Pa dyshim se zbrazja e Kosovës nga të rinjët, është dukuria më e dhëmbshme dhe më e trishtë e cila po ndodhë para syve tanë. Rritja enorme e numrit e të rinjëve që janë duke e braktisur Kosovën është tepër shqetësuese dhe plaga më e rëndë në Kosovën e pasluftës.
Shpërngulje që s’u ndalën kurrë
Kemi pasur shpërngulje të popullatës shqiptare nga Kosova në periudha të ndryshme dhe në periudhën e okupimit klasik të Serbisë përgjatë viteteve të ’90-ta, por emigrimet e fundit masive të të rinjëve shqiptarë janë më shqetësuese dhe më të dhëmbshme se asnjëherë më parë gjatë historisë.
Përderisa Kosova po zbrazet nga të rinjët, vendet perëndimore po pasurohen me fuqinë punëtore të të rinjëve tanë. Ngado që shkosh nëpër qytetet dhe metropolet evroperëndore shehë të rinjë të sapoardhur nga trojet tona etnike.
Ndjenjë trishtimi, për faktin se këta të rinjë nuk do të kthehen më në Kosovë, por do të mbetën përjetësisht në perëndim si fuqi krahu, siq mbetëm ne gjeneratat e viteve të ’80-90-ta, të ikur nga dhuna dhe represioni serb.
Por, akoma më e dhëmbshme bëhet situata, kur këta të rinjë nuk janë duke ikur nga dhuna dhe represioni serb, por nga mungesa e përspektivës zhvillimore dhe humbjes së shpresave shkaku i keq-qeverisjeve të vendit.
Ikja e të rinjëve nga vendi, plaga që kullon gjak
Fajtore për ketë nuk është Serbia, por klasa e jonë politike e pasluftës e cila nuk mendoj aspak për të ardhmen e vendit, por për interesat e tyre personale, grupore dhe klanore. Njerëzit e politik-bërjes, gjegjësisht ata që merren me zanatin e politikës, nëse nuk merren me problemet e të rinjëve, përkatësisht, për krijimin e kushteve për punë dhe jetë në Kosovë, nuk e di çka tjetër duhet të jetë prioritet më thelbësor për ta!
Lutem që ky shqetësim i imi personal të trokas në ndërgjegjën e pushtetarëve dhe të secilit politikan në Kosovë, në mënyrë që të gjejnë forma dhe mundësi për parandalimin e zbrazjes së Kosovës nga të rinjët shqiptarë.
Ngase, nëse vazhdohet me këtë trend të largimit Kosova do të mbetet e shkretë dhe e mjerë pa të rinjët e saj!
Atëherë cili do të jetë rezultati final, do të jetë tepër i dhëmbshëm dhe fatal, do të ndodhë realizimi në plotni i planeve serbe për zbrazjen e Kosovës, ku më pastaj do të fillojë rikolonizimi me popullatë serbe dhe jo shqiptare nga vendet ballkanike dhe aziatike, për çka, Kosova nuk do të ngjajë më në atë për të cilën u luftua dhe u derdh gjak.
Një klasë me 7 nxënës dhe 15 arsimtar
Kronika televizive për shkollën e një zone rurale në Kosovë ishte e trisht! Një klasë e mbetur me vetëm 7 nxënës, për të cilën përkujdesën 15 arsimtarë! Kjo për më tepër se trishtim është edhe mallkim njëkohësisht, i cili dita-ditës po na godet me mbyllje të shkollave shqipe gjithandej Kosovës!
Largimi i të rinjëve nga Kosova përveq varfërisë shpirtërore po shkakton edhe humbje të shpresave për jetë në vendin e bekuar me bukuri natyrore dhe pasuri marramendëse nëntokësore!
Kosova jo vetëm që nuk ka kuptim, nuk as jetë dhe ardhmëri pa shpirtin e saj rinor. Ngase shpresa dhe ardhmëria e një vendi janë të rinjët dhe jo gjeneratat e vjetra, të cilat dita-ditës po mbeten gjithnjë e pak. Kosova po varfërohet edhe si pasojë e ikjes nga kjo botë e ish veprimtarëve që e mbajtën gjallë dhe trashëguan brez pas brezi atdhedashurinë, gjuhën e bukur shqipe, traditat popullore dhe kulturen unikate që nuk e ka asnjë komb tjetër në botë.
Mbetet e dhëmbshme ikja nga kjo botë e aktivistëve dhe veprimtarëve pa e shijuar mirë aromën e lirisë dhe pavarësinë e shtetit për të cilin punuan pa rreshtur dhe sakrifikuan jashtëzakonisht shumë. Por, pa dyshim përjetimi më i rëndë i veprimtarëve të gjallë është largimi i fëmijëve, nipave dhe mbesave të tyre nga shteti për të cilin luftuan, derdhën gjakun dhe i lanë gjymtyrët e trupit në fushat e betejës.











