Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të At’ Gjerggj Fishtës
Ismet M. Hasani, Suedi
*
Fritz Radovani e Daniel Gazulli, nga Australia, shkruanin:
“Veprimtaria e At Gjergj Fishtës, në fushën letrare ishte me përmasa gjeniale, ku talenti dhe aftësia e Tij e bani të njohur brenda dhe jashtë Atdheut. Ai ishte dhe asht një Poet i përmasave që ka tërheqë vëmendjen e shumë bashkëkohësve edhe në Europë, por nuk mbeti i tillë vetëm në fushën letrare, mbasi Ai, si Atdhetar i vërtetë, veprimtarinë e Tij e shtrin edhe në lamën shoqërore dhe politike, ku mbrojti me vendosmëni dhe guxim çështjen” tonë mbarëkombëtare. Jeta e Tij në shërbim të Formulës “Fe e Atdhe” e lidhi përjetësisht me brohoritjen në kupën e qiellit për Atdhe dhe ofshamën e thellë të Popullit Shqiptar, të cilit i këndoi me aq mjeshtri në veprat e Tij të pavdekshme. Sa ishte gjallë arriti majat më të larta të vlerësimit, sa u quajt Poeti Kombëtar i Popullit Shqiptar, u vlerësue dhe nderue me një mirënjohje të madhe me shumë dekorata, medalje e tituj nderi…”.
*
“At Fishta, ky gjen me rrënjë në tokën amtare të Popullit Shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte për letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore të kombeve të Europës, u ngjit ndër majat ma të nalta të kulturës”. (Prof. Dr. Norbert Jokl)
*
“Sa qe gjallë, Fishta arriti apogjeun e vlerësimit, uke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit Kombëtar… Vetëm katër – pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u përballën në mënyrë të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë e letërsisë shqiptare…”. (Prof. Ndue Zef Toma)
*
“Vargjet e Lahutës mund t’i lexosh në fillim, në mbarim, në mjedis apo në çdo mëngjes para se të fillosh punën ditore. Ato të japin fuqinë e jetës, fuqinë e punës, sepse mobilizojnë të gjitha ndjenjat e shpirtit… Aq shumë imponohet kjo vepër, saqë disi kurrë më nuk e heq nga dora… Poeti ka arritur të mishëronte të gjitha ligjshmëritë artistike në poezinë popullore, sidomos në përdorimin e figurave stilistike të krahasimit dhe të metaforës”. (Engjëll Sedaj)
*
Prof. dr. – Akademik Sabri Hamiti: “Ky poet i madh e veprimtar i shqiptarisë gjatë gjithë jetës punoi për kombin dhe vendin duke jetuar në të. Lidhja e përhershme me ambientin e jetës shqiptare, ashtu si dhe përkushtimi shpirtëror i atit françeskan, i vunë përgjithnjë vulën tipit të artit të tij dhe përkushtimit të tij. Ai kishte dashurinë e zjarrtë të Rilindësit për vendin, por jo mallin e mërgimtarit që këndon duke himnizuar, prandaj brenda vetes rritste fuqinë vullkanike kundrejt fenomeneve e paraqitjeve të këqija të botës shqiptare. Ai u bë një kritikues i ashpër i realiteteve duke e kthyer artin e vet në tehun çallmor të satirës, duke prekur fenomene të individit, po dhe të shoqërisë. Prandaj, shprehja e tij dhe poezia e tij janë cilësuar si copë e atdheut, poezi e elementaritetit kombëtar…!”
*
“Tetërrokëshi i ngadalshëm e vrap e vrap, si e lyp zjarri i zemrës, asht i premë për poema epike. Me këtë ritëm janë pre ngjetmi e pashoq fishtian, thërrmimet e
forta, uratat e mallkimet…”. (Kostaq Cipo)
*
“Nga poezia gojore Fishta mësoi dhe shfrytëzoi atë që kuptimisht ishte më e rëndësishme, artistikisht më e vlershme dhe me mundësi ndikimi estetik më të madh, por çdo gjë duke ia nënshtruar sistemit të vet krijues,asimilimit në shkallën dhe mënyrën më të lartë, qofte edhe atëherë kur në të parët flitet përshkrimi se në veprën e vet ka futur pjesë të tëra të poezisë gojore”. (Anton N. Berisha)
*
“Te Fishta ndjehet një vargëzim në të njëjtën masë sa poeti erudit, aq edhe rapsodi popullor, që di të krijojë me dorë të sigurt dhe shije të rrallë artistike orkestrimin e muzikalitetit të vargjeve dhe të verbrit të tij të pashtershëm poetik”. (Gjergj Zheji)
*
“At hyri aq thellë në shpirtin e këngëtarëve të maleve shqiptare dhe diti të karakterizojë në mënyrë të dhimbshme dhe të sigurt artin, botën ideale e gjithëmbërësisht të gjitha veglat e armët e rapsodëve që gjenden edhe ndër më të skajshmet krahina të maleve. Vetëm ai që gjendet në mes të kësaj bote mund të ndiente aq thellë zemrën e të rrahmen e djellit të këngëtarit kombëtar shqiptar, mund të kuptonte aq mirë e qartë mendimin e tij”. (Norbert Jokl)
*
“Lahuta e Malësisë” mund të qëndrojë përkrah veprave poetike ma të shquara të popujve të tjerë”. (M. A. Freünvon Godin)
*
Maksimilian Lamberc: “…Lahuta e malcis e Gjergj Fishtës, jo vetëm se ka rëndësi në pikëpamje artistike, por edhe pse ajo, por si vena e mirë, sa ma shumë vjet që të kalojnë aq ma vlerë merr, duke qenë se ajo është pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave, e përpjekjeve, e luftës dhe vdekjes së shqiptarëve: me një fjalë, Lahuta asht shprehja më e qartë e dokes të fshatarëve, banorëve të Maleve të Veriut. E prej se doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm ka për t’ia ditë për nder me dhjetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malcis na la një ritrar të Shqipnís, të përshkruar nga goja e dëshmitarëve njëkohorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit XX me atë ndryshim të vogël, që shqiptari pësoi ç’prej kohërave të largëta të ilirio-trakëve”.
( V i j o n )











I respektuari Kryeredaktor në FL!
Ju falënderoj dhe ju jam shumë mirënohës për PUBLIKIMIN e (pjesa 4) “Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të At’ Gjergj Fishtës – TË TJERËT PËR AT’ GJERGJ FISHTËN” dhe për Ilustrimin e shkrimit tim me foto dhe ballinén me “LAHUTÊN”.
Për respektin që ndjej ndaj Jush dhe FL, po i përsëris vargjet e Fishtës:
DERISA T’MUNDËM ME LIGJËRUE,
E MË FRYMË UNË TË JAM,
KURRË SHQYPNI S’KAM ME T’HARRUE,
EDHE N’VARR ME T’PËRMEND KAM.
(At’ Gjergj Fishta)