ERNEST HEMINGUEJ: “MACJA NË SHI” – tregim

0
Ernest Hemingway

Tjetërsimi i njeriut dhe guackëzimi i tij.

Dhurata Kasa
Dhurata Kasa

Nga Dhurata Kasa

Tregimi “Macja në shi” i shkrimtarit të njohur amerikan Ernest Heminguej është botuar në vitin 1925 në përmbledhjen “Në kohën tonë”, titull ky që i pozicion fare mirë këto tregime, përsa i përket kohës, fill pas luftës së II Botërore dhe përkatësinë psiko-identitare të njerëzve, që i shkruan ato, por edhe që i përfaqësojnë si personazh. Në konteks të kësaj kohe citojmë disa koncepte të kritikëve të ndryshëm. Konkretisht kritiku amerikan Carlos Baker diskuton “…tregimi është shkruar në Rapallo në maj të vitit 1923”. Kritiku komenton më pas tekat e gruas amerikane.

Një tjetër kritik Pol Xhonson në veprën e tij “Kohët Moderne” fq. 66 thekson: “Tek gruaja amerikane kishte nisur të ndihej një modë borgjeze e të jetuarit”. Kurse kritiku tjetër John V. Hagopian thekson krizën e familjes, të çiftit në këtë tregim. “Kjo ka lidhje me monumentin e vdekjes… pamundësia për të sjellë në jetë një fëmijë…

Që në titull të këtij etydi ndjehet stili modern i nëntekstit simbolik. Ky titull gëlon edhe si real edhe si symbol, heroina ndjehet si një mace në shi, e pambrojtur, e dobët. Pra koncepti i delikatesës së përvuajtshme, shfaqet që në krahasimin e nënkuptuar “Si një mace në shi”; “Sikur një mace nën shi”; apo “Ashtu si macja në shi”. Por Heminguej, prandaj është Nobelist, ai godet rrejshëm që në titull. Patjetër që këtu stili i tij, i shumë interpretimeve është i dukshëm në këtë mos-ngjarje, nëntekst, simbolikë mitike të shiut apo nënvlerësim, tipare këto të gjitha të letërsisë moderne. Prandaj titulli të intrigon ta rilexosh disa herë pjesën dhe t’i kthehesh titullit për rikonceptim. E në këtë pikëpamje le të themi se titulli sugjeron një atmosferë të mbytur, melankolike deri në dëshpërim të gjendjes, pavarësisht konotacionit të fjalës “macja”.

Si një etyd me përshkrim dhe me ndjesi, tregimi fillon direkt dhe lakonikisht me pak fjalë mund të përmbledhim si një sekuencë disa minutëshe jetën e një “çifti” amerikan me pushime në një dhomë hoteli në Itali, vajza amerikane shikon nga dritarja një mace në shi dhe pas një dialogu të shkurtër me të shoqin, Xhorxhin, i cili qëndron statik në leximin e tij, i shtrirë në krevat, zbret poshtë në katin e parë, duke kaluar para padronit, i cili e përshëndet me përkuljet e tij, del jashtë në shi për të marrë macen. E shoqëruar nga shërbyesja me çadër ajo nuk e gjen macen dhe kthehet në dhomen e katit të dytë nën një bisedë pohim–mohim me të shoqin rreth dëshiravë të saj për të patur një mace dhe nën rëndesën psikologjike për ta plotësuar atë. Përplasja mes dëshirës dhe indiferencës është pikërisht tjetërsimi i të dy personazheve. Prandaj jeta e këtij “çifti” në kaq minuta është një etyd pa rrëfim, pasi janë gjërat e parëndësishme ato që japin thelbin e kuptimit. Heroina kërkon të ripersonalizohet nëpërmjet këtyre gjërave të parëndësishme, të cilat përbëjnë kundërvënien e saj jëtësore. Kështu pesha kryesore e këtij “etydi”, siç e quan kritika, është ndjesia dhe jo rrëfimi.

Në fillim të tregimit përshkruhet natyra e gjallë italiane, deti, valët e të cilit rrotulloheshin dhe përsëri vraponin, palmat e larta, një kopsht publik, një monument për viktimat e luftës. Heminguej është i kujdeshëm, që jo vetëm të na paraqesë kulturën dhe natyrën italiane, por për të na tregojë kujdesin ndaj historisë së popujve të ndryshëm të Evropës, me qëllim që ai vetë të lërë gjurmë artistike në çdo vend. Pikërisht ky përshkrim i plotësuar më 2-3 makina tregon se gjithçka mund të ndodhë në këtë qytet, veçse një mace nuk mund të durojë kurrësesi e fshehur në shi. Ndaj tregimi fillon si një etyd në pjesën e parë të përshkrimit dhe më pas shoqërohet me një copëz realitet, që duket në përsëritjen tre herë të monumentit të dëshmorëve. Në konceptin historik mund të riprodhojmë funksionin simbolik të monumentit me skenën e një përleshjeje në disa rreshta. Imazhi i kalit të plagosur, të gjakosur, por ende galopant rreth arenës përpara mijëra spektatorëve, i paraprin pamjes së jastme krejt të zakonshme të parëndësishme dhe thellësisht dramatike të heronjve të tregimit.

Që në fillim amerikania, pasi konstaton se një mace është në shi e mbledhur si një gungë, e pambrojtur, e pastrehë ajo paralelizon veten drejt dëshirës për ta futur macen në një strehë të ngrohtë ashtu si ëndrra e saj, e cila tashmë po shfaqej në shi. Lexuesi në kontekst kupton se një mace në ëndërr është një symbol i strehimit.

Konstatimet e saj ajo vetëm sa ia shqipton të shoqit, i cili reagon thatë e pikërisht këto konstatime kriojnë imazhin e një britme të gjatë jetësore, duke ndërtuar një mur të ftohtë që ka akumuluar veç egoizëm dhe troshitje maskiliste. Dihet që vepra e Heminguej ka disa personazhe mashkullore, ku sensi maskilist pëlqehet të vihet në dukje. Këtë e shpreh edhe vetë autori si produkt i përvojës. Pas refuzimit të saj, që Xhorxhi të zbresë poshtë, ajo zbret vetë në holl, i cili reflektoi një kthesë fatale në përjetimin e drunjtë të saj pak më parë, tashmë pronari jo vetëm që ngrihet në këmbë e përshëndet, i dërgon pastruesen me çadër por në këtë rast e ka tronditur atë duke e bërë të ndjejë mbase për herë të parë fuqinë e kujdesit mashkullor, e kjo prish të gjitha vendosjet psiko-fizike të saj. Brenda mendjes së saj ndodh një zhvendosje vendimtare, të cilën ajo e përjeton në këtë kalim por e përforcon kur kthehet në dhomë. Gjithashtu ky kujdes deri në detaje i padrones (italisht) është një nxitje e rritjes së protestës shpirtërore, që do të vijë më pas. Pra kjo zhvendosje dhe kjo protestë, që fillon e krijon fillesën e tyre vetëm në një moment, prandaj Heminguej është mjeshtër në koncizitet dhe nënshtresës kuptimore.

Gruaja nën çadër zhgënjehet dhe kjo krijon edhe një hutim të shërbyeses ose çudi të saj. Në këtë rast realiteti mbetet veç një imazh, imazh i pranueshëm nga gruaja dhe i papranueshëm nga shërbyesja, pra në çdo rresht të tregimit, amerikania ka oponencë situatash, personazhesh, përjashtuar këtu padronen. Konkretisht ky realitet me të gjithë komponentët e tij e shtyn atë tutje, madje edhe turisti me mushama, që kalon aty pari duket sikur ikën nga një vend i trishtë me shi, monoton si ky para hotelit, ndërsa gruaja kthehet në hotel. Pamja e kundërt kur vajza u ngjit lart thyhet nga pyetja e burrit, i cili nuk e vuri re zhgënjimin e saj. Një mori pakënaqësish numërohen në dialogun mes “çiftit”. Ajo ndjehet e lodhur nga gjithçka e nis me flokët tek shihet në pasqyrë. Këtu mund të përmendim një fakt autobiografik nga jeta e Heminguejt, “gati të gjithë femrat e jetës së tij i kishin flokët e shkurtra” – citon kritika. Si element i maskilizmit mbivalent ndaj femrës, ajo tashmë dëshiron flokë të gjatë, pra më shumë respekt, të kapura pas, të ketë fëmijë e pikasur kjo nga dëshira e mbajtjes në prehër të një maceje, të ketë shtëpinë e saj, e jo më hotele të ftohta.

Anadiploza e fjalës “Dua” shpreh të gjitha emocionet e saj negative të grumbulluara gjatë jetës, të cilat përthyhen nga thirrori kulmor i Xhorxhit “Oh hesht dhe merr diçka për të lexuar”. Në këtë moment tjetërsimi i dy bashkëshortëve ravijëzohet përfundimisht. Ajo kupton se jeta e saj jo vetëm nuk ka qënë e sukseshme por tejet e mërzitshme dhe dëshpëruese. Ndaj kemi shpërthimin e ndjenjave të përmbajtura ne formë dëshire. Duke përsëritur fjalën “Dua”, ajo kupton se jeta reale e saj ndryshon kryekëput nga ajo, që do të donte. Pra e gjitha kjo mbeti në kuadër të ëndrrës, madje nuk e dimë, nëse macja në fund është e vërtetë apo objekt.

Origjinaliteti i dialogut i zbërthen të dy personazhet drejt tjetërsimit në të dy planet, së jashtmi dhe së brendshmi. Së jashtmi ndodh se ata asnjëherë nuk flasin drejtpërdrejt për gjëra që u interesojnë thellësisht, ata flasin për gjëra të vogla dhe të parëndësishme. Së brendshmi ata kanë dështuar në marrëdhënien e tyre nga egoizmi dhe pabarazia e interesave qoftë edhe ndjesore. Edhe pse Heminguej e përshkruan heroinën me tiparet më delikate të një femre të hijshme, edhe pse vetë heroina bën ekzaminimin e vetes para pasqyrës përsëri statikja e Xhorxhit është aty vetëm me ndryshim pozicioni në krevat.

Përkundër mungesës së portretit të Xhorxhit, Heminguej na përshkruan portretin e pronarit, që këtu ai godet në kundër tip me një pamje të respektueshme. Vërtet ai shfaqet vetëm në një pjesë të vogël, por prania e tij ndjehet në tërë tregimin, qoftë kur dërgon shërbyesen, kur dërgon një çadër, apo kur dërgon një mace. Përsëritja disa herë e fjalës “i pëlqeu” e shndërron atë në një bashkëshort shpirtëror, pavarësisht se ai mund të jetë edhe një alternativë e figurës së të atit. Ka një të dhënë paradoksale se me Xhorxhin ajo flet anglisht, ndërsa me pronarin italisht dhe ai e kupton atë me një shikim, është i vetmi që kupton përvuajtjen e saj. Akoma më tej, kjo krijon një marrëdhënie të kundërt në raport me burrin e saj. Pëlqesa e saj lidhet me mënyrën se si ai punon, drejton, e kjo është pika për të cilat Xhorxhi mbase e ka mbajtur larg. Gjithashtu ajo vë në pah pëlqesën më të fortë, karakterin që buroi nga elokuenca e respektit dhe përshkrimi i profesionit.

Shiu njihet në veprën e Heminguejt ashtu siç identifikohet edhe në veprën e shkrimtarëve të “Brezit të humbur” me një konotacion simbolik melankolik, trishtues, të zymtë. Shiu është i pranishëm gjatë gjithë tregimit si një dëshmitar i heshtur i dramës së nxehtë, duke nënkuptuar jetën e pakënaqur familjare. Por shiu bie edhe mbi statujën e të rënëve, duke nënkuptuar se të rënët kanë atdhe. Shiu është poetika e nëntekstit, duke zëvëndësuar komentët dhe përshkrimet e gjata. Pra ai del si një lajtmotiv i tërë tregimit, muzikë e tjetërsimit apo si një sfond i zhgënjimit. Shiu tek ky tregim është një fuqi që mbulon si ombrellë gjithçka duke e pronësuar atë deri në zbërthim.

Domethënia e shiut këtu përcaktohet nga “macja”, e cila është “personazhi” i katërt i rëndësishëm. Përveç konotacionit të zakonshëm si një kafshëz e vogël, e butë, ledhatare ajo nën shi shndërrohet në një simbol të të pastrehit dhe në të njëjtën kohë edhe të shtëpisë. Pra në fund të ditës do të jetë dikush që e pret në shtëpi, apo që e ngroh me ngrohtësi.

Macja shndërrohet në nevojë për gruan, roli i saj rritet me dramatcitetin e ngjarjes deri sa macja shndërrohet në identitet për të pasur respekt dhe dinjitet. Ajo është një faktor, që e vë para provës secilin bashkëshort, gruan për ta fituar dinjitetin, respektin dhe dashurinë
dhe Xhorxhin për të matur shkallën e vërtetë të bashkëshortësisë. Në fund Heminguej e lë lexuesin të kuptojë se gruaja nuk do të jetë kurrë e lumtur me burrin e saj sepse macja konvertohet në një mace të madhe breshkash, e cila simbolizon një mundësi të humbur.

Pasqyra të fuqishme të tensionit psikologjik të heroinës përballë indiferentizmit hermetik të Xhorxhit janë përsëritjet e disahershme të fjalëve apo frazave të ndryshme që dalin herë në formën e anadoplizës e herë në formën e përsëritjeve emocionale. Funksioni i tyre është i ndryshëm në pjesë të ndryshme të tregimit, konkretisht kemi funksionin e monotonisë në fillim nga “Dhoma e tyre… nga dritaret”, ndërsa më vonë kemi rëndimin e gjendjes së heroinës, sidomos përsëritja e fjalës “Dua”, që e kemi theksuar edhe më lart.

Ekziston edhe një këndshikim tjetër i përsëritjes së fjalës “i pëlqeu” që kemi dhënë më lart është, funksioni i dyfishtë, jo vetëm autori thotë se amerikania e pëlqeu padronin, por edhe vetë gruaja bindet se i pëlqen gjithçka tek padroni. Në këtë rast fjalët e autorit bashkohen me fjalimin e drejtpërdrejtë të padrejtë të heroinës, pavarësisht se kjo shpreh dëshirën për vetëafirmim. Disa përsëritje që përforcojnë simbolet janë: 3 herë fjala “det”; 9 herë fjala “shi”; 3 herë “pikon”; 4 herë “palma” ; 2 herë “kopshti publik”. Këto përsëritje kanë domethënien e fokusimit të vlerësimit tek roli i përshkrimit në rrëfim.

Le të ndalemi në një tjetër veçori të jetës moderniste, që është po aq aktuale edhe sot, marrëdhënia hermetike e çiftit. Këtu fjalët duket sikur lodhen, e humbin rrjedhën aty këtu duke dhënë copëza situatash, të cilat tregojnë copëzat e hermetikes. Në fakt e gjithë jeta jonë është një marrëdhënie, madje edhe hermetët kanë marrëdhënie me etnitete hyjnore tepër simbolike, duke rrjedhur të tjera kuptime. Ndaj gruaja flet për flokë të gjatë, që t’i rëndojnë deri në prehër peshën e mëmësisë, ndërsa Xhorxhi vazhdon përmend leximin. Kemi dy përplasje që shkojnë hermetikisht në drejtimin e vet, pa kuptuar ose pa marrë mundimin të kuptojnë tjetrin. Atëherë ku është bashkëshortësia këtu? Po dashuria?

As interesi nuk ka vlerë për hermetët. Prandaj Heminguej ka stil unik, pasi guxon të përziej Ajzbergun e tij me Hermetizmin. Kjo i çon personazhet në të jetuarin në guackën e tyre të botës virtuale. Në fakt nuk kemi të bëjmë me atë, që gruaja dëshiron një fëmijë, por me
faktin tjetër se Xhorxhi nuk ka nevojë për të, ai vazhdon lexon si për të marrë hak ndaj këtij realiteti, pra ai me vetëdije shmang realitetin, akoma më tej prish lidhjet personale. Kjo në fakt ka të bëjë edhe me natyrën komplekse të Heminguejt e ndikuar ky nga përvoja.

Kaq ka ky tregim, i cili dukët një model i përkryer i shpejtësisë dhe ekspresivitetit të stilit Heminguejan. “Macja në shi” është studiuar në të gjitha shkollat evropiane dhe amerikane për vetë antivlërat e saj njerëzore, të cilat sot janë më të dukshme se kurrë. Heminguej me këtë tregim sikur i ka paraprirë individualizmit dhe guackës brenda të cilit po futet individi çdo ditë e më shumë, ndikuar nga metalizimi njerëzor.

Bibliografia:
1- Ernest Heminguej. Vepra të mbledhura. Vëllimi 1, 1968.
2- B.A.Gllenson, Ernest Heminguej, Biografia e Shkrimtarëve, 1991.
3- Pol Xhonson, Kohët Moderne, fq. 66.
4- Karlos Becker, Vepra e Heminguejt.

Marrë nga Nacional

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.