Helena Lubonja
Hyrje
Dalja nga sistemi komunist solli për Shqipërinë ndryshime të thella politike, ekonomike dhe shoqërore dhe në këtë vorbull ndryshimesh u përfshi dhe problematika e gjuhës shqipe. Gjuha shqipe u përball me një mori gjuhësh pas largimeve të një pjese të konsiderueshme të popullsisë jashtë kufijve të Shqipërisë. Shqiptarët e larguar filluan të vënë në përdorim një gjuhë tjetër, atë të vendit ku zgjodhën të jetonin.
Të tjerë përvetësuan gjuhë të tjera përmes arsimit duke e konsideruar mësimin e gjuhëve të huaja si një domosdoshmëri për kohën. Hyrjet dhe daljet, udhëtimet turistike apo ato për qëllime pune në vende të tjera i shtynë shqiptarët drejt mësimit dhe përvetësimit të gjuhëve të huaja duke bërë që bilingualizmi të zërë vendin e një fenomeni të zakonshëm dhe për rrjedhojë pjesa më e madhe e shqiptarëve të cilësohet bilinge. (Lloshi, 2011)
Emigrimi dhe bilingualizmi
Emigrimi, i trajtuar në kontekstin historik dhe atë politik, përjetohet si një eksperiencë e vështirë që sjell shumë ndryshime në familje, pasi anëtarët e një familjeje emigrantësh duhet që në mënyrë paralele të ruajnë elementët e kulturës së tyre të origjinës, gjuhën, zakonet dhe traditat si dhe të përvetësojnë një mënyrë të re të të folurit, të të menduarit, sikurse dhe vlera të reja, që i çojnë drejt ndryshimeve në mënyrën e organizimit familjar dhe mbi të gjitha të identitetit të tyre.
Emigrimi dhe vendosja e familjes në një vend të ri është një nga faktorët bazë që luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e bilingualizmit si për të rriturit ashtu edhe për më të rinjtë. Forma që merr bilingualizmi i çdo brezi është e ndryshme, pasi studiohet në varësi të moshës së folësit në momentin e përballjes së tij me gjuhën e vendit pritës, në kushte të ndryshme të zotërimit të saj si dhe në përputhje me orientimin e ndryshëm socialokulturor të tij. McLauglin (1978), duke u bazuar në moshën në të cilën zotërohet gjuha e dytë dalloi bilingualizmin e njëkohshëm nga ai i njëpasnjëshëm, duke shpjeguar se bilingualizmi i njëkohshëm zhvillohet në disa raste:
1. kur fëmija, pas lindjes së tij është në kontakt me dy gjuhë njëkohësisht,
2. kur në familjen e tij fliten të dyja gjuhët dhe
3. kur të dyja gjuhët fliten përveç se në familje dhe në mjedisin përreth si p.sh në çerdhe, kopsht, shkollë. Edhe Hoffman (1991) mbron tezën se realizimi me sukses i bilingualizmit të njëkohshëm ndodh kur fëmija:
1. bën pjesë në një familje dygjuhëshe,
2. kur prindërit e fëmijës janë emigrantë në një shtet të huaj,
3. kur prindërit e fëmijës kanë emigruar përgjithmonë nga vendi i tyre,
4. kur fëmija ka kontakt të vazhdueshëm me tjetër grupim gjuhësor të shoqërisë shumëgjuhëshe ku jeton si dhe
5. kur fëmija studion në një kopsht apo shkollë dygjuhëshe (Triarchi-Herrmann, 2000).
Kështu që parë nga ky këndvështrim për fëmijët shqiptarë, të lindur në vende të tjera ose për të ardhurit në moshë të vogël përvetësimi i gjuhës së shumicës përbën domosdoshmëri për socializimin e tyre në një mjedis të ri, për vendosjen e kontaktit midis tyre dhe bashkëmoshatarëve të tyre, si dhe për arsimimin e tyre në çerdhe, kopshte apo shkolla. Sa më i ri të jetë folësi aq më i madh është ndikimi i gjuhës mbizotëruese. Ndërkaq ndryshueshmëri e madhe vihet re në performancat e personave që mësojnë një gjuhë të dytë pas moshës së pubertetit. Disa arrijnë të zotërojnë në mënyrë perfekte një gjuhë, sikur të ishte gjuha e tyre amtare, ndërsa të tjerë dominohen nga gjuha e tyre amtare gjatë gjithë kohës. (Klimi 2015)
Përgjithësisht të rriturit, të gjendur në rolin e punëtorëve në një vend të huaj ndryshe nga fëmijët janë detyruar ta mësojnë gjuhën përmes komunikimit të përditshëm me folësit natyralë kryesisht në ambientet e punës ose nga stacionet televizive. Studimi paralel i gjuhës me metoda apo me frekuentim kursesh gjuhësore ka qenë për emigrantët pothuajse i parealizueshëm, pasi për ta mungonte faktori kohë. Ata ishin të kushtëzuar nga nevoja jetike, kështu që punonin me orare shumë të zgjatura dhe me lodhje të madhe fizike. Ndërkohë gjuhën amtare e përdornin kryesisht në familje, në festa apo grumbullime me bashkëpatriotët e tyre. Por edhe në këtë rast me kalimin e kohës gjuha e shumicës ka interferuar në gjuhën e pakicës duke e minimizuar përdorimin e saj.
Shqipëria dhe bilingualizmi
Edhe shqiptarët që jetonin e punonin në Shqipëri filluan të ndërgjegjësohen lidhur me mësimin e gjuhëve të huaja, përvetësimin apo përdorimin e tyre. Nevoja për të komunikuar me të huajt, dëshira për të njohur kultura të reja, për të vizituar vende të tjera (për arsye emigrimi apo udhëtime turistike), kërshëria për të admiruar nga afër një botë që për gati gjysëm shekulli iu ishte privuar i shtyu shqiptarët të tregonin interes të madh për gjuhët e huaja. Në një periudhe pak më të vonshme, kur shumë shqiptarë të ikur vetë, pa familje, po vendosnin të tërhiqnin edhe familjet e tyre në vendet ku jetonin familjarët e këtyre burrave (me pak grave apo burrave e grave) vendosën të mësojnë në vendin e tyre gjuhët e huaja, për të shkuar sa më të përgatitur në shtetet e tjera.
Në këtë rast kuptohet, përdoret një mundësi me komode e mësimit të gjuhës, mësimi i saj me mësues, në shkolla apo kurse. Infrastruktura për t’iu përgjigjur këtij zhvillimi të ri u zhvillua shumë shpejt, u hapën disa shkolla private si dhe shumë kurse. Në fakt sot në Shqipëri ekzistojnë aq shumë kolegje dygjuhësh si p.sh shkolla franko-shqiptare, greko-shqiptare, gjermano-shqiptare, anglo-shqiptare, turko-shqiptare, italo-shqiptare etj., apo qendra për mësimin e gjuhëve të huaja sa mendojmë se janë treguesi më i qartë që thekson faktin se shqiptarët janë një popull që i admiron gjuhët e huaja dhe qe është i bekuar me dhuntinë për t’i përvetësuar ato shumë shpejt.
Emigrantët shqiptarë në Greqi
Përmbysjet politike të viteve 1990 të ndodhura në Shqipëri i drejtuan emigrantët ekonomikë drejt perëndimit, dhe një përqindje mjaft e madhe zgjodhi Greqinë. Këta njerëz u përballën më bilingualizmin, gjendjen e dygjuhësisë, ndërkohë që deri vonë ka pasur një prirje për ta quajtur situatën e monolinguizmit si më normalen.
Shqiptarët, në Greqi janë grupi më i madh i emigrantëve dhe nxënësit shqiptarë përfaqësojnë përqindjen më të lartë të nxënësve të huaj në sistemin arsimor grek. Sipas një studimi të kryer në Greqi, me 70 nxënës shqiptarë, në formën e një ankete me vetë-raportim, në lidhje me praktikat gjuhësore të nxënësve shqiptarë, u konstatua se nxënësit shqiptarë karakterizohen nga shprehi të dobëta në gjuhën shqipe dhe përdorim të kufizuar të saj. Rezulton mbizotërim i greqishtes ndaj shqipes, akoma dhe në rastet kur nxënësit shqiptarë dinë shqip përpiqen ta nënvlerësojnë këtë duke pretenduar se dinë shumë pak shqip apo nuk dinë fare. (Gogonas, 2009)
Njohja e gjuhës së vendit si gjuha me peshën më të madhe, gjuha kryesore për të jetuar, punuar, për t’u bërë pjesë e shoqërisë është kthyer për ta në një domosdoshmëri duke lënë mënjanë gjuhën amtare. Për rrjedhojë, një pjesë e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe kryesisht të rinjtë nuk e zotërojnë mirë shqipen standarde. Madje nga një sondazh jo zyrtar rezultoi se ndër fëmijët nën 10 vjeç dy të tretat po e humbasin shqipen dhe asnjë prej tyre nuk ka bërë shkollë në Shqipëri. Kjo tregon se gjuha shqipe është shndërruar në një mjet të përdorur vetëm për jetën familjare duke rritur rrezikun që këta fëmijë të humbasin gjuhën amtare. (Lloshi, 2011)
Sipas opinionit tim shqipja e një pjese të konsiderueshme të fëmijëve të lindur në Greqi, apo e të ardhurve në moshë të vogël, pothuajse ka humbur funksionin e saj komunikativ. Ata janë në gjendje ta kuptojnë atë kur e flasin të tjerët, por vështirësohen kur duan të shprehin një mendim të tyre. Me kalimin e kohës, si rezultat i përfshirjes në një ambient gjithnjë edhe me më pak elemente shqip, ata harrojnë ta shkruajnë dhe ta flasin atë. Shqipja e këtyre individëve rezulton pothuajse e pambrojtur ndaj ndikimit të greqishtes duke bërë të depërtojë lehtësisht çdo ndërhyrje e tipit strukturor, leksikor apo gramatikor. Në fakt duke iu referuar studimeve dhe statistikave të mësipërme lind natyrshëm pyetja mos ndoshta këta fëmijë janë produkt i një bilingualizmi të çalë?
Pra me kalimin e kohës gjuha e shumicës do të vazhdojë të interferojë në gjuhën e pakicës duke e minimizuar ose duke e zeruar përdorimin e saj, duke ndikuar dhe në asgjësimin e pjesshëm ose të plotë të njohjes së leksikut apo gramatikës. Për pasojë fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi ose të ardhur në moshë të vogël do të humbasin pjesërisht apo plotësisht gjuhën amtare duke humbur në këtë mënyrë dhe nyjen lidhëse që i bashkon ata me vendin e origjinës. Një rol të rëndësishëm në parandalimin e këtij fenomeni luajnë pa dyshim prindërit e këtyre fëmijëve, familja e tyre në përgjithësi. Dhe në fakt rezulton një interesim i madh dhe shqetësim nga ana e prindërve emigrantë për të ardhmen e shqipes në brezat e rinj. Për kultivimin e shqipes prindërit shqiptarë i dërgojnë fëmijët e tyre në kurse të gjuhës shqipe, iu ofrojnë ndihmën e tyre gjatë përgatitjes mësimore, i këshillojnë dhe i nxisin të lexojnë libra shqip si dhe i mëshojnë faktit se në familje/në shtëpi duhet të flasin shqip.
Le t’i referohemi një studimi mbi qëndrimet e prindërve emigrantë (shqiptarë) në Greqi ndaj bilingualizmit të fëmijëve të tyre dhe anketimit të kryer në disa shkolla në Kretë dhe Selanik, ku studiojnë një numër i madh fëmijësh të ardhur nga Shqipëria. Sipas këtij studimi u konstatua se të mësuarit mirë të gjuhës greke konsiderohet prej shumicës si një gjë e rëndësishme duke e lidhur me kërkesat e realitetit të sotëm si arsimimi në shkollat greke, nevoja për komunikim, jeta e përditshme etj. Ndërsa një pjesë e mirë ka qëndrim pozitiv ndaj multilinguizmit në përgjithësi. Rëndësia e përvetësimit të gjuhës greke konsiderohet me peshë dhe nga një pjesë e vogël të cilët mendojnë të vendosen përgjithmonë në Greqi, ndërsa pjesa tjetër që dëshiron rikthim në atdhe mbron faktin se shqipja është simbol i identitetit kombëtar dhe kurrsesi nuk mund të lihet në harresë. (Chatzidaki-Qiriazi, 2008)
Bilingualizmi dhe të menduarit
Kur të menduarit e një fëmijë është kreativ, imagjinativ, fleksibël, i hapur dhe i lirë, fëmija konsiderohet «divergjent». Personat me aftësi njohëse divergjente preferojnë të japin përgjigje të ndryshme, në vend të gjetjes së përgjigjes së saktë dhe secila prej këtyre përgjigjeve mund të jetë e vlefshme. Janë bilingët ata që për çdo objekt apo ide kanë dy apo më tepër fjalë dhe bilingualizmi është fenomeni që rrit rrjedhshmërinë, fleksibilitetin, origjinalitetin dhe kompleksitetin e mendimit.
Bilingët kanë fjalor mjaft më të pasur dhe aftësi të admirueshme shprehëse për të treguar histori të ndryshme në krahasim me monolingët. Si rezultat i zotërimit të dy gjuhëve bilingët dallojnë emrat nga objektet. Shumica e studiuesve gjykon se ekzistojnë lidhje pozitive midis bilingëve dhe aftësisë konjitive, pra bilingët kanë disa avantazhe konjitive krahasuar me monolingët. (Baker, 2001)
Aftësia e fëmijëve bilingë për të gjykuar drejt në kushtet normale është më e madhe se e fëmijëve monolingë. Fëmijët bilingë fitojnë një epërsi intelektuale dhe janë të prirur që më shpejt se monolingët t’ia dalin në mësimin e rregullave të matematikës, që do të thotë se ata shquhen nga fuqia e tyre e të menduarit.
Të qenët biling është me rëndësi edhe në aspektin e krijimit të një ekuilibri emocional ndaj përkatësisë kulturore-gjuhësore, pra të identitetit. Disa nga avantazhet e bilingualizmit janë: fleksibiliteti mendor, mobiliteti konceptual, të arsyetuarit abstrakt rreth fjalëve, ndërtimi i koncepteve, inteligjenca verbale, të menduarit kreativ, ndjeshmëria në të komunikuar, aftësia për të zgjidhur problemet e rëndësishme, performancat në perceptimin hapësinor, aftësitë në fushën e matematikës. (Tahiri 2014)
Roli i bilingualizmit në arsim
Kur flasim për arsimimin dygjuhësh nënkuptojmë mësimdhënien në dy gjuhë, të cilat përbëjnë mjetin për arritjen e qëllimeve të caktuara didaktike në procedurën arsimore. Programet dygjuhëshe synojnë në nxitjen e aftësive gjuhësore të nxënësve gjatë gjithë arsimimit të tyre, në mënyrë që ata të zhvillohen si individë bilingë ku të dyja gjuhët të jenë në ekuilibër.
Tre janë faktorët që luajnë rol të rëndësishëm në rezultatet e paraqitura nga nxënës bilingë: koha që nevojitet për zotërimin e gjuhës akademike, në mënyrë të tillë që fëmijët të jenë pjesë aktive e procesit mësimor në shkollë, vlerësimi i çdo lloj dijeje të mëparshme të nxënësve dhe roli i gjuhës së parë përgjatë procedurës së mësimit të së dytës.
Koha që nevojitet për zotërimin e një gjuhe në të gjitha format e saj është e ndryshme. Për t’u aftësuar në komunikimin e përditshëm fëmijët nuk kanë nevojë për shkollën. Mjafton që të komunikojnë me individë të mjedisit që i rrethon për të zhvilluar gjuhën e tyre pavarësisht nëse është gjuhë e parë apo e dytë. Fëmijëve bilingë, nuk do t’u duhej një periudhë e gjatë kohore për të mos i dalluar nga vendasit e së njëjtës moshë. Mjafton që ata të luajnë dhe të përfshihen në aktivitete të ndryshme me individët vendas. Por kjo nuk mjafton për një pjesëmarrje aktive në mësim.
Shkolla pretendon që të gjithë folësit të përdorin gjuhën zyrtare me rrjedhshmëri, pra gjuhën akademike ose gjuhën e shkollës. Kjo formë e gjuhës nuk zhvillohet as me shpejtësi dhe as drejtpërdrejt nga komunikimi i përditshëm, por kërkon zgjedhjen e një fjalori specifik dhe procedurë mësimdhënieje. Ndërsa për të folmen e përditshme nevojiten deri në dy vjet që një fëmijë biling të arrijë nivelin e zotërimit të gjuhës të një monolingu të së njëjtës moshë, për gjuhën akademike duhen 5 deri në 7 vjet. (Cummins, 2000)
Që të ecë para procesi i të mësuarit duhet një mbështetje që do të sigurojë një urë lidhëse midis institucioneve apo vendeve të përdorimit
të gjuhës. Kryesisht duhet të sigurohet një urë lidhëse midis vendeve kryesore të përdorimit të gjuhës për fëmijën domethënë midis familjes dhe shkollës. Por kjo është e realizueshme nëse familja ndihmon në ndërtimin e kësaj lidhjeje dhe nëse mësuesi duke njohur zakonet kulturore të familjes garanton vazhdimin për nxënësit.
Konkluzione
Fëmijët bilingë vendosen në një nivel superior, në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre monolingë. Bilingët arrijnë të mësojnë dy gjuhë në një periudhë kohore, gjatë së cilës monolingët mësojnë vetëm një. Bilingualizmi paraqet tek fëmijët normalë dhe në situata jokonfliktuale të dygjuhësisë përfitime të tilla si zotërimin e shpejtë dhe të kënaqshëm të dy gjuhëve në të njëjtën mënyrë, si dhe të dy sistemeve kulturore e të qytetërimeve dhe i çel fëmijës një hapësirë të gjerë. Është konstatuar se fëmija është në gjendje që të mësojë paralelisht dy gjuhë, pa pasur ndonjë problem në inteligjencën e tij apo stabilitetin psikik.
Bilingualizmi jo vetëm që nuk ndikon negativisht në suksesin e fëmijëve në shkollë, por dhe e rrit atë. Fëmijët që njohin mirë gjuhën amtare janë më të suksesshëm në mësimin e gjuhës tjetër dhe anasjelltas ata që janë të shkëlqyeshëm në gjuhën e dytë, janë të suksesshëm edhe në gjuhën amtare. Mësimi i një gjuhe të dytë nuk nënkupton në asnjë rast ndalimin e gjuhës së parë. Gjuha amtare duhet të ruhet, sepse ajo përbën identitetin tonë kulturor, një trashëgimi familjare që transmetohet brez pas brezi.
Me Ju lumte e nderuara Helena Lubonja per trajtimin e ketij Probleme, sume i domosdoshem jo vetem per Emigrantet po dhe ne atdhe-ka vlera Dy a me shume gjuhesi… nga Toronto ju uroj, si 87 vjecar nje jete-MESUES-kertu aktivist shoqeror, krah-Shoqatave sa mesuesve atdhetare…