AH MOJ NANȄ…!

0
Vlash Prendi

Vlash Prendi

Ulë bri votrës, ra n’mendime
Po kujtoj sot nanën time
Gru ma e mire si pat hy pragut,
Bash si shkinë e Karadakut.
Qe kur linda dhe më rrite
M’ke ndriçu si rreze drite,
M’ke perkëdhel, m’ke majt pranë veti
Zemra jote ish sa deti.
Na ke rrit, t’u na buzëqesh
Shpesh pa bukë, pa rroba vesh,
Ti ke qënë mjalti kësaj bote
Ne na ngopte puthja jote.
Sapo binte rrezja e parë
Ty gjithonë do t’gjente n’arë,
Pa buk n’strajcë, pa dritë në sy
Me djep n’shpinë t’u i rrit kto fmi.
Shpesh pranë djepit, ti mendoje
T’gjitha vuajtjet që kaloje,
– Ah… kto kohë po i kaloj kot!
Përkul djepit tuj derdh lot,
Lotët e nanës, lot shenjtneshe
Janë lot zanash, sokoleshe,
Zoti vetë dorën e shtrinë
Veç kur qanë nana për fminë.
Sa here zemra t’ka lotu
Kur ti uleshe me pushu,
Dhe gji fmijës për me i dhanë
Sepse buk nuk kishe ngranë,
T’dhimte shpirti për atë fmi
Ma shumë ujë pinte se gji.
Me vajë n’buzë shpesh herë e lije
Pa përkund rrinte nën hije,
N’mramje vonë sa dilte hana
Për n’shpi rrugën merrte nana,
Me djep n’shpinë, shatin mbi sup
Punue shumë, pa hangër buk,
Lodh e kput dhe pa fuqi
Punët e tjera e prisnin n’shpi.
Për me la dhe me arnue
Darkë e drekë kishte me i shtrue,
Tufa n’vathë për ty bërtiste
Kopshti e ara ty të priste.
Në darkë vonë, vije te shpia
T’priste vjehrra, t’donte fmija,
T’priste dera për me u çel
T’priste lopa për me u mjel,
T’priste sofra për me u shtrue
T’prisnin teshat me u arnue.
T’prisnin fmitë me i puth në ballë
Tuj prit dritën për me dale.
Ashtu lodhë edhe coptue
Prap do t’shkojshe me punue,
Sapo shkrepte rrezja e parë
Ty nanmira t’gjente n’arë,
Bashkë me ty dhe t’gjitha gratë
Për me marrun pak bukë thatë,
Atë pak buk me e çu te shpia
Plot me derte me u rrit fmija.
Zemra e jote s’ishte e qetë
Kur sheh fmitë në shtrat tuj fjetë,
Oda e vogël, s’ish e naltë
Rreth me gardh, ly me pak baltë,
Shtrat prej drrase gardh përreth
Për dyshek, dy grushta gjeth.
Dhe kur zbardhte dita e re
Shpresë as gëzim s’kishte për ne,
Asnjëherë buza s’t’pat qesh
Pa bukë n’bark, pa rroba vesh,
Pa tokë kund, pa shtëpi mbi kry
Nji herë n’muji tu la me fi,
Tu na ngroh djelli dhe hana
N’ket hall t’zi na pat rrit nana.
Përditë qante e zeza nanë
N’darkë, as n’drekë s’kish ç’me n’a dhanë,
Priste e shkreta ditë për ditë
T’vinte tufa me mjelë dhitë,
Qe t’na dukej darka e amël
Mbushte kupat pshesh me tamël,
N’sofër t’vogël ulshin krejt
– Hani pshesh qe t’rritni shpejt!
Vitet iknin, fmitë t’u u rritë
Nanës shkretë i ndrinin sytë,
– T’kem t’i shoh t’martuem nji herë!
Përditë thoshte nana e mjerë,
Qe t’i dalin përballë jetës
E të bahen t’zot e vetes,
Se n’ket jetë gjithmonë kam vujë
Pa ja shtri dorën kurkujë,
Kemi derdhun djersë e lot
– Mos na ço Zot mundin kot!
Dalë ngadalë u burrnun fmija
Por prap bosh ka mbetun shpia,
Kshtu asht vështirë me e kalu jetën
Babë e nanë, prap kan mbet vetëm,
Larg atdheut degdis mileti
Djem e vajza i mur kurbeti,
Baba plak e nana e vjetër
Nuk u mbeti kund fmi tjetër.
N’anë t’oxhakut po mendonin
Ket jetë t’vujtun si t’kalonin,
– Jemi lodhë shumë me ju rritë!
S’kem besu se vjen kjo ditë,
Me zor ditët unë po i shty
Si shoh kun ma fmitë e mi.
S’di ç’tju thotë tash nana e mjerë
Pragu i derës mbyllë me ferrë.
– Pash at Zot, ju më ndigjoni!
S’ka ç’më duhet telefoni,
Nji sekond m’bahet nji orë
Du t’u shof, t’u prek me dorë,
T’u puth ballin dhe t’dy sytë
T’u fus n’gji dhe t’u marr ngrykë,
T’u kem pranë, t’u thrras në emër
Si gjithmonë t’ju kem në zemër.
Si lulet qe pret pranvera
Nana jujë u pret te dera,
Pres me ditë e pres me vjetë
Se n’vetmi na shkoj kjo jetë,
Shpirt e zemër m’keni vra
M’kaloj jeta veç tuj qa.
Pasha Zotin m’ka humb shpresa
Se po i shof ma nipa e mbesa,
Me ardh n’shpi me m’a shue mallin
Gjyshes mjerë me ja qa hallin.
– Amanet ju bij dhe bija
Nese kthehni ndojherë ke shpia,
Me pa trojet si i keni lanë
Me taku ju babë e nanë,
Me nejt pak në t’shtrejtën votër
Me puth vlla e me puth motër,
Me pushue pak te pragu
Me nez zjarrin tek oxhaku,
Me u shmallë veç pak me ne
Mos harroni ket Atdhe,
Mos harroni kurrë ket prag
Ndër dekada la me gjak.
Nuk e di kur del pranvera
Nana e shkretë po u pret te dera,
Kam shtru sofrën, gatu bukën
Me lot n’sy shof përditë rrugën,
– Pasha Zotin m’ka djegë malli
Si s’po m’vijnë mu vajza e djali!
Ju kam dashtë sa yjet, qiellin
Tash po u pres si drita diellin,
Se kshtu ditët s’po m’kalojnë
Shpirtin tim po m’a coptojnë.
Kam në zemër nji barrë mallë
Jeta m’shuhet dalë ngadalë,
Shpresa ime veç ju jeni
Kur të vini, zor se m’gjeni.
Merrni nipa e merrni mbesa
Me lot n’sy hajdi n’varreza,
Ku s’ndriçon djelli as hana
Thoni: – Ktu sot pushon nana!
Dhe aty mbi vorrin tim
Puthni foton si kujtim.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.