Viola Isufaj, Universiteti i Tiranës

Figura e prof. dr. Anton Nikë Berishës është një nga shtyllat më të rëndësishme të kulturës dhe mendimit letrar shqiptar. Me dhjetëra vepra letrare e studimore të botuara e të cituara, ai ka ndërtuar një botë të tërë kërkimore e krijuese, nga poezia, proza, përkthimi deri të studimi. Librat poetikë si Prushi i bukurisë (2014), Sytë e heshtjes (2017) dhe Hire të vetmisë (2021) kanë dëshmuar vokacionin e tij poetik, ndërsa romani Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar (2002) është cilësuar si “roman i bukurisë së pamort dhe i trishtimit të pashuar”.
Anton Nikë Berisha, si studiues me integritet të plotë, ka kaluar kufijtë gjeografikë e ideologjikë. Përkthimet e “Epit të Gilgameshit”, “Këngës së këngëve”, “Psalmeve”, “Poetikën” e Aristoteli dhe studimi mbi këtë vepër të lashtësisë, e vendosin atë në dialog të vazhdueshëm me letërsinë botërore. Ai ka trajtuar edhe autorë të shquar të letërsisë botërore si Virgjilin, Nervalin, Gogolin, Cvajgun e Çehovin, duke e vendosur letërsinë shqipe në një kontekst krahasues dhe interpretues më të gjerë. Ky dimension ndërkombëtar, gjithmonë në funksion të lidhjes së brigjeve me letërsinë shqipe, pa e harruar kurrë atë, e bën veprën e tij një pikëtakim të domosdoshëm mes traditës kombëtare dhe të përbotshme, i jep kulturës sonë një zë të vetin në dialogun e madh letrar botëror, duke ruajtur gjithnjë gjurmën e gjuhës dhe shpirtit shqiptar.
Dhjetëvëllimëshi Studime letrare të zgjedhura, i botuar kohëve të fundit nga shtëpia bptuese “Faik Konica”, është përmbledhja më e plotë e kësaj veprimtarie, një ngrehinë e madhe e mendimit kritik dhe e përkushtimit ndaj trashëgimisë letrare shqiptare e botërore. Ky botim është një testament i punës së tij shumëvjeçare dhe një portë e sigurt drejt trashëgimisë kulturore për kërkimet e ardhshme akademike.
Në fakt, më parë se të botohej vepra e tij e plotë, në vitin 2008, Berisha botoi studimin për këngët kreshnike dhe një antologji me 51 tekste të zgjedhura nga 11 burime. Ai i sheh këto këngë si dëshmi të pasurisë shpirtërore të shqiptarëve, duke argumentuar për lashtësinë dhe burimësinë e tyre, si dhe lidhjet me epikën dhe poezinë gojore. Mjafton kjo përzgjedhje për të dëshmuar fuqinë poetike dhe origjinalitetin e tyre.

Një nga kulmet e punës së tij është analiza e “Mesharit” të Gjon Buzukut, ku ai argumenton me kurajo intelektuale dhe me pasion të thellë për artin letrar se vepra nuk është thjesht përkthim, por tekst autorial me vlera poetike. Ky interpretim i tij, i mbrojtur me vendosmëri, e vendos Buzukun si poetin e parë të letrave shqipe, duke nxjerrë në dritë elemente poetike në psalmet dhe tekstet e tij.
Po aq i rëndësishëm është studimi për veprën e Pjetër Budit: ai e sheh Budin si poet dhe prijës shpirtëror, duke e vendosur në dialog edhe me letërsinë gojore. E gjithë kjo qasje e rikthen letërsinë e vjetër si letërsi të gjallë, duke e bërë atë edhe të lexueshme, të prekshme. Përmes analizës së teksteve të Budit, Anton Nikë Berisha nxjerr në pah përmasat poetike dhe prozatore në themel të traditës së hershme letrare shqiptare.
Një tjetër fushë ku ai ka dhënë kontribut është studimi krahasues, sidomos mes letërsisë gojore dhe asaj të shkruar. Kjo qasje i ka mundësuar të kuptojë më mirë natyrën e dy shtresave të artit të fjalës, duke nxjerrë në pah të përbashkëtat dhe dallimet. Ai ka dokumentuar mënyrat se si janë shëmtuar e gjymtuar disa nga veprat kryesore të letërsisë së arbëreshëve të Italisë dhe ka kërkuar botime të reja, të plota e të denja për trashëgiminë arbëreshe.
Kriteret e përzgjedhjes së autorëve
Në studimet e tij Anton Nikë Berisha është përqendruar te autorët madhorë të letërsisë shqipe si Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Azem Shkreli, Nasi Lera dhe të tjerë. Zgjedhja e tyre nuk ka qenë rastësore, pasi ata përfaqësojnë majat e krijimtarisë shqiptare, me struktura të ndërlikuara dhe mesazhe poetike që kërkojnë përkushtim të madh për t’u interpretuar. Përmes veprave të tyre, Berisha ka synuar të ndriçojë veçantitë artistike dhe t’u sugjerojë lexuesve pasurinë poetike dhe shpirtërore që ato shprehin.
Përmendja e De Radës, Skiroit, Fishtës, Koliqit, Camajt, Shkrelit tregon një bosht kanonik ku këta autorë përfaqësojnë lloje dhe forma të ndryshme: epikë, lirikë, prozë, kritikë dhe estetikë, duke dëshmuar pluralitetin poetik e estetik të letërsisë shqipe dhe duke kërkuar qasje të ndryshme metodologjike.
Përzgjedhja e tyre bazohet në kriterin artistik, në “nivelin artistik” dhe “pasurimin e artit të fjalës”, jo në biografi apo politikë, çka dëshmon për një rrafsh të lartë të dijes e të përkushtimit. Theksi i vendosur te “struktura tekstore të ndërlikuara” nënkupton një metodë analitike që vë në qendër formën, kohezionin kuptimor, simbolet dhe intertekstualitetin, një ballafaqim tekstologjik që A. N. Berisha e ka përballuar me seriozitet dhe kthjelltësi kritike.
Anton Nikë Berisha distancohet nga leximet sipërfaqësore dhe kërkon interpretimin (ndriçimin) e shtjellimit të tekstit, duke u përqendruar te mënyra se si funksionon kuptimi dhe si ndërtohet figura poetike. Për të, interpretimi i thellë largohet nga ai deskriptiv, sepse teksti nuk është vetëm një objekt poetik, por edhe një mjet formimi shpirtëror dhe kulturor.
Nga Jeronim De Rada e Gjergj Fishta deri te Martin Camaj, Anton Nikë Berisha krijon një vijë evolutive ku tradita poetike përditësohet në modernitet dhe rikonfigurohet në mërgim. Autorët e zgjedhur përfaqësojnë jo vetëm majat e letërsisë shqipe, por edhe eksperimente stilistike, përdorim të regjistrave dialektorë dhe ritme poetike që e pasurojnë “artin e fjalës”.
Ky kanon, i ndërtuar mbi kriterin poetik dhe estetik, sfidon reduktimet ideologjike dhe përzgjedhjet utilitare. Ai shkon kundër çdo homogjenizimi dhe shabllonizmi, duke nderuar mbi të gjitha kompleksitetin e veprës letrare dhe duke e vendosur atë në një rrafsh të lartë studimor e kulturor.

Anton Nikë Berisha dhe kontributi për Martin Camajn
Megjithëse Anton Nikë Berisha ka trajtuar një mori autorësh dhe çështjesh të letërsisë shqipe, duke ndërtuar një panoramë të gjerë të zhvillimit letrar, në këtë punim kemi zgjedhur të ndalemi në mënyrë të posaçme te studimi i tij për Martin Camajn. Mëndojmë se ky fokus i veçantë na lejon të shqyrtojmë më në thellësi metodën dhe vizionin studimor të tij, duke e shqyrtuar përmes një rasti konkret të letërsisë shqipe.
Camaj përfaqëson një pikë kulmore ku bashkohen disa dimensione që e bëjnë veprën e tij më të ndërlikuar, më komplekse dhe më të domosdoshme për t’u analizuar.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së profesor Anton Nikë Berishës lidhet pra, me studimin dhe interpretimin e veprës së Martin Camajt, një nga figurat më vatrore të letërsisë shqipe. Në intervistat dhe shkrimet e tij, Berisha ka theksuar se vepra letrare e Camajt hyn në rrethin më të ngushtë të krijimeve më artistike të letërsisë sonë, duke qenë fryt i një imagjinate të pasur dhe i një pune krijuese të bërë me përkushtim, në një periudhë mbi dyzetvjeçare, në kushte e rrethana të veçanta dhe në vende të ndryshme.
Kompleksiteti i veprës. Vepra e Camajt, e përbërë nga pesëmbëdhjetë tituj, është e papërsëritshme dhe komplekse. Ajo përfaqëson një botë të pasur tematike, me një strukturë gjuhësore dhe poetike origjinale, si dhe me një sistem shprehës kuptimor të mëvetësishëm. Përceptimi i saj kërkon më tepër dije dhe përkushtim sesa leximi i një vepre të zakonshme letrare. Ky kompleksitet është një nga arsyet pse Camaj shpesh është cilësuar si “i papranuar” në kanonin letrar shqiptar, megjithëse arti i tij është i një niveli të lartë dhe i pazëvendësueshëm.
Profesor Anton Nikë Berisha ka pasur fatin ta njohë Camajn nga afër dhe të ndërtojë me të një leterkëmbim të pasur e të vazhdueshëm, gjë që e ka bërë njohjen e tij më të veçantë dhe më të plotë. Kjo marrëdhënie personale i ka dhënë mundësinë të depërtojë më thellë në botën krijuese të Camajt, duke e kuptuar jo vetëm përmes teksteve, por edhe përmes mendimeve, reflektimeve dhe përjetimeve të vetë autorit. Në këtë mënyrë, interpretimi i Berishës për veprën e Camajt mbështetet jo vetëm në analizën studimore, por edhe në një përvojë të drejtpërdrejtë komunikimi, që e bën qasjen e tij më autentike dhe më të besueshme. Njohja personale me Camajn e bën sigurisht qasjen e tij më të plotë.
Sidoqoftë, profesor Anton Nikë Berisha do të kishte aftësinë të ndërtonte një lexim të thellë vetëm mbi bazën e tekstit, falë përkushtimit dhe metodës së tij analitike. Pra, edhe pa kontaktin e drejtpërdrejtë me autorin, Anton Nikë Berisha do të dinte të depërtonte me mjeshtëri në tekstin letrar, duke e zbërthyer atë me kompetencë kritike dhe ndjeshmëri poetioke dhe estetike. Dua të theksoj se, si studiues i formuar, do të dinte të punonte me rigorozitet duke nxjerrë prej tekstin letrar kuptimet më të fshehta, ai do të kishte mundur të ndërtonte një interpretim të besueshëm dhe të thellë, sepse për të teksti është gjithmonë themeli i çdo qasjeje kritike.
Qasja e studimit të prof. dr. Anton Nikë Berishës veprës letrare të Martin Camajt nis me një objektiv të qartë: të nxjerrë në pah tiparet qenësore të një autori që hyn në rrethin më të ngushtë të vlerave kulminante të letërsisë shqipe. Qasja e tij është e dyfishtë. Së pari, ajo është kritike dhe analitike, duke u përballur me strukturat gjuhësore, shtresat kuptimore dhe nëntekstin e veprës. Së dyti, ajo është hermeneutike dhe interpretative, duke e parë Camajn si një dialog mes traditës dhe modernitetit, mes botës shqiptare dhe asaj universale.
Anton Nikë Berisha pranon se vepra e Camajt ka qenë e kufizuar në njohje dhe afirmim për shkak të rrethanave historike e kulturore, por e sheh të domosdoshme që koha e receptimit të saj intensiv në rrafshin gjithëkombëtar të marrë udhë.
Struktura e studimit të tij është e ndarë në kapituj që pasqyrojnë dimensionet kryesore të krijimtarisë së Camajt, duke e vendosur atë në një kornizë të plotë kritike dhe interpretative.
Vlerat dhe veçanësia e punës
Dialogu me tekstin: Anton Nikë Berisha e sheh veprën e Camajt si një mundësi të dialogut të vazhdueshëm, duke e trajtuar si një hapësirë kuptimore dhe një strukturë poetike shprehëse që kërkon zbërthim të vazhdueshëm.
Sfida e interpretimit: Ai pranon se edhe studiuesit më me përvojë përballen me vështirësi të mëdha në hetimin e shtresave kuptimore të veprës së Camajt, gjë që e bën këtë punë një ndërmarrje të vështirë dhe të veçantë në studimet letrare, sidomos një sprovë të thellë interpretative.
Autenticiteti i qasjes: Anton Nikë Berisha e vendos veprën e Camajt në qendër të letërsisë shqipe, duke theksuar se qysh veprat e tij poetike të hershme si Nji fyell ndër male (1953) dhe Kanga e vërrinit (1954) patën ndikim të madh në Kosovë dhe duhet të bëhen pjesë e pandashme e jetës letrare shqiptare. Mirëpo, veptrat që i boboi më vonë dëshmojnë mirëfilli për vlerën e tij si shkrimtar.
Konteksti historik: Veprat e Camajt nuk patën mundësinë të ndikojnë sa duhet te lexuesi për shkak të rrethanave politike e kulturore, por Anton Nikë Berisha e sheh këtë si një padrejtësi që duhet korrigjuar. Ai nënvizon se interesimi i madh dhe vlerësimet e favorshme që iu bënë veprave të Camajt nga lexuesi dhe kritika janë dëshmi se koha e afirmimit të tij ka ardhur.
Misioni i studimit: Studimi i prof. Berishës nuk kufizohet në analizë, por synon të rikthejë Camajn në vendin që i takon në kulturën shqiptare, si një autor që bashkon traditën me modernitetin dhe që e pasuron letërsinë tonë me vlera e vizione të reja artistike. Ky përbën, pra një kontribut për afirmimin e Camajt në kulturën shqiptare.
Camaj poet paraqitet me:
Tri periudha krijuese:
-
-
- Marrja e bazës nga tradita dhe fillet e modernitetit
- Poezi imazhesh artistike dhe kuptimesh tronditëse
- Sublimime poetike
-
Camaj prozator Prozë me cilësi të poezisë:
-
-
- Drama e malësorit intelektual
- Jeta në sistemin e rrathëve
- Tragjika si katarzë
- Vepër kuptimesh të thellësore
- Qenësia poetike e prozës novelistike
-
Camaj dramaturg Arti dhe aktualiteti:
-
-
- Gjakimi i zbulimit të së keqes
- Drama dhe tragjika e etheve të arit
-
Në vend të përmbylljes
Të tjerët për veprën letrare të Martin Camaj
Njëzet letra të Martin Camajt
Analiza kritike e tri fazave të krijimtarisë poetike të Martin Camajt që bën Anton Nikë Berisha përfaqëson një nga qasjet më të plota, më të kthjellëta dhe më të frytshme në studimet letrare shqiptare. A. N. Berisha e ndjek krijimtarinë poetike të Camajt në tri fazat kryesore, duke e parë si një proces evolutiv ku poeti kalon nga tradita drejt modernitetit dhe arrin në sublimimin e artit të vet.
Faza e parë, e përfaqësuar nga veprat Nji fyell ndër male (1953) dhe Kanga e vërrinit (1954), mbështetet në traditën gojore dhe folklorin shqiptar. Imazhet poetike lidhen me natyrën, vendlindjen, Dukagjinin dhe jetën e malësorit, duke ndërtuar themelin e botës poetike të Camajt. Kjo periudhë është baza e identitetit të tij poetik, ku trashëgimia folklorike hyn në dialog me shfaqjen e modernitetit.
Faza e dytë, e mishëruar në veprën Njeriu më vete e me tjerë (1978), shënon një thellim të introspeksionit dhe të kompleksitetit hermeneutik. Poezia bëhet më e ngarkuar me kuptime, ku dukuritë e fatit personal dhe të dramës së atdheut shfaqen përmes metaforës dhe simbolikës, pa deklarata të drejtpërdrejta. Struktura poetike është më e ndërlikuar, me nëntekste dramatike, duke e bërë lexuesin të hyjë në shtresat e fshehta të tekstit. A. N. Berisha e sheh këtë fazë si një monolog të brendshëm, ku poeti i mërguar njësohet me dramën e kombit të tij.
Faza e tretë, e përfaqësuar nga Nema, Buelli (botuar në Selected Poetry, 1990) dhe Palimpsest (1991), është kulmi i artit poetik të Camajt. Këtu poezia redukton qartësinë dhe leksikun e zakonshëm, duke i lënë vend abstraksionit, simbolikës dhe parabolës. Ndërlidhja e rrafsheve kuptimore bëhet më komplekse, mitet dhe magjitë tradicionale zhvendosen ose rindërtohen, duke krijuar kuptime të reja. Poezia shfaqet si një njësim i thellë mes traditës dhe modernitetit, ku qetësia dhe tragjika e shpirtit shqiptar bashkëjetojnë. A. N. Berisha e cilëson këtë fazë si shkallën më të lartë të artit poetik të Camajt, një sublimim ku poezia bëhet univers i pasur kuptimor, i mbështetur në simbolikë dhe abstraksion.
Studimi i tij mbi tri fazat e poezisë së Camajt përbën një hartë që çel udhën drejt kuptimit të rrjedhës poetike të autorit: nga baza e traditës letrare gojore, te introspeksioni dhe kompleksiteti hermeneutik, e deri te sublimimi artistik, ku poezia arrin kulmin poetik, estetik dhe kuptimor. Përmes kësaj qasjeje, A. N. Berisha e vendos Camajn si një nga kulmet e letërsisë shqipe, duke e parë si poet që ndërton një dialog mes së shkuarës dhe së tashmes, mes botës shqiptare dhe asaj universale.
Ajo që e bën këtë studim të veçantë është fakti se studiuesi nuk mjaftohet me përshkrimin e dukurive, por analizon strukturën poetike, nëntekstin dhe simbolikën, duke e kthyer interpretimin në një proces të thellë kritik.
Proza si formë poetike. Një nga pikat më të forta të analizës së Anton Nikë Berishës është këmbëngulimi se proza e Martin Camajt nuk mund të ndahet nga poezia. Ai e sheh prozën si një formë tjetër të shqiptimit poetik të botës, ku lirizmi dhe dramatikja janë të pranishme në çdo tekst. Këtë e mbështet me vetë fjalën e Camajt, i cili ka pohuar se nuk e veçon prozën nga poezia. Kjo qasje e vendos Camajn në traditën e mendimit poetik evropian, ku proza bëhet artistike vetëm kur merr përmasën e poezisë.
Anton Nikë Berisha sjell si shembuj romanin Djella (1958) dhe veprën Dranja (1981).
Djella është një roman lirik, i shtjelluar në prozë dhe vargje, ku kufijtë mes zhanreve shkrijnë, ndërsa Dranja përbëhet nga madrigale në prozë poetike, që mund të lexohen si cikël poezish ose si prozë moderne.
Këto vepra dëshmojnë se Camaj e koncepton prozën si një hapësirë ku poetikja është gjithmonë e pranishme.
Anton Nikë Berisha vëren se proza e Camajt, ashtu si poezia, është e përshkuar nga dramatikja. Ajo shfaqet në kontekste të ngjeshura, të papritura dhe të efektshme, duke buruar nga ballafaqimi i individit me veten dhe me të tjerët. Në këtë mënyrë gjurmohen drama të brendshme të individit, të cilat nënkuptojnë edhe drama kolektive. Proza e Camajt shndërrohet kështu në një laborator të shpirtit të njeriut, ku tipikja dhe qenësorja dalin në pah përmes nëntekstit.
Romani Rrathë zë një vend të veçantë në analizën e Anton Nikë Berishës. Ai e cilëson këtë vepër si një nga themeloret e prozës shqiptare, sepse përmes artit i kundërvihet sistemit stalinist në Shqipëri. Romani shpalos funksionimin e sistemit në poret e jetës dhe pasojat e tij mbi individin e kolektivitetin, duke synuar të jetë sa më real në trajtimin e botës shqiptare, por njëkohësisht autentik në shprehjen artistike. Personazhi Agoni/Novelisti artikulon vetë misionin e prozës: të mishërojë bartësit e kontradiktave shoqërore, duke zbërthyer luftën mes forcave përparimtare dhe atyre frenuese.
Në këtë kontekst, Anton Nikë Berisha vë në dukje dimensionin psikologjik dhe shoqëror të romanit Rrathë. Ai depërton thellë në dramën e individit – ndjesitë, dëshirat dhe shqetësimet intime – të cilat lidhen ngushtë me problemet shoqërore, sociale e kulturore. Ballafaqimi i individit me vetveten dhe me të tjerët paraqitet si varësi dhe kushtëzim i ndërsjellë, ndërsa përmes tragjikes së individit shprehet tragjika e kolektivitetit.
Analiza e Anton Nikë Berishës mbi prozën e Martin Camajt nxjerr në pah disa tipare themelore: të shprehurit poetik, duke e bërë prozën një formë lirike e dramatike; dramatikja është shtylla e brendshme e saj (drama individuale dhe kolektive); romani Rrathë është një kundërvënie artistike ndaj sistemit stalinist dhe një zbërthim i thellë i jetës shqiptare; ndërsa dimensioni psikologjik e bën prozën një depërtim në intimitetin e individit, të lidhur ngushtë me kontekste shoqërore.
Në këtë mënyrë, Anton Nikë Berisha e vendos prozën e Martin Camajt si një kulm të letërsisë shqipe moderne, ku estetika poetike dhe analiza shoqërore bashkohen për të krijuar një art të fuqishëm, autentik dhe universalisht të qëndryeshëm.
Sistemi dhe tragjika e shprishjes shpirtërore
Marrëdhënia individ–sistem është thelbi i romanit, ku shfaqet tragjika e njeriut të nënshtruar ndaj strukturave totalitare. Anton Nikë Berisha e shpalos sistemin totalitar si një “sistem rrathësh” që kontrollon çdo pore të jetës, duke e përdorur individin herë si vegël, herë si armik.
Fati i personazheve tregon mekanikën e persekutimit dhe stigmatizimit, ku individët shpallen “të papërshtatshëm”, “tradhtarë” apo “armiq të popullit”.
Ky sistem i rrathëve është metafora e një strukture hierarkike që synon të rrënojë personalitetin dhe vetësinë e individit, duke e nënshtruar interesave të një kolektiviteti të rremë. Pasoja është shprishja e botës shpirtërore dhe humbja e pavarësisë së mendimit. Romani, përmes artit, e denoncon këtë gjendje dhe e shpalos si dramë universale të njeriut nën sistemet totalitare.
Thelbi i dramës nuk është thjesht dhuna fizike, por rrënimi i vetësisë dhe integritetit moral e shpirtëror. Anton Nikë Berisha i përkufizon me qartësi dy rrugët e individit: nënshtrimin e vazhdueshëm me poshtërime ose kundërvënien që sjell trauma dhe persekutime.
Në këtë kontekst Anton Nikë Berisha e sheh edhe veprën tjetër: Dranja si kulmin e dendësisë poetike në prozë. Madrigalet e saj janë të mbushura me simbolikë shumë-shtresore, shenjëzim të pasur dhe metaforikë në varshmëri. Reduktimi i dukshëm i rrëfimit e rrit peshën e nëntekstit, duke e bërë leximin një proces që kërkon përqendrim dhe dije të strukturave gjuhësore artistike. Shenjëzimi i Dranja–Breshkës është veçanërisht domethënës: breshka simbolizon një qenie të qëndrueshme e krenare, por edhe të ngathët e të lënduar, një metaforë e njeriut shqiptar nën murin e hekurt.
Në romanin Karpa, Anton Nikë Berisha, përmes figurës së Vonit, e sheh individin si një qenie që del në shesh “ashtu siç është në të vërtetë”: plot mëdyshje, pasiguri, shpesh i papërcaktuar dhe i mjerë në procesin e veprimit. Kronika e Karpës është metafora e rregullave të vendosura nga grupi sundues, që shënojnë lakminë për pushtet dhe privilegje. Leximi i Kronikës nga Voni nuk është zgjedhje, por imponim, një akt nënshtrimi ndaj sistemit. Për A. N. Berishën, kjo dëshmon se vetësia e individit është e kushtëzuar nga rregullat shoqërore dhe tradita, duke e vendosur individin në një marrëdhënie të ndërlikuar me mjedisin. Leximi i Kronikës bëhet një sprovë ekzistenciale: Voni vetëdijesohet për fatin, dhunën dhe absurditetin e jetës. Ngjarjet dramatike, përleshjet, gjaku i derdhur, ngujimi në shpellë shprehin mohimin e individit, por edhe një proces të thellimit në qenësinë e tij.
Anton Nikë Berisha vëren se struktura gjuhësore e Camajt është e pasur me frazeologji dhe sintaksë të veçantë, që nuk lejon lexim të shpejtë, por kërkon ritmin e mendimit dhe vëmendje të përqendruar. Kjo e bën tekstin të hapur për konotime të reja në çdo lexim, tipar i veprave të mëdha artistike.
Dimensioni autokton dhe mitik është gjithashtu i pranishëm: Karpa dhe novelat e tjera, si Gjon Gazulli dhe Katundi me gjuhë të fshehtë, shpalosin tiparet autoktone të malësorit dhe arbëreshit, duke i vendosur në sprova të ashpra me ndërgjegjen dhe rrethin shoqëror. Camaj e lidh individin me natyrën dhe konfiguracionin gjeografik, ku ashpërsia e ambientit, rrënojat dhe shkundullimat e tokës ndikojnë drejtpërdrejt në botëkuptimin e tij. A. N. Berisha e zbërthen botën e malësorit të Camajt si figurë autoritare, të pavarur e krenare, por njëkohësisht tragjike, që jeton mes kanunit dhe kushteve të reja, ku dimensioni mitik nuk është fiktiv, por përjetësim artistik i qenësisë.
Në planin poetik e stilistik, Anton Nikë Berisha vëren se Camaj arrin të shqiptojë njëkohësisht rrafshin konkret dhe atë universal. Në rrafshin e parë mbizotëron rrëfimi për individin dhe situatat konkrete, ndërsa në rrafshin e dytë shfaqet përmasa e përgjithësimit dhe ajo mitologjike. Këto dy rrafshe nuk janë të ndara, por njësohen brenda strukturës artistike, duke dëshmuar se e vërteta poetike ekziston dhe funksionon edhe në prozë.
Camaj nuk përdor rrëfim linear, por e degëzon atë, duke e ruajtur drejtpeshimin e elementeve qenësore. Fjalia e tij është e qetë, mendimi i thellë, me mundësi të shumta kuptimi, ndërsa problemet dhe dukuritë trajtohen në marrëdhënie ballafaqimi, kundërvënie e kundërshtimi.
Analiza e Anton Nikë Berishës për Karpën dhe novelat e Camajt nxjerr në pah tiparet themelore të prozës së tij: teksti i menduar mirëfilli dhe i shprehur me gjuhë sa më poetike; individi i kushtëzuar nga sistemi dhe tradita, që përmes leximit të Kronikës dhe ngujimit në shpellë përjeton dramën e vetëdijësimit; struktura gjuhësore e pasur dhe e veçantë që kërkon lexim të vëmendshëm dhe të përqendruar, nga hapen mundësi të pafundme interpretimi; dimensioni autokton dhe mitik, ku malësori dhe arbëreshi shfaqen si figura tragjike, të lidhura ngushtë me natyrën dhe kanunin.
Në përfundim, Anton Nikë Berisha e përcakton prozën e Martin Camajt si një vepër të madhe artistike, ku individi, tradita, sistemi dhe mitologjia ndërthuren për të krijuar një univers poetik të pasur, kompleks dhe të rrallë në letërsinë shqipe.
Dialogu me botën shqiptare
Anton Nikë Berisha ka vënë në dukje se vepra e Camajt është e mbrujtur dhe frymon me botën dhe mendësitë shqiptare. Në qenësinë e saj, ajo është një dialog artistik me vetëdijen historike dhe mitike të shqiptarëve, por njëherësh edhe një vizion i ri artistik. Imazhi poetik i Camajt nis me vendlindjen dhe fëmijërinë, me njerëzit e tij, pastaj shtrihet e zgjerohet me Dukagjinin dhe me Atdheun, me të cilët ishte fort i lidhur shpirtërisht, por edhe me botën arbëreshe, të cilën e çmoi dhe e deshi shumë.
Anton Nikë Berisha ka argumentuar se vepra e Camajt, ashtu si ajo e Azem Shkrelit dhe Anton Pashkut, shpesh është lënë jashtë programeve shkollore dhe universitare, për arsye që lidhen me trashëgiminë e sistemit komunist dhe me vështirësinë e leximit të artit të madh. Ai e sheh Camajn, bashkë me Azem Shkrelin dhe Anton Pashkun, si autorë të një arti të madh, të vështirë për t’u lexuar, por të domosdoshëm për kulturën tonë. Për Berishën, sa më gjatë të vazhdojë kjo mospërfshirje, aq më të mëdha do të jenë pasojat për letërsinë shqipe.
Për të, ribotimi i veprave të Camajt dhe përfshirja e tyre në programet akademike, është domosdoshmëri, sepse vetëm kështu mund të kapërcehet gjendja dhe të vendoset në vend drejtësia letrare.
Në planin poetik e kuptimor A. N. Berisha e sheh veprën e Martin Camajt si një shembull të rrallë në letërsinë shqipe, ku arti i fjalës vendoset edhe në një dimension universal. Nëse sipas William Blake poezia është “alegori që i drejtohet forcave intelektuale”, dhe sipas Northrop Frye veprat e imagjinatës na prezantojnë vizionin e një akti të vendosur të lirisë shpirtërore, atëherë krijimtaria e Camajt mishëron pikërisht këtë vizion të rikrijimit të njeriut.
Shumë studiues i janë afruar veprës së Martin Camajt dhe kanë dhënë padyshim kontributet e tyre në ndriçimin e dimensioneve të saj të pasura. Megjithatë, ajo që e dallon Anton Nikë Berishën është qartësia e vizionit studimor dhe prerja graduale me të cilën ai depërton në shtresat kuptimore të tekstit. Duke e trajtuar Camajn si një rast të veçantë të letërsisë shqipe, Berisha arrin të nxjerrë në pah ligjësitë e brendshme të veprës së tij, ato që shpesh mbeten të fshehura pas gjuhës poetike, strukturës së ndërlikuar dhe dimensionit mitik.
Kështu, studimi i Berishës për Camajn mbetet një pikë referimi e pazëvendësueshme, sepse jo vetëm e afirmon vendin e tij në kulturën shqiptare, por edhe dëshmon se letërsia e Camajt kërkon një qasje të thellë, të matur dhe të vazhdueshme drejt përvijimit të një sistemi ligjshmërish për të zbuluar pasurinë e saj artistike.
Etika e profesionit dhe pozicionimi personal i Anton Nikë Berishës shfaqen qartë në pohimin e tij: “Mbeta krejtësisht i vetvetes”. Kjo shprehje artikulon refuzimin e çdo instrumentalizimi politik dhe të privilegjeve, duke dëshmuar një autonomi të plotë intelektuale.
Dy motorët e brendshëm që e udhëheqin janë: a) kënaqësia krijuese, si cilësi poetike dhe estetike dhe energji e brendshme, dhe b) vlera për njeriun, si motiv humanist dhe shërbim kulturor. Ai parapëlqen të jetojë si “Sokrat i vuajtur”, duke mishëruar një dimension filozofik që lidhet me kërkimin e së vërtetës dhe çështjen kritike mbi konformizmin, një dimension etik që nënkupton gatishmërinë për sakrificë dhe durimin ndaj mospranimit, si dhe një dimension publik që e sheh mësimdhënien si akt të fjalës dhe arsyes, jo të pushtetit. Metafora e “Sokratit të vuajtur” sanksionon këtë ethos, duke e vendosur shërbimin ndaj së vërtetës letrare dhe ndaj njeriut mbi gjithçka, edhe kur kjo kërkon durim, qëndresë dhe vetmohim.
Për kontributin e tij, Anton Nikë Berisha është nderuar me çmime të shumta: Shpërblimin e dhjetorit të KSA të Kosovës, çmimin “Beqir Musliu”, Medaljen presidenciale të meritave të Republikës së Kosovës, Dekoratën “Nëna Tereze” të Republikës së Shqipërisë dhe Çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” (2023).
Këto vlerësime janë dëshmi e ndikimit të tij në kulturën shqiptare dhe e vendosjes së tij si figurë e nderuar dhe e çmuar në botën akademike dhe letrare.
Disa veçanësi të profesorit Anton Nikë Berisha lidhen me mënyrën se si ai e koncepton procesin krijues. Për të, ky proces është një mister i jashtëzakonshëm: shpesh nuk mund të shpjegohet pse një ide merr formë në një zhanër e jo në tjetrin, apo pse një punë ndërpritet për t’u vazhduar më vonë. Ai beson se secili lloj letrar ofron mundësi të veçanta shprehjeje dhe se shpërndarja e energjisë në fusha të ndryshme është pasurim i artit të fjalës.
Ai e sheh letërsinë si mjet edhe për vetëdije kombëtare dhe individuale, duke theksuar se pa këtë vetëdije nuk ka dialog të vërtetë me kulturat e tjera. Ai thekson nevojën për t’u përqendruar më shumë tek autorët shqiptarë, për t’i lexuar me kujdes dhe për t’i kuptuar në thellësi, duke e vendosur vlerësimin letrar mbi bazën e dukurive dhe vlerën artistike dhe shijes së lexuesit, jo mbi hierarki të ngurta.
Integriteti akademik i tij është i dukshëm në qasjen e paanshme ndaj të gjitha periudhave letrare, ndërsa guximi shkencor e ka bërë shembull të hapjes së rrugëve të reja interpretative. Për A.N. Berishën, studimi nuk mbyllet brenda akademisë, por synon qarkullim e komunikim poetik e kulturor.
Në diskursin e tij studimor, Berisha ka ngritur dilema të rëndësishme, si ajo nëse e njohim vërtet letërsinë shqipe. Për të, njohja e vetes është çelësi për të kuptuar tjetrin. Ai ka theksuar se letërsia nuk është një hierarki e ngurtë, por një hapësirë e lirë ku çdo tekst mund të ketë vlerë, duke nxitur kështu një vetëdije të re kritike dhe duke hapur shtigje të reja interpretimi.
Ndryshe nga shumë kolegë që u përfshinë në politikë për privilegje materiale e shoqërore, Anton Nikë Berisha ka zgjedhur të mbetet i përkushtuar ndaj letërsisë. Ai e përkufizon këtë zgjedhje me metaforën e fuqishme: “Kam zgjedhur rrugën të jem Sokrat i vuajtur.” Për të, kënaqësia e pazakonshme që sjell puna krijuese dhe vlera që ka letërsia për njeriun janë arsye të mjaftueshme për të mos u larguar nga fusha e artit të fjalës. Në këtë kuptim, ai është një pelegrin i fjalës, i lidhur ngushtë me frymëzimin dhe dashurinë për letërsinë.
Si studiues i paepur, ashtu si u dëshmua në pjesën e parë të këtij punimi, ai ka vendosur në qendër të punës së tij barazvlerësimin e letërsisë gojore me atë të shkruar, duke treguar se visaret e traditës orale janë të lëmuara nëpër breza e hapësira dhe përbëjnë pjesë të pandashme të kulturës kombëtare. Në të njëjtën kohë, ka trajtuar të gjitha periudhat e letërsisë shqipe, nga autorët e vjetër si Buzuku e Budi, te arbëreshët si De Rada, e deri te shkrimtarët bashkëkohorë si Kadare, Pashku, Shkreli e Trebeshina, Nasi Lera, Ramadan Musliu. Ky horizont i gjerë e vendos Berishën si studiues që nuk kufizohet në një periudhë të caktuar, por e sheh letërsinë si një sistem të tërësishëm.
Në këtë mënyrë, A. N. Berisha shpalos një filozofi të plotë pune: zgjedhjen e autorëve mbi bazën e vlerave poetike dhe estetike, metodën interpretuese të thellë, misionin publik të dijes dhe një etikë autonomie që refuzon çdo instrumentalizim.
Programi i tij mbi studimet letrare është i dukshëm. Kërkesa për “interpretim të thellë” ka rritur standardin e kritikës dhe të kërkimit tekstologjik, ndërsa kanoni i propozuar ka formuar lexuesin drejt kompleksitetit, larg rëndomësimit. Synimi për ta ndarë pasurinë intelektuale ka nxitur ribotime, përfshirje në programe akademike dhe debat profesional.
Dhjetëvëllimëshi “Studime letrare të zgjedhura” është i mirëseardhur për studiuesit, studentët dhe lexuesit që duan të kuptojnë më shumë për teorinë e letërsisë, estetikën e veprës letrare dhe interpretimin e kryeveprave shqiptare e botërore.
Në këtë mënyrë, Anton Nikë Berisha bëhet një figurë e pazëvendësueshme në panteonin e kulturës shqiptare, një arkitekt i mendimit letrar që ka ndërtuar një ngrehinë të qëndrueshme dhe të lartë, ku fjala shqipe merr frymë lirshëm dhe dialogon me letërsinë botërore. Ai paraqitet si figurë që ka ndikuar në mënyrë themelore në studimet letrare, ndërsa pjesëmarrja e studiuesve nga trevat shqiptare dhe diaspora arbëreshe e bën veprimtarinë e tij një qendër të fuqishme komunikimi kulturor.










