiptare; qoftë në Kosovë, Shqipëri apo në komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut etj., e bëjnë të qartë se sa shpesh shkelet kjo bërthamë morale. Në shumë komuna shqiptare, premtimet e fushatave zgjedhore marrin një ngjyrë pothuajse etike: premtime për drejtësi, për barazi, për zhvillim dhe për ndershmëri. Por në praktikë, ndodh që këto vlera të tretën shpejt sapo politikanët marrin pushtetin, duke lënë pas një boshllëk moral që qytetarët e ndjejnë në përditshmërinë e tyre, në mungesën e transparencës, në klientelizëm apo në keqpërdorim të pasurisë publike. Kësisoj, ideja se morali duhet të jetë themeli i politikës duket më shumë si ideal i dëshiruar sesa realitet i përmbushur.
Këto parime nuk janë thjesht kërkesa morale të shoqërisë, por standarde evropiane të sanksionuara prej institucioneve të Brukselit dhe Strasburgut. Në raportet dhe rezolutat e tyre, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës e kanë bërë të qartë, për të gjitha vendet e treta, pra edhe të rajonit tonë se, nuk ka integrim pa sundim të ligjit, pa drejtësi të pavarur, pa përgjegjësi të zyrtarëve. Evropa nuk ndërtohet me deklarata, por me institucione të forta e me njerëz që i respektojnë ligjet e veta. Prandaj, rruga drejt Evropës për shoqëritë shqiptare nuk është vetëm gjeografike, por është juridike dhe morale. Një proces i gjatë vetëpërmirësimi institucional që nis aty ku politika fillon të ketë frikë të shëndetshme nga ligji, si shenjë respekti për qytetarin, por edhe për pasurinë publike!…
Në këtë pikë, vlen të shihen miqtë tanë: Austria dhe Sllovenia. Austria, me traditën e saj burokratike të rregullit dhe përgjegjësisë, ka ndërtuar një shtet ku ndryshimet politike nuk e tronditin funksionimin e institucioneve, sepse institucionet janë më të forta se individët.
Ndërsa Sllovenia, e vogël por e konsoliduar, tregoi se një vend i dalë nga konflikti ideologjik mund të shndërrohet brenda një dekade në model të stabilitetit ligjor dhe efikasitetit administrativ. Aty ku ligji është kulturë, jo thjesht detyrim, vendi konfirmon stabilitet. Në parim këta shembuj janë të thjeshtë, por domethënës, sepse vendet e vogla bëhen të mëdha, kur nuk tremben nga drejtësia, por rrezikohen nga mungesa e saj. Nëse institucionet që duhet të jenë shtyllat e funksionimit demokratik mungojnë pikërisht kur kombi ka më së shumti nevojë për to, atëherë nuk kemi krizë të përkohshme. Pra, kemi shterim të gjatë të kulturës shtetformuese. Kemi humbje të vizionit. Prandaj një konstatim si ky për diplomacinë e dështuar nuk është thjesht rrëfim, por është edhe një paralajmërim se shtetitn po e dështojmë vetë me heshtje.
Argumenti tregon se Kosova mund të humbasë jo prej armiqve të jashtëm, por prej mungesës së vetëdijes për rëndësinë e miqësive të qëndrueshme dhe diplomacisë së matur, e cila për fat të mirë ende vazhdon të jetë e pranishme. Sepse shteti nuk mbaron gjithmonë me përfundimin e luftës, por shteti fillon me paqen. Fillon me aftësinë për të përfaqësuar dinjitetin kombëtar me argumente, për të mbrojtur të drejtat në arenën ndërkombëtare, për të qenë i pranishëm aty ku vendoset e ardhmja. Ndonëse, një nga çmimet më të rënda të kësaj krize është humbja e besimit të qytetarëve në institucionet e tyre. Me përqindje alarmante të ulëta besimi, siç tregojnë vlerësimet e organizatave ndërkombëtare, qytetarët tanë po largohen. Po shndërrohet në spektatorë të një loje të pafundme manipulimesh politike, ku shumëkush flet, por askush nuk përgjigjet. Kur qytetarët largohet, republika zbrazet nga kuptimi i vlevshmërisë së saj.
2) Ligji si kufiri i domosdoshëm i politikës: Por edhe në mungesë të moralit, një shtet funksional mund të mbijetojë përmes ligjit. Ligji është kufiri i domosdoshëm, sepse ai e ndalon pushtetin të kalojë në arbitraritet. Ligji është barrierë ndaj kapriçove, ndaj korrupsionit, ndaj shpërdorimit të autoritetit. Në shoqëritë shqiptare, shpesh pikërisht ky kufi ligjor vihet në provë, nga ndërtime pa leje në Tiranë, te skandalet komunale në Prishtinë, me mospagesa rrogash, e deri te keqpërdorimet nëpër komuna si p. sh., në Tetovë, Ulqin apo Gostivar. Politika, kur nuk udhëhiqet nga morali, synon të lëvizë kufijtë e ligjit sipas interesave të momentit. Megjithatë, aty ku ka funksionim të drejtë të sistemit juridik, si në rastin e disa komunave që kanë vendosur transparencë digjitale ose procese të rrepta të prokurimit publik, ligji pothuaj arrin të frenojë ambiciet e pushtetit. Kur pushteti e di se mbi të qëndron jo vetëm opinioni moral i publikut, por edhe një strukturë e fortë ligjore, atëherë politika bëhet më e përgjegjshme.
Gjermania, pas luftës, na mëson një të vërtetë të thjeshtë: transformimi fillon nga mendja, kalon në institucione dhe përfundon në kulturë. Kosova, ende është e lidhur pas një të kaluare të errët dhe e ekspozuar ndaj ndikimeve të huaja që e minojnë zhvillimin. Ajo po e paguan çmimin e mungesës së këtij transformimi. Sipas shumë diplomatëve kritikë, mes tyre edhe Rudolf Hans, problemi nuk është vetëm mungesa e reformave, por është marrëdhënia e vjetër, e thellë dhe e rrezikshme e aktorëve politikë me interesa të huaja që e shohin këtë vend si një poligon ndikimi. Kjo gjendje e krijuar nga kjo diplomaci e shterruar, s’është thjesht vetëm një krizë politike. Në parim është kulturë e gabuar. Kulturë e një klase politike që e sheh pushtetin si mburojë personale, jo si përgjegjësi.
E në fund, mbetet një e vërtetë e heshtur por e pakundërshtueshme: shteti fillon të bjerë në momentin kur karriget e pushtetit bëhen “të buta”. Atëherë kur komoditeti zëvendëson detyrën. Atëherë kur politikanët ndryshojnë, sapo hyjnë në të, dhe asnjëherë nuk duan të dalin më nga pushteti, duke lënë pas një gjurmë të përkohshme të rehatisë, por asnjë shenjë të përgjegjësisë. Dhe pikërisht për këtë, në një kohë kur shpresat rrallohen dhe dinjiteti publik rrezikohet, nevojitet rikthimi i një frike të shëndetshme nga ligji dhe i një morali politik që e vë qytetarin aty ku duhet: në qendër të institucioneve të republikës. Kur flasim për, “Trushpërlarët e rinj”, shton mëtej R. Hans, vetë logjika e kësaj përmbajtje i referohet brezit të individëve, që janë shpesh të rinj në moshë, të cilët formohen, ndikohen ose manipuloohen nga burime të fuqishme informacioni, teknologjike apo ideologjike, derisa humbasin aftësinë për të menduar në mënyrë kritike dhe të pavarur. Ky term: „përshkruan procesin në të cilin mendimet, bindjet dhe sjelljet e tyre ndonjëherë modelohen pa vetëdije nga rrjete sociale, media, grupe ideologjike ose autoritete të ndryshme, duke krijuar një realitet të ri të kontrolluar dhe të paanalizuar.”
Funksionimi i drejtë i shtetit është themeli që garanton rend, zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët. Por shpesh vërehet se politikanët, sapo marrin pushtetin, ndryshojnë qëndrimet dhe idealet e tyre. Premtimet e bëra para zgjedhjeve zbehen, ndërsa prioritet bëhet ruajtja e pozitës dhe privilegjeve. Shprehja ironike “karriget e pushtetit ishin të buta” tregon pikërisht këtë fakt, se ideali zëvendësohet nga komoditeti, përgjegjësia nga rehati, dhe interesat personale marrin vendin e interesit publik. Ky transformim e dëmton besimin e njerëzve te institucionet dhe e bën edhe më të domosdoshme transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjësinë e vërtetë politike. Në këtë kontekst, mesazhi i diplomatit gjerman është i qartë dhe i fortë: se mbështetja ndërkombëtare dhe solidariteti nuk mund të jenë asnjëherë një mburojë e pafund për një klasë politike që refuzon të shkëputet nga ndikimet dhe urdhërat e jashtëm, veçanërisht kur këto ndikime nënçmojnë idenë e shtetit dhe parandalojnë ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të drejtësisë.
Në anën tjetër përderisa politika ecën ngadalë, e ngurtë dhe shpesh e mbërthyer në mendësi të vjetra, rinia po lëviz shumë më shpejt, pavarësisht faktit dhe paragjykimeve ndaj saj që i bënë shumë pushtete gjatë këtij tranzicioni. Ata që shpesh paragjykohen si “trushpëlarë”, në të vërtetë janë brezi që ecën me ritmin e teknologjisë dhe inovacionit të shekullit XXI. Në kohën kur politikanët luftojnë me fjalor të vjetruar dhe logjikë të konsumuar, të rinjtë ndërtojnë botë digjitale, kapërcejnë kufij, mësojnë, krijojnë dhe po lidhen me tregun global. Paradoksi është i qartë, se politika rri në vend, rinia ecën përpara. Dhe ky hendek po zgjerohet përditë.
Për të gjitha këto krahasime nëse i referohemimi mendimit të Immanuel Kantit, i cili thotë se „etika e detyrimit, e mishëruar në imperativin kategorik, përbën themelin e çdo veprimi moral“, sepse, sipas tij, një veprim është vërtet i drejtë vetëm atëherë kur ai mund të ngrihet në shkallën e një ligji universal që do të vlente njësoj për të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh interesat personale apo përfitimet e çastit. Pikërisht për këtë arsye Kant e sheh pavarësinë e arsyes si burimin origjinal të lirisë njerëzore, duke theksuar se njeriu bëhet i lirë vetëm kur drejton sjelljen e tij sipas parimeve morale që ai vetë i njeh si të vlefshme, e jo sipas dëshirave të rastit apo shtysave të interesit.
Në këtë kuptim, shteti i së drejtës, për Kantin, nuk është një mekanizëm i pushtetit, por një rend juridik në të cilin qeverisja buron nga ligje të përgjithshme, të barabarta për të gjithë dhe të pavaruara nga vullnetet arbitrare të individëve të fuqishëm, sepse vetëm një rend i tillë juridik e garanton lirinë dhe sigurinë morale të qytetarit. Prandaj, në themel të gjithë kësaj qëndron dinjiteti njerëzor, ideja kantiane se çdo individ është qëllim në vetvete dhe nuk mund të përdoret kurrë si mjet për interesat e dikujt tjetër, një parim që përjashton çdo formë manipullimi, arbitrariteti apo instrumentalizimi politik të njeriut.
Dhe prandaj, në kontekstin e argumentit tonë, Kant shfaqet si pika më e fortë e referimit për të theksuar se politika, nëse do të ketë kuptim moral, duhet të ndërtohet mbi parime të qëndrueshme e universale, jo mbi pazare të përkohshme, se ligji duhet të jetë i barabartë dhe i paanshëm, jo i përdorur si armë e elitave, dhe se një shtet që nuk mbështetet në universalitetin e së drejtës dhe në dinjitetin e qytetarit, sepse e humb jo vetëm karakterin juridik, por edhe të drejtën për t’u quajtur shtet në kuptimin kantian të fjalës.
Sqarim:
1) Montesquieu (Charles-Louis de Montesquieu, 1689–1755): Montesquieu ishte filozof francez i iluminizmit dhe një nga teoricienët më të rëndësishëm të shtetit dhe qeverisjes moderne. Ai është i njohur sidomos për veprën “Fryma e Ligjeve” (1748), ku formuloi parimin e ndarjes së pushteteve, legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor, si mekanizëm për të parandaluar abuzimin me autoritetin. Sipas tij, pushteti duhet kufizuar me pushtet, përndryshe liria politike zhduket dhe shteti bie në tirani. Studimet e tij theksojnë se, ai përdoret si autoritet që tregon se pushteti pa kufi ligjor degjeneron në arbitraritet.
2) Alexis de Tocqueville (1805–1859): Tocqueville ishte mendimtar, politolog dhe diplomat francez, më i njohur për veprën “Demokracia në Amerikë”. Ai analizoi mënyrën se si demokracia funksionon vetëm kur qytetarët mbeten aktivë, institucionet janë të forta dhe barazia para ligjit kultivohet si vlerë shoqërore. Tocqueville paralajmëroi për rrezikun e “tiranisë së shumicës” dhe kapjen e institucioneve nga interesa private. Në rsastin e studimeve krahasuese është se, ai ka sjellur idenë, se demokracia nuk është vetëm procedurë, por kulturë institucionale që mbron qytetarin.
3) Jürgen Habermas (1929–): Habermas është filozof dhe sociolog gjerman, një nga mendimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë në teorinë politike dhe sociale. Ai njihet për konceptin e “sferës publike” dhe idenë se legjitimiteti i shtetit demokratik buron nga komunikimi racional, transparenca dhe respekti për normat ligjore. Në veprën e tij, shteti modern shihet si i vlefshëm vetëm kur është i ndërtuar mbi të drejtën, jo mbi vullnetin e individëve të pushtetshëm. Studimet e tij dëshmojnë se, Habermas shërben si bazë për idenë, se shteti evropian dhe demokratik e gjenë autoritetin e tij te ligji dhe te normat, jo te arbitrariteti i pushtetit.
4) Immanuel Kant (1724–1804): Është filozof gjerman, një nga mendimtarët më të rëndësishëm në historinë e filozofisë perëndimore. Kant është themelues i etikës moderne dhe i nocionit të detyrimit moral si kërkesë universale.











