BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
(Pjesa e dhjetë)
Nisja për Selanik
Në mëngjesin e ardhshëm, ndërsa agimi përhapej si një perde drite e shprese, filluam përgatitjet për kthimin tonë drejt Gumenicës. Qielli ishte i qetë, ndërsa valixhet mbusheshin me kujtime dhe ëndrra të reja për rrugën që na priste. Por një hall i papritur u shfaq, si një re e lehtë mbi këtë ditë të qetë. Që kur ishim nisur nga Selaniku, Agoni, me kujdes dhe përpikëri, kishte rregulluar navigatorin për të na udhëhequr nga Korfuzi drejt Sarandës, duke ndjekur një shteg që na dukej i sigurt dhe i qartë.
Tani, pasi ndryshoi plani në kthim, zbuluam se navigatori ishte i rregulluar për Sarandë, dhe nuk e kishim parashikuar këtë kthese të rrugëtimit, andaj mbetem të hutuar. Por në moment lindi diçka poetike.
Morëm veturën dhe thirrëm Agonin, duke e bërë atë udhëheqësin tonë në këtë rrugëtim përmes teknologjisë. Me ndihmën e një videoje në Viber, arrita të marr këshillat e nevojshme, dhe me disa klikime të thjeshta, navigatori u rregullua, si një yll që na tregonte drejtimin e duhur. U nisëm drejt portit, me orarin e nisjeve për Gumenicë të ngulitur qartë në mendje, duke ndjekur të gjitha planet tona me përpikëri.
Ora shënonte rreth 10:30 kur ne u nisëm, ashtu siç e kishim planifikuar. Arritëm në port me kohë, dhe me një lehtësi të papërshkruar zëmë vendin tonë në tragetin që na priste. Anija, me zhurmat dhe lëvizjet e saj të ngadalta, ishte e mbushur me udhëtarë nga çdo cep i botës. Fytyra të ndryshme, kultura të larmishme, të gjitha të përfshira në atë moment të përbashkët lundrimi, duke krijuar një atmosferë ku secili udhëtar mbante me vete një copëz të historisë së vet. Një traget që lidhte jo vetëm brigje, por edhe njerëz, të gjitha në rrugën e tyre për të zbuluar horizonte të reja.
Sabile Keçmezi-Basha, trageti për Gumenicë, qershor 2024
Ndërsa shijonim një kafe të ngrohtë dhe ujë të ftohtë, u ndalëm në heshtje për të soditur panoramën e detit që shtrihej përtej nesh, me valët e tij të qeta që përplaseshin butësisht në breg. Brigjet që kalonim, të zhytura në dritën e mëngjesit, dukeshin si një mozaik natyror, një përzierje e ngjyrave dhe formave që vetëm deti dhe toka mund të krijonin. Dhe pastaj, në një çast magjik, Gumenica u shfaq përpara nesh, një qytet që dukej se përqafohej me detin, plot me ngjyra dhe jetë.
Në orën 11:30, dolëm nga anija, duke u larguar nga kjo portë detare e mbushur me historitë e udhëtarëve të saj, dhe nisëm rrugën për në Selanik. Por, brenda, një brengë e vogël vazhdonte të rëndonte zemrën e Tefikut. Plani për të shkuar në Sarandë, edhe pse aq afër, dukej si një ëndërr e paplotësuar, e cila nuk mund të realizohej për shkak të mungesës së tragetit. E ndikuar nga ky dështim i papritur, vendosëm të mos ndalemi më gjatë, por të vazhdojmë drejt Selanikut. Dhe, ndërsa lëviznim përmes rrugës, ndjenim që ky udhëtim po merrte një tjetër drejtim, duke na çuar jo vetëm në shtëpi, por edhe drejt një reflektimi të ri për udhëtimet e pambarimshme të jetës.
Kalimi kufitar i Qafë Botit
Nuk e di pse, por një hije zhgënjimi na mbuloi zemrat, pasi dëshira jonë për të udhëtuar me traget nuk u realizua. Kjo dëshirë e imagjinuar më parë, që dukej aq e afërt, na iku nga duart dhe, ndoshta për këtë arsye, vendosëm të mos niseshim nga kalimi tjetër kufitar në Qafë Botë. Një emër që vetë tingëllimi e sjell si portë të një kufiri të largët, të heshtur, që përshkon një tokë mes dy vendeve të ndryshme, por të ndërthurura.
Kufiri i Qafë Botës
Qafë Bota, kjo hyrje e Shqipërisë jugore, ishte si një lidhje delikate që bashkonte dy botë – Greqinë dhe Shqipërinë. Në anën greke, kalimi kufitar njihej si Sagiada, një emër që pëshpëritej në ajër si jehona e valëve që ndaheshin në brigjet e ngushta të kësaj zone. Për shqiptarët, ishte Sajadha, një emër që mbante gjurmët e fjalëve, si një melodi e lashtë që ndërlidhte njerëzit në rrugët e tyre të përditshme.
Kjo rrugë, e njohur dhe e dashur për shumë udhëtarë, ishte një korridor që çonte drejt Sarandës, përmes rrënojave të magjishme të Butrintit. Udhëtarët që e përshkonin atë ndiheshin sikur po kalonin një prag kohësh, duke u lëshuar nga një botë në tjetrën, duke përshkuar rrënjët e historisë dhe kulturës që e ndanin dhe e bashkonin këtë rajon të mahnitshëm.
Trageti që morëm përsëri na çoi drejt Gumenicës, një portë e fshehtë dhe magjike që të ftonte të hyje në veri dhe veriperëndimin e Greqisë, si një urë që lidhte dy brigje të ndryshme botësh. Gumenica, ky qytet i qetë por gjithmonë gjallërues, ishte porta kryesore për ata që synonin të kapërcenin në botën e gjerë. Në portin e saj madhështor, anije nga brigjet e largëta të Ankonës, Brindisit, Barit dhe Venecias mbërrinin çdo ditë, duke sjellë me vete një lumë të pandalshëm turistësh, një simfoni të gjuhëve dhe kulturave që ndërthureshin në këtë udhëkryq të mrekullueshëm.
Gjatë verës, ky qytet pritëte miliona vizitorë të etur për të përjetuar bukuritë e rivierës greke. Çdo ditë, ata zbarkonin nga anijet, duke vazhduar udhëtimin e tyre përmes brigjeve të floririt dhe deteve të thella të Greqisë. Dhe në këtë rrugëtim, trageti që lidhte Gumenicën me Lefkimmin bëhej një rrugë e artë, një urë e pafundme përvojash, ku çdo udhëtim ishte më shumë se thjesht një transferim – ishte një përvojë e paharrueshme, e mbushur me ndjesinë e një bote të gjerë që po shpalosej para syve tanë.
DREJT DODONËS ANTIKE
(Teatri antik i Dodonës)
Në kthimin tonë, fluturonim lehtë mbi rrugën e përsosur, të shtruar si qilim i lëmuar që përshkonte një varg të gjatë tunelesh, të hapura si porta drejt një tjetër bote. Çdo tunel që kalonim ishte si hyrje në një legjendë të re, një rrugë me katër korsi që ndizej nga drita dhe qetësia. Kilometrat rrëshqisnin si frymëmarrje të buta, ndërsa përpara nesh, në mes të udhës, u shfaq një tabelë e re që ftonte drejt Dodonës antike.
Sabile Keçmezi-Basha, Hyrja në Dodonë, 2024
Lexova emrin, dhe tingëllima e tij i mbushi veshët me jehonën e kohëve të largëta. Tefiku, me një siguri të thellë, u përgjigj: “Këtu është, do të kthehemi.” Pas vetëm një kilometri, kthesa na priu djathtas dhe rruga nisi të ngjitej lehtë, duke na shpënë drejt maleve që shtriheshin me kurora të blerta, të gjelbra si kujtimet e përjetësisë. Peizazhi rreth nesh u hap si një përrallë e vjetër, duke na ftuar të ndaleshim dhe të përjetonim bukurinë e harruar të Dodonës së shenjtë, ku koha kishte ndalur për t’i dhënë hapësirë mistereve të saj.
Përpara nesh, një rrethrrotullim u shfaq, dhe një shenjë e thjeshtë, por mbushur me peshën e shekujve, na mirëpriti me fjalët “Dodona antike”. E ndoqëm atë sinjal të lashtë si një udhërrëfim drejt misterit, dhe pas një udhëtimi të shkurtër, fusha të gjera u hapën para syve tanë, me një qetësi madhështore që dukej sikur na përgatiste për një përvojë të veçantë. Një ndërtesë e vogël dhe e bukur, ku shiteshin biletat për teatrin e famshëm, qëndronte aty – një prag i vogël drejt një bote të përjetshme.
Sabile Keçmezi-Basha, areali i teatrit Dodona, qershor 2024
Rrugica me kalldrëm i dha një hijeshi të veçantë udhëtimit tonë, ndërsa ajri përshkonte lirisht duke sjellë freskinë e natyrës që na përshëndeste butësisht. Turistët e zhytur në qetësinë e tyre shkrepnin fotografi, përpjekje të qeta për të kapur magjinë e një vendi ku jehona e kohës mbetej e gjallë. Nën hijen e një peme, një çift gjerman shijonte një drekë të thjeshtë, një çast prehjeje mes historisë së lashtë. Pranë nesh, një grua italiane na kërkoi të shkrepnim një fotografi të saj përpara Dodonës – e qetë, por e mbushur me një zjarr të heshtur, që vetëm një vend i tillë mund ta ngjallte. Atmosfera ishte e heshtur dhe plot jetë, një harmoni e bukur mes historisë dhe njerëzve që kërkonin të ndjenin të njëjtin frymëzim.
Papritmas, një burrë u shfaq përpara nesh, dhe në mes të një bisede të thjeshtë, zbuluam se ai ishte një muzikant, i cili komunikonte me fishkëllima, duke na zbuluar akustikën e jashtëzakonshme të teatrit. Ai filloi të duartrokiste, dhe tingulli i duarve të tij u kthye me një rezonancë të thellë, duke mbushur ajrin me një melodi të lashtë. “Kështu e zgjodhën grekët e vjetër këtë vend,” tha ai me një buzëqeshje të ngrohtë, “në atë kohë nuk kishte altoparlantë, por akustika ishte e përsosur.”
Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, Dodona, qershor 2024
Teatri antik i Dodonës, me madhështinë e tij që mbante shekujt në krah, shërbente si një hapësirë ku hijet e mbretërve dhe filozofëve ende dukeshin të pranishëm, si roje të kujtesës së lavdishme. Teatri i tij i ruajtura me kujdes ofronte një pasqyrë të qartë të lavdisë së tij, një testament i epokës kur u ndërtua në nder të mbretit Pirro të Epirit, një monument që shpërfaqte fuqinë dhe kulturën e tij.
Me një kapacitet për të pritur 18.000 spektatorë, teatri i Dodonës mbetet një arritje e jashtëzakonshme, duke qëndruar vetëm 22 kilometra larg Janinës, por me jehonën e tij, na ndjehej si në zemrën e historisë. Aty, ku zëri i dikurshëm i aktorëve ende mund të dëgjohet, historia merrte jetë, duke na lidhur me trashëgiminë e pasur të një bote që asnjëherë nuk harrohet.
Orkestra e këtij teatri, me diametër rreth 18.70 metrash, është ndërtuar në një formë të përsosur, me ndihmën e terrenit malor që e rrethonte. Pavarësisht shkatërrimeve të shumta që ka përjetuar gjatë shekujve, ky teatër ka qenë subjekt i gërmimeve që nga viti 1875, një proces që vazhdon me pasion edhe në ditët tona. Gjatë verës, ky vend mbushet me energji dhe jetë, duke pritur performanca të shumta dhe të ndryshme që nderojnë trashëgiminë e tij kulturore.
Aty, nën hijen e një dite të re, takuam një çift që kishte udhëtuar nga Kalifornia, aq larg e aq e ndryshme nga vendi ynë. Në atë botë të hapur, ku nuk kishte rëndësi nëse njihje ose jo njeriun që takoje, përshëndetjet ishin shprehi e zakonshme, dhe bisedat fillonin lehtësisht, si puhiza e butë që ndjell gjethet e pemëve të gjalla.
Me atë çiftin simpatik, biseda rridhte me lehtësi. Kur u treguam se vinim nga Kosova, ata na shikuan me një çudi të butë, duke e ngatërruar fillimisht me Shqipërinë. Pasi ua sqaruam se Kosova është një vend më vete, ata qeshën dhe shprehën dëshirën për ta vizituar së shpejti. “Do të mbeteni të mahnitur,” u thamë ne, “Kosova është e mrekullueshme, plot me njerëz të ngrohtë, dhe kuzhina jonë për gatimin e shpagetave, e kalon edhe Italinë!” Ata qeshën, por ndoshta në atë qeshje kishte një nuancë besimi të fshehtë.
Kur biseda kaloi tek monedhat, ata u habitën kur mësuan që në Kosovë përdorim euron, ndërsa në Shqipëri ende mbretëronte leku. Ajo çudi që ndriçoi sytë e tyre shkaktoi një valë të qeshurash mes nesh, si një lidhje e papritur midis dy botëve që, edhe pse larg, tashmë ndjeheshin më të afërta. Ata na treguan se sapo kishin ardhur nga Shqipëria, dhe në atë moment, ndoshta për herë të parë, filluan ta shihnin Kosovën si një realitet më të qartë dhe më të prekshëm në mendjet e tyre.
Ndërsa shkonim poshtë e lartë në teatrin e lashtë, takuam një japonez të përkushtuar, i cili po bënte matje precize të ulëseve dhe lartësisë së binës. Ai ishte duke punuar për temën e doktoraturës mbi Dodonën, dhe kishte kaluar një muaj aty, me synimin për të qëndruar më gjatë. I uruam sukses në kërkimin e tij dhe u ndamë me të.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Teatri Antik Dodona, 2024
Pasi u larguam disa metra, ai na thirri dhe na pyeti për prejardhjen tonë. Kur i thamë se ishim nga Kosova, ai tha me entuziazëm në shqip “Mirëdita” dhe “Tungjat jeta,” duke shtuar me një buzëqeshje të ndrojtur se nuk dinte më shumë. Një ndjenjë ngrohtësie na mbushi, si një lidhje e papritur mes kulturash.
Duke u larguar nga zona e Dodonës, syri ynë kapte një kamping të fshehur mes hijesh të pemëve në arealin e Dodonës, ku turistët ndalonin për të pushuar nën qiellin e kthjellët të natës, me yjet që shkëlqenin si vezullima të lashta. Kampi dukej si një strehë e qetë, një vend ku udhëtarët mund të shuanin lodhjen e rrugës dhe të përhumbeshin në ëndrrat e lashtësisë së Dodonës, ku çdo frymë ishte një lidhje me historinë.
Në hyrje, përpara se të largohemi krejtësisht nga ky vend i shenjtë, ndaluam në dyqanin e vogël në hyrje të Dodonës. Aty, mes suvenireve të thjeshta, gjetëm copëza të kujtimeve që mund t’i merrnim me vete, relikte të vogla që do të na rikujtonin frymën e atij vendi. I zgjedhëm me kujdes, si të zgjedhim thesare të harresës, dhe më pas, me një ndjenjë të qetë dhe me zemrën të mbushur me kujtime, u nisëm për në Selanik, duke e ditur tashmë se çfarë na priste në rrugën e pasur me përvoja të reja.
Megjithatë, në thellësinë e shpirtit, një hije meraku mbeti e ngjitur si një fantazmë e heshtur. Kisha lexuar për fshatin Sul, një vend i bukur që thërriste me ngulm për të na zbuluar një histori tjetër, por ne nuk ndaluam. Ai vend mbeti si një mister i pashkelur, një premtim i pambajtur që vajtonte nën sipërfaqen e kalimeve tona. Ndërsa makinat përshpejtonin drejt horizontit të largët, një pjesë e vogël e zemrës sime endej në ëndrrat për atë që mbeti jashtë dorës sonë, një shteg i paprekur që lëngonte nga kurioziteti dhe nostalgjia.
Teatri “Dodona” i Prishtinës
Duke soditur Dodonën antike, mendimet e mia fluturuan si zogj mbi peizazhin e historisë, dhe një krahasim i natyrshëm shpërtheu brenda meje. “Dodona,” thash me vete, “a e mban ky teatër në Prishtinë emrin e këtij vendi të lashtë?” Teatri “Dodona,” i vendosur në zemrën e Prishtinës, u themelua më 12 nëntor 1986 nga Bashkësia Punuese e Kuvendit të Komunës, duke hapur siparin e tij më 16 maj 1987 me shfaqjen e parë, “Pylli është i të gjithëve”. Në atë kohë, emra të rinj filluan të propozoheshin për këtë teatër të veçantë, i cili shpejt u shndërrua në një oaz për të rinjtë, fëmijët dhe kukullat, duke sjellë gëzim dhe jetë në mjedisin e tij, ashtu si drita e diellit që e ndriçon një ditë të re.
Teatri Dodona, Prishtinë
Rrugëtimi i këtij institucioni të artit mori një ndriçim të ri pas viteve ‘90, kur Skena e Mbrëmjes hapi dyert e saj për publikun e të rriturve. Që atëherë, Dodona solli në jetë mbi 35 premiera për fëmijë dhe më shumë se 70 për të rritur, shfaqje që u përqafuan me dashuri nga audienca e Prishtinës dhe më gjerë, duke u bërë pjesë e kujtimeve të tyre të çmuara.
Në vitin e errët 1994, kur hija e regjimit serb përpiqej të mbyllte dritën e artit dhe kulturës shqipe, Dodona qëndroi e patundur si një farë shprese. Kundër çdo sfide, teatri vazhdoi misionin e tij, duke u shndërruar në një fortifikatë të pashkelshme të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Nga ai vit e deri në çlirimin e vitit 1999, skena e Dodonës ndriçoi me mbi 400 shfaqje të ndryshme, duke e bërë artin një armë të fuqishme në luftën për identitetin.
Si një monument kulturor i qytetit të Prishtinës, Dodona nuk u mbyll brenda mureve të tij, por mori pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e bërë zërin e saj të dëgjohet nga Manastiri në Pogradec, nga Dibra në Kajro, nga Lugano në Paris. Në çdo skenë që preku, Dodona fitoi zemrat e publikut, duke e mbajtur gjallë emocionin e artit dhe forcën e kulturës shqiptare në çdo cep të botës.
Dodona e Prishtinës sot perceptohet më shumë se një teatër; ajo është një histori që vazhdon të rrjedhë, një rrëfim që e përshkon kohën si një lumë i paanë. Ajo është një simbol i qëndresës dhe pasionit për artin, një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, duke ruajtur gjurmët e lashta të Dodonës antike në zemrën e botës moderne të Prishtinës.
Në çdo shfaqje që ndodh brenda mureve të saj, shpirti i artistit vazhdon të flasë, duke frymëzuar breza të rinj e duke rikujtuar ata të vjetër për historitë e lavdishme që kanë marrë jetë atje. Teatri, si një farë, ndriçon errësirën, duke krijuar një hapësirë ku tradita bashkohet me inovacionin, dhe ku çdo tingull i duarve që duartrokasin është një thirrje për unitet dhe krijimtarinë.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Korfuz, 2024
Dodona e Prishtinës është një testament i gjallë i artit, që, si një melodi e përjetshme, vazhdon të tingëllojë në shpirtin e qytetit, duke e bërë atë një vend ku historia dhe moderniteti bashkohen në një simfoni të përjetshme.
Kthimi
Pas një rrugëtimi të gjatë, Selaniku na zbuloi madhështinë e vet, duke na përqafuar me bukurinë e tij të pakrahasueshëm. Gjetëm hotelin me lehtësi, udhëhequr nga navigatori, dhe u vendosëm në “Capsis,” një oazë qetësie në rrugën Ignatia, afër zemrës së qytetit. Pas një pushimi të shkurtër, bukuria e Selanikut doli në pah, i magjishëm si një pikturë që ndryshon me çdo stinë dhe çdo orë.
Për ata që kërkojnë vibrimin e një qyteti plot zhurmë, Selaniku ofron një energji të pakufishme, një ngazëllim që mbush ajrin me jetë. Pas një darke të thjeshtë në tavernat mikpritëse të qytetit, u kthyem në hotel, ku, ndonëse orët po kalonin, Tefiku propozoi të niseshim për në shtëpi. Por në fund, pranuam se ishte vonë dhe se nesër do të na priste një ditë e re, e mbushur me mundësi të reja dhe aventura të panjohura që na thërrisnin të zbulojmë.
Në mëngjesin tjetër, pas një mëngjesi të pasur, dolëm sërish në qytet, të mbushur me energji për të bërë disa blerje për nipat dhe vajzat tona. Ndërsa shikonim dyqanet, e ndienim se dita ishte e veçantë — dita e zbritjeve të sezonit në shumë dyqane të Selanikut, një mundësi për të zbuluar thesare të reja. Blerjet shkuan me shpejtësi, por ora ecte me një ritëm marramendës, ndërsa temperatura kishte arritur në 40°C, duke e bërë çdo moment të ndjehej si një sfidë që duhej përballuar.
Selaniku kishte një karakter të veçantë, si një labirint ku shenjat për Maqedoni shpesh ishin të fshehura, dhe zakonisht humbnim në kërkim të rrugës. Por këtë herë, vendosëm të ndiqnim navigatorin dhe të zbulojmë se ku do na çonte. Në momentin që dolëm në rrugën për Maqedoni, qielli u mbulua me retë, dhe një shi i fortë filloi të binte, duke bërë që rruga të mbushej me ujë, vetura dhe sirena. Shiu, në moment transformoi gjithçka, duke sjellë një freski që përçonte ndjenja të reja por edhe frikë. Ndërsa makinat kalonin me shpejtësi, uji mbulonte xhamat, duke u përhapur nga kolonat e veturave, si një valle natyrore që lidhi momentet e përditshme me bukurinë e papritur të një natyre të gjallë.
Pas më shumë se gjysmë ore në këtë zallamahi të papritur, menduam se shiu po qetësohej, por papritmas një rrebesh tjetër, më i fuqishëm se ai i mëparshmi, na përfshiu me një forcë të paparë. Navigatori vazhdonte të na drejtonte, por ne ndiheshim si dy shpirtra të humbur në errësirën e shiut, duke kërkuar një rrugë në një botë të panjohur, e cila na sfidonte në çdo kthesë.
Pasi kaluam një orë, dolëm në atë rrugë që na çonte drejt Maqedonisë, dhe asgjë nuk kishte ndryshuar; dielli ende shkëlqente, dhe asnjë shenjë shiu nuk shfaqej në horizont. Ndërsa vozitnim, nga prapa shihnim Selanikun, i cili dukej se ishte mbuluar nga një natë e errët, e cila kishte zbritur mbi të nga retë e dendura, ndërsa rrufet shkëlqenin si shigjeta që gjuanin në qiellin e nxirë. Një peizazh i ndërlikuar, ku natyra dhe ndjenjat tona përplaseshin në një përballje të thellë mes dritës dhe errësirës, duke krijuar një atmosferë magjike dhe misterioze.
Përshkuam kufirin me gëzim të papërmbajtur, dhe çdo gjysmë ore, Arta dhe Agoni na telefononin me një padurim të madh për të zbuluar se ku ishim. Ende pa rënë nata krejtësisht, arritëm në Prishtinë, qytetin që, si gjithmonë, na priti me bukurinë e tij të paharrueshme, me pastërtinë që shkëlqente si yje në një qiell të qartë, duke na ngrohur zemrat dhe mahnitur sytë.
Shtëpia e ëmbël, ajo oazë ku ktheheshim pas çdo udhëtimi, na frymëzoi të premtojmë se herën tjetër do të qëndrojmë më afër saj, si dy shpirtra që duan të gjejnë ngrohtësinë e njohur. Por ndonjëherë, këto premtime mbeten vetëm fjalë të thëna në ajër, të fluturojnë si gjethe në erë. Ndërkohë, me Tefikun po punonim për të planifikuar udhëtimin tonë të ardhshëm, një sekret të mbyllur fort brenda zemrave tona, si një thesar i bukur që pret të shpërthejë dhe të na çojë në aventura të reja, të mbushura me emocion.