Si mund ta parashikojmë politikën e Kosovës?

0
Albin Kurti - fushatë në Prishtinë - 7.2.25

Dardan Osmanaj Dardan Osmanaj

A mundemi me ditë se kah po shkon shteti, kur e shohim qeverisjen e Albin Kurtit dhe i krahasojmë me ata që kanë qenë para tij? Nëse i shikojmë veprimet, jo fjalët, atëherë disa gjëra bëhen të qarta.

Qeveritë para Albin Kurtit, për shumë vite, kanë marrë shumë nga ky shtet e nga ky popull, por kanë dhënë pak. Politika është pa më shumë si teori, si letra, si marrëveshje që nënshkruheshin nën presion. Ata nuk kanë qenë domosdoshmërisht tradhtarë, por kanë zgjedhur rrugën më të lehtë: me u pajtu, me u tërheq, me mos u përballë. Stabiliteti i rremë ka qenë më i rëndësishëm sesa drejtësia.

Albin Kurti ka ardhë me një qasje tjetër. Edhe ai merr pushtet, edhe ai ka gabime, por dallimi është se ai përpiqet edhe me i kthy diçka popullit. Ai nuk e sheh politikën vetëm si teori, por si praktikë. Çka e mendon, përpiqet me e zbatu në terren. Kjo e bën politikën e tij më të vështirë, por edhe më të sinqertë.

Kur flasim për politikën e jashtme, sidomos ndaj Evropës dhe Amerikës, mendoj se Albini din me lujt politikë më mirë sesa mendohet. Jo sepse është i përsosur, por sepse e kupton lojën. Edhe nëse nuk don me gabu, Evropa dhe Amerika munden me ta shti gabimin, sepse interesat e tyre nuk janë gjithmonë të njëjta me tonat.

Evropa dhe Amerika sot e kanë një interes të madh: Serbinë me e shkëput prej Rusisë. Dhe Serbia këtë e di shumë mirë. Prandaj Serbia e përdor këtë si kartë presioni. Ajo është mësuar që Evropa dhe Amerika ta lusin, ta tolerojnë, ta përkëdhelin, vetëm që mos me shku kah Rusia. Ndërkohë, Kosova gjithmonë ka qenë pala që është dashur me u sakrifiku për “stabilitet rajonal”.

Në dialogun me Kosovën, Serbia shpesh vendos kushte jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Evropës dhe Amerikës. Sepse është mësuar kështu. Dhe për fat të keq, kjo lojë shpesh ka funksionuar në dëm të Kosovës.

Prandaj sot Evropa dhe Amerika e kanë më të vështirë me bo dialog me Albin Kurtin sesa me politikanët e mëparshëm. Jo sepse të tjerët kanë qenë tradhtarë, por sepse ata e kanë pa politikën vetëm si teori dhe kompromis. Albini e sheh teorinë, por edhe e praktikon. Dhe kur teoria kthehet në praktikë, atëherë fillon përplasja.

Kosova nuk është shtet që s’ka dhënë asgjë. Përkundrazi, Kosova ka dhënë më shumë se ç’duhej: ka dhënë fëmijë të vrarë, civilë të pafajshëm, jetë njerëzish. Dhe prapë kërkohet që Kosova të japë edhe më shumë, pa u kërkuar kurrë falje e vërtetë agresorit.

Kjo politikë e vazhdueshme ku Kosova vetëm jep, e mëson tjetrin vetëm me marrë. Është njësoj si me rrit një fëmijë duke i dhënë gjithmonë gjithçka – ai mësohet vetëm me marrë dhe nuk mëson respekt. Serbia është mësuar kështu për vite me radhë, sepse dikush gjithmonë ia ka toleruar sjelljen.

Të kërkosh respekt nuk do të thotë me qenë kundër Evropës apo Amerikës. Do të thotë me kërku barazi. Aleatët e vërtetë nuk duhet me të kërku vetëm lëshime, por edhe me ta njoh dhimbjen, sakrificën dhe të drejtën.

Në fund, pyetja nuk është a është Albini perfekt. Pyetja është: a duam një politikë ku gjithmonë japim, apo një politikë ku më në fund kërkojmë respekt? Çmimi i kësaj qasjeje është i lartë, por edhe nënshtrimi ka pasur çmim – dhe atë çmim e kemi paguar shumë herë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.