Nga: Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Pikëtakimi im me romancierin e njohur, jo vetëm në diasporë, Muharrem Blakaj në Abtwil (më 19 dhjetor 2023) ishte jo i rastësishëm. Ç’është e vërteta, në këtë ditë nga Cyrihu kishte ardhë të më vizitojë, i shoqëruar nga Muharrem Blakaj, miku im i shtrenjtë Rexhep Rifati, autor i disa monografive me vlera shumështresore dhe së fundmi edhe i monografisë: ARBËRESHËT sintezë e shpirtit tim, libër ky për të cilin kohë më parë kam publikuar një vështrim mjaft të rëndësishëm dhe përmbajtësor.
Në këtë pikëtakim që ishte shumë mbredëlënës, u njoha më për së afërmi me Muharremin, ndonse atë e kam njohur si emër shumë më herët përmes shkrimeve të tija cilësore dhe veçanërisht përmes romanit të tij: THESARET E HUMBURA, që fillimisht e kam lexuar në PDF. Mirëpo, siç dihet, ky roman është botuar edhe si libër në Prishtinë në vitin 2005 e që e ruaj, si libër të përzghedhur, në bibliotekën time.
Gjatë pikëtakimit miqësor dhe mbresëlënës, Muharrem Blakaj, tashmë autor i njohur në letrat shqipe, veç tjerave, ma dhuroi me dedikim të veçantë edhe romanin e tij me të ri me titull: ZANA E SHËN MARTINIT, për çka e falënderoj nga zemra!
Njëkohësisht, si zakonisht, edhe Rexhep Rifati, miku im i shtrenjtë, një dashamir i dalluar i librit, si zakonisht që miqëve të vet u dhuron libra, në këtë pikëtakim ma dhuroi me dedikim një libër të rëndësishëm dhe me vlerë, librin me frazeologji: DIZIONARIO FRASEOLOGICO DEGLI ALBANESI D’ITALIA E DI GRECIA të Antonio Belluscit, me tekste origjinale shqip dhe të përkthyera në italisht, për çka e falënderoj nga zemra!
II. Muharrem Blakaj-jetëshkrimi
Muharrem Blakaj, i lindur më 6 janar 1959 në fshatin Vrellë, Komuna e Burimit (ish Istogu).
Shkrimtar shqiptar nga Kosova dhe ish i burgosur politik nga regjimi serbosllav.
Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, të mesmen, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën e ka përfunduar në Istog. Pastaj është regjistruar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Për herë të parë burgoset me 14 dhjetor 1979, kurse për herë të dytë, me 5 shkurt të vitit 1987. Herën e dytë, në mungesë të provave, e lirojnë, ndërsa një vit më parë UDB-ja serbe ia kishte mbytur vëllain, Xhemailin, në burgun hetues të Pejës.
Vlen të theksohet me këtë rast se gjatë bastisjes në shtëpinë e tij policia ia kishte marrë dorëshkrimin e tregimeve të përgatitura për shtyp:
“Monolog i një komiti”
si dhe dy novelat:
“Balta me gjak”
dhe
“Besa”,
të cilat kurrë nuk ia kanë kthyer!…
M. Blakaj, në tetor të vitit 1987, për shkak të represionit të vazhdueshëm serbosllav, detyrohet ta lëshojë Kosovën dhe të kërkojë azil politik në Zvicër. Bashkë me familjen e tij edhe tash jeton në Zvicër ku merret me shkrime dhe me veprimtari që kanë të bëjnë jo vetëm me çështjen kombëtare. Prandaj, jo rastësisht, ai është edhe laureat i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve.
Mban edhe titullin “Shkrimtar i vitit 2018” për diasporë.
III. Veprat letrare
1. Misioni sekret, roman, 2004,
2. Thesaret e humbura, roman, 2005,
3. Atentat brenda germës L, roman, 2007,
4. Paraardhësit, roman, 2009-2018,
5. Rrugëtim fatal, monografi, 2012,
6. Mëndsha, tregime, 2018,
7. Vitet e brishta, 2021,
8. Zana e Shën Martinit, roman, 2022.
IV. ZANA E SHËN MARTINIT, roman
Romani filozofiko-psikologjik:
ZANA E SHËN MARTINIT,
(redaktor: Gani Mehmetaj, editor: Ramadan Mehmeti, SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2022, fq. 232), është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Romani në fjalë, që shquhet me shumësinë e vlerave, është shoqëruar edhe me një shkrim vlerësues, mjaft afirmativ, të Musa Jupollit, një poet i njohur në letrat shqipe që jeton dhe vepron në Francë që nga viti 1984.
Kur jemi të analiza dhe vlerësimi i këtij romani, të cilin e kreva së lexuari këto ditë, vlen të theksohet se ai përmban vlera shumështresore( filozofike-psikologjike, gjuhësore, stilistike, ideore etj) dhe shi për këtë ai lexohet me një frymë. Aty, sipas autorit të këtij romani, që është i rrallë në letërsinë e sotme shqipe, vdekja dhe jeta kanë një kuptim vetëm se shpirti ndërron fizikun, po asnjëherë nuk harron lindjen si dhuratë për ta rikthyer në pikën ku ndeshet me veprimin sot (M. Jupolli).
Për më tepër, personazhi i romanit, është udhërrëfyes i historisë, i mendimit, i fjalëve, i veprimit, i dy botëve me një emër, Martin, që bart peshën e dyfishtë n’atë se si të pikturohet shpirti: portret apo psikologji e linjave që portretizohen në mendje me pamje përjetimi Zana e Shën Martinit (fq. 5-6).
Ç’është e verteta, të ky roman, që lexohet me një frymë, secili personazh është një histori më vete, secili e bart shpirtin e trashëguar në periudha kohore, ndonëse autori, që ka një elegancë të rrallë shkrimi, ka një qasje paksa më të veçantë me portretin e Vajzës, që përshkruhet në mënyrë paksa të mistershme…
Pa hyrë në një analizë dhe interpretim më të thellë të këtij romani, vlerësoj se ai, për t’u shijuar dhe kuptuar si vepër e rrallë artistike duhet lexuar! Sepse, ç’është e vërteta, ky roman filozofiko-psikologjik ka objekt personazhin dhe vendin që zhvillohet ngjarja, dimensione këto historike më të thella:
“Eshtnat e vorrit e guri i kufinit Kanunit janë paraz. Me lueit kufinin asht njij si me lueit me eshtnat e t’vdekunve. Kështu thotë Kanuja” – shprehet Atëgjyshi në KRYEDRI, simbol i shenjtë për kujtesën dhe historinë e Adheut (fq. 9).
Në Abtwil (CH), 4 janar 2024.