JUSUF BAFTIARI (HOXHË LIPOVICA), ATDHETARI QË NUK E NJIHTE FRIKËN (1883-1948) (60)

0
Sabile Keçmezi-Basha

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË

Gjatë procesit të hulumtimit sistematik mbi jatakët dhe bunkerët e rezistencës ilegale shqiptare në Kosovë, si pjesë përbërëse e punës sime studimore të përmbledhur në librin “Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945–1990”, emri i Mulla Hoxhë Lipovicës u shfaq fillimisht në formë fragmentare dhe të ndërmjetësuar përmes dokumentacionit arkivor. Konkretisht, ai evidentohej në dosjen e Gjykatës së Qarkut në Gjilan me numër P. Nr. 37/48, nën emrin Jusuf Selim Baftiu, i regjistruar si bujk, i lindur më 1883, me datë dënimi 23.04.1948, sipas nenit 3/3 të Ligjit Penal, me dënim kapital – pushkatim (f. 360). Ky informacion, i marrë nga burime zyrtare arkivore, ofronte një profil formal juridik, por jo domosdoshmërisht një identifikim të qartë historik të figurës në fjalë.

Ndërkohë, në një sërë shkrimesh të tjera, dokumente dytësore dhe burime narrative, i njëjti person shfaqej me variante të ndryshme emërtimi: herë si Hoxhë Lipovica (foto), herë si Jusuf Baftiu, e në raste të tjera si Jusuf Baftiari – Mulla Hoxhë Lipovica. Këto mospërputhje onomastike dhe përdorimi paralel i emrave, mbiemrave dhe titujve fetarë e shoqërorë krijonin një paqartësi të vazhdueshme në identifikimin e tij, duke lënë hapësirë për keqinterpretime dhe fragmentarizim të figurës historike në literaturën ekzistuese.

Vetëm përmes një analize më të thelluar kritike, e cila përfshiu krahasimin e të dhënave arkivore, kronologjike dhe biografike, u bë e mundur të qartësohej se të gjitha këto emërtime i referoheshin një të vetmit individ. Ky proces verifikimi nxori në pah se bëhej fjalë për të njëjtin personalitet historik, identiteti i të cilit ishte shpërbërë artificialisht në dokumentacion për shkak të praktikave administrative, politike dhe represive të kohës. Në këtë mënyrë, u konsolidua përfundimisht bindja se pas këtyre emërtimeve të ndryshme fshihej një figurë e vetme: Hoxhë Lipovica, një nga patriotët më të shquar të Anamoravës dhe një ndër përfaqësuesit më domethënës të rezistencës shqiptare në periudhën e pasluftës.

Ky rast ilustron qartë vështirësitë metodologjike me të cilat përballet historiografia kur trajton figura të ndjekura politikisht, emrat e të cilëve janë deformuar, fragmentarizuar ose qëllimisht mjegulluar në dokumentacionin zyrtar. Njëkohësisht, ai dëshmon rëndësinë e qasjes kritike dhe krahasuese në rindërtimin e kujtesës historike dhe në rikthimin e identitetit të plotë të atyre që, përmes veprimtarisë së tyre patriotike, u shndërruan në objekt të dhunës institucionale dhe të harresës së imponuar.

Ky zbulim erdhi me një ndjenjë të dyfishtë: nga njëra anë, kënaqësia shkencore e sqarimit të një nyje historiografike të paqartë; nga ana tjetër, një ndjesi keqardhjeje profesionale dhe njerëzore, për faktin se kjo figurë madhore e rezistencës shqiptare kishte mbetur jashtë trajtimit në librin tim “Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave në Kosovë 1944–1990”, botuar më 2024. Mungesa e Hoxhë Lipovicës në atë vepër nuk ishte pasojë e nënvlerësimit të rolit të tij, por rezultat i kufizimeve burimore dhe i fragmentarizimit të informacionit që disponoja në atë kohë.
Ky konstatim e përforcoi bindjen se historiografia e rezistencës shqiptare ende mbart boshllëqe të rëndësishme dhe se figura të tilla, të cilat kanë sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, kërkojnë një trajtim më të plotë, më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës në studimet shkencore bashkëkohore.

Jusuf Baftjari, i njohur gjerësisht në historiografinë vendore si Hoxhë Lipovica, lindi më 1883 në fshatin Lipovicë, në një familje me rrënjë të thella patriotike, nga babai Baftjar dhe nëna Sejdije, e lindur Mahmuti. Formimi i tij njerëzor dhe atdhetar u zhvillua brenda një mjedisi familjar ku ndjenja e përkatësisë kombëtare, qëndresa dhe sakrifica për liri përbënin vlera themelore të trashëguara brez pas brezi.
Në kohën kur u përball me dënimin e fundit nga pushteti jugosllav, Jusuf Baftjari ishte vejan dhe baba i tre fëmijëve, çka e bën edhe më të rëndë dimensionin njerëzor të ndëshkimit të tij. Veprimtaria e tij atdhetare nuk ishte e rastësishme dhe as e kufizuar në një periudhë të vetme historike. Përkundrazi, ajo përbënte një angazhim të vazhdueshëm dhe të ndërgjegjshëm në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, veçanërisht në rajonin e Anamoravës. Si pasojë e këtij angazhimi, ai kishte qenë i dënuar edhe më herët me një dënim të rëndë prej 20 vitesh burg, të cilin e kishte vuajtur për shkak të aktiviteteve të tij patriotike.

Kjo vazhdimësi e përndjekjes dhe ndëshkimit dëshmon se Hoxhë Lipovica nuk ishte thjesht një figurë e një momenti të caktuar historik, por një akter i rëndësishëm i rezistencës shqiptare, jeta e të cilit u shënjua nga përballja e pandërprerë me pushtete represive dhe nga një përkushtim i palëkundur ndaj idealeve të lirisë dhe dinjitetit kombëtar.

Por të dhënat që na i ofruara studiuesi Aliriza Selmani mundësojnë një vlerësim më të plotë dhe më të argumentuar të figurës së Hoxhë Lipovicës, duke na çuar në përfundimin se jeta dhe veprimtaria e tij përbëjnë një nga shembujt më përfaqësues të rezistencës shqiptare në trevën e Anamoravës. Në portalin “Kryelajm” në shkrimin “Në përkujtim të atdhetarit të devotshëm, Jusuf Baftjari, alias Hoxhë Lipovica 1883-1948”, Selmani na e paraqet hoxhën si një personalitet që, në përpjekjet e tij të pandërprera për liri dhe bashkim kombëtar, nuk kurseu asgjë: as pasurinë, as familjen dhe, në fund, as jetën e vet. Sakrifica e tij, e shtrirë në kohë dhe e kurorëzuar me flijim, e vendos Hoxhë Lipovicën ndër figurat emblematike të qëndresës shqiptare dhe e bën atë një referencë të rëndësishme për studimin e historisë së rezistencës kombëtare në Kosovë.

Dokumentacioni arkivor për Hoxhë Lipovicën, ofron dëshmi të qarta dhe të qëndrueshme mbi veprimtarinë patriotike të tij dhe të familjes së gjerë. Këto burime tregojnë se angazhimi i tyre kombëtar nuk ishte i kufizuar në një periudhë të caktuar historike, por kishte nisur qysh me okupimin serb të këtyre trojeve në vitin 1912. Që në atë fazë të hershme, familja Selimi nga Lipovica u identifikua si bartëse e qëndrimit rezistues ndaj pushtetit okupues.

Ky angazhim i hershëm patriotik pati pasoja të rënda materiale dhe njerëzore. Si formë ndëshkimi nga autoritetet okupuese, familja e Hoxhë Lipovicës u godit rëndë, duke u përballur me djegien e të gjitha shtatë shtëpive të lagjes Selimi në Lipovicë. Ky akt represiv jo vetëm që synonte shkatërrimin ekonomik të familjes, por përbënte edhe një përpjekje për të thyer rezistencën morale dhe politike të saj. Megjithatë, sipas burimeve të njëjta, këto masa ndëshkuese nuk e zbehën përkushtimin e Hoxhë Lipovicës dhe të familjes së tij, por përkundrazi, e forcuan më tej qëndrimin e tyre në mbrojtje të lirisë dhe të interesave kombëtare shqiptare.

Ripushtimi serb dhe vendosja e administratës okupuese në vjeshtën e vitit 1918 u përballën me një reagim të menjëhershëm dhe të gjerë nga popullata shqiptare, e cila e manifestoi kundërshtimin e saj përmes rezistencës së armatosur dhe kryengritjeve të organizuara në shkallë të gjerë. Këto veprime përfaqësonin shprehjen më të qartë të aspiratave politike dhe kombëtare të shqiptarëve për liri, vetëvendosje dhe bashkim kombëtar, në një kontekst historik të shënuar nga riorganizime të dhunshme territoriale pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Përballë kësaj qëndrese, autoritetet serbe ndërmorën masa të ashpra ushtarake dhe administrative, duke vendosur pushtet të drejtpërdrejtë ushtarak në Kosovë me synimin për të shuar rezistencën dhe për të çarmatosur popullsinë shqiptare. Këto masa u shoqëruan me politika represive sistematike, të karakterizuara nga dhuna e organizuar, terror shtetëror dhe praktika që, sipas burimeve historike, mbartnin elemente gjenocidale ndaj civilëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, ripushtimi i vitit 1918 shënoi një periudhë të rëndë shtypjeje, e cila la pasoja të thella demografike, sociale dhe politike në shoqërinë shqiptare të Kosovës.

Një ndër familjet shqiptare që u godit më rëndë nga politika e terrorit shtetëror ishte familja e Hoxhë Lipovicës, me prejardhje nga treva e Karadakut. Kundër kësaj familjeje u ndërmor një operacion ndëshkues policor i mirëorganizuar, i realizuar në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me elementë serbë vendorë, çka tregon për përfshirjen e strukturave lokale në mekanizmat represivë të pushtetit okupuese. Gjatë këtij aksioni, tre anëtarë të familjes u arrestuan e më vonë edhe u ekzekutuan: babait, vëllait dhe nipi i tij, duke e shndërruar ngjarjen në një tragjedi familjare me pasoja të rënda dhe të pakthyeshme.

Nga kjo masakër, rastësisht shpëtoi vetëm Hoxhë Lipovica, i cili mbeti i vetmi i rritur i familjes. Humbja e dhunshme e më të afërmve dhe përvoja e keqtrajtimit të bashkëshortes së tij në burgun e Gjilanit patën një ndikim të thellë psikologjik dhe moral mbi të. Këto ngjarje përbënin jo vetëm një goditje personale, por edhe një dëshmi të brutalitetit sistematik ndaj shqiptarëve, duke e shtyrë Hoxhë Lipovicën drejt aktit të hakmarrjes, si reagim ndaj padrejtësisë ekstreme dhe dhunës së institucionalizuar.

Pas një periudhe të shkurtër, të shënuar nga tronditja dhe dhimbja e thellë familjare, Hoxhë Lipovica ndërmori aktin e hakmarrjes ndaj organizatorëve lokalë të ekspeditës ndëshkuese që kishte goditur familjen e tij. Ky veprim u pasua nga angazhimi i tij për një kohë të caktuar në njësitë e lëvizjes kaçake antiokupuese, të cilat vepronin kundër pushtetit serb dhe drejtoheshin nga Salih Staneci, një nga figurat e njohura të rezistencës së armatosur të asaj kohe.

Pas konsolidimit institucional të Mbretërisë Jugosllave, Hoxhë Lipovica u detyrua të dorëzohej në vitin 1921, në një kontekst politik dhe juridik të karakterizuar nga represioni ndaj veprimtarëve shqiptarë. Pas një procesi gjyqësor, ai u dënua me një dënim të rëndë prej 20 vjetësh burg, të cilin e vuajti kryesisht në burgun famëkeq të Zenicës. Pas më shumë se një dekade të kaluar në kushte të rënda izolimi dhe vuajtjeje, ai u lirua në vitin 1932.

Pas okupimit dhe copëtimit territorial të Kosovës në vitin 1941, u vendos një konfigurim i ri administrativ dhe politik, i imponuar nga fuqitë fashiste. Në këtë kuadër, pjesa më e madhe e Rrethit të Gjilanit u përfshi në Shqipërinë e okupuar nga Italia fashiste, ndërsa fshatrat e shtrira përtej lumit Moravë, së bashku me viset e Karadakut, mbetën nën administrimin bullgar. Në këto territore u krijuan njësi të reja administrative, të organizuara në formë komunash dhe të përfshira në kuadër të Rrethit të Kaçanikut, duke reflektuar ndarjet e reja të imponuara nga pushtuesit.

Këto ndryshime administrative dhe politike u shoqëruan me reagime të ndryshme nga popullata vendore. Popullata shqiptare në këto zona nuk e pranoi pushtetin bullgar dhe e kundërshtoi atë si një formë të re okupimi. Në të kundërt, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë serbe u vetëdeklarua si “Bullgarë të Moravës”, duke u rreshtuar në anën e administratës okupuese dhe duke bashkëpunuar aktivisht me të në veprime që shpesh drejtoheshin kundër interesave dhe sigurisë së popullatës shqiptare. Kjo situatë thelloi ndarjet etnike dhe politike në rajon dhe kontribuoi në përshkallëzimin e tensioneve gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Si rezultat i drejtpërdrejtë i politikave represive të administratës bullgare dhe i veprimeve të bashkëpunëtorëve të saj serbë, një numër i madh i popullatës shqiptare u detyrua të braktiste vendbanimet e veta dhe të ndërmerrte shpërngulje të dhunshme drejt fshatrave të shtrira këndej Moravës. Ky proces i detyruar migrimi përfshiu mijëra individë dhe familje, të cilët u shkëputën nga pasuria, shtëpitë dhe mënyra e tyre tradicionale e jetesës.

Në mesin e këtyre familjeve ishin edhe ato të lagjes së Hoxhë Lipovicës, të cilat, që nga muaji mars i vitit 1942, u vendosën përkohësisht në fshatrat Capar dhe Malishevë. Këto familje qëndruan në këto zona deri në kapitullimin e Bullgarisë fashiste në shtator të vitit 1944, duke jetuar në kushte të vështira dhe të pasigurta.

Veprimtaria atdhetare gjatë Luftës së Dytë Botërore

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hoxhë Lipovica, u shqua si një nga figurat kyçe të rezistencës së armatosur shqiptare në Kosovë. Ai ishte ndër udhëheqësit kryesorë të njësive guerile të rezistencës dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Mulla Idriz Gjilanit, me të cilin ndante jo vetëm vizionin politik, por edhe barrën e drejtimit të veprimeve ushtarake në terren. Në këtë kontekst, Hoxhë Lipovica luajti një rol të rëndësishëm edhe si komandant i njësive vullnetare të angazhuara në mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore, në një periudhë të mbushur me rreziqe të shumta dhe kërcënime të vazhdueshme nga forca të ndryshme okupuese dhe paramilitare.

Veprimtaria e tij ushtarake nuk ishte një angazhim individual i shkëputur nga rrethi familjar, por një përpjekje kolektive, ku familja u shndërrua në pjesë përbërëse të rezistencës. Në radhët e bashkëluftëtarëve të tij bënin pjesë edhe djemtë e tij, Selimi dhe Qazimi, si dhe vëllai Rifati, çka dëshmon për përmasën e sakrificës familjare dhe për përkushtimin e plotë të Hoxhë Lipovicës ndaj kauzës kombëtare. Kjo pjesëmarrje e gjerë familjare në luftë e forcon më tej profilin e tij si një udhëheqës që nuk predikonte sakrificën vetëm për të tjerët, por e jetonte atë drejtpërdrejt, duke e vënë familjen dhe veten në shërbim të qëllimit për liri dhe mbrojtje të tokave shqiptare.

Që në fazat e hershme të vendosjes së administratës bullgare, Hoxhë Lipovica ndërmori hapa konkretë për organizimin e një strukture të armatosur rezistence, e cila kishte për synim mbrojtjen e jetës, pasurisë dhe sigurisë së popullatës shqiptare, si dhe kundërshtimin e veprimtarisë së bashkëpunëtorëve lokalë të pushtetit okupuese bullgar. Kjo njësi rezistence vepronte në një kontekst të organizuar dhe të koordinuar, duke mbajtur lidhje funksionale me Nënprefekturën e Gjilanit, çka tregon për një nivel të caktuar bashkëveprimi institucional në përballje me rreziqet e kohës.

Megjithatë, në proceset e mëvonshme hetimore dhe gjyqësore, përgjegjësia për këtë veprimtari atdhetare iu atribuan Hoxhë Lipovicës dhe bashkëpunëtorëve të tij, pa u marrë në konsideratë rrethanat konkrete në të cilat kishin ndodhur përplasjet, as roli i akterëve të tjerë të përfshirë drejtpërdrejt në to. Ky trajtim selektiv i përgjegjësisë dëshmon për një qasje të njëanshme në vlerësimin e ngjarjeve, duke anashkaluar autorët e vërtetë dhe kontekstin kompleks politik e ushtarak të kohës.

Pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943, u krijuan rrethana të reja politike dhe ushtarake në hapësirat shqiptare, duke hapur një fazë të re të përpjekjeve për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe për bashkimin e Shqipërisë etnike. Në këtë kontekst, më 16 shtator 1943, në Prizren u themelua Lidhja e Dytë e Prizrenit, si organizatë politiko-ushtarake që synonte koordinimin e veprimtarisë shqiptare kundër rikthimit të pushtetit jugosllav.

Në kuadër të saj, për nënprefekturën e Gjilanit u formua Shtabi i Mbrojtjes së forcave vullnetare, nën komandën e Mulla Idrizit dhe në varësi të kolonel Fuad Dibrës. Një nga komandantët lokalë ishte Hoxhë Lipovica, i angazhuar në mbrojtjen e kufirit lindor të Kosovës nga sulmet partizano-çetnike. Pas kapitullimit të Bullgarisë më 9 shtator 1944, u intensifikua organizimi i forcave shqiptare përgjatë vijës Kumanovë–Preshevë–Bujanoc, e cila u mbajt deri në gjysmën e nëntorit 1944.

Gjatë kësaj periudhe, forcat vullnetare shqiptare shkaktuan humbje të ndjeshme njësive partizane dhe çetnike që synonin depërtimin në Kosovë. Një nga përballjet më të rëndësishme ndodhi më 19 shtator 1944 në Preshevë, ku pas mbi dymbëdhjetë orë luftimesh, forcat partizane u detyruan të tërhiqeshin. Megjithatë, pas përkeqësimit të situatës ushtarake, vetëm një numër i kufizuar vullnetarësh, ndër ta edhe Hoxhë Lipovica, vazhdoi rezistencën e armatosur deri në fund të vitit 1944.

Më 30 nëntor 1944, në vijën e frontit Myqybabë–gryka e Llapushnicës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet forcave vullnetare shqiptare dhe njësive partizano-çetnike, të njohura në historiografinë lokale si Lufta e Myqybabës. Rezistenca u organizua dhe u drejtua nga Ymer Saqa i Myqybabës dhe Hoxhë Lipovica, në një situatë të pafavorshme ushtarake dhe pa mbështetje të mjaftueshme nga viset përreth. Pas refuzimit të kalimit drejt Preshevës, një brigadë partizane serbe, e shoqëruar nga formacione paramilitare lokale, ndërmori sulmin në orët e para të agimit nga tri drejtime njëkohësisht.

Pasi u sigurua evakuimi i grave dhe fëmijëve, forcat vullnetare shqiptare organizuan një qëndresë disaorëshe. Megjithatë, përballë epërsisë numerike të armikut dhe mungesës së përforcimeve, rezistenca u detyrua të tërhiqej, duke vazhduar luftimet në Grykën e Llapushnicës dhe në disa fshatra të tjera të Karadakut.

Kjo përplasje pati pasoja të rënda njerëzore. Ndër të rënët ishin Ymer Saqa, Rifati—vëllai i Hoxhë Lipovicës—dhe kushëriri Kadriu, ndërsa Selimi, i biri i Hoxhës, u plagos. Rifati ndërroi jetë pas dy javësh dhe u varros në shpatet e Llocës. Si hakmarrje për humbjet e pësuara, formacionet serbe dogjën dhjetëra shtëpi në Myqybabë dhe në fshatra të tjerë të Karadakut, përfshirë edhe shtëpitë e lagjes së Hoxhë Lipovicës. Pas kësaj lufte, Karadaku u përfshi nga një ofensivë e gjerë partizano-çetnike, e shoqëruar me djegie, plaçkitje dhe vrasje të civilëve shqiptarë, duke detyruar popullatën të shpërndahej dhe të kërkonte strehë në male e skuta.

( Vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.