Timo Mërkuri
“Studime letrare të zgjedhura” të Anton Nikë Berishës në 10 vëllime
Gjithmonë kam pasur ndjesinë se botimi i një libri i ngjan ndërtimit të një kishe në një fshat a qytet të vogël ku ka munguar kjo seli shpirtërore, dhe autori më ngjasonte me një prift të qetë, të menduar, të thinjur, i cili përpiqet që me këtë botim të ndriçojë dhe të pastrojë shpirtërisht, duke i mbledhur në këtë kishë ata të pakët banorë të asaj qendre banimi.
Sigurisht, një libër më i realizuar rriste përmasat e kishës dhe të aftësive liturgjike të autorit. Është ky përfytyrim i im që më krijoi ndjesinë botimi i kompletit “Studime letrare – të zgjedhura” në dhjetë vëllime të Anton Nikë Berishës, studiues i rrallë në llojin e tij, më ngjason me ndërtimin e një katedraleje madhështore, si nga përmasat, nga veçantia ashtu edhe nga vlerat, pasi këtu “besimtarët” e letërsisë do të gjejnë, të lexojnë e të studiojnë pasurinë dhe madhështinë e letërsisë shqipe, po dhe të asaj botërore.
Në këtë katedrale të ngulitur në dritën e mendimit, arkitektura është ajo e dijes, themelet janë të shtruara me përkushtimin e një jete të tërë, dhe dritaret – ato janë fjalët – mendimet që lëshojnë dritë përbrenda.
Anton Nikë Berisha, prifti i qetë i kësaj katedraleje letrare, e ka shndërruar çdo gur studimi, çdo qelq të analizës, çdo narracion të heshtur, në një pjesë të pandashme të tempullit të fjalës së shkruar.
Kjo nuk është vetëm një arritje personale. Është një stacion i ndritshëm në udhën e gjatë të studimeve të letërsisë shqipe, një dëshmi se mendimi kritik studimor, analiza estetike dhe shpirti i gjuhës mund të mblidhen në një opus që, pa bujë, ndryshon rrjedha.
“Studime letrare – të zgjedhura” të Anton Nikë Berishës janë një trup me shumë frymë: në të dëgjon zërat e autorëve që kanë ndërtuar letërsinë, nga Aristoteli tek estetika e letërsisë, nga Buzuku te Camaj, nga Budi te Fishta, nga Koliqi te Shkreli, nga Nasi Lera te Ramadan Musliu e shumë të tjerë që enden si figura të gjalla ndërmjet faqeve.
Anton Nikë Berisha, me këtë vepër monumentale, nuk është më vetëm një autor, por një institucion më vete i dijes dhe i shpirtit. Ai është mjeshtri i gurëve të mëdhenj, i atyre që nuk lëvizin më, por mbajnë mbi vete kupolat e kujtesës letrare. Në mënyrën më të heshtur, më të përunjur, ai ka ditur të qëndrojë larg shfaqjeve të kohës, por pranë thelbit të saj: ai nuk është zbavitës, është ndriçues.
Ai që ka lexuar studimet e tij për Aristotelin, për Këngën e këngëve, për Mesharin, për veprën e Budit, për letërsinë arbëreshe apo për poetikën e letërsisë gojore shqipe, e ndien menjëherë përmasën e tij – një thellësi e rrallë ku mendimi letrar nuk shkon drejt përfundimeve të shpejta, por zbret në rrënjët e fjalës, te nënteksti, në hijen që lë dielli i dijes mbi tokën e gjuhës. Ai nuk ngutet. Ai nuk josh me fjali zbukurimi. Ai ndërton me durim atë që nuk shembet – një shtëpi të fjalës së vërtetë.
Këto studime të Anton Nikë Berishës janë të zgjedhura; janë përfshirë vetëm ato punime e studime monografike që sipas autorit heqin peshë në punën e tij prej studiuesi të letërsisë, pra zgjedhja ka qenë e rreptë, siç thuhet dhe në Fjalën paraprake të vëllimit të parë:
“Në këto dhjetë vëllime me studime letrare të zgjedhura kam përfshirë vetëm ato punime – interpretime dhe studime monografike që, sipas mendimit tim, bëjnë pjesën më cilësore të punës sime në fushën e studimit të artit të fjalës, letërsisë, po dhe ku vështrohen disa nga veprat letrare më të njohura në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kam lënë anash, për një arsye ose për një tjetër, një varg punimesh e librash”.
Në vijim të “Fjalës paraprake” autori na bën të ditur edhe për këtë punë – përcaktim të rëndësishëm:
“Këto punime – interpretime dhe studime monografike janë dëshmi e mënyrave të ndryshme të qasjes dhe të veçimit të cilësive poetike të teksteve të veprave përkatëse; vetëm leximi i vëmendshëm dhe i disa hershëm, njësimi shkallë – shkallë me tekstet dhe me kumtet poetike që dilnin prej tyre, bëri të mundur komunikimin e duhur me to dhe ndriçimin e vlerave kryesore shprehëse poetike.
Në dy vëllimet e para kam vënë studimet për çështjet teorike të letërsisë, të tekstit letrar, të estetikës dhe të estetikës së letërsisë, në vëllimin e tretë ato hulumtuese kërkimore – dy studimet monografike për “Mesharin” e Gjon Buzukut dhe studimin për veprën letrare të Pjetër Budit, për t’u lënë vend pastaj vëllimeve me vrojtime dhe me interpretime për dukuri dhe vepra të autorëve të tjerë”.
Në këtë katedrale prej fjalësh, vendi i altarit i takon lexuesit të përkushtuar. Ai nuk është spektator, por besimtar. Ai nuk vjen për të parë mozaikë, por për të dëgjuar zërin e traditës dhe të studimit që i flet përmes shekujve. Dhe në çdo vëllim të këtij kompleti, ai do të gjejë një homeli të mendimit letrar që nuk kërkon të dominojë, por të lartësojë dhe të nxisë.
Botimi “Studime letrare të zgjedhura” nga shtëpia botuese “Faik Konica” në Prishtinë nuk është thjesht një ngjarje kulturore. Është një akt solemn, një betim i ri se gjuha shqipe dhe letërsia e saj do të ruhen dhe do të studiohen me përgjegjësi.
Ky botim është një kryevepër jo vetëm për bibliotekat, por për ndërgjegjen kombëtare letrare. Në kohën e shpërndarjes, e të fragmentimit, ai na kujton përkushtimin, ndërtimin, tërësinë.
Për Anton Nikë Berishën, fjala ka qenë gjithmonë një mjet shenjtërie. Ai ka punuar me të njëjtin përkushtim si një murator që ngjit gur pas guri murin e përjetësisë. Dhe sot, kur lexojmë se ai ka qëndruar në universitetet e Evropës, se ka qenë pjesë e qendrave albanologjike, se ka përkthyer, se ka hulumtuar, se është shpërblyer me çmime dhe medalje – e kuptojmë se kemi përballë një figurë të përmasave mbarëkombëtare, një mendje që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe mentalë.
Nëse letërsia shqipe është një pemë e lashtë, rrënjët e së cilës përpiqemi të mos i harrojmë, Anton Nikë Berisha është një nga ata që ka zbritur në thellësinë e tokës për t’ua pastruar nga pluhuri i harresës, për t’ua dhënë jetë sërish. Ai ka punuar në terr, në heshtje, por me dritën brenda vetes. Dhe tani, në këtë katedrale të quajtur “Studime letrare – të zgjedhura”, ai na thërret të ulemi, të dëgjojmë, të mendojmë, po dhe t’i përvishemi punës. Ajo dëshmon për qenien e secilit, për qenien tonë.
Letërsia shqiptare, përmes këtij botimi, është ndriçuar nga një dritare e madhe, që s’ka ngjyra vitrazhi për zbukurim, por ka dritën e qartë të mendimit, të interpretimit dhe të përkushtimit. Kjo dritë nuk verbohet nga koha, por i fton lexuesit e sotëm dhe të ardhshëm të hyjnë brenda, të ecin ngadalë nëpër hullinjtë e mendimit, dhe të kuptojnë sa shumë kemi për të mësuar – dhe sa shumë i detyrohemi ndërtuesve të vërtetë të katedraleve shpirtërore.
Sarandë, fund maji 2025