Hasan Llunji – myftiu i Ulqinit viktimë e komunizmit (1897-1944)

0

Hafiz Hasan Llunji (1897-1944)

80-vjetori i krimeve të komunistëve në Ulqin

Organizimi i takimeve përkujtimore kushtuar personave apo ngjarjëve të ndryshme paraqet moment nderimi dhe vlerësimi si kudo në botën e qytetëruar. Përkujtimi për hafiz Hasan Llunjin me rastin e 80-vjetorit të vrasjes e vlerësoj si homazh për të gjithë viktimat shqiptare në Ulqin dhe viset tjera shqiptare në Mal të Zi, të cilët u eliminuan me rastin e vendosjës së pushtetit të komunistëve me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Një takim i tillë është në favor të shpalosjes së vërtetës së ndaluar dekada me radhë në kohën e monizmit, për të njoftuar opinionin e gjerë për mbijetësen e shqiptarëve në Ulqin e gjetiu në trojet e tyre në Mal të Zi.

Dr. Nail Draga

Hasan Llunji, i biri i Alushit, myfti dhe myderriz i qytetit, lindi në Ulqin. Ka dy data, vitet 1897 dhe 1900. U rrit dhe u formua në një familje arsimdashëse dhe përparimtare. Ne moshën 13-vjeçare kryen hafizllekun-merr thirrjen hafiz, ndërsa diploma e ti, e lëshuar në vitin 1916/17, dëshmon se ai kreu shkollën dyvjeçare kroate-shqipe të Ulqinit. Më tej dëshironte të vazhdonte shkollimin në mederesenë e Sarajevës. Nga të parët e tij trashëgoj një bibliotekë të pasur me literaturë sa fetare dhe artistike me alfabet arabo-osman. Pasi kreu kualifikimet shkollore, bëri njohuri solide nga lëmi së drejtës trashëgimore të sheriatit.

Në këtë lëmë u diplomua dhe u specializua në Shkodër te Sabri Begu, atëbotë kryemyfti i Shkodrës.Gjatë shërbimit në vise të ndryshme si mësues i fesë, ofiçar, myderriz dhe myfti, ka qenë pajtues në disa revista që botoheshin në Sarajevë, në Shkup e sidomos çmonte lart revistën “Zani i naltë” që botohej në Shkodër. Nga ajo revistë informohej për të arriturat e ndryshme në fushëveprimin e tij sidomos për veprimtarinë e shumë emrave të dëgjuar të kulturës dhe të së kaluarës sonë kombëtare.

Gjatë veprimtarisë dhe shërbimit hafiz Hasan Llunji ka shërbyer ne disa vende nga viti 1918-1944. Ka shërbyer në Ulqin, në Krajë, në Anë të Malit, në rrethinat e Tivarit dhe të Tuzit. Ai nuk ka mundur për të qendruar imun ndaj disa dukurive antikombëtare që organizonte pushteti i kohës në Mbretërinë SKS. Kështu në pranverë të viteve 30-ta në Ulqin flitej së do te vinin disa anije turke për të marrë familjet ulqinake të cilat nga skamja ekonomike dhe shtypja nacionale bëhëshin gati për ta lëshuar Ulqinin e për të emigruar në Turqi.

Ndaj një veprimi të tillë të strukturave të pushtetit që si qellim kishin shpërnguljen e shqiptarëve nga ky qytet me plot guxim reagoi hafiz Hasan Llunji, duke i bindur bashkëqytetarët e tij për te mos e lëshuar Ulqinin. Nga një qendrim i tillë ai ishte në shënjestër të pushtetit dhe u detyru për një kohë ta lëshojë Ulqinin dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, por po ashtu ka qendruar edhe në Durrës, ku pati takime edhe me Mujo Ulqinakun.

Tokat shqiptare i bashkohen shtetit amë-Shqipërisë (1941-1944)

Fillimi i Luftës së Dytë Botërore solli ndryshime edhe ne hartën politike të ballkanit. Kështu pushtuesit e rinjë italian u angazhuan për të përmirësuar gabimin e mëparshëm duke ia bashkangjitur tokat etnike shqiptare nën Mal të Zi shtetit shqiptarë te kohës nga muaji prill i vitit 1941. Një veprim i tillë ishte një surprizë e për shqiptarët sepse pushtuesit fashist sollën lirinë dhe të drejtat e mohuara nga koha e mbretërisë së Malit të Zi dhe ajo e ish Jugosllavisë.

Në rrethana të reja politike dhe shoqërore nga viti 1941-44 Ulqini ishte Bashki dhe nënprefekturë e Shkodrës. Nënprefekt ishte Luigj Lufi, me origjinë nga Mirëdita i cili kishte te kryer fakultetin e historisë, ku përveç gjuhës amtare dinte edhe tre gjuhë të huaja. Truproje e tij ka qenë Rrok Shkreli. Zyrat e nënprefekturës kanë qenë afër Ranës në shtepinë e Bidin Selitës ku është sot pushimorja e pensionerëve. Gjatë kësaj kohe ne Ulqin për të parën herë vendoset administrata në gjuhën shqipe, hapet shkolla shqipe “Skënderbe” me arsmitarë vendas por shumica ishin nga Shkodra ndërsa drejtori i saj ishte shkodrani Jahja Domnori. Ne qytet ka funksionuar edhe gjykata, xhandarmëria, ushtria ku të gjithë ishin shqiptarë. Komandanti i qytetit të Ulqinit ishte Gjon Zefi Ivanaj.

Nuk ka dilemë se ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar me 14.6.1941 paraqet ditën dhe datën me të shënjtë për popullin shqiptarë ne krahinen e Ulqinit. Atë ditë u mblodhen para kishës së Shën Zefit (Mal të Bardhë) rreth 5000 qytetarë pa dallim feje e krahine.
Ja si përshkruan ketë moment historik Rrok Shkreli: ”Atë ditë ishte mbledhur popull i madh nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Shestani… Erdhen edhe krerët e iu bashkuan popullit, dom Nikollë Tusha, Cafo Begu, dom Ivo Bellashi, hoxhë Llunja, Lush Paloka, Dedë Gjo Nikë Delija, Selë Lamoja me të birin Elezin, Rexhep Dollari e shumë ulqinakë me ta.

Së pari ka mbajtur një fjalim të fuqishëm atdhetari dom Nikolla, pastaj ka folur Cafo Begu e ne fund dom Ivo Bellashi në kroatisht pasi ishte kroat… Pas kësaj kemi kërkuar një shkallë për të hypur në kompanjel të kishës, shkallën e ka sjellur Kolë Lucë Ndoja që asokohe iu binte kambanave të kishës. Flamurin e kishte dom Nikollë Tusha, i cili ia dorëzoi Cafo Beg Ulqinit e ky ia dha Dedë Gjo Nikë Delisë; shkallët i solli dhe i mbeshteti fort për mur të kishës Kolë Lucë Ndoja, kurse Dedë Gjoni ma afroi mua shtizën e Flamurit, të cilin e valëvita disa herë në ajër e kjo ndezi zemrat e të pranishmëve, pastaj e vendosa dhe e shtërngova mirë në kompanjol.

Me rastin e ngritjes së Flamurit u ndez gazmendi liridashës e atdhetar ashtuqë të gjithë së bashku i kënduan Flamurit këto vargje:

O Flamur ti kuq e zi
po valon një bukuri
për Shqipni e për liri
në Kosovë e Çamëri
me gazmend e hijeshi
për të shtrejten këtë liri.

More djelt e Traboinit,
të Shestanit e t’ Ulqinit
banju bashkë e lutni i festë
për kufinin që u kanë hjekë,
shkoi kufini ku a kenë motit
n’ Sutorman e n’ Qafë t’ Kokotit “.

Bashkëpunimi me dom Nikollë Tushën

Gjatë tërë kësaj kohe deri në vitin 1944 ne Ulqin edhe pse kanë pasur kërcnime dhe akuza nga qarqe të ndryshme këta dy figura fetare të nderuara ishin shëmbull me sjelljen, komunikimin dhe bashkëpunimin me popullin. Te dy dilshin vazhdimisht së bashku. Ishte kjo një shoqëri dhe tolerancë që nuk ishte ne favorin e individëve dhe qarqeve të ndryshme antishqiptare. Këta dy udhëheqës fetarë së bashku me disa atëdhetarë të tjerë iu bashkuan Cafo Begut i cili personaliteti me njohur në Ulqin dhe më gjerë në hapësirën shqiptare.

Burgosjet në Ulqin

Më 24 nëntor 1944, Ulqinin e vërshuan njësitë lokale partizane. Me të hyrë të tyre fillojnë mënjëher ndjekjet, maltretimet, burgimet dhe vrasjet. Një pjesë e veprimtarëve nuk u gjet në Ulqin, një pjesë arratiset, e frikësuar nga hakmarrjet që tashmë ishin bërë skena të ditës, ndërsa një pjesë mbetet në Ulqin.

Bëhet me dije se pushteti i ri i vendosur në Ulqin, për 24 orë i ka pasur duart e lira për të arrestuar dhe pushkatuar kënd kanë llogaritur si armiq, apo pengesë kundër pushtetit të tyre. Duhët thënë me ketë rast se me vendosjen e pushtetit të ri në Ulqin, pushteti faktik ishte në duar të OZN-ës/UDB-ës, ndërsa partia LKJ ishte fasadë formale, andaj edhe pasojat janë të njohura.

Nuk ka dilemë se më të rrezikuar ishin ata që mbeten në Ulqin ku bënte pjesë edhe hafiz Hasan Llunji. Natën e 26 nëntorit nga OZNA arrestohet në shtëpinë e tij dhe dërgohet ne një burg të improvizuar të tyre në Ulqin. Aty gjen edhe tre ulqinakë të tjerë të cilët i kishin burgosur më parë: Hodo beg Bushatin më të birin Ahmetin, notër i Gjykatës së Ulqinit dhe Rafo Goranën, oficier aviacioni.

Vrasja e Rafo Goranës

Viktima e parë e pushtetit komunist në Ulqin është Rafo Gorana. Ai në mengjesin e dates 26 nëntor 1944 në shtëpi është marrë nga disa persona gjoja për një takim në Cetinë, për të festuar fitorën ndaj okupatorëve. Sipas të dhënës së bashkëshortës së tij në momentin që do të largohej nga shtëpia, tre herë e përqafon djalin e vogël Agimin, i cili ishte dyjavësh, duke mos e parë më. Ishte ky momenti i fundit i ndarjes nga familja, sepse kriminelet në vend që të niseshin në drejtim të Cetinës shkuan në drejtim të Limanit në Ulqin.

Rafo Gorana (1916-1944)
me bashkëshorten Halimen

Ai u pushkatu në mengjesin e datës 27 nëntor 1944, mbi Lima tek Çinari duke shkuar për Valdanos. Aty është vra vetë i katërti: Hodo beg Bushati dhe i biri i tij Ahmeti, i cili ishte noter i Gjykatës së Ulqinit dhe Radovan Aleksiqi. Ata u pushkatuan, dhe nuk i njoftuan fare familjet e tyre, për ti marrur e varrosur, e sot e asaj dite nuk dihet gjë për varrin, apo varret e tyre, duke mbetur enigmë deri në ditët tona(!.?).

Vrasja e Hasan Llunjit

Nga ana tjetër Hasanin e turturojnë mizorisht duke e kërcnuar me pushkatim. Nga ai kërkonin të fliste për aktivitetin dhe shokët e tij. Ndonëse përkohësisht hafiz Hasanin e lëshojnë pasi nuk siguruan prova për akuzen që ia ngarkonin, por nuk vonoi shumë dhe e burgosen përsëri. Organet e OZN-ës përmes spiunëve të tyre përfundimisht realizojnë qellimin e tyre, sepse ata i detyrojnë për të mbledhur nënshkrime nga populli për gjoja krimet që ka bërë ky gjatë kohës 1941-1944. Dhe ne një gjyq të improvizuar në Ulqin, në mbeshtetje të nënshkrimeve të mbledhura, organet e OZN-ës gjoja në emër të “gjyqit të popullit” dhanë fjalen e tyre përfundimtare-deportimin e tyre në Cetinë, në vazhdimin e hetuesisë.

Ne varr të përbashkët

Por, me datën 15 dhjetor 1944 katër të burgosurit me duar lidhur: hafiz Hasan Llunji, Memin Resulbegu, punëtor i gjeodezisë, Caf Canka dhe Zyhdi Fici, me roje të maskuara dhe të armatosur përcilleshin gjoja drejt Cetinës që atje t’iu shqiptohej denimi përfundimtar. Dhe ne drejtim të Tivarit pranë fshatit Braticë arriten ne një kthesë ku iu ishte venë prita, ku i pushkatuan të gjithë, ku i varrosen ne një varr të përbashkët. Edhe sot janë mu ne atë vend pa asnjë shenjë dalluese, edhe pse e kanë merituar të zhvarrosen dhe të varrosen me ceremoni të veçantë.

Veprimet e tilla të komunistëve dëshmuan se ata kishin hartuar më kohë lista për të eliminuar figurat e njohura me autoritet në Ulqin që i trajtonin si armiq të pushtetit përkatësisht si pengesë në realizimin e vendosjës së pushtetit sipas strategjisë së tyre politike. Ishte ky veprim patologjik kundër shqiptarëve, që u dëshmu me veprimet kriminale ku për 18 ditë i pushkatuan 8 qytetarë të Ulqinit pa procedur gjyqësore.

Në sajë të dhënave të cilat disponojmë del qartë se ishte pikërisht pushtetit i ri ideologjik, që nuk zgjodhi mjete për të eliminuar personat dhe familjet me autoritët në Ulqin. Kemi të bëjmë me kohën e manipulimit ideologjik, sepse sipas demagogjisë së tyre çdo gjë fillonte me ta, duke eliminuar traditën shoqërore në Ulqin dhe më gjerë.

Sigurimi i Shqipërisë bashkëpunon me jugosllavët

Çështja e bashkëpunimit nga ana e Sigurimit të Shqipërisë me OZN-ën jugosllave dëshmon më së miri angazhimin e tyre të përbashkët për të eliminuar armiqet ideologjik. Të vetdijshëm se janë të rrezikuar nga pushteti i komunistëve disa individë me autoritet largohen nga Ulqini dhe vendosën në Shqipëri, duke menduar se aty do të gjejnë strehim të sigurtë.

Kështu dom Nikollë Tusha e detyru me u largu nga Ulqini dhe u strehu te kushërini i tij në fshatin Juban afër Shkodrës. Por, as këtu nuk ishte i sigurtë sepse Sigurimi shqiptarë zbuloj qendrimin e tij dhe pasi e arrestoj iu dorëzoj jugosllavëve.Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm ku shtetasi shqiptarë iu dorëzohet organeve të ndjekjës së një shteti tjetër. Por, një veprim i tillë nuk është për çuditur sepse për pushtetarët e rinjë parësore ishte orientimi ideologjik e jo ai kombëtar.Në mënyrë identike është vepruar edhe me ata kosovarë të cilët patën fat të shpëtojnë gjallë në Masakrën e Tivarit(1 prill 1945), të cilët pasi janë zbuluar në Shqipëri iu janë dorëzuar jugosllavëve!

Burgosja dhe pushkatmi i Hodo Alibegut

Ngjajshëm kanë vepruar edhe me Hodo Alibegun të cilin e burgosin në Ndroq afër Tiranës në Shqipëri dhe e sjellin në burgun e Tivarit, ndërsa më pas të dy i sjellin në burgun e Ulqinit. Pas hetuesisë së rëndë, u mbajtë gjykimi publikisht në sallën e hotelit “Jadran” të Ulqinit.

Gjyqi këta dy patriotë i dënoi me nga 20 vjet burg të rëndë. Pas shpalljes së denimit dom Nikollë Tusha e Hodo Alibegu dërgohen për të vuajtur denimin në burgun e Cetinës. Atje Nikollë Tusha ne burgun Bogdanovkraj pati qendrim burrëror, por pikërisht për ketë qendrim ai pushkatohet më 4 nëntor 1946, në Bjellashka Papretina. Se pushteti i kohës kishte planifikuar të eliminonte Hodo Alibegun, dëshmon e dhëna se gjykata rishqyrtoj vendimin e mëparshëm të dënuar me 20 vjet burg duke dënuar me pushkatim i cili u realizu me 17 mars 1948, ku ende nuk i dihet vendvarrimi.

Cekim me këtë rast se janë pushkatuar edhe Vasë Filip Mirdita nga Pistulli, Ali Beqir Bajrami nga Krytha, Merush Halil Omeri nga Krytha, Ali Veli Kalimani nga Kalimani, Lekë Maci Perkolaj, Vukë Pjetër Malaj, Gjon Zef Malaj nga Shestani etj. Ende sot nuk dihet gjë për ështrat dhe varret e tyre.

Mungon ballafaqimi me të shkuarën

Në rrethana të reja shoqërore pas dështimit të ideologjisë komuniste, nga viti 1990, është pritur me të drejtë që të punohët në ndriçimin e ngjarjeve dhe personalitetëve e individëve të ndryshëm të cilët u eliminuan nga pushteti i ri, pas Luftës së Dytë Botërore. Por,ngjarjet nga viti 1944-45 kur është instaluar pushteti komunist në Ulqin, ende nuk janë hulumtuar me kompetencë profesionale nga studiues të ndryshëm. Nëse në kohën e sistemit monist trajtimi i temave të tilla ishte me pasoja, pas rënies së tij, qendrimi indiferent ndaj kësaj kohe nuk mund të arsyetohet më asgjë.

Në lidhje me këtë përiudhë kohore, në mjediset e ndryshme në vendet e ish kampit socialist, janë hapur temat e tilla, duke prezantuar krimet e komunistëve me dokumente të dëshmuara. Por, në këtë aspekt përjashtim bën Mali i Zi, sepse këtu ende hezitojnë të ballafaqohen më të kaluarën, që është në kundërshtim më drejtat qytetare e nacionale të qytetarëve që janë obligime sipas standardëve demokratike europiane.

Dy rezoluta nga Këshilli i Evropës

Edhe pse në Këshillin e Evropës janë miratuar dy rezoluta kundër krimeve të komunizmit, e para ajo më nr.1096 nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe e dyta nr.1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, asnjëra prej tyre nuk është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi. Një veprim i tillë refuzues dëshmon mos gadishmërinë e pushtetit aktual për tu ballafaquar më të shkuarën komuniste sikur kanë vepruar vendet tjera në Europën Juglindore.

Nuk ka dilemë se një qendrim i tillë politik dëshmon në mënyrë transparente se këtu ka mbetur e ngulitur në psikologjinë e tyre sistemi monist, i cili për qellimet ideologjike dhe për pushtet ka eliminuar individë të ndryshëm, ku as shqiptarët në Ulqin dhe më gjerë në Mal të Zi nuk ishin përjashtim.

Hështja dobësi jo vetëm qytetare

Andaj është obligim moral e profesional nga përfaqësuesit tanë politik, si përfaqësues në institucionët qeveritare në Mal të Zi, të riaktualizojnë çështjen e zbardhjës së vertetës së eliminimit të qytetarëve tanë pa gjyqe nga pushteti komunist i kohës. Një veprim i tillë do të eliminonte dilemat dhe spekulimet për temat tabu të cilat kanë qenë të pranishme për rreth pesë dekada.

Ndërsa heshtja pas dëshimit të komunizmit, dëshmon dobësi personale e familjare por edhe si qytetarë që nuk arsyetohet më asgjë. Në këtë aspekt, ne duhet të marrim shëmbuj nga vendet e tjera në regjion të cilët individët me dosje kriminale i kanë shpallur heroj, ndërsa ne vazhdojmë të hështim për viktimat e pafajshme të komunizmit, të cilët ende nuk kanë varre apo ndonjë pllakë përkujtimore.

Edhe pse të vonuar siç është ky takim përkujtimor për hafiz Hasan Llunjin me rastin e 80-vjetorit të vdekjës është koha për tu thënë e vërteta ndaj viktimave, familjarëve dhe brezave të tashëm dhe të ardhshëm, andaj duhet angazhim politikë, intelektual dhe guxim qytetar sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Propozime në nderim të viktimave:

Nga ajo qe u tha me lart në këtë takim përkujtimor është obligim qytetar, moral e familjar për t´u angazhuar më sa vijon:

1. Ndonëse të vonuar pa hezitim duhet të bëhët rivarrosja e viktimave me të gjitha nderimet ne një mjedis të ri, si aksion i përbashkët nga familjarët, Bashkësia Islame dhe pushteti lokal ashtu si veprohet në vendet demokratike.

2. Në nderim të veprimtarisë së tyre shoqërore e kombetare një rrugë apo shesh duhet të emërtohen me emrin hafiz Hasan Llunji, dom Nikollë Tusha dhe Rafo Gorana.

3. Duhet kërkuar dosjen e viktimave të vrarë në arkivin e UDB-së dhe ata të publikohen për opinionin dhe

4. Duke marrë parasysh se viktimat nuk kanë qenë kriminel por individë me autoritet familjar dhe shoqëror në Ulqin të tillët duhet të dekorohen me mirënjohje të veçanta (pas vdekjës)nga pushteti lokal i Ulqinit.

(Fjala e mbajtur me rastin e shënimit të 80-vjetorit të vrasjes së hafiz Hasan Llunjit, mbajtur në Ulqin me 9 maj 2024)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.