9.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Kombi si realitet kulturor dhe shteti si konstrukt politik

Kombi si realitet kulturor dhe shteti si konstrukt politik

0
Safet Sadiku

Vështrim:

Pyetja u shtrua në një tryezë për inspirim, por përgjigjja kërkon një studim: Shteti mbron kombin, por kur shteti mungon, kombin kush e mbron? Cili është dallimi thelbësor mes kombit dhe shtetit, vështirësitë praktike të identitetit kombëtar dhe cilët janë disa shembuj krahasues ndërkombëtarë.”

Nga Safet SADIKU

Shteti mbron kombin, por kur mungon shteti kombin kush e mbron? Një hulumtim i koncepteve teorike dhe krahasimore gjatë proceseve historike mbi dallimin mes kombit dhe shtetit, si dhe vështirësitë e identitetit kombëtar gjatë këtij rrugëtimi. „Kur shteti mungon, kombin e mbron vetë populli. Gjuha që nuk harrohet nga populli, kultura që nuk dorzohet, kujtesa historike që ruhet si solidariteti në mes njerëzve. Shteti mund të bjerë, por kombi mbijeton për aq kohë sa njerëzit e tij nuk heqin dorë nga vetvetja.“ Në diskutimet mbi marrëdhënien e ndërlikuar ndërmjet kombit dhe shtetit, një prej pyetjeve më të heshtura dhe më të thella mbetet ajo se kush, në të vërtetë, mbron atë realitet të brishtë dhe njëkohësisht të lashtë që ne e quajmë komb, sidomos kur e dimë se shteti, me të gjitha institucionet e tij juridike, administrative dhe politike, përbën një konstrukt historik të kufizuar.

Shteti si një organizëm që mund të lindë, të transformohet ose të zhduket, ndërsa kombi, i mbështetur në gjuhë, në kujtesën e përbashkët, në kulturë dhe në vetëdijen e bashkësisë, shfaqet si një realitet i ngulur më thellë në ndërgjegjen njerëzore, i cili shpesh vazhdon të ekzistojë edhe përtej kufijve të çdo administrimi politik. Kombi ka dëshmuar se zgjat më shumë sesa shtetet që pretendojnë ta përfaqësojnë atë. Në këtë kuptim, thënia pytësore: Shteti mbron kombin, por kur shteti mungon, kombin kush e mbron?” nuk është një pyetje e thjeshtë politike, por një reflektim filozofik mbi atë se çfarë është kombi, si ushqehet vetëdija e tij dhe cilët mekanizma të brendshëm e mbajnë gjallë edhe kur shteti është i përkohshëm, i dobët ose i pafuqizuar në nivelin e dëshiruar.

1) Midis kufijve të shtetit dhe hapësirës së kombit: Përpjekja ime synon të zhvillojë një analizë të thelluar teorike mbi marrëdhënien komplekse midis kombit dhe shtetit duke u mbështetur edhe në kontributet konceptuale të Benedict Anderson, Ernest Gellner, Eric Hobsbawm dhe Anthony D. Smith, të cilët, pavarësisht dallimeve në qasje, ndajnë të njëjtën bindje se kombi nuk është një entitet i natyrshëm apo i ndërtuar sipas dëshirës, por është një konstrukcion historik, kulturor, politik dhe institucional që formësohet paralelisht me transformimet strukturore të shoqërisë. Prandaj, përmes kësaj norme analizohen më lehtë modelet e formimit të kombeve dhe shteteve; rastet kur shteti ka krijuar kombin si rezultat i modernizimit dhe centralizimit administrativ, si dhe rastet kur kombi i ka paraprirë krijimit të shtetit duke ruajtur identitetin e vet përmes mekanizmave kulturorë dhe socialë, si dhe rastet më specifike ku ndërtimi i shtetit dhe jetësimi i kombit kanë ecur paralelisht si produkte të komunikimit modern. Në këtë kuadër, rasti shqiptar trajtohet si një shembull veçanërisht domethënës për të kuptuar tensionet ndërmjet një identiteti kombëtar historikisht të konsoliduar dhe strukturave shtetërore relativisht të vona, të brishta dhe të ndara territorialisht, çka e ngre pyetjen themelore të këtij punimi: nëse shteti e mbron kombin, atëherë kush e mbron kombin në rastet kur shteti mungon ose nuk e përfshin dot tërësinë e tij, kur kombi është më i gjerë se kufijtë e një shteti të vetëm dhe kur identiteti kombëtar është më i thellë, më i qëndrueshëm dhe më i vjetër se vetë shteti që pretendon ta përfaqësojë?

2) Çfarë është kombi? Kombi mund të kuptohet si një komunitet njerëzish të bashkuar jo thjesht përmes „cohabitation-it territorial“ *1, por mbi të gjitha përmes elementeve të thella kulturore e simbolike si: gjuha, kultura, traditat, kujtesa historike, identiteti kolektiv dhe vetëdija e përkatësisë ndaj një bashkësie të përbashkët, të cilat krijojnë një ndjenjë solidariteti dhe kohezioni të brendshëm që nuk varet nga kufijtë politikë të shteteve moderne. Kështu, kombi është një realitet shoqëror dhe sociologjik më i qëndrueshëm se struktura politike e shtetit, sepse identiteti i tij nuk formësohet nga ligjet dhe administrata, por nga përvoja e përbashkët historike dhe nga nocioni i përkatësisë së trashëguar brez pas brezi. Këtë e ilustron qartë edhe rasti shqiptar, ku kombi shqiptar me unifikim gjuhësor, është i mbështetur në një traditë të përbashkët dhe një identitet të qëndrueshëm kulturor, dhe mbetet i pandryshuar edhe pse shqiptarët jetojnë të shpërndarë në gjashtë shtete të ndryshme, duke treguar se kufijtë politikë nuk janë asnjëherë kufij të kombit.

3) Çfarë është shteti?  Shteti për dallim nga kombi, është një organizim politik i strukturuar në mënyrë formale, i cili përfshin një territor të përcaktuar qartë, një qeveri funksionale, institucione administrative dhe juridike, një sistem ligjesh dhe ka një sovranitet të njohur ndërkombëtar, elemente këto që i japin atij aftësinë të veprojë si një autoritet i centralizuar dhe të garantojë funksionimin e rendit shoqëror dhe juridik brenda kufijve të vet. Prandaj, shteti është një realitet i kufizuar nga gjeografia dhe nga njohja ndërkombëtare dhe përfaqëson një mekanizëm të domosdoshëm për organizimin politik të një popullsie, por jo domosdoshmërisht i barasvlershëm me identitetin kulturor të atij populli. Shembulli më tipik është ai i shqiptarëve, ku Republika e Shqipërisë përbën një shtet të pavarur dhe po ashtu Republika e Kosovës është një shtet tjetër i pavarur, secili me sovranitetin dhe me harmonizim juridik të vet, por të dy këto shtete kanë qytetarë që i përkasin të njëjtit komb shqiptar, duke dëshmuar edhe një herë se shteti dhe kombi janë dy realitete të ndryshme që mund të ekzistojnë paralelisht, të ndërthuren apo të mos përkojnë në mënyrë të plotë në çështje të administratës juridike etj.

Në debatin teorik dhe politik mbi natyrën e kombit dhe shtetit, është thelbësore të kuptohet se këto dy koncepte, edhe pse shpesh përdoren si sinonime në diskursin publik, në thelb i përkasin dy niveleve të ndryshme të realitetit shoqëror. Ndonëse shteti përfaqëson një organizim politik me struktura të qarta juridike, administrative dhe territoriale, i cili zotëron mekanizma formale për të garantuar sigurinë, mbrojtjen dhe funksionimin e shoqërisë. Ndërsa kombi është një entitet shumë më i gjerë, shumë më i thellë dhe shpesh shumë më i vjetër se vetë shteti, sepse ai ndërtohet mbi gjuhën, kulturën, kujtesën historike dhe vetëdijen kolektive të një populli, duke krijuar një komunitet që tejkalon kufijtë politikë. Kështu që, në shumë raste, mbetet i pambrojtur përtej mekanizmave shtetërorë që zakonisht mendohet se e përfaqësojnë. Pikërisht në këtë kontekst lind dilema themelore e kësaj analize krahasuese.

Pra, nëse shteti ka funksione të qarta juridike e politike për të mbrojtur kombin brenda territorit të tij, atëherë çfarë ndodh me pjesët e kombit që ndodhen jashtë të drejtës juridike të shtetit, konkretisht siç jemi ne shqiptarët. Pra, kush i mbron këta qytetarë dhe cilat struktura shtetërore mbështeten për të ruajtur identitetin e tyre? Pa dyshim se kjo logjikë shkencore si një shembull ilustrues i kësaj çështjeje është situata më specifike e shqiptarëve në tërë Gadishullin Ilirik, sepse shteti shqiptar është i kufizuar vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, i cili zotëron juridiksion vetëm mbi një pjesë të popullsisë shqiptare, ose më pak se gjysmën e popullëisë kombëtare. Kjo për faktin se kombi shqiptar jeton i shpërndarë në disa shtete; në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, në Serbi, dhe në Greqi, (pra kudo me faktorë historikë si popull autokton, por i mohuar juridikisht), plus edhe migrimtarët e shumtë në mërgatë. Pavarësisht kufizimeve juridike ndërkombëtare, shteti juridik, Shqipëria ka të drejtë dhe detyrim moral e politik të mbrojë kombin e vet. Në këtë kuptim, Shqipëria gëzon të drejtën juridike dhe politike të mbrojë shqiptarët kudo që ata jetojnë në shtetet fqinje, përmes mjeteve diplomatike, ligjore-juridike dhe ndërkombëtare, edhe pse ata ndodhen jashtë juridiksionit të saj territorial. Ky argument juridik ka treguar qartë me shumë dëshmi se kombi dhe shtetit nuk përputhen automatikisht, dhe se identiteti kombëtar shpeshherë është më i gjerë se kufijtë politikë të shtetit që pretendon ta përfaqësojë. Me këtë rast më lejoni të merrem pak me sqarimin e këtyre nocioneve veç e veç.

4) Kush e mbron kombin kur shteti nuk është i mjaftueshëm?  “Shteti e mbron kombin, por kur shteti mungon, kombin kush e mbron? Kombin më së shumti e mbron vetëdija kolektive. Kombin e mbrojnë edhe faktorë të tjerë si: shteti modern, fakti për afirmimin e identitetit shqiptar në institucione ndërkombëtare, kultivuesit e kulturës së mirfilltë, njohësit dhe studiuesit e gjuhës, por edhe krijuesit kulturor janë si roje e vlerave kombëtare, dhe e nocionit Komb, ashtu si i tërë populli me vlerat e tij, pavarësisht se ku jeton, duke konfirmuar mishrimin e të gjitha simboleve të kombit. Për shkak se kombi shqiptar shtrihet në disa shtete; Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Serbi, dhe në Greqi dhe ka një mërgatë tejet të madhe. Por, mbrojtja e identitetit kombëtar nuk mund të bazohet vetëm te shteti i njëjtë, por është shpërndarë në një sërë aktorësh dhe institucione që përbëjnë mekanizmat e vërtetë të ruajtjes së kombit. Këtu hyjnë gjuha dhe kultura, të cilat historikisht kanë qenë faktorët më të qëndrueshëm të identitetit. Por, edhe familja dhe tradita, kanë ruajtur zakonet dhe vetëdijen kombëtare etj. Arsimimi në gjuhën amtare, që ka qenë për shekuj themeli i vetidentifikimit, siç e përshkruan Anderson: „feja dhe institucionet shpirtërore“, sidomos për komunitetet jashtë kufijve siç është mërgata, e cila ruan identitetin shpesh edhe më fuqishëm se shtetet amë, dhe në fund, institucionet shtetërore; shqiptare dhe shqiptare (tani e quajtur juridikisht kosovare), të cilat, për shkak të rrethanave politike, kanë kapacitete të kufizuara në mbrojtjen e një identiteti që tejkalon juridiksionet e tyre. (Zgjidhjen e çështjes juridike lexuesit e gjejnë gjërsisht në programin e „Platformës për Referendum Kombëtar“).

5) Pra, çfarë është kombi dhe çfarë është shteti? Në literaturën klasike të nacionalizmit, kombi përkufizohet përmes një game të gjerë teorish që nisin nga konstruksionizmi kulturor deri te qasjet moderniste apo etno-simbolike, dhe pikërisht këto qasje ndihmojnë në kuptimin e tensionit shkencor dhe politik të formulimit: “Shteti mbron kombin, po kombin kush e mbron?“, sepse secili nga studiuesit dhe teoricienët e mëdhenj të këtij fushe e sheh raportin komb–shtet në mënyrë paksa të ndryshme. Sipas Benedict Anderson, kombi është një “komunitet i imagjinuar”, i cili ekziston sepse anëtarët e tij, pavarësisht se nuk njihen drejtpërdrejt, imagjinojnë një bashkësi të përbashkët falë gjuhës, shkrimit, shtypit, arsimit dhe mekanizmave të tjerë modernë dhe të komunikimit masiv. Kjo nënkupton se kombet nuk janë realitete të lashta të pandryshueshme, por konstrukte të epokës moderne që mbështeten fort në funksionimin e institucioneve kulturore. Në të kundërtën e këtij parimi, Ernest Gellner argumenton se kombet lindin vetëm në shoqëritë industriale dhe moderne, ku shteti, përmes arsimimit masiv, standardizimit gjuhësor, centralizimit ekonomik dhe burokracisë së unifikuar, krijon një kulturë të përbashkët që i shërben zhvillimit industrisë. Kështu që për Gellnerin, shteti është prodhuesi kryesor i kombit dhe pa shtet modern nuk ka komb modern. Ndërkaq, Eric Hobsbawm, në vijim të këtij diskursi modernist, thekson se shumë prej traditave që duket se e karakterizojnë një komb janë në fakt “tradicione të shpikura”, të cilat krijohen ose manipulohet nga elitat shtetërore për të legjitimuar ndërtimin e shtetit-nacion.

Pra, identiteti kombëtar është një projekt politik që përdor mite, simbole, heroizma dhe rituale për të prodhuar kohezion shoqëror. Ndërkaq, Anthony D. Smith, përfaqësues i qasjes etno–simbolike, thekson se kombet nuk fillojnë nga zero, por mbështeten mbi “etnitë” dhe komunitetet para-moderne që kanë: mit prejardhjeje, memorie historike, territor simbolik, tradita dhe gjuhë të përbashkët etj. Sipas tij, identiteti historik është themel i të gjitha konfformimeve dhe shteti është shpesh pasues i kësaj baze etno-kulturore.

6) Modelet e formimit të kombeve dhe shteteve: Nga bashkimi i këtyre teorive rezultojnë tre modele themelore të formimit të kombit dhe shtetit, të cilat shpjegojnë dinamika të ndryshme të mbrojtjes së identitetit dhe të rolit të institucioneve shtetërore.
A) Modeli ku shteti krijon kombin sipas Gellner, Hobsbawm: Ky model e vë shtetin në qendër të procesit kombformues, duke e paraqitur si agjentin kryesor që prodhon njësimin kulturor dhe identitetin kombëtar përmes sistemit arsimor, ushtrisë, ligjit dhe burokracisë. Raste klasike janë Franca, ku shteti qendror standardizoi gjuhën dhe krijoi uniformitet kulturor. Po ashtu Italia, është rast ku bashkimi politik i vitit 1861 i parapriu konsolidimit të identitetit italian dhe  gati po njëjtë është edhe Turqia e Ataturkut, ku reformat modernizuese krijuan një identitet të ri kombëtar. Këtu shteti jo vetëm që e mbron kombin, por e ka prodhuar atë. Në vende si Franca, ku në Mesjetë dominonin dialekte të shumta, identitete krahinore dhe përkatësi lokale, kombi modern nuk u shfaq natyrshëm, por u formësua nga shteti qendror përmes standardizimit të gjuhës, centralizimit të arsimit dhe krijimit të një ndjenje qytetarie të unifikuar. Pra, identiteti francez u bë produkt i institucioneve, si një identitet i frymëzuar jo aq nga vetëdija e popullit, sa nga arkitektura e shtetit që kërkonte ta modernizonte shoqërinë. Italia e shekullit XIX ndjek të njëjtin model. Vetëm pas bashkimit politik, nën udhëheqjen e Cavour-it dhe Garibaldit, identiteti italian mori formë reale, pasi shteti krijoi infrastrukturën, gjuhën standarde dhe institucionet që më vonë prodhuan vetëdijen kombëtare. Edhe Turqia moderne e Ataturkut tregon se kombi mund të jetë produkt i ndërgjegjësuar i shtetit, i cili përmes reformave radikale prodhon një vetëdije të re kombëtare. Këto raste dëshmojnë se shteti, kur është i fortë dhe i centralizuar, mund të krijojë jo vetëm mekanizmat e mbrojtjes së kombit, por vetë kombin si kategori identitare. Mirëpo një identitet i tillë, megjithëse i fortë, është shpesh i varur nga qëndrueshmëria e shtetit, për arsye se vetëdija kombëtare nuk buron organikisht nga brenda popullit, por nga programi i institucioneve.

Në diskursin politik dhe sociologjik bashkëkohor, pyetja provokuese: “Shteti mbron kombin, por kur mungon shteti kombin kush e mbron?” paraqet një dilemë të rëndësishme teorike dhe praktike, e cila ngërthen në vetvete një ndër shtjellimet më të ndërlikuara të marrëdhënies ndërmjet shtetit dhe kombit. Edhe pse në diskursin e përditshëm shpesh perceptohen si nocione të ndërlidhura ose madje edhe të njëjta, në aspektin analitik ato përfaqësojnë realitete krejt të ndryshme. Shteti qëndron si organizim politik, juridik dhe institucional, ndërsa kombi si bashkësi kulturore, gjuhësore, historike dhe simbolike. Kjo ndarje, megjithëse teorikisht e qartë, bëhet tejet e komplikuar kur vihet në kontekstin historik dhe praktik të popujve të ndryshëm, e sidomos të shqiptarëve, të cilët për shekuj me radhë kanë ekzistuar si komb pa shtet, ndërsa sot vazhdojnë të ekzistojnë si komb brenda disa shteteve njëkohësisht, duke krijuar një situatë unike në Evropë. Këtu qëndron rëndësia e analizës sonë hulumtuese, që të kuptohet dallimi kur shteti ka krijuar kombin, dhe në anën tjetër kur kombin e ka krijuar shtetin, dhe si ruhet identiteti kombëtar në kushtet kur shteti nuk e përfshin të gjithë kombin.

Duke lexuar me kujdes rrënjët e shteteve të zhvilluara të ndryshme, bëra krahasime konkrete dhe të prekshme edhe me rrënjët e historisë sonë shqiptare. Mësova se në historinë politike botërore kemi disa modele të formimit të kombeve dhe shteteve, të cilat shërbejnë si raste analoge për të kuptuar më mirë rastin shqiptar. Në modelin e parë, i cili dominon në Evropën Perëndimore, është pikërisht shteti ai që formon kombin përmes institucioneve të fuqishme dhe centralizuese. Rasti i Francës përbën shembullin më të pastër dhe të qartë. Ndërsa në Mesjetë territori francez përbëhej nga dhjetëra dialekte, struktura feudale dhe identitete krahinore të ndryshme. Pra, ishte shteti qendror francez, me gjykatat e tij, ushtrinë, administratën dhe sidomos sistemin arsimor, ai që standardizoi gjuhën, krijoi mitet kombëtare, ndërtoi identitetin politik dhe e bëri kombin francez të kuptueshëm si unitet kulturor. Një proces i ngjashëm ndodhi edhe në Itali, ku, pavarësisht se ideja e kombit italian ekzistonte në kuptimin kulturor, vetëm krijimi i një shteti të bashkuar më 1861 e konsolidoi identitetin kombëtar italian, duke uniformizuar gjuhën, duke ndërtuar institucione të përbashkëta dhe duke krijuar një narrativë historike të unifikuar përmes sistemit arsimor. Në këto raste, pra, shteti mbron kombin, sepse vetë shteti e ka prodhuar identitetin kombëtar dhe e ka vënë atë në qendër të funksionimit të tij.

B) Modeli ku kombi krijon shtetin sipas studiuesit Smith: Në këtë model, kombi është më i lashtë se shteti dhe tradita, feja, gjuha dhe kujtesa kolektive mbijetojnë në shekuj dhe i japin jetë shtetit kur krijohen kushtet historike. Shembuj janë Gjermania, ku kultura dhe identiteti gjerman ekzistonin para bashkimit politik. Kështu Greqia, ku feja ortodokse ruajti identitetin kombëtar gjatë sundimit osman dhe po ashtu hebrejtë, të cilët krijuan shtetin e tyre modern pas një historie të gjatë identitare. Këtu kombin e mbrojnë institucionet paralele, traditat dhe vetëdija e përbashkët.

Në të kundërtën, ekziston modeli ku kombi paraqitet si forca thelbësore që krijon shtetin, duke qenë një realitet i fortë kulturor përpara se të ketë një strukturë politike të centralizuar. Rasti klasik i këtij modeli është ai i gjermanëve të shekujve XVIII–XIX, të cilët, ndonëse të ndarë në dhjetëra principata, zotëronin një identitet të fortë gjuhësor dhe kulturor, një traditë të konsoliduar intelektuale dhe një vetëdije të qartë për përkatësinë etnike. Pikërisht kjo bazë kulturore e fuqishme bëri të mundur që në vitin 1871 të krijohej Perandoria Gjermane si rezultat i bashkimit të provincave gjermane rreth Prusisë. Një rast tjetër domethënës është ai i Greqisë, ku identiteti kulturor dhe fetar grek, i ruajtur nga kisha ortodokse dhe nga traditat, vazhdoi të ekzistonte edhe gjatë katër shekujve nën sundimin osman dhe më pas u materializua në krijimin e shtetit modern grek në shekullin XIX. Po kështu, hebrenjtë, para krijimit të shtetit të Izraelit, ekzistonin si komb me traditë, gjuhë dhe religjion unik për mijëra vjet, megjithëse pa shtet, e pikërisht ky identitet i rrënjosur e bëri të mundur rikrijimin e shtetit pas vitit 1948. Këtu kombin e ka mbrojtur kultura, feja, tradita dhe kujtesa kolektive, pra elemente që ekzistojnë pavarësisht nga shteti.

Te popujt si gjermanët, grekët dhe shqiptarët, ndodh e kundërta: kombi i paraprin shtetit, sepse identiteti është ruajtur përmes gjuhës, fesë, traditës dhe kujtesës së përbashkët. Gjermanët, para 1871, edhe pse të shpërndarë në mbi 30 shtete, ruanin ndjenjën e përkatësisë kulturore dhe gjuhësore, duke dëshmuar se vetëdija kombëtare ishte shumë më e fortë sesa çdo ndarje apo fraksion  politik. Greqia shpërtheu nga brenda Perandorisë Osmane falë një identiteti të ruajtur përmes kishës, letërsisë dhe simbolikës së lashtësisë. Pra, grekët nuk patën nevojë për shtet që të kujtonin se kush ishin. Shqiptarët, për më shumë se disa mijëvjeçarë, ruajtën identitetin përmes gjuhës, Kanunit, zakoneve, strukturave fisnore dhe mitologjisë historike, duke mos e humbur kurrë vetëdijen e tyre, edhe pse shteti shqiptar u krijua vetëm në vitin 1912. Në këto raste, shteti lind nga fuqia e vetëdijes kolektive, nga një kujtesë e ngulitur thellë në ndërgjegjen e popullit. Dhe këtu shfaqet një paradoks filozofik: kombet që lindin nga vetëdija e popullit janë më të qëndrueshëm, por shpesh më të pambrojtura, sepse mbrojtjen e tyre nuk e garanton një shtet i paunifikuar.

C) Modeli i bashkëzhvillimit komb–shtet, sipas teorive të Anderson-it: Ky model e sheh identitetin kombëtar si produkt të një procesi të ngadaltë modernizimi ku shteti dhe kombi formohen paralelisht. Këtu qëndrojnë shembuj si Shtetet e Bashkuara, ku identiteti është politik dhe institucional, dhe Zvicra, ku bashkëjetesa e disa komuniteteve gjuhësore është unifikuar nga kultura institucionale. Këtu te ky model shteti dhe kombi e ndërtojnë njëri-tjetrin.

Nëse modeli i parë përfaqëson kombe të ndërtuar nga shteti dhe modeli i dytë kombe që ndërtojnë shtetin, modeli i tretë paraqet popujt ku kombi dhe shteti zhvillohen njëkohësisht. Këtu mund të përmenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përbëjnë një rast të veçantë, sepse identiteti “kombëtar” amerikan nuk është etnik apo gjuhësor, por politik dhe kushtetues. Pra, amerikan bëhesh duke ndarë ide dhe parime, por jo duke përkuar me një etni të caktuar. Në një formë tjetër, Zvicra paraqet një shtet shumëetnik, ku identiteti kombëtar nuk ka lindur nga një gjuhë e përbashkët apo nga një traditë e vetme, por nga institucione të përbashkëta. Pra, federalizmi, demokracia direkte dhe sistemi juridik. Në këto raste, identiteti kombëtar është, në njëfarë mënyre, produkt i bashkëjetesës me shtetin dhe nuk mund të ndahet nga ai. Duke analizuar këto modele të ndryshme, bëhet më e qartë se ku qëndron veçantia e rastit shqiptar. Kombi shqiptar ka ekzistuar si realitet kulturor shumë më herët sesa shteti shqiptar. Gjuha shqipe, struktura shoqërore e bazuar në familje dhe fis, traditat e kanunit, dhe më vonë kujtesa historike e lidhur me figurën e Gjergj-Kastriotit-Skënderbeut dhe me rezistencën ndaj pushtimeve gjatë gjithë historisë. Të gjitha këto kanë ndërtuar një identitet të qëndrueshëm kombëtar, i cili i mbijetoi perandorive dhe kohërave të vështira, ndonëse pa një shtet të përbashkët.

Shteti shqiptar, i themeluar në vitin 1912, pra nuk ishte dhe nuk është shkaku i krijimit të kombit, por produkti i tij. Problemi thelbësor është se ky shtet ende përfshin vetëm një pjesë të kombit shqiptar, ndërsa pjesa tjetër gjendet në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Serbi, në Greqi, dhe në një mërgatë të madhe historike dhe moderne, por shumë e shpërndarë. Kështu krijohet situata ku identiteti kombëtar shqiptar është më i gjerë se kufijtë shtetërorë dhe ku asnjë shtet i vetëm nuk e përfaqëson të gjithë kombin. Por disa krahasime me popuj të tjerë në situata të ngjashme e ndihmon më mirë kuptimin e kësaj problematike. Një rast i afërt është ai i kurdëve, të cilët përbëjnë një komb të shpërndarë në disa shtete (Turqi, Siri, Irak, Iran), pa pasur ndonjëherë një shtet të tyre të njohur ndërkombëtarisht! Identiteti kurd mbrohet më shumë nga tradita, gjuha dhe komunitetet lokale, sesa nga ndonjë strukturë shtetërore. Ndërkohë, serbët përbëjnë një shembull të kundërt: edhe pse jetojnë në disa shtete, shteti serb (dhe kisha ortodokse serbe) përpiqen të ushqejnë dhe unifikojnë identitetin serb kudo ku jeton ai. Kjo strategji e centralizuar është një nga arsyet pse identiteti serb i mban lidhjet pavarësisht shpërndarjes territoriale. Në rastin grek, shteti modern krijoi kushte që të gjithë grekët, pavarësisht se ku jetonin, të ruheshin brenda një identiteti të unifikuar kulturor e fetar.

Hebrenjtë, për shekuj të tërë të shpërndarë pa shtet, e ruajtën kombin e tyre përmes religjionit dhe traditave, duke treguar se identiteti kombëtar mund të mbijetojë edhe pa institucione shtetërore, por më pas e përdorën shtetin për ta konsoliduar. Këtu rikthehemi përsëri te pyetja fillestare: kush e mbron kombin kur shteti mungon, kur nuk është i mjaftueshëm, ose kur shteti mbulon vetëm një pjesë të kombit? Për popujt e mërgatës ose të shpërndarë në disa shtete, kombin e mbrojnë mekanizma të tjerë: familja, gjuha, tradita, arsimi, feja, vetëdija kolektive dhe në disa raste organizatat kulturore e politike. Te shqiptarët, kombin e ka mbrojtur historikisht familja patriarkale, gjuha e folur, këngët epike, zakonet, kujtesa historike dhe struktura sociale, dhe më vonë rolin e mbrojtjes e morën lëvizjet kombëtare, siç janë rilindësit, shkollat shqipe dhe veprimtaria kulturore e tërë mërgatës. Sot, kombin shqiptar e mbron një kombinim aktorësh: dy shtetet shqiptare (Shqipëria dhe Kosova), institucionet kulturore, shoqëria civile, media, mërgata, dhe vetë traditat e ruajtura ndër breza. Në këtë kontekst, bëhet e qartë se shteti është një strukturë e rëndësishme, por jo e vetmja forcë për ruajtjen e identitetit kombëtar. Në rastet kur shteti është i fortë dhe i unifikuar, ai mund të mbrojë, forcojë dhe konsolidojë identitetin, si në Francë apo Turqi.

Por kur shteti është i dobët, i ndarë në administrata të okupatorëve fqinj, (siç jemi ne shqiptarët) ose përfshin vetëm një pjesë të kombit, atëherë identiteti kombëtar mund të rrezikohet, të rishpërndahet, të deformohet ose të mbetet i pambrojtur. Ky është rreziku që shfaqet te popujt si te shqiptarët e kurdët, ku kombi ka dimensione më të gjera sesa shteti. Ndonëse dilema: “Shteti mbron kombin, por kur shteti mungon, kombin kush e mbron?” nuk është vetëm një pyetje retorike, por një çështje e thellë politiko-sociologjike që kërkon të analizohet në dritën e modeleve historike dhe krahasimeve ndërkombëtare. Në disa vende shteti është krijuesi dhe mbrojtësi i kombit, por në disa shtete të tjera kombi është themeli dhe garancia e mbijetesës së shtetit. Rasti shqiptar i përket modelit ku kombi ka ekzistuar përpara shtetit, ku identiteti është ruajtur më shumë nga kultura sesa nga institucionet, dhe ku vështirësia më e madhe sot nuk është krijimi i kombit, sepse ai është i qëndrueshëm, por koordinimi institucional dhe politik i pjesëve të kombit që jetojnë në shtete të ndryshme.

Prandaj, përgjigjja e vërtetë ndaj pyetjes së ngritur është e shumëfishtë: „Shteti mbron kombin kur e përfaqëson në tërësi, dhe kultura e mbron kombin kur shteti mungon. Ndërsa vetëdija kombëtare e mbron kombin në çdo rrethanë, duke mbetur forca e vetme që nuk varet nga kufijtë politikë.“

7) Krahasime me popuj të tjerë: Kur bëjmë një krahasim të thelluar mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë, mund të konstatojmë se shqiptarët kanë ruajtur një identitet të fortë dhe të qëndrueshëm përmes gjuhës, traditave, familjes dhe vetëdijes historike, edhe gjatë periudhave kur nuk kanë pasur një shtet të organizuar që ta mbrojë këtë identitet. Rasti i ne shqiptarëve duket i ngjashëm në këtë aspekt me hebrenjtë dhe kurdët, të cilët gjithashtu kanë mbijetuar për shekuj pa një shtet që të ofronte mbrojtje institucionale për kombin e tyre. Megjithatë, për dallim nga popuj të tjerë si grekët, francezët apo serbët, të cilët kanë pasur shtete të unifikuara që e mbështesnin dhe e ruanin identitetin e tyre kudo që jetonin, shqiptarët nuk kanë pasur kurrë një shtet të vetëm dhe të fortë që të garantonte këtë mbrojtje universale, duke krijuar kështu një model unik shqiptar, ku kombi është i fortë dhe identiteti kulturor mbetet i qëndrueshëm, por për shkak të ndarjes territoriale dhe mungesës së një shteti unifikues, për shkak të trysnive ushtarake dhe administrative, ai është shpesh i pambrojtur dhe i varur nga mekanizmat joformalë të vetëdijes kombëtare, shoqërisë civile, familjes, arsimit dhe institucioneve kulturore. Në krahasim ndërkombëtar, rasti shqiptar përputhet me modelin e kombit që paraprin shtetin, ngjashëm me grekët para krijimit të shtetit modern, por ndryshe nga serbët, të cilët kërkuan të ndërtojnë një identitet të unifikuar përmes shtetit, ose hebrenjtë, të cilët kishin një identitet të fortë para shtetit, por e konsoliduan atë përmes shtetit të Izraelit.

Nga ana tjetër, kurdët përbëjnë paralelen më të afërt me shqiptarët e para viteve 1912, sepse ende janë një komb i fortë pa shtet kombëtar. Të gjitha këto raste demonstrojnë se modeli i mbrojtjes së identitetit është i ndryshëm sipas kontekstit historik dhe institucional. Në përfundim, sintetizimi i modeleve teorike dhe analizave krahasimore tregon se shteti e mbron kombin vetëm në rastet kur arrin të përfaqësojë tërësinë e tij dhe të artikulojë identitetin kombëtar nëpërmjet institucioneve të forta. Megjithatë, kur shteti mungon dhe është i dobët ose i ndarë, identiteti kombëtar mbrohet përmes kulturës, gjuhës, traditave, kujtesës historike dhe vetëdijes kolektive. Në rastin shqiptar, identiteti kombëtar është dukshëm më i vjetër, më i gjerë dhe më i fortë se shteti, dhe kjo e bën kombin shqiptar një rast unik në Evropë, sepse është një komb me disa shtete, por me institucione të dobëta, çka e lë çështjen e mbrojtjes së identitetit në duart e një mozaiku aktorësh kulturorë, shoqërorë dhe politikë. Me këtë kuptim, sipas teorive të studiuesit Smith, shqiptarët i përkasin një modeli të kombit me origjinë etno–simbolike, me konsolidim kulturor modernist sipas studimeve të Anderson, dhe me institucionalizim ritual të Hobsbawm, dhe me shtetformim të vonshëm që nuk e krijoi kombin sipas teorisë së Gellner. Në krahasim me popujt që kanë shtete të forta unifikuese, shqiptarët i ngjajnë hebrenjve dhe kurdëve në faktin se identiteti i tyre është më i fortë se shteti dhe se vetëdija kombëtare ka qenë rruga kryesore e mbijetesës historike.

Por ndryshe nga francezët, grekët ose serbët, shqiptarët nuk kanë pasur një shtet të vetëm që t’i përmbledhë dhe t’i mbrojë të gjithë në një mekanizëm politik të centralizuar. Prandaj, modeli shqiptar mund të përkufizohet si një paradoks unik historik: një komb i fortë, me një vetëdije të thellë e të lashtë, por me shtete të shumëfishta, të ndara dhe me kapacitete të pabarabarta për ta mbrojtur atë identitet. Në këtë kuptim, përgjigjja ndaj pyetjes, se “kush e mbron kombin?” nuk mund të jetë vetëm “shteti”, sepse te shqiptarët, si në popujt që kanë ruajtur identitetin përmes vetëdijes, kombi mbrohet nga vetë vetëdija e qytetarëve shqiptarë: nga gjuha, nga kujtesa, nga familja, nga mërgata, nga arsimimi, nga kultura, nga organizimi shpirtëror, nga simbolika dhe nga ndjenja e përkatësisë, e cila, në fund të fundit, mbetet forca më e thellë e çdo populli që kërkon të mbijetojë.

Por në veprat e Benedict Anderson-it, kombi paraqitet si “komunitet i imagjinuar”, jo në kuptimin se është iluzion, por në kuptimin se ai ekziston në ndërgjegjen e anëtarëve të tij, të cilët, edhe pse nuk njihen personalisht, ndajnë bindjen e përkatësisë së përbashkët. Pra, kombi është një ndjenjë e prodhuar nga proceset kulturore, gjuhësore dhe komunikative, të cilat krijojnë një hapësirë imagjinare të lidhjes. Kështu edhe Ernest Gellner, në mënyrë më modernizuese, sugjeron se kombi është produkt i shtetit industrial, i cili përmes arsimit dhe administrimit të centralizuar prodhon unifikim kulturor, që nuk mund të mohohet nga asnjë faktor i jashtëm. Megjithatë, kjo teori shpjegon vetëm një pjesë të realitetit, sepse shumë kombe kanë ekzistuar edhe pa shtet. Në hulumtimet e tij Eric Hobsbawm vë theksin në traditat e shpikura, duke parë shtetin si krijues ritualesh që unifikojnë popullsinë, ndërsa Anthony D. Smith e zhvendos çështjen e Kombit në rrënjët e thella të bashkësive etnike, duke argumentuar se kombet kanë bërthama të vjetra, mite prejardhjeje dhe kujtesë kolektive që shpesh i paraprijnë shtetit. Por të gjitha këto teori, sado të ndryshme, konvergojnë drejt një ideje themelore: se identiteti kombëtar nuk është thjesht strukturë politike, por është një proces vetëdijësimi historik, një formë e organizimit të ndërgjegjes njerëzore që prodhon vazhdimësi, që e ruan veten përmes kujtesës dhe simbolikës, dhe që, në shumë raste, është më e fortë se shteti.

8) Rasti shqiptar në dritën e teorive klasike: Rasti shqiptar paraqet një situatë të veçantë, sepse kombi shqiptar historikisht i ka paraprirë shtetit, duke e bërë identitetin kulturor, gjuhësor dhe historik shumë më të qëndrueshëm sesa strukturat e shtetformimit, të cilat u ndërtuan vonë dhe shpesh nën presion të jashtëm. Në linjë me Anthony D. Smith, kombi shqiptar ka qenë i strukturuar rreth një bërthame etnike të qartë, me gjuhë, tradita dhe memorie historike të qëndrueshme që kanë mbijetuar edhe gjatë mungesës së shtetit, çka e shpjegon faktin pse shqiptarët ruajtën identitetin e tyre gjatë sundimeve osmane, romake apo sllave. Ndërkaq, në frymën e Benedict Andersonit, “komuniteti i imagjinuar” shqiptar u konsolidua përmes letërsisë së Rilindjes, veprave të mërgatës, shkollës shqipe dhe mitologjisë kombëtare me figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në qendër, duke krijuar një imazh kolektiv të bashkësisë së përbashkët edhe kur shteti mungonte. Në qasjen e Gellnerit, shteti shqiptar, i formuar vonë dhe me kapacitete të kufizuara industriale dhe administrative, nuk pati fuqinë të prodhonte identitet kombëtar përmes aparatit shtetëror. Për këtë arsye identiteti kombëtar shqiptar është më i gjerë, më i lashtë dhe më i fortë se vetë shteti. Sipas Hobsbawm-it, shteti shqiptar, pas krijimit, ndërtoi simbole, mite, rituale dhe tradita të reja kombëtare, por këto shërbyen kryesisht për të konsoliduar një identitet që ishte tashmë i formuar dhe funksional.

Pra, shteti nuk e krijoi kombin, por e institucionalizoi atë. Shqiptarët përbëjnë një nga rastet më interesante në Europë, sepse janë popull që ka ruajtur identitetin jo falë institucioneve, por falë vetëdijes së qëndrueshme kulturore. Gjuha e tyre, një nga më të vjetrat në kontinent e më gjërë, ka qenë mekanizmi i parë i mbrojtjes së kombit. Pra, familja, zakonet dhe besa kanë formuar një etikë të brendshme që ka zëvendësuar shtetin, ndërsa pavdekshmëria historike e Skënderbeut ka krijuar një figurë të vetëdijes kolektive që ka bashkuar shqiptarët, edhe kur nuk kishin administratë të përbashkët. Por realiteti bashkëkohor është shumë më kompleks, sepse kombi shqiptar është i shpërndarë në disa shtete; Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe në Greqi dhe për më tepër ka një mërgatë të fuqishme që shpesh ruan më me ngulm identitetin sesa qendrat shtetërore të origjinës. Kjo krijon një situatë unike, sepse kombi shqiptar është i fortë në vetëdije, por i ndarë institucionalisht, ndonëse ka vazhdimësi historike, por jo mbrojtje të unifikuar. Ne shqiptarët kemi identitet të qëndrueshëm, por fatkeqësisht ende nuk kemi një shtet që t’i mbrojë në mënyrë gjithëpërfshirëse të tëra vlerat e popullit shqiptar.

9) Përmbledhje krahasuese:

Populli Kush e formoi kombin? Kush e mbron kombin? Situata ndaj shqiptarëve
Shqiptarët Kombi → shtetin Tradita + gjuha; shtetet të ndara Komb i fortë, shtete të dobëta
Grekët Kombi → shteti Shteti + kisha Më i unifikuar se shqiptarët
Hebrenjtë Kombi → shteti Feja + shteti modern Ngjashmëri në ruajtjen pa shtet
Francezët Shteti → kombin Shteti i fortë qendror E kundërta e modelit shqiptar
Italianët Shteti → kombin Shteti (arsimi, gjuha) Komb i vonshëm, por i unifikuar
Kurdët Komb pa shtet Tradita, kultura Rasti më i ngjashëm me shqiptarët e para vitit 1912
Serbët Kombi → shteti Shteti + kisha Kanë strategji më të centralizuar

 

Literatur e konsultuar:
– Anderson, Benedict. Imagined Communities. Verso, 1983.
– Gellner, Ernest. Nations and Nationalism. Cornell University Press, 1983.
– Hobsbawm, Eric. Nations and Nationalism since 1780. Cambridge University Press, 1992.
– Smith, Anthony D. The Ethnic Origins of Nations. Blackwell, 1986.
– Smith, Anthony D. National Identity. University of Nevada Press, 1991.
– Seton-Watson, Hugh. Nations and States. Methuen, 1977.
1) Sqarim: Shprehja:  “Përmes cohabitation-it territorial” do të thotë thjesht:përmes bashkëjetesës në të njëjtin territor.” Fjala cohabitation është term latinisht/frëngjisht i përdorur në teori politike dhe sociologji, që nënkupton bashkëjetesë në një hapësirë të përbashkët, zakonisht mes grupeve të ndryshme etnike, kulturore ose politike. Pra, ideja ishte, shumë kombe e kanë ruajtur identitetin e tyre pikërisht sepse kanë jetuar bashkë në të njëjtin territor historik, edhe kur nuk kishin shtet.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.